Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr.52/2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës i datës 14 mars 2020

Nr. të lëndës KO 98/20

Parashtruesit: Hajrulla Çeko dhe 29 deputetë të tjerë

Shkarko:

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr.52/2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës, të 14 marsit 2020

Fjalët kyçe: kërkesë institucionale, shpallja e zgjedhjeve, shtyrja e zgjedhjeve, kërkesë pa objekt shqyrtimi 

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës [nr.52/20], të 14 marsit 2020, për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se, vendimi i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me: paragrafin 4 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], nenin 7 [Vlerat], nenin 123 [Parimet e Përgjithshme], nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe paragrafin 1 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 21 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkesa bazohej në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

 

  1. Në lidhje me rrethanat e rastit konkret, Gjykata merr parasysh paragrafin (4) të rregullit 35 të Rregullores së punës, si dhe nenin 37 të KEDNJ-së, me ç ‘rast, për çështjen e rasteve para saj, ajo i përgjigjet dy pyetjeve me radhë: (i) së pari, se a qëndrojnë ende rrethanat për të cilat ishin ankuar drejtpërdrejtë parashtruesit e kërkesës; dhe, (ii) së dyti, nëse efekti i shkeljes eventuale të Konventës për shkak të atyre rrethanave gjithashtu është korrigjuar. Gjykata poashtu vlerësoi nëse edhe më tej është i nevojshëm vazhdimi i shqyrtimit të rastit konkret, në kontekst të respektimit të të drejtave të njeriut të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa.

 

  1. Në kontekst të kësaj analize, Gjykata në vijim konkludoi se në rastin konkret, (i) përderisa arsyeja për të cilën është kontestuar Vendimi i Presidentit, d.m.th. Shtyrja e zgjedhjeve në afat të pacaktuar, më nuk qëndron; dhe (ii) përderisa efekti i shkeljes eventuale të nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së për shkak të atyre rrethanave është adresuar me përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve (përkatësisht më 29 nëntor 2020), Gjykata konsideron se rasti konkret nuk përfshin ndonjë rrethanë të veçantë lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë dhe Konventë.

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se përmes Vendimit të Presidentit [Nr.157/2020], objekti i kërkesës së parashtruesve të kërkesës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Pozita e tanishme, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa në fjalë, tashmë nuk ka arsyetim dhe se qëllimi që është kërkuar të arrihet, tashmë është arritur plotësisht. Në dritën e kësaj, Gjykata konsideron se nuk ka më merita për të shqyrtuar më tutje këtë çështje dhe një arsyetim të tillë, Gjykata tashmë e ka shprehur qartë edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës: KO63/12, me parashtrues Kërkesa e Alma Lamës dhe e 10 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-82, Vendim për heqje të kërkesës nga lista, i 10 dhjetorit 2012, paragrafi 19; Rasti KO107/10, me parashtrues Gani Geci dhe deputetët tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit, 14 tetorit 2010, në lidhje me Strategjinë dhe Projekt-Vendimin e Qeverisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, Vendim për heqje nga lista të kërkesës, i 17 gushtit 2011, paragrafët 24-26; Rastet KI58, KI66 dhe KI94/12, me parashtrues Selatin Gashi, Halit Azemi dhe grupi i këshilltarëve komunalë të KK të Vitisë, Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Komunës së Mitrovicës, Gjilanit dhe Vitisë për kushtëzimet e qytetarëve në qasje në shërbimet komunale me pagesën e obligimeve ndaj ndërmarrjeve publike, Vendim për heqje të kërkesës nga lista, i 5 korrikut 2013, paragrafi 45).

 

  1. Pra, si parim i përgjithshëm procedural, Gjykata nuk nxjerrë vendime për raste ku çështja nuk ekziston më dhe rasti mbetet pa objekt shqyrtimi. Ky është parim i pranuar botërisht për sjelljen e gjykatave dhe është analog me parimin e vetëpërmbajtjes gjyqësore (shih rastin KO63/12, cituar më lartë, paragrafi 23; KI11/09, Tomë Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 2.1 të Urdhëresës Administrative të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Nr. 2003/12, dhe nenit 20.1 të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, Ligji Nr. 02/L-47, Vendim për heqjen nga lista të kërkesës, i 30 majit 2011, paragrafi 46).

 

  1. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës nr.52/20, të 14 marsit 2020, Gjykata vendosi me shumicë votash që, çështja ka mbetur pa objekt shqyrtimi dhe rrjedhimisht vendosi:
  • TË HEQË NGA LISTA kërkesën, në përputhje me rregullin 35 (4) të Rregullores së punës;
  • T’UA KUMTOJE këtë Vendim palëve;
Parashtruesit:

Hajrulla Çeko dhe 29 deputetë të tjerë

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për tërheqjen e palës nga kërkesa