Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit, KMLC nr. 134/2018, të Prokurorit të Shtetit, të 15 tetorit 2018, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, AC. nr. 4737/2017, të 3 gushtit 2018 dhe Urdhrit të Përmbaruesit Privat, P. nr. 224/15, të 11 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI 163/18

Parashtruesit: Kujtim Lleshi

Shkarko:

KI163/18, Parashtruesi i kërkesës: Kujtim Lleshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit, KMLC nr. 134/2018, të Prokurorit të Shtetit, të 15 tetorit 2018, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, AC. nr. 4737/2017, të 3 gushtit 2018 dhe Urdhrit të Përmbaruesit Privat, P. nr. 224/15, të 11 tetorit 2017 

KI163/18, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 24 qershor 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosshterrim substancial, kërkesë qartazi e pabazuar,  kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me një Marrëveshje kredie e hipoteke, mosrespektimi i kushteve të të cilës, rezultoi në fillimin e procedurave përmbarimore nga Raiffeisen Banka. Në prill të vitit 2012, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [E.nr.305/2012] lejoi propozimin e Raiffeisen Bankës për shumën e borxhit në vlerë prej 803,360.62 euro, lidhur me titujt përmbarues, siç ishin listuar në propozimin e saj për përmbarim, përkitazi me të cilin u refuzua edhe prapësimi edhe ankesa, nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, respektivisht, dhe çështja u transferua te Përmbaruesi Privat. Ky i fundit, nxori Konkluzionin për shitjen e paluajtshmërive përkatëse, Konkluzion ky i cili u revokua nga Gjykata Themelore në tetor të vitit 2015, pas kërkesës së debitorëve për eliminimin e parregullsive në procedurë përmbarimore, duke urdhëruar caktimin e një eksperti për përcaktimin e vlerës së paluajtshmërive të hipotekuara. I njëjti u caktua nga Përmbaruesi Privat, dhe pas përfundimit të vlerësimit nga eksperti, vazhdoi procedura e nxjerrjes së Konkluzioneve të radhës për shitjen e paluajtshmërive, si rezultat i të cilave, debitorët sërish parashtruan kërkesë për eliminimin e parregullsive në procedurë përmbarimore, kërkesë kjo që u refuzua edhe nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit. Shitjet publike të paluajtshmërive të debitorëve, u realizuan në seancën e tretë publike, në datat 6 janar dhe 11 tetor të vitit 2017, përmes Urdhrave [P. nr. 224/15] të 6 janarit 2017 dhe [P. nr. 224/15] të 11 tetorit 2017, respektivisht, në dobi të Raiffeisen Bankës. Ankesa në Gjykatë të Apelit kundër këtyre Urdhrave dhe propozimi për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurori i Shtetit, u refuzuan.

Parashtruesi i kërkesës i konteston këto konstatime para Gjykatës, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me paragrafin 2 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas dhe të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se (i) Kontrata mbi Pengun “nuk ishte e legalizuar apo e noterizuar”, dhe se për pasojë, sipas tij Kontrata për Kredinë ishte nule, dhe se bashkëshortja e tij nuk kishte dhënë “pëlqimin për hipotekimin” dhe rrjedhimisht, shitja e hipotekës ishte në kundërshtim me Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore; dhe se (ii) Përmbaruesi Privat gjatë procedurës përmbarimore “në kundërshtim me dispozitat ligjore” caktoi ekspert për vlerësimin e paluajtshmërive, i cili nuk ishte i licencuar në territorin ku zhvillohej procedura përmbarimore dhe nuk figuronte në listën e ekspertëve për lëminë përkatëse.

Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, e që ndërlidhen me nulitetin e Kontratës së Kredisë dhe Hipotekës si rezultat i mungesës së “legalizimit apo noterizimit të tyre” dhe mungesës së “pëlqimit për hipotekimin” nga bashkëshortja e parashtruesit të kërkesës, janë të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në kuptimin substancial në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës; (ii) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës e që ndërlidhen me caktimin e ekspertit për vlerësimin e vlerës së paluajtshmërisë nga Përmbaruesi Privat,  janë të  papranueshme sepse janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 47 e 48 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës; dhe (iii) pretendimet për shkelje të neneve 3, 33, 46 e 54 të Kushtetutës, si dhe shkelje të instrumenteve ndërkombëtare, të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas dhe të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, respektivisht, janë të papranueshme sepse të njëjtat janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, siç është përcaktuar përmes neneve 47 dhe 48 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Kujtim Lleshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri