Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privatë, DPL.nr.07/2022, të 14 qershorit 2022, dhe Vendimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme, GJS-2022-013, të 23 gushtit 2022

Nr. të lëndës KI 138/22

Parashtruesit: Reshad Zherka

Shkarko:

KI138/22, Parashtrues: Reshad Zherka, Vlerësim i kushtetutshmërisë

së Vendimit DPL.nr.07/2022 të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat të 14 qershorit 2022, dhe Vendimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme GJS-2022-013 të 23 gushtit 2022

KI138/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 28 dhjetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mos-shterje e mjeteve juridike, qartazi e pabazuar

Kërkesa ishte dorëzuar nga Reshad Zherka nga Gjakova, i cili para Gjykatës kontestonte Vendimin DPL.nr.07/2022 të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat të 14 qershorit 2022, dhe Vendimin të Kryetarit të Gjykatës Supreme GJS-2022-013 të 23 gushtit 2022.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se vendimet në fjalë janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 106 të Kushtetutës.

Lidhur me vendimin e Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat, Gjykata vërejti se  parashtruesi i kërkesës pas pranimit të Vendimit [DPL.nr.07/2022] të 14 qershorit 2022 të KDPP-së, ka mundur që të iniciojë konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të Vendimit të KDPP-së, gjë që vërehet që nuk e ka bërë. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e përmbaruesit privat, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta.

Prandaj, Gjykata gjeti se parashtruesi e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht se në legjislacionin e brendshëm ka mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.

Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore theksoi se nëse parashtruesit e kërkesës nuk i shterojnë mjetet efektive juridike të parapara me ligj, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatë konsiderohen si mos-shterje.

Parashtruesit të kërkesës po ashtu kontestonte vendimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme GJS-2022-013 të 23 gushtit 2022, ku pretendonte që përbërja e Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat ishte në kundërshtim me nenin 106 të Kushtetutës, dhe se pjesëmarrja e gjyqtares së Gjykatës Supreme është në kundërshtim me këtë nen, dhe se vendimi i Komisionit në fjalë duhet të shpallet i kundërligjshëm.

Gjykata vërejti se Kryetari i Gjykatës Supreme, kishte dhënë arsyet se pse ai nuk ka të drejtë të vlerësojë vendimin dhe veprimet e gjyqtares në rastin konkret, duke theksuar se ata janë të mbrojtur me Kushtetutë, përkatësisht nga neni 107 i cili parasheh: “Gjyqtaret gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale, padite civile dhe shkarkimi nga funksioni, për vendimet e marra, votimin e bere, mendimin e shprehur dhe veprimet tjera qe janë brenda fushëveprimit te detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtar”.

Rrjedhimisht, pretendimi i parashtruesit të kërkesës se përbërja e Komisionit Disiplinor për Përmbarues Privat nuk është në pajtim me ligjin dhe bie në kundërshtim me nenin 106 të Kushtetutës, nuk është i bazuar, pasi që pjesëmarrja e gjyqtarëve në komisionin në fjalë është e lejuar me ligj.

Parashtruesit:

Reshad Zherka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar