Prishtinë, më 6 janar 2023
Nr. ref.:RK 2103/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI151/22
Parashtrues
Celal Bütüç
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Vendimit nr. 32/2022 të 26 majit 2022 të Komisionit të Ankesave për Shtetësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Celal Bütüç, me vendbanim në Izmir, Republika e Turqisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Vendimin [Nr. 32/2022] e 26 majit 2022, të Komisionit të Ankesave për Shtetësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (në tekstin e mëtejmë: Komisioni i Ankesave i MPB-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 14 [Shtetësia] dhe nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 10 tetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më 4 tetor 2022.
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJSH. KI151/22], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 13 tetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Gjykata po ashtu kërkoi nga ai që të specifikojë se cili është akti i autoritetit publik të cilin e konteston dhe të bashkëngjit vendimin e fundit të kontestuar së bashku me vendimet tjera.
Më 14 tetor dhe 17 tetor 2022, Gjykata pranoi informatat e kërkuara të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike.
Më 13 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 14 dhjetor 2016, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DSHAM) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (në tekstin e mëtejmë: Departamenti për Shtetësi) përmes Vendimit [Nr. 4802/16] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës me natyralizim.
Në një datë të pasaktësuar, kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Komisionin e Ankesave të MPB-së, si organ i shkallës së dytë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më 7 shkurt 2017, Komisioni i Ankesave i MPB-së, përmes Vendimit [Nr. 83/2017], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe la në fuqi Vendimin [Nr. 4802/16] e Departamentit për Shtetësi, të 14 dhjetorit 2016. Ky i fundit vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme për të përmbushur kushtet ligjore për fitimin e shtetësisë të përcaktuar me nenin 16 (Natyralizimi i pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës) të Ligjit nr. 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Shtetësi).
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kishte paraqitur kërkesëpadi.
Më 14 nëntor 2019, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [A. nr. 2126/19], refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Kjo e fundit gjeti se nga faktet e vërtetuara në procedurë administrative, parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar dëshmi konkrete se: (i) ka qëndruar rregullisht në Republikën e Kosovës për pesë (5) vite; dhe (ii) se posedon leje të vlefshme qëndrimi, kritere këto të përcaktuara në nenin 16, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për Shtetësi.
Në vazhdim të arsyetimit, Gjykata Themelore duke u bazuar në nenin 16 (Dëshmitë e Lidhjes së Ngushtë Familjare) të Udhëzimit Administrativ nr. 04/2014 për Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës [tanimë i shfuqizuar me Udhëzimit Administrativ nr. 05/2020 për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës] gjeti se: “Njëra nga kriteret në vijim konsiderohet si dëshmi e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe familjare me Republikën e Kosovës: 1.1.Referenca të personave që jetojnë në Kosovë dhe që janë në gjendje të dëshmojnë lidhjet e ngushta familjare; 1.2.Dëshmi që posedojnë prona të paluajtshme në Republikën e Kosovës apo aktivitet ekonomik.”, të cilat nuk janë në dosjen e aplikimit të parashtruesit të kërkesës”.
Më 16 janar 2020, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [A. nr. 2126/19] të Gjykatës Themelore paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta prishë Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Themelore në tërësi dhe lëndën ta kthejë në rigjykim në këtë gjykatë.
Më 19 prill 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 123/2020]: (i) aprovoi ankesën e parashtruesit si të bazuar; (ii) anuloi Aktgjykimin [A. nr. 2126/19] e Gjykatës Themelore; dhe (iii) anuloi Aktvendimin [Nr. 83/17], të 7 shkurtit 2017, të Komisionit të Ankesave të MPB-së dhe lëndën ia ktheu të njëjtit për rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore: (i) është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, gjegjësisht të nenit 182, paragrafit 2, pika (n), neneve 183 dhe 184 të Ligjit nr. 03/006 për Procedurën Kontestimore; (ii) gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë; dhe për pasojë (iii) në mënyrë të gabuar është zbatuar edhe e drejta materiale
Gjykata e Apelit theksoi se Komisioni i Ankesave i MPB-së, si dhe Gjykata Themelore, në mënyrë të gabuar kanë zbatuar të drejtën materiale, pasi sipas saj, parashtruesi i kërkesës kërkesën e tij për shtetësi e ka paraqitur mbi bazën e asaj se ai ka lindur në Kosovë dhe të dy prindërit në kohën e lindjes së të njëjtit kanë qenë shtetas të Kosovës.
Përmes Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit obligoi Komisionin e Ankesave të MPB-së që gjatë rishqyrtimit, kërkesën e parashtruesit të kërkesës ta vlerësojë në pajtim me nenin 5, paragrafin 1, pikën 1 dhe nenin 6, paragrafin 1 të Ligjit për Shtetësinë, meqenëse sipas kësaj gjykate parashtruesi i kërkesës ka kërkuar njohjen e kësaj të drejte pikërisht bazuar në këto dispozita. Në vijim, Gjykata e Apelit Komisionin e Ankesave të MPB-së e obligoi që të nxjerrë vendim tjetër brenda afatit tridhjetë (30) ditor nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi në pajtim me “vërejtjet, sugjerimet dhe pikëpamjet juridike të kësaj gjykate lidhur me procedurën dhe gjendjen faktike të çështjes”.
Më 26 maj 2022, Komisioni i Ankesave i MPB-së përmes vendimit të kontestuar [Nr. 32/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe la në fuqi Vendimin [Nr. 4806/16] të 14 dhjetorit 2016 të Departamentit për Shtetësi.
Përmes këtij vendimi, Komisioni i Ankesave i MPB-së konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka përmbushur kushtin ligjor për fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës me natyralizim si pjesëtar i diasporës ashtu siç është përcaktuar me nenin 16 të Ligjit për Shtetësi, si dhe nënparagrafin 7, të paragrafit 2 të nenit 15 (Fitimi i Shtetësisë së Pjesëtarit të Diasporës të Republikës së Kosovës) dhe në nënparagrafin 1 të paragrafit 1 të nenit 16 (Dëshmitë e lidhjes së ngushtë familjare dhe ekonomike) të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2020 për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës. Po ashtu, i njëjti Komision konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka plotësuar as kriteret e përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 6 (Fitimi i shtetësisë me lindje në bazë të origjinës) të Ligjit për Shtetësi.
Në vendimin e Komisionit të Ankesave të MPB-së, parashtruesi i kërkesës është udhëzuar që kundër këtij vendimi, mund të inicojë padi administrative në gjykatën kompetente. Nga shkresat e lëndës nuk rezulton që parashtruesi i kërkesës ka iniciuar apo ka përdorur mjete të tjera juridike kundër vendimit të lartcekur të Komisionit të Ankesave të MPB-së, të 26 majit 2022.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi [Nr. 32/2022] i 26 majit 2022 i Komisionit të Ankesave të MPB-së, që ndërlidhet me procedurën e fitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës përmes natyralizimit, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, të garantuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 14 [Shtetësia] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës theksoi se atij padrejtësisht i është refuzuar kërkesa për fitim të shtetësisë, meqenëse i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara sipas Ligjit nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës, duke shtuar se edhe ai edhe prindërit e tij kanë lindur në Kosovë.
Gjykata vëren se Ligji nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës, i publikuar më 2 qershor 2008, të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës në pretendimet e tij, është shfuqizuar me Ligjin në fuqi nr. 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës.
Në fund, parashtruesi i kërkesës pretendon se të gjitha dokumentet e tij janë të sakta dhe jo të mangëta.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet
tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit,
përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para
ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të
njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 14
[Shtetësia]
Fitimi dhe humbja e së drejtës së shtetësisë së Republikës së Kosovës rregullohet me ligj.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
LIGJI NR. 04/L-215 PËR SHTETËSINË E KOSOVËS
Neni 5
Mënyrat e fitimit të shtetësisë
1. Shtetësia e Republikës së Kosovës fitohet:
1.1. me lindje;
1.2. me adoptim;
1.3. me natyralizim;
1.4. në bazë të marrëveshje ndërkombëtare;
1.5. në bazë të neneve 31 dhe 32 të këtij ligji.
Neni 6
Fitimi i shtetësisë me lindje në bazë të origjinës
1. Fëmija lind shtetas i Republikës së Kosovës nëse në kohën e lindjes së fëmijës të dy prindërit janë shtetas të Republikës së Kosovës.
2. Nëse në kohën e lindjes së fëmijës vetëm njëri prind e ka shtetësinë e Republikës së Kosovës, fëmija e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me lindje në rastet vijuese:
2.1. fëmija është i lindur në territorin e Republikës së Kosovës;
2.2. fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër është me shtetësi të panjohur ose pa shtetësi;
2.3. fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër ka shtetësi tjetër, por të dy prindërit pajtohen me shkrim që fëmija të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës. E drejta nga kjo dispozitë duhet të ushtrohet para moshës katërmbëdhjetë vjeçare të fëmijës. Në mungesë të pëlqimit të prindërve fëmija do të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse si pasojë mbetet pa shtetësi.
Neni 16
Natyralizimi i pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës
1. Pjesëtari i diasporës i Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së tij edhe nëse nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në nënparagrafët nga paragrafi 1. i nenit 10 të këtij ligji.
2. Pjesëtar i diasporës i Republikës së Kosovës konsiderohet çdo person i cili e ka qëndrimin e ligjshëm dhe të rregullt jashtë Republikës së Kosovës por i cili dëshmon se ka lindur në Republikën e Kosovës dhe se ka lidhje të ngushta familjare dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.
3. Pjesëtar i diasporës i Republikës së Kosovës konsiderohet edhe secili person i cili është pasardhës brenda një gjenerate i personit të përmendur në paragrafin 2 të këtij neni dhe i cili dëshmon se mban lidhje familjare në Republikën e Kosovës.
4. Kriteret për përcaktimin e lidhjes së ngushtë familjare dhe ekonomike sipas paragrafëve 2 dhe 3 të këtij neni caktohen nga organi kompetent me akt nënligjor.
UDHËZIMI ADMINISTRATIV NR. 05/2020 PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E FITIMIT TË SHTETËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 15
Fitimi i shtetësisë së pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës
1. Kërkesa për fitimin e shtetësisë nga pjesëtari i diasporës parashtrohet personalisht për personin e moshës madhore apo përmes njërit prind për personat e mitur në njërën nga shërbimet konsullore të Republikës së Kosovës apo në njërën nga ZGjC në Kosovë.
2. Kërkesës nga paragrafi 1 i këtij neni për personin madhor, duhet bashkëngjitur dokumentet si në vijim:
2.1. certifikatën e lindjes të Republikës së Kosovës nëse ka lindur në Kosovë ose certifikatën e lindjes në shtetin ku ka lindur;
2.2. certifikatën e martesës nëse është i martuar;
2.3. deklaratën e bashkësisë familjare apo ndonjë dokument tjetër ekuivalent që dëshmon se të paktën njëri prind është i lindur në Republikën e Kosovës;
2.4. certifikatën e lindjes së prindit të lëshuara nga Republika e Kosovës, për pasardhësit e drejtpërdrejtë
2.5. kopjen e dokumentit të identifikimit të vlefshëm me fotografi që duket qartë;
2.6. certifikatën e vendbanimit në shtetin ku banon;
2.7. dëshminë e vendbanimit në Republikën e Kosovës;
2.8. dëshminë që nuk ka dosje penale lëshuar nga Policia e Kosovës dhe dëshminë që nuk është duke u zhvilluar procedurëpenale dhe nuk është i dënuar për vepra penale e lëshuar nga Gjykata kompetente e Republikës së Kosovës si dhe organi kompetent i shtetit të huaj shtetas i të cilit është parashtruesi i kërkesës dhe shtetit në të cilin ka pasur vendbanimin e fundit, jo më të vjetër se 6 muaj.
2.9. deklaratën nën betim me shkrim në të cilën e pranon rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës sipas shtojcës 3.
3. Kërkesës nga paragrafi 1 i këtij neni për personin e mitur duhet bashkëngjitur dokumentet si në vijim:
3.1. për fëmijët e mitur, pëlqimi me shkrim i prindërve i vërtetuar nga noteri;
3.2. certifikatën e lindjes në shtetin ku ka lindur fëmija i mitur;
3.3. kopjen e dokumentit të identifikimit të vlefshëm me fotografi që duket qartë;
3.4. për fëmijët nga mosha 14 deri 18 vjeç, dëshminë që nuk ka dosje penale lëshuar nga Policia e Kosovës dhe dëshminë që nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe nuk është i dënuar për vepra penale e lëshuar nga Gjykata kompetente e Republikës së Kosovës si dhe organi kompetent i shtetit të huaj shtetas i të cilit është parashtruesi i kërkesës dhe shtetit në të cilin ka pasur vendbanimin e fundit, jo më të vjetër se 6 muaj.
3.5. dokument i vlefshëm identifikimi me fotografi për të dy prindërit;
3.6. pëlqimi i fëmijës nga mosha 14 deri në 18 vjet shtojca 2.
Neni 16
Dëshmitë e lidhjes së ngushtë familjare dhe ekonomike
1. Për pjesëtarin e diasporës sipas nenit 15 të këtij Udhëzimi Administrativ, si dëshmi e lidhjes së ngushtë familjare me Republikën e Kosovës konsiderohet njëra nga kriteret si në vijim:
1.1. deklarata para noterit e anëtarit të familjes, i cili është në gjendje të dëshmoj lidhjen e ngushtë familjare të parashtruesit të kërkesës me paraardhësin e tij;
1.2. dëshminë se është i martuar me shtetasin e Republikës së Kosovës.
2. Për pjesëtarin e diasporës sipas nenit 15 të këtij Udhëzimi Administrativ, si dëshmi e lidhjes ekonomike me Republikën e Kosovës konsiderohet njëra nga kriteret si në vijim:
2.1. dëshminë që posedon pronë të paluajtshme në Republikën e Kosovës;
2.2. aktivitetet ekonomike apo biznesore aktive.
3. Përjashtimisht, pjesëtarin e diasporës i cili është pasardhës brenda një gjenerate, duhet të dëshmohet vetëm mbajtja e lidhjes së ngushtë familjare sipas paragrafit 1 të këtij neni.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Vendimin [Nr. 32/2022] të 26 majit 2022, të Komisionit të Ankesave të MPB-së. Megjithatë, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë Komisionit të Ankesave të MPB-së kundër Vendimit [Nr. 4802/16] të 14 dhjetorit 2016, të Departamentit për Shtetësi, përmes të cilit kërkesa e tij për shtetësi të Kosovës ishte refuzuar. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi administrative në Gjykatën Themelore, e cila përmes Aktgjykimit [A. nr. 2126/19], të 14 nëntorit 2019 ishte refuzuar si e pabazuar. Në vijim, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 123/2020] të 19 prillit 2022 kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe çështjen e kishte rikthyer në rivendosje në Komisionin e Ankesave të MPB-së. Ky i fundit, përmes Vendimit [Nr. 32/2022] të 26 majit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke e udhëzuar këtë të fundit në procedurë gjyqësore.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, i obligon personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive që janë të disponueshme, kundër vendimit të kontestuar.
Kriteret e vlerësimit nëse detyrimi për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike është përmbushur, janë mirë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar gjithashtu në praktikën gjyqësore të Gjykatës, duke përshirë por duke mos u kufizuar në rastet e Gjykatës KI211/19, parashtrues Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R, Aktvendim për papranueshmëri i 11 nëntorit 2020; KI43/20, parashtruese Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020; dhe KI42/20, parashtrues Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 gushtit 2020.
Siç është sqaruar përmes rasteve të lartcekura, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastet e Gjykatës KI43/20, cituar më lart, paragrafi 37; dhe KI42/20, cituar më lart, paragrafi 44; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93, Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (b) të Rregullores së punës, më 13 dhjetor 2022 njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Celal Bütüç
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative