Prishtinë, më 22 shtator 2022
Nr. Ref.:RK 2049/22
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI97/22
Parashtrues
Gani Bërnjashi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të paspecifikuar të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga Gani Bërnjashi, nga fshati Karaçevë, Komuna e Kamenicës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar se cilin vendim të autoritetit publik e konteston, por ka theksuar në kërkesë që “[…] lënda PKR. nr. 134/2018 të merret parasysh nga Gjykata“.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të paspecifikuar të autoritetit publik. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë i janë cenuar.
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 29 qershor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi shkresën e parashtruesit të kërkesës të cilën ai e kishte dorëzuar në postë më 23 qershor 2022. Shkresa e parashtruesit të kërkesës ishte e shkruar me dorë në një fletë të vetme letre.
- Më 5 korrik 2022, Gjykata i dërgoi parashtruesit të kërkesës një shkresë lidhur me regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me dokumentet dhe informatat si në vijim: (i) të plotësojë formularin zyrtar të Gjykatës; (ii) të qartësojë saktësisht se cilin vendim të autoritetit publik e konteston para Gjykatës; (iii) të specifikojë dhe qartësojë se cilat të drejta të garantuara me Kushtetutë i janë cenuar me këtë vendim; dhe (iv) të dorëzojë në Gjykatë të gjitha vendimet, si dhe të gjitha dokumentet e tjera përkatëse për kërkesën në fjalë.
- Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI97/22] të 7 korrikut 2022, caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
- Më 19 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës dërgoi përgjigjen e tij ndaj shkresës së Gjykatës të 5 korrikut 2022.
- Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
- Duke pasur parasysh se nuk i disponon të gjitha shkresat e lëndës dhe faktet relevante në kërkesë, Gjykata nuk mund të kuptojë se cili është thelbi i lëndës nr. 134/2018, të cilën parashtruesi i kërkesës vetëm e përmend në kërkesën e tij të plotësuar pjesërisht.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar se cilin vendim të autoritetit publik e konteston para Gjykatës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri të garantuara me Kushtetutë i janë cenuar.
- E vetmja gjë që Gjykata mund të vërejë në këtë pjesë është konstatimi i përmendur nga parashtruesi në kërkesë, me këtë përmbajtje: “[…] sipas mendimit tim mendoj se ky dënim është shumë i lartë dhe se mendoj që nuk janë marur parasysh të gjitha faktet e arsyeshme si dhe rrethanat lehtësuese sepse rasti që më ka ndodhur mua nuk ka qenë qëllimi i vrasjes. Se nuk ka prind që me dëshirë vret djalin e vet. Mirë po gjykata nuk i ka marur parasysh këto fakte, andaj kërkoj që të merrni parasysh e të vlerësoni drejtë duke marur parasysh që kam edhe gruan e dy vajza në shtëpi. Andaj kërkoj që të rishqyrtohet lënda dhe të më ulet dënimi”.
“Kryetari i gjykatës më ka thënë se seancat mundemi t’i zhvillojmë edhe pa avokat dhe gjatë seancave kam pasur avokatin e shtetit. Mirë po në seancën përfundimtare avokati nuk ka qenë i pranishëm fare dhe dënimi është shqiptuar pa prezencë të avokatit tim B.H. Dhe pas këtij vendimi të gjykatës avokati më nuk më ka përfaqësuar dhe kërkoj nga ana juaj që të ma mundësoni një avokat tjetër për të më përfaqësuar, sepse nuk kam mundësi që ta paguaj vetë. Gjykatës të nderuar meqë jam në moshë të shtyer dhe nuk kam njohuri me ligjet e Kosovës, për këtë arsye kërkoj që të më mundësohet avokati […]”.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Rregullorja e punës
Rregulli 32
(Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)
[…]
2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.
Rregulli 35
(Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
(5) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është e paplotë ose e paqartë përkundër kërkesave nga Gjykata ndaj palës që të plotësojë ose të qartësojë kërkesën, nëse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata, ose në qoftë se kërkesa është joserioze.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Përtej kritereve të përcaktuara më lart, në vlerësimin nëse parashtruesi i kërkesës i plotëson kriteret për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton se neni 48 (Saktësimi i kërkesës) i Ligjit specifikisht detyron parashtruesit e kërkesave që të qartësojnë saktësisht aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestojnë dhe që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri kushtetuese pretendojnë të jenë cenuar. Ndërsa, rregulli 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) i Rregullores së punës parasheh që kërkesa e parashtruesve duhet të përmbajë edhe: (a) emrin dhe adresën e palës që parashtron kërkesën; (b) emrin dhe adresën e përfaqësuesit për dorëzimin e dokumenteve, nëse ka; (c) autorizimin për përfaqësuesin ligjor; (d) emrin dhe adresën e palës, ose të palëve kundërshtare, nëse janë të njohura, të cilave u dërgohen dokumentet; (e) mbrojtjen juridike të kërkuar; (f) përmbledhjen e shkurtër të fakteve; (g) arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës; dhe (h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.
- Në këtë kontekst, sipas paragrafit 4 të nenit 22 (Procedimi i kërkesës) të Ligjit, që parasheh se nëse kërkesa ose përgjigja në kërkesë nuk është e qartë ose e kompletuar, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditësh për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë. Atëherë, kur palët përkatëse, nuk dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në Gjykatë, bazuar në rregullin 35 (Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër, duke marrë parasysh që kërkesa është e paplotë ose e paqartë, përkundër kërkesave të saj ndaj palës që të plotësojnë apo qartësojnë të njëjtën.
- Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se shkresën e parashtruesit të kërkesës të shkruar me dorë e pranoi më 29 qershor 2022. Duke pasur parasysh se shkresa e pranuar nuk i plotësonte të gjitha kriteret e kërkesës për procedim të mëtejshëm, Gjykata, më 5 korrik 2022, i dërgoi parashtruesit të kërkesës një shkresë, në të cilën kërkoi: “(i) të plotësojë formularin zyrtar të Gjykatës; (ii) të qartësojë saktësisht se cilin vendim të autoritetit publik e konteston para Gjykatës; (iii) të specifikojë dhe qartësojë saktësisht se cilat të drejta të garantuara me Kushtetutë i janë cenuar me këtë vendim, dhe (iv) të dorëzojë në Gjykatë të gjitha vendimet, si dhe të gjitha dokumentet e tjera përkatëse për kërkesën në fjalë”.
- Në përgjigjen e parashtruesit të kërkesës të 19 korrikut 2022, Gjykata ka pranuar vetëm kërkesën zyrtare të Gjykatës të plotësuar pjesërisht, në të cilën, i) nuk kishte qartësuar se cilin vendim të autoritetit publik e konteston para Gjykatës, ii) nuk kishte specifikuar, dhe as nuk kishte qartësuar, se cilat të drejta dhe liri të garantuara me Kushtetutë i janë shkelur, iii) nuk ka dorëzuar asnjë vendim të autoritetit publik, dhe as dokumente të tjera të rëndësishme për kërkesën në fjalë.
- Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesave, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesave nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesave (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI121/21, parashtrues Bajram Hasani, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 23 shtatorit 2021, paragrafi 38; KI135/21, Isuf Musliu, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 10 shtatorit 2021, paragrafi 35; dhe KI101/21, ‘N.T.SH. Morina B”, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 8 shtatorit 2021, paragrafi 36).
- Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 21, 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022, njëzëri
VENDOS
- TË REFUZOJË kërkesën;
- T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani