Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 129/2019] të Prokurorit të Shteti, të 13 gushtit 2019, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, [Ac. nr. 3983/2018], të 24 majit 2019, dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë-dega në Malishevë [C.nr. 118/2018] të 2 shkurtit 2018

Nr. të lëndës KI 175/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI175/19; Parashtrues Ismajl Zogaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 129/2019] të Prokurorit të Shteti, të 13 gushtit 2019, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, [Ac. nr. 3983/2018], të 24 majit 2019, dhe  Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë-dega në Malishevë [C.nr. 118/2018] të 2 shkurtit 2018.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta, mos zbatim i vendimit të përmbarueshëm.

KI 175/19, Aktgjykim i miratuar më 28 korrik 202, i publikuar më 13 gusht 2021

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës nga Komuna e Malishevës dhe me mos përmbarimin e Vendimit të KPMSHCK-së, [nr. 738], të 18 prillit 2006 i cili kishte obliguar Komunën e Malishevës që ta kthejë parashtruesin e kërkesës në vendin e punës. Përmes padisë së tij, parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Komunale në Malisheve mosekzekutim të Vendimit të KPMSHCK-së nga Komuna e Malishevës për rikthimin e tij në vendin e punës. Gjykata Komunale në Malishevë përmes Aktgjykimit [C.nr.166/2007] e aprovoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e cila kishte të bënte me pagesën e të ardhurave personale të humbura për periudhën kohore derisa kontrata e punës ka qenë valide, ndërsa e refuzoi pjesën e kërkesëpadisë që kishte të bëjë me kthim në vendin e tij të punës pas skadimit të vlefshmërisë së kontratës së punës për parashtruesin e kërkesë. Gjykata e Apelit, pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2942/2012]  refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.166/2007] e Gjykatës Komunale në Malishevë. Sipas Gjykatës se Apelit kontrata e punës se parashtruesit të kërkesës tashmë kishte skaduar dhe se nuk do të ishte ligjore dhe e logjikshme të urdhërohet që parashtruesi i kërkesës  të kthehet në vendin e punës duke qenë se kontrata e lidhur kishte fuqi ligjore vetëm deri më 31 mars 2006. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr. 6/2014] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se Vendimi i KPMSHCK-së paraqet vendim administrativ të formës se prerë, dhe si i tillë duhet të përmbarohet nga gjykata kompetente. Pas kthimit të rastit në shkallë të parë në rigjykim, Gjykata Themelore në Gjakovë – dega në Malishevë përmes Aktvendimit [Cp.nr.490/2014] detyroi Komunën e Malishevës që ta kompensojë parashtruesin e kërkesës në emër të pagave mujore në vlerë prej 934.78 euro, por refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në vendin e punës dhe kompensimin e të ardhurave personale pas skadimit të kontratës. Gjykata e Apelit  përmes Aktvendimit [Ac.nr.3536/15] vlerësoi se Aktvendimi [Cp.nr.490/2014] i Gjykatës Themelore në Gjakovë – dega në Malishevë  është nxjerrë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore. Parashtruesi i kërkesës bëri precizimin e saktë të propozimit për përmbarim të Vendimit të KPMSHCK-së pranë Gjykatës Themelore. Më 26 maj 2017, Gjykata Themelore në Gjakovë – dega në Malishevë përmes Aktvendimit [Cp.nr.157/2016]: (i) aprovoi propozimin e parashtruesit të kërkesës; (ii) e detyroi Komunën e Malishevës që në bazë të vendimit të KPMSHCK-së, parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e punës; (iii) e detyroi Komunën e Malishevës që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë shpenzimet procedurale. Pas ankesës se Komunës se Malishevës,  Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.4085/17] anuloi Aktvendimin [Cp.nr.157/2016] e Gjykatës Themelore në Gjakovë – dega në Malishevë dhe e ktheu çështjen në shkallë të parë për riprocedim të serishëm. Gjykata Themelore në Gjakovë – dega në Malishevë, në riprocedurë përmes Aktvendimit [Cp.nr.118/2018] ia njohu parashtruesit të kërkesës vetëm të drejtën e kompensimit të të ardhurave financiare dhe atë vetëm për periudhën deri sa e ka pasur kontratën. Pas ankesës se parashtruesit, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.3983/2018] vërtetoi Aktvendimin [Cp.nr.118/2018] e Gjykatës Themelore të 2 korrikut 2018. Ndërsa, Vendimi i KPMSHCK-së [nr. 738] i 18 prillit 2006, përmes së cilit ishte përcaktuar rikthimi i parashtruesit të kërkesës në vendin e punës, në tërësinë e tij nuk ishte përmbaruar asnjëherë nga Komuna e Malishevës.

Gjykata konstatoj se përmbarimi i Vendimit të KPMSHCK-së ka pasur direkt të bëjë me kthimin e parashtruesit të kërkesës në vendin e punës dhe jo vetëm me çështjen e kompensimit financiar në emër të pagave të papaguara gjatë periudhës se largimit nga puna.

Më tutje, duke u mbështetur në shkresat e lëndës që ajo posedon, Gjykata vërejti se përkundër përpjekjeve të pareshtura të parashtruesit të kërkesës që Vendimi  i KPMSHCK-së të përmbarohet, ai vendim nuk është zbatuar asnjëherë dhe as nuk është shfuqizuar. Pra, kanë kaluar më tepër se 12 (dymbëdhjetë) vite nga nxjerrja e Vendimit të KPMSHCK-së (18 prill 2006) deri në vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3983/2018], të 24 majit 2019.

Prandaj, Gjykata thekson se zbatimi i një vendimi të formës së prerë dhe të detyrueshëm, brenda një afati të arsyeshëm, është e drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.

Në rrethanat e rastit konkret Gjykata konstatoj se mospërmbarimi i Vendimit të KPMSHCK-së, nr. 738, i 18 prillit 2006, nga Komuna e Malishevës dhe gjykatat e rregullta për një periudhe kohore kaq të gjatë që nga nxjerrja e Vendimit të KPMSHCK-së, për kthimin e parashtruesit të kërkesës në pozitën e tij të mëparshme përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së. Si rezultat i kësaj shkeljeje, parashtruesi i kërkesës ishte privuar nga e drejta e tij për t’u rikthyer në vendin e punës në pajtim me urdhrin e Vendimit të KPMSHCK-së të nxjerrë në favor të tij.

Parashtruesit:

Ismajl Zogaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm