Parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës së Kosovës duke kontestuar aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan GŽ nr. 78/2010 të 7 qershorit 2010. Parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se me aktgjykimet P. Posl. Nr. 36/2000 të Gjykatës Komunale në Kamenicë, të 26 shtatorit 2000; GZ Nr. 10/2001 të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, të 23 prillit 2001; Rev. Nr. 141/2003 të Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë, të 30 dhjetorit 2004, si dhe vendimet në vijim P. Posl. Nr. 36/2000 të Gjykatës Komunale në Kamenicë, të 11 janarit 2010 dhe GZ Nr. 10/2001 të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, të 7 qershorit 2010 i është cenuar e drejta për të gëzuar pronën personale si dhe e drejta për siguri juridike për shkak të ekzistimit të dualitetit të vendimeve gjyqësore dhe administrative.
Parashtruesi i kërkesës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vërtetojë vendimet nr. HPCC/D/194/2005/C të 18 qershorit 2005 dhe nr. HPCC/REC/66/2006 të 15 korrikut 2006, të cilat i ka nxjerrë HABITAT-i dhe me anë të së cilave urdhërohet që t’i kthehet pronësia mbi pronën në fjalë. Parashtruesi i kërkesës ka konsideruar se vendimet e HABITAT-it janë të formës së prerë dhe të obligueshme dhe si të tilla ato duhet të njihen. Ai pretendon se me aktgjykimet e lartpërmendura i cenohen të drejtat për të gëzuar pronën personale dhe e drejta për siguri juridike.
Parashtruesi i kërkesës ka konsideruar se janë shkelur neni 46 (Mbrojtja e pronës) i Kushtetutës së Kosovës dhe neni 1 (E drejta e pronës) i Protokollit 1 të KEDNJ-së.
Duke vendosur në lidhje me kërkesën e parashtruesit Draža Arsić, Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të procedurës në tërësi konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e pranueshme. Gjykata është e mendimit se Vendimi HPCC/REC/66/2006 i 15 qershorit 2006 është i formës së prerë në përputhje me nenin 2 paragrafin 7 UNMIK/UREDBE/1999/23, dhe rrjedhimisht nuk i nënshtrohet rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë. Pasi që Vendimi i KKPB-së i 15 korrikut 2006 u bë res judicata më 4 shtator 2006, parashtruesi i kërkesës e ka gëzuar të drejtën e posedimit të pronës, siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, dhe se çdo ndërhyrje në këtë të drejtë, nga cilado gjykatë apo organ administrativ, do të duhej konsideruar shkelje e të drejtave të parashtruesit, Në bazë të asaj që u përmend më lart, Gjykata konkludoi se ka pasur shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës, se vendimi HPCC/REC/66/2006 i 15 korrikut 2006 ishte bërë res judicata më 4 shtator 2006 dhe se rrjedhimisht kishte pasur shkelje të të drejtës së pronës e paraparë me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së. Gjykata në fund konkludon se gjykatat si dhe organet administrative në fjalë ishin përgjegjëse që të merrnin parasysh në mënyrën e duhur procedurat e zhvilluara në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 1999/23 pranë DPB-së dhe KKPB-së, në të cilat ishte i përfshirë parashtruesi i kërkesës, dhe që të zbatonin vendimet e tyre.
Draža Arsić
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Civile