KI131/17 – Kërkesë për vlerësim të mungesës së përgjigjes nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
KI131/17, Parashtrues: Uran Halimi
Aktvendim për papranueshmëri, i 10 tetorit 2018
Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, mos-shterim i mjeteve juridike, mungesë e përgjigjes nga autoritetet publike, heshtje administrative, procedurë administrative
Parashtruesi fillimisht e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatë duke u ankuar se Sekretari i Përgjithshëm i MASHT nuk iu ishte përgjigjur në ankesën që ai kishte dorëzuar. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës nuk po kontestonte ndonjë vendim konkret të ndonjë autoriteti publik por në fakt po ankohej për mungesë të përgjigjes nga ana e një autoriteti publik.
Përgjatë procedurave të zhvilluara në Gjykatë, kjo e fundit u njoftua se Sekretari i Përgjithshëm i MASHT nxori Vendim lidhur me ankesën e parashtruesit. Pas marrjes së kësaj informate, Gjykata kërkoi nga parashtruesi që të përgjigjet se a ndërmarrë ndonjë veprim procedural për të kontestuar Vendimit e Sekretarit të Përgjithshëm të MASHT-it apo, më herët, ndonjë hap procedural për të kontestuar heshtjen e këtij organi publik.
Nga përgjigjet e pranuara, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk ka iniciuar (ose nuk e ka informuar Gjykatën të ketë iniciuar) ndonjë veprim ligjor kundër organeve administrative të cilat, sipas pretendimeve të tij, kanë heshtur dhe nuk i janë përgjigjur ankesës së tij; e as nuk ka konfirmuar të ketë iniciuar ndonjë veprim ligjor kundër vendimit të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të MASHT-it.
Gjykata vuri theksin në faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës mund të shqyrtohen nga gjykatat e rregullta, të cilat në fakt e kanë mandatin që të shqyrtojnë ato pretendime kushtetuese. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para se të shterojë të gjitha mjetet efektive të parapara në legjislacionin përkatës.
Në këto rrethana, Gjykata vendosi se kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Uran Halimi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative