Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën [C.nr.546/18]

Nr. të lëndës KI64/23

Parashtruesit: Mejrem Qehaja Rexha

Shkarko:

KI64/23, Parashtruese: Mejrem Qehaja Rexha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën [C.nr.546/18]

KI64/23, Aktgjykim i 31 gushtit 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale; vërtetim i pronësisë; gjykim brenda afatit të arsyeshëm; shkelje kushtetuese

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor, padinë lidhur me vërtetim e pronësisë të së cilës, parashtruesja e kërkesës e kishte filluar në vitin 2008. E njëjta, kishte parashtruar padi për vërtetim të pronësisë në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër katër (4) të paditurve të cilët jetonin jashtë Kosovës. Që nga viti 2008, Gjykata Komunale, përkatësisht Gjykata Themelore, nuk ka vendosur lidhur me kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës. Përgjatë katërmbëdhjetë (14) viteve, gjykata e lartcekur ka mbajtur gjithsejtë shtatëmbëdhjetë (17) seanca gjyqësore, kryesisht të karakterit përgatitor, ndërsa procesi gjyqësorë në vazhdimësi është shtyrë, kryesisht si rezultat i mospjesëmarrjes së të paditurve në seancat përkatëse. Megjithëse Gjykata Themelore kishte vendosur komunikimin me të paditurit jashtë Kosovës nëpërmjet ftesave të dërguara përmes Ministrisë së Drejtësisë, në shumicën e rasteve të paditurit, kanë munguar në seancat e përcaktuara nga Gjykata Komunale/Themelore, përfshirë duke mos e arsyetuar mospjesëmarrjen e tyre. Nga janari 2010 deri në janar 2016, përkatësisht një periudhe 6 (gjashtë) vjeçare, dhe nga shkurti 2018 deri në shtator 2020, përkatësisht një periudhe më shumë se 2 (dy) vjeçare, nuk ishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Seanca e fundit gjyqësore lidhur me padinë e parashtrueses të kërkesës ishte mbajtur më 27 janar 2022.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës kontestoi tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, me pretendimin se çështja saj nuk është gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që Gjykata Themelore nuk ka vendosur ende lidhur me padinë e saj të paraqitur në vitin 2008 dhe si pasojë ka shkelur garancitë e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimit të lartcekur të parashtrueses së kërkesës, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, përkatësisht përmbylljen e procesit gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm kohor, të përcaktuara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika gjyqësore e Gjykatës. Kjo e fundit, ndër tjerash, sqaroi që arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, bazuar në: (i) ndërlikueshmërinë e rastit; (ii) sjelljen e palëve në procedurë; (iii) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (iv) rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontestin përkatës.

Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht përcaktoi që periudha që duhet të merret parasysh për vlerësimin e tejzgjatjes së procedurave gjyqësore në rrethanat e rastit konkret, fillon nga 11 dhjetori 2008, kur parashtruesja e kërkesës ka parashtruar padinë në Gjykatën Komunale, deri më 15 mars 2023, kur parashtruesja e dorëzoi kërkesën në Gjykatë, përkatësisht më shumë se katërmbëdhjetë (14) vite procedura gjyqësore të cilat nuk kanë rezultuar në asnjë vendim gjyqësor. Më tej, në aplikimin e parimeve që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata, ndër tjerash, theksoi që në kontekst të (i) kompleksitetit të rastit, përkundër faktit që rrethanat e rastit ngërthejnë një kontest pronësor, marrë parasysh numrin e dëshmitarëve dhe provat e paraqitura, i njëjti nuk reflekton të jetë rast i kompleksitetit të lartë; (ii) sjelljes së palëve në procedurë, parashtruesja e kërkesës kishte marrë pjesë pothuajse në të gjitha seancat gjyqësore dhe u tregua aktive gjatë gjithë procedurës gjyqësore, duke mos kontribuuar në zvarritjen e procedurës gjyqësore; dhe (iii) sjelljes së autoritetit publik, Gjykata Themelore përkundër faktit që kishte mbajtur shtatëmbëdhjetë (17) seanca përgatitore, nuk kishte arritur të vendoste mbi meritat e padisë së parashtrueses së kërkesës, ndërsa, duke pasur parasysh që të paditurit jetonin jashtë vendit dhe nuk merrnin pjesë në seanca, nuk i kishte shfrytëzuar mundësitë ligjore për caktimin e përfaqësuesve të përkohshëm për të mundësuar vazhdimin e procedurës. Marrë parasysh aplikimin kumulativ të kritereve të lartcekura, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit përkatës, kohëzgjatja e procedurës nuk mund të konsiderohet e arsyeshme dhe se, për pasojë, ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.

Në fund, marrë parasysh konstatimin e Gjykatës se kohëzgjatja e procedurave lidhur me padinë e parashtrueses së kërkesës përbën shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, Gjykata urdhëroi Gjykatën Themelore në Gjakovë që ta njoftojë Gjykatën, sa më shpejt që është e mundur, por jo më larg se 6 (gjashtë) muaj, përkatësisht deri më 29 shkurt 2024, lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës.

Gjykata gjithashtu sqaroi që, ajo nuk e ka kompetencën e akordimit të kompensimit, por që bazuar në praktikën e saj gjyqësore, parashtruesja e kërkesës mund të shfrytëzoj mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të saj, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin përkatës, si rezultat i shkeljes së të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm siç është e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit:

Mejrem Qehaja Rexha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile