Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan P. nr. 162/2003, të 7 prillit 2005, dhe aktgjykimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë Ap. nr. 393/2006 të 20 maj 2008, Ap. nr. 04/2009 të 16 shtatorit 2009 dhe PKL nr. 30/2010 të 1 shkurtit 2011.
Nr. të lëndës KI 78/11
Parashtruesit: Burim Ramadani, Arsim Ramadani, Arben Kiqina dhe Blerim Kiqi
Parashtruesit paraqitën kërkesën bazuar në Nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës duke pohuar se të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese janë cenuar me aktgjykimet e gjykatave të rregullta të të gjitha shkallëve, me ç’rast parashtruesit ishin dënuar me burg lidhur me akuzat mes tjerash për kryerje të veprës penale të vrasjes. Parashtruesit pohuan se gjykatat e rregullta të të gjitha shkallëve kanë cenuar të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me nenin 30 të Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve ishte e papranueshme bazuar në Rregullin 36 të Rregullores së Punës për shkak se ishte qartazi e pabazuar. Gjykata vendimin e saj e arsyetoi duke theksuar se gjykatat e rregullta i kanë marrë parasysh dhe iu kanë përgjigjur ankesave të parashtruesve në çështje ligjore që kanë të bëjnë me pranimin e provave dhe vërtetësinë e tyre, vërtetimin e gjendjes faktike dhe zhvillimin e procedurës penale. Gjykata poashtu përsëriti se nuk është gjykatë e apelit apo gjykatë e shkallës së katërt dhe se vërtetimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike është juridiksion i gjykatave të rregullta. Duke cituar vendimin e GJEDNJ-së në rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Gjykata më tutje arsyetoi se fakti që parashtruesit janë të pakënaqur me rezultatin e rastit nuk mund të ngrejë kërkesë të argumentueshme për shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese. Për shkak të arsyeve të përmendura, Gjykata vendosi të hedhë poshtë kërkesën e parashtruesit si të papranueshme.
Burim Ramadani, Arsim Ramadani, Arben Kiqina dhe Blerim Kiqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale