Aktgjykim

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-18-0547-A0001, të 21 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 80/19

Parashtruesit: Radomir Dimitrijević

Shkarko:

KI80/19, Parashtrues: Radomir Dimitrijević, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-18-0547-A0001, të 21 shkurtit 2019

KI80/19, Aktgjykim i miratuar më 10 nëntor 2020 dhe i publikuar më 9 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta në pronë, kërkesë e pranueshme, shkelje e nenin 31 të Kushtetutës

Parashtruesit i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestonte kushtetutshmërinë e Aktvendimit AC-I-18-0547-A0001 të Kolegjit të Apelit, të 21 shkurtit 2019, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se Kolegji i Apelit shkeli të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për Gjykim te Drejte] të Kushtetutës, nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës, sepse: “Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka marrë vendim të parakohshëm me të cilën e konsideron ankesën e parashtruesit të kërkesës të tërhequr sepse paraprakisht KADhPGjS është dashur të vendosë për kërkesën e parashtruesit të kërkesës me të cilin ka kërkuar afat shtesë ose shtyrje të pagesës së taksës gjyqësore sipas ankesës.”

Gjykata fillimisht vlerësoi se kërkesa i plotësoi kushtet e pranueshmërisë për shqyrtim meritor të kërkesës, siç janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të saktësuara më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës të Gjykatës. Në përmbushje të kritereve të mësipërme që rrjedhin nga e drejta për qasje në gjykatë, Gjykata vërejti se, në rrethanat e këtij rasti, kishim të bënim me një “kontest” dhe një të “drejtë civile” mes parashtruesit të kërkesës dhe AKP-së, përkatësisht lidhur me realizimin e pagave të pretenduara në shumën prej 16,420.00 euro, për periudhën kohore qershor 1999-2007, si dhe pagesën e 20% nga fondi i mjeteve të privatizimit të ndërmarrjes NSH Fabrika për prodhimin e gypave dhe profileve të çelikut në Ferizaj.

Duke iu referuar rastit konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës i ndodhur para rrethanave faktike dhe juridike të tilla, nga 29 nëntori 2018 ishte në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tij dhe të dhënies së një përgjigjeje të arsyetuar nga ana e Kolegjit të Apelit. Megjithatë ky i fundit, pa e marrë fare në shqyrtim kërkesën e tij të 29 nëntorit 2018, e kishte konsideruar ankesën e tij të tërhequr. I ndodhur para një rrethane të tillë, Kolegji i Apelit ka qenë i detyruar ta shqyrtonte kërkesën e parashtruesit të kërkesë, në pajtueshmëri me paragrafin 5 të nenit 8 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 për unifikimin e taksës gjyqësore, para se ta konsideronte ankesën e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr. Nga shtjellimet e mësipërme, Gjykata konstatoi se mos shqyrtimi i kërkesës së parashtruesit të kërkesës nga Kolegji i Apelit përbënte një të metë procedurale të pakapërcyeshme e cila ishte në kundërshtim me të drejtën për qasje në drejtësi, që u garantohet individëve me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së.

Si përfundim, Gjykata gjeti se Aktvendimi i kontestuar [AC-I-0547-A0001] i Kolegjit të Apelit, i 21 shkurtit 2019, me të cilin është konsideruar e tërhequr ankesa e parashtruesit të kërkesës, nuk ka respektuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për “qasje në gjykatë”. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe të nenit 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Radomir Dimitrijević

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale