Almiro Rodrigues është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Para këtij emërimi, gjyqtari Rodrigues ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar në Divizionin e Apelit të Dhomës për Krime të Luftës të Gjykatës Shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, nga viti 2005 deri në vitin 2009.
Në vitet 1997 – 2001, gjyqtari Rodrigues ka shërbyer si gjyqtar në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. Në këtë Tribunal, ai ka kryesuar Dhomën e Gjykimit I, si dhe ka qenë anëtar i Komisionit për shkrimin e Rregullores së Punës dhe Dëshmive, dhe udhëhoqi Grupin Punues për Praktikën Gjyqësore të këtij Tribunali.
Në vitin 2004, gjyqtari Rodrigues ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar Hetimor të Kombeve të Bashkuara për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare në Bregun e Fildishtë dhe vendet fqinje.
Ai ka udhëhequr grupin punues për përshtatjen e Legjislacionit Penal të Portugalisë me Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe gjithashtu udhëhoqi Bordin për Këshillim Juridik të Ministrisë së Drejtësisë në Portugali. Për një kohë të gjatë, ai ka shërbyer si prokuror në Portugali derisa ka arritur nivelin më të lartë.
Gjyqtari Rodrigues ka përvojë të konsiderueshme akademike meqenëse prej vitit 1981 deri më 1992, ka ligjëruar të Drejtën Familjare dhe Ligjin për të Mitur, Psikologjinë Ligjore dhe Mjekësinë Ligjore në Qendrën për Studime Juridike dhe në Institutin për Mjekësi Ligjore në Lisbonë. Në takime të ndryshme, ai ka ligjëruar mbi të drejtat e njeriut, drejtësinë penale ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare penale.
Gjyqtari Rodrigues është autor i më se 50 artikujve të botuar në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe penale, trembëdhjetë prej të cilave janë botuar në shumë gjuhë dhe revista të huaja.
Studimet për drejtësi ai i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Coimbra-së. Mësimet për Psikologji i vijoi në Fakultetin e Psikologjisë dhe Edukimit të Universitetit të Lisbonës. Trajnimet për Gjykatës i kreu në Qendrën për Studime Juridike. Studimet post-diplomike për Psikologjinë Juridike i kreu në Shkollën për Kriminologji dhe Psikologji të Universitetit Louvain-la-Neuve në Belgjikë dhe posedon diplomë nga Universiteti i Canterbury në Britani të Madhe për Sistemin e drejtësisë angleze dhe njohjen e gjuhës juridike angleze.