Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Ac. nr. 359/10, të 14 dhjetorit 2010

Nr. të lëndës KI 51/11

Parashtruesit: Rexhep Rahimaj

Parashtruesi i kërkesës, z. Rexhep Rahimaj, e dorëzoi kërkesën bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke e kontestuar Vendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Ac. nr. 359/10, me pretendim se u mor në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-008 për Procedurën Përmbarimore dhe të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe neni 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ, pasi që Gjykata e Qarkut e shtyu përmbarimin e vendimit res judicata të Gjykatës Komunale në Kamenicë, C. nr. 74/2007.
Lidhur me pranueshmërinë e kërkesës, Gjykata vendosi që, bazuar në gjuhën e thjeshtë të nenit 113.7, kjo kërkesë ishte e pranueshme sepse në kërkesën e tanishme z. Rexhep Rahimaj e konteston kushtetutshmërinë e Vendimit Ac. Nr359/10 të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, të 14 dhjetorit 2010. Prandaj, parashtruesi i kërkesës duhet të konsiderohet palë e autorizuar, me të drejtën e adresimit të kësaj çështjeje në Gjykatë dhe se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike, siç parashikohen me ligj, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës. Sa i përket kërkesës së nenit 49 të Ligjit se parashtruesi është dashur ta dorëzojë kërkesën brenda një periudhe prej katër (4) muajsh Gjykata përcaktoi se nga parashtresat e parashtruesit, parashtruesit i ishte dorëzuar vendimi i lartpërmendur i Gjykatës së Qarkut më 6 janar 2011, përderisa parashtruesi e kishte dorëzuar kërkesën në Gjykatë më 15 prill 2011, dmth. brenda afatit katër mujor, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit. Pastaj, parashtruesi i përcaktoi saktë cilat të drejta sipas Kushtetutës dhe KEDNJ pretendohen të jenë shkelur dhe nga cili autoritet publik. Prandaj, Gjykata gjithashtu gjen se parashtruesi e ka plotësuar kushtin e nenit 48 të Ligjit.
Për meritat e kërkesës, Gjykata vëren se Gjykata e Qarkut në Gjilan ka vepruar në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës duke shtyrë vendimin për ekzekutimin e vendimit res judicata të Gjykatës Komunale. Në këto rrethana, Gjykata konkludon se të drejtat e parashtruesit për një gjykim të drejtë dhe efektiv, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës janë shkelur dhe se vendimi res judicata i Gjykatës Komunale të Kamenicës, Vendimi C. nr. 74/2007 i datës 28 shtator 2007, duhet të ekzekutohet. Në arritjen e vendimin e saj, Gjykata gjithashtu u mbështet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që adresojnë çështjen e njëjtë ose të ngjashme. Gjykata deklaroi të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Qarkut dhe e ktheu në rivendosje në Gjykatën e Qarkut, në pajtim me aktgjykimin e kësaj gjykate.

Parashtruesit:

Rexhep Rahimaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile