Aktvendim për mosmbarim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, KKPK/D/R/230/2014, të 13 marsit 2014

Nr. të lëndës KI90/16

Parashtruesit: Branislav Jokić

Shkarko:

Prishtinë, më 2 gusht 2022

Nr. ref.: VMSP 2034/22

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR MOSPËRMBARIM

 

lidhur me

 

AKTGJYKIMIN

 

e

 

Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

të 5 dhjetorit 2017

 

 

rastin nr. KI90/16

 

parashtrues

 

Branislav Jokić

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, KKPK/D/R/230/2014, të 13 marsit 2014

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

 

Objekti i çështjes:

 

  1. Bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenin 19 (Marrja e vendimeve) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 66 (Zbatimi i vendimeve) të Rregullores së punës nr. 01/2018 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës), objekt i çështjes është: (i) vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), përkitazi me zbatimin e Aktgjykimit në rastin KI90/16, me parashtrues Branislav Jokić, të 5 dhjetorit 2017 (në tekstin e mëtejmë: Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI90/16), nga ana e autoriteteve përgjegjëse të Republikës së Kosovës; dhe (ii) vendimmarrja e Gjykatës përkitazi me Aktvendimin për Mospërmbarim dhe Njoftimin përkatës për Prokurorin e Shtetit, siç është përcaktuar në paragrafët (6) dhe (7) të rregullit 66 të Rregullores së punës.

 

 

Baza juridike për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim dhe Njoftimin e Prokurorit të Shtetit:

 

  1. Gjykata fillimisht do të citojë, e më pas elaborojë, bazën juridike për nxjerrjen e këtij Aktvendimi për Mospërmbarim dhe lëshimin e Njoftimit për Prokurorin e Shtetit përkitazi me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KI90/16. Në vijim, dispozitat relevante të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës:

                         

                                             Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 116

[Efekti Juridik i Vendimeve]

 

  1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

               […]

 

Ligji për Gjykatën Kushtetuese

 

Neni 19

(Marrja e vendimeve)

 

  1. Gjykata Kushtetuese vendos si trup gjykues i përbërë prej të gjithë gjyqtarëve të pranishëm të Gjykatës Kushtetuese.
  2. Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë (7) gjyqtarë.
  3. Gjykata Kushtetuese merr vendime me shumicën e votave të gjyqtarëve që janë të pranishëm dhe që votojnë.

[…]

 

 

Rregullorja e punës

 

Rregulli 66

(Zbatimi i vendimeve)

 

(1) Vendimet e Gjykatës janë të obligueshme për gjyqësorin dhe për të gjithë personat dhe për institucionet e Republikës së Kosovës.

(2) Të gjitha organet kushtetuese, si dhe gjykatat e autoritetet, janë të obliguara të respektojnë, të jenë në përputhje dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës, brenda kompetencave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

(3) Të gjithë personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar të respektojnë vendimet e Gjykatës dhe t’u përmbahen atyre.

(4) Gjykata mund të specifikojë, në vendimin e saj, mënyrën dhe afatin kohor për zbatimin e vendimit të Gjykatës.

(5) Organi i obliguar për të zbatuar vendimin e Gjykatës do të dorëzojë informatat, nëse kërkohet dhe ashtu siç kërkohet me vendim, për masat e ndërmarra për zbatimin e vendimit të Gjykatës.

(6) Në rast të moszbatimit të një vendimi, ose të vonesës në dhënien e informacioneve për Gjykatën për masat e ndërmarra, Gjykata mund të lëshojë një aktvendim në të cilin do të theksohet që vendimi nuk është zbatuar. Ky aktvendim publikohet në Gazetën Zyrtare.

(7) Prokurori i Shtetit informohet për të gjitha vendimet e Gjykatës që nuk janë zbatuar.

(8) Sekretariati, nën mbikëqyrjen e gjyqtarit, i cili në pajtim me rregullin 58 e ka hartuar vendimin, do ta përcjellë zbatimin e vendimit, si dhe, sipas nevojës, do t’i raportojë Gjykatës me rekomandimin për procedurat e mëtejmë ligjore që duhet të ndërmerren.

 

  1. Baza e lartcekur ligjore paraqet rregullimin kushtetues dhe ligjor mbi të cilin Gjykata është e autorizuar të ndërmarrë veprime përkitazi me monitorimin e zbatimit të Aktgjykimeve të saj dhe masat përkatëse në rast të konstatimit të moszbatimit të tyre.

 

  1. Në këtë aspekt, Gjykata thekson se bazuar në nenin 116 të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Për më tepër, bazuar në të njëjtin nen të Kushtetutës në lidhje me rregullin 66 të Rregullores së punës: (i) të gjitha organet kushtetuese, si dhe gjykatat e autoritetet, janë të obliguara të respektojnë, të jenë në përputhje dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës, brenda kompetencave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj; dhe (ii) të gjithë personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar të respektojnë vendimet e Gjykatës dhe t’u përmbahen atyre.

 

  1. Gjykata gjithashtu thekson se bazuar në rregullin 66 të Rregullores së punës, Gjykata mund të specifikojë në vendimin e saj: (i) mënyrën dhe afatin kohor për zbatimin e vendimit të Gjykatës; (ii) organet e obliguara për të zbatuar vendimin e Gjykatës dhe të dorëzojnë informatat, nëse kërkohet dhe ashtu siç kërkohet me vendim, për masat e ndërmarra për zbatimin e vendimit të Gjykatës; (iii) në rast të moszbatimit të një vendimi, ose të vonesës në dhënien e informacioneve për Gjykatën për masat e ndërmarra, Gjykata mund të lëshojë një Aktvendim në të cilin do të theksohet që vendimi i saj nuk është zbatuar dhe të publikojë këtë qëndrim në Gazetë Zyrtare; dhe (iv) të informojë Prokurorin e Shtetit për të gjitha vendimet e Gjykatës që nuk janë zbatuar.

 

  1. Bazuar në paragrafin (8) të rregullit 66 të Rregullores së punës, Gjykata përmes mekanizmave të saj përcjellë zbatimin e vendimeve të saj dhe mund të ndërmarrë procedura të mëtejmë ligjore. Vlerësimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës bëhet në mënyrë periodike dhe në rast të konstatimit se një vendim nuk është zbatuar ose të vonesës në dhënien e informacioneve për Gjykatën për masat e ndërmarra, Gjykata nxjerrë Aktvendim për Mospërmbarim dhe njofton Prokurorin e Shtetit.

 

  1. Në këtë kontekst, Gjykata ka ndërmarrë masat e përcaktuara në Rregulloren e saj të punës përkitazi me Aktgjykimet: (i) në rastin KO01/09, të 18 marsit 2010, me parashtrues Qemail Kurtishi (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KO01/09), duke lëshuar Urdhrin e 7 qershorit 2010 dhe Urdhrin e 21 qershorit 2021[1]; (ii) në rastin KI08/09, të 17 dhjetorit 2010, me parashtrues Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Fabrikës së Çelikut, IMK, në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KI08/09), duke nxjerrë Vendim për Mospërmbarim dhe duke e njoftuar Prokurorin e Shtetit[2]; (iii) në rastin KI112/12, të 5 korrikut 2013, me parashtrues Adem Meta (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KI112/12), duke iu drejtuar me shkresë Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe duke e njoftuar Prokurorin e Shtetit për moszbatimin e këtij Aktgjykimi;[3] (iv) në rastin KI187/13, të 1 prillit 2014, me parashtruese Jovanović (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KI187/13), duke nxjerrë “Informatë të Përditësuar” përkitazi me Aktgjykimin KI187/13 si dhe duke e njoftuar Prokurorin e Shtetit për moszbatimin e Aktgjykimit KI187/13;[4] (v) në rastin KI56/09, të 22 shtatorit 2010, me parashtrues Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë kundër Kuvendit Komunal të Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KI56/09), duke nxjerrë Aktvendim për Mospërmbarim dhe duke e informuar Kryeprokurorin e Shtetit për nxjerrjen e Aktvendimit në fjalë;[5] dhe (vi) në rastin KI132/15, të 19 majit 2016, me parashtrues Manastiri i Deçanit (në tekstin e mëtejmë: rasti i Gjykatës KI132/15), duke nxjerrë Aktvendim për Mospërmbarim dhe duke e informuar Kryeprokurorin e Shtetit për nxjerrjen e Aktvendimit në fjalë.[6]

 

Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI90/16

 

  1. Në rastin e Gjykatës KI90/16, kërkesa ishte dorëzuar nga Branislav Jokić (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar mospërmbarimin e Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, [KKPK/D/R/230/2014], të 13 marsit 2014 (në tekstin e mëtejmë: KKPK).

 

  1. Sipas fakteve të rastin KI90/16 rezulton se, Komuna e Pejës me Aktvendimin [nr.463-449/97], të 26 majit 1997, kishte vendosur që parashtruesit të kërkesës t’i njihte të drejtën e pronësisë në ngastrën numër 5351/7, në sipërfaqe prej 0.03,52 ha, ZK Pejë.
  1. Me vendimin grupor [KPCC/D/R/230/2014], të 13 marsit 2014, “Komisioni i Agjencisë Kosovare të Pronës kishte vendosur, mes tjerash që:

 

(a) Parashtruesi i kërkesës ka dëshmuar se është bartës i të drejtës pronësore Branislav Jokić, pronar 1/1 i pronës në fjalë dhe ka qenë pronar i pronës së shkatërruar në ditën e shkatërrimit të pronës banesore si dhe të drejtën e shfrytëzimit të tokës në të cilën gjendet e njëjta, ose e ka trashëguar më pas pronësinë e lartcekur;

 

dhe ka urdhëruar që:

  1. b) Branislav Jokić e realizon të drejtën e posedimit mbi pronën e cekur;
  2. c) I padituri, nëse ekziston, apo çdo person tjetër i cili shfrytëzon pronën të largohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e dorëzimit të këtij urdhri; dhe
  3. d) nëse i padituri, apo çdo person tjetër që e shfrytëzon pronën refuzon t’i bindet këtij urdhri për lirimin e pronës në afatin e paraparë, të njëjtit do të largohen nga prona;

 

 

 

Përveç kësaj, Komisioni ka nxjerrë vendimin që:

 

  1. Në lëndët ku ekziston më shumë se një pronar i pronës së çështjes, vendimi dhe urdhri i lartcekur nuk ndikojnë në të drejtat e cilitdo bashkëpronar.
  2. Kërkesa për kompensimin e dëmit apo humbja e të drejtës së shfrytëzimit të pronës në fjalë refuzohet, sepse Komisioni nuk ka kompetencë që t’i zgjedhë kërkesat e tilla.”

 

  1. Më 14 maj 2015, Kuvendi Komunal i Pejës përmes Vendimit [nr.01-463-65203], kishte shpallur si akt të pavlefshëm Vendimin e saj [nr.463-499/97], të 26 majit 1997, sipas të cilit parashtruesit të kërkesës i ishte ndarë prona kontestuese.

 

  1. Më 14 mars 2016, KKPK-ja përmes shkresës [Ref.00327/16], e njoftoi parashtruesin e kërkesës se ajo nuk mund të ekzekutonte Vendimit [KPCC/D/R/230/2014], të 13 marsit 2014, si pasojë e Vendimit të Kuvendit Komunal të Pejës, të 14 majit 2015.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës, përmes kërkesës KI90/16, para Gjykatës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Vendimit [KPCC/D/R/230/2014], të 13 marsit 2014, të KKPK-së, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6, paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive), nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit), nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

  1. Më 5 dhjetor 2017, Gjykata vendosi që: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe nenin 54 të Kushtetutës. Në këtë konstatim, Gjykata erdhi pasi gjeti se mospërmbarimi i vendimit të formës së prerë të KKPK-së [nr. KKPK/D/R/230/2014], i 13 marsit 2014, përbënte shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së. Tutje, Gjykata konstatoi se ka shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, pasi që si rezultat i mospërmbarimit të vendimit në fjalë, parashtruesi i kërkesës ishte privuar pa të drejtë nga prona e tij. Gjithashtu, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe shpalli të pavlefshëm Aktvendimin nr. 01-463-65203, të 14 majit 2015, të Kuvendit Komunal të Pejës.

 

  1. Dispozitivi i Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI90/16, ishte votuar si në vijim:

 

“Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 56 (1) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 5 dhjetor 2017, njëzëri:

 

VENDOS

 

  1. TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
  2. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së;
  • TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së;
  1. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 54 të Kushtetutës.
  2. TË SHPALLË TË PAVLEFSHËM Aktvendimin nr. 01-463-65203, i 14 majit 2015 të Kuvendit Komunal të Pejës.
  3. TË KONSTATOJË se vendimi i Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, nr. KKPK/D/R/230/2014, i 13 marsit 2014 duhet të përmbarohet nga Agjencia Kosovare e Pronës (AKP);
  • TA URDHËROJË Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP), që në pajtim me rregullin 63 të Rregullores së punës së Gjykatës, ta njoftojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj, Gjykatën Kushtetuese në lidhje me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykate;
  • T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
  1. TA PUBLIKOJË këtë vendim ne Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
  2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

  1. Më 21 dhjetor 2017, Gjykata kishte njoftuar palët përkatëse për nxjerrjen e Aktgjykimit të Gjykatës KI90/16, si në vijim: (i) parashtruesin e kërkesës z. Branislav Jokić; (ii) KKPK-në të AKP-së; si dhe (iii) Komunën e Pejës.

 

Procedura në Gjykatë pas publikimit të Aktgjykimit në rastin KI90/16

 

  1. Siç u tha më lart, Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI90/16, është votuar më 5 dhjetor 2017,dhe është publikuar më 21 dhjetor 2017.

 

  1. Më 20 qershor 2018, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKKVP), e kishte njoftuar Gjykatën se kishte filluar procedurën për zbatimin e Aktgjykimit në rastin KI90/16, duke i kërkuar Komunës së Pejës, përmes shkresës së 7 shkurtit 2008, që vullnetarisht të bëjë lirimin e pronës në fjalë sipas Vendimit të KKPK-së dhe largimin e strukturave të paligjshme. Duke qenë se Komuna e Pejës nuk kishte liruar pronën në fjalë, AKKVP kishte lëshuar “urdhrin për dëbim në mënyrë që të zbatoj vendimin e [KKPK-së], përmes dëbimit nëse ky mjet ligjor mund të jetë i përshtatshëm.”

 

  1. Më 4 mars 2019, Gjykata kishte pranuar një shkresë nga parashtruesi i kërkesës KI90/16, me kërkesë për informata lidhur me veprimet e ndërmarra nga autoritetet përgjegjëse për zbatimin e Aktgjykimit në rastin KI90/16.

 

  1. Më 18 tetor 2019, Gjykata i ishte drejtuar (i) AKP-së; dhe (ii) parashtruesit të kërkesës, duke kërkuar informata nëse Aktgjykimi në rastin KI90/16, ishte zbatuar në tërësi.

 

  1. Më 29 tetor 2019, AKVKVP-ja, lidhur me zbatimin e Aktgjykimin në rastin KI90/16, njoftoi Gjykatë më sa vijon: “Në lidhje me kërkesën tuaj, Ju lutem të jeni të informuar se me dt. 26/06/2019, Agjencia ka zbatuar vendimin e komisionit nr. KPCC/D/R/23 0/20 14, të 13 marsit 2014 dhe me dt.15/07/2019, z. Branislav Jokić ka pranuar vërtetimin për ri-posedimin e pronës. Me këtë ka përfunduar juridiksioni i Agjencisë mbi këtë çështje.”

 

  1. Më 11 gusht 2021, Gjykata iu drejtua sërish parashtruesit të kërkesës duke kërkuar që ta informojë Gjykatën rreth zbatimit të Aktgjykimit KI90/16, duke i bashkangjitur edhe njoftimin e AKKVP, të datës 29 tetor 2019.

 

  1. Më 6 shtator 2021, parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e tij drejtuar Gjykatës, theksoi se “Në të vërtetë, Komuna e Pejës refuzon që në plotëni të zbatoj obligimet kundrejt këtij rasti, në kuptim të  regjistrimit të parcelës në shërbimin kadastral në emrin tim”. Lidhur me këtë ai kishte bashkëngjitur edhe certifikatën për njësinë kadastrale në fjalë, që sipas së cilës prona e kontestuar nuk ishte e regjistruar në emrin e tij.

 

  1. Më 16 shtator 2021 apo pas më tepër se tri (3) viteve nga nxjerrja e Aktgjykimit në rastin KI90/16, Gjykata i është drejtuar Komunës së Pejës, me kërkesë për informatë/konfirmim lidhur me zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në rastin KI90/16. Përmes kësaj shkrese, Gjykata e kishte paralajmëruar Komunën e Pejës se, bazuar në nenin 116 të Kushtetutës dhe rregullin 66 të Rregullores së saj të punës, në mungesë të konfirmimit për zbatueshmërinë e plotë të Aktgjykimit përkatës brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, Gjykata do të ndërmarrë masat e përcaktuara në Rregulloren e saj të punës, duke përfshirë Vendimin për Mospërmbarim dhe Njoftimin e Prokurorit të Shtetit. Përfundimisht, Gjykata kishte theksuar se bazuar në nenin 116 të Kushtetutës, vendimet e shpallura nga Gjykata Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

 

  1. Nga fletëkthesa e pranuar përmes shërbimeve postare, rezulton që shkresën e lartcekur të Gjykatës, Komuna e Pejës e kishte pranuar më 20 shtator 2021. Megjithatë, përkundër faktit që Gjykata kishte kërkuar informata/konfirmimin brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të shkresës, deri më tani, Gjykata nuk ka pranuar informatë/konfirmim nëse Aktgjykimi në rastin KI90/16, është zbatuar në tërësi apo jo.

 

Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me zbatimin e Aktgjykimit në rastin KI90/16:

 

  1. Siç është sqaruar më lart, përmes shkresës drejtuar Komunës së Pejës të 16 shtatorit 2021, duke u bazuar në nenin 116 të Kushtetutës dhe rregullin 66 të Rregullores së punës, Gjykata kishte paralajmëruar nxjerrjen e Vendimit për Mospërmbarim dhe njoftimin e Prokurorit të Shtetit përkitazi me rastin e Gjykatës KI90/16, në mungesë të konfirmimit për zbatueshmërinë e plotë të Aktgjykimit të Gjykatës.

 

  1. Më 18 korrik 2022, bazuar në vlerësimin e të gjitha shkresave para saj, siç janë paraqitur më lart, Gjykata njëzëri konstatoi se Aktgjykimi i saj në rastin KI90/16, nuk është zbatuar. Kjo sepse, as pas katër (4) vitesh nga nxjerrja e këtij Aktgjykimi, nuk është konfirmuar zbatimi i tij, përkundër faktit që përmes Aktgjykimit të Gjykatës, Vendimi [KKPK/D/R/230/2014] i KKPK-së ishte deklaruar si përfundimtar, i detyrueshëm dhe si i tillë, res judicata.[7]

 

  1. Konstatimi i lartcekur bazohet në përgjigjet e palëve të dorëzuara në Gjykatë, përkatësisht: (i) parashtruesit të kërkesës, i cili ka theksuar, ndër tjerash se, Komuna e Pejës nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës duke i refuzuar parashtruesit të kërkesës regjistrimin në emër të tij të ngastrës kadastrale; (ii) AKKVP kishte theksuar se “ Branislav Jokić ka pranuar vërtetimin për ri-posedimin e pronës. Me këtë ka përfunduar juridiksioni i Agjencisë mbi këtë çështje”; si dhe (iii) mungesës së informatave/përgjigjes nga Komuna e Pejës lidhur me zbatimin e plotë të Aktgjykimit në rastin KI90/16. Gjykata rrjedhimisht vëren se moszbatimi i plotë i Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI90/16, nuk është kontestuar nga palët e përfshira në këtë rast për faktin që AKKVP thekson se parashtruesi i kërkesës, ka pranuar vërtetimin për ri-posedimin e pronës dhe aty kishte përfunduar juridiksioni i saj lidhur me këtë rast, ndërsa lidhur me çështjen e ngritur nga parashtruesi i kërkesës për regjistrimit në emër të tij të ngastrës kadastrale në regjistrat kadastral, Komuna e Pejës nuk i është përgjigjur Gjykatës.

 

  1. Gjykata në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe në raste të tjera dhe të cituara më lart, në të cilat ka vlerësuar se, në kundërshtim më nenin 116 të Kushtetutës, vendimet e saj nuk janë zbatuar. Në shkresën drejtuar u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit, të 6 shkurtit 2015, përkitazi me rastin e Gjykatës KI187/13, Gjykata, ndër tjerash, kishte theksuar se përkundër faktit që qysh nga themelimi i Gjykatës “pothuajse 99% të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë zbatuar”, Gjykata “duke qenë e përkushtuar që të ndjek procedurat e zbatimit të vendimeve të saj deri në realizimin e plotë të të drejtave të parashtruesve që dalin nga vendimet e saj”, identifikon rastet të cilat ende nuk kanë gjetur zbatim nga autoritetet përkatëse, duke u tërhequr vëmendjen “institucioneve shtetërore që, në saje të kompetencave dhe të detyrimeve kushtetuese që kanë, të sigurojnë mekanizma për t’i zbatuar vendimet e saj, në përputhje të plotë me nenin 116.1 të Kushtetutës”.

 

  1. Ndërsa, në shkresën e drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, të 28 majit 2019, përkitazi me rastin e Gjykatës KI08/09 dhe njoftimin përkatës për nxjerrjen e Vendimit për Mospërmbarim, ndër tjerash, Gjykata kishte theksuar se “mosekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën shkelje kushtetuese dhe është në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit në një shtet ligjor dhe demokratik”. Të njëjtat parime Gjykata i kishte konfirmuar edhe në Aktvendimet për Mospërmbarim të Aktgjykimeve në rastet KI56/09 dhe KI132/15, respektivisht.[8]

 

  1. Gjykata gjithashtu thekson se, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), bazuar në të cilën, Gjykata sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, interpreton të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, një ndër aspektet themelore të sundimit të ligjit është parimi i sigurisë juridike, i cili, ndër tjerash, kërkon që vendimet përfundimtare të gjykatave duhet të zbatohen dhe të mos vihen në pikëpyetje.[9] Për më tepër, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, në mënyrë konsistente përcakton që e drejta për një proces të rregullt, siç garantohet përmes nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe e cila është në mënyrë të drejtpërdrejtë e aplikueshme në rendin juridik të Republikës së Kosovës bazuar në nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës së saj, do të ishte “iluzore” nëse sistemet ligjore vendore do të “lejonin një vendim gjyqësor përfundimtar të mbetej i pazbatuar në dëm të një pale” dhe do të ishte e “paimagjinueshme që neni 6 të përshkruaj në detaje garancitë procedurale të palëve – procedura të drejta, publike dhe të shpejta – pa i dhënë mbrojtje zbatimit të vendimeve gjyqësore”.[10] Situata të tilla do të ishin në kundërshtim të hapur me parimin e sundimit të ligjit të cilin shtetet kontraktuese e kanë marrë për detyrë ta respektojnë bazuar në KEDNJ-në.[11]

 

  1. Gjykata, për më tepër, rikujton që Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 3 [Barazia para Ligjit] të saj përcakton që Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Për më tepër, Kushtetuta në nenin 7 [Vlerat], gjithashtu përcakton që rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes së mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut. Sundimi i ligjit është po ashtu element që e reflekton trashëgiminë e përbashkët evropiane, siç është përcaktuar në preambulën e KEDNJ-së dhe të Kartës për të Drejtat Fondamentale të Bashkimit Evropian dhe objektivë thelbësore e reflektuar në Statutin e Komisionit të Venecias.[12]

 

  1. Marrë parasysh parimet e lartcekura dhe pasi bazuar në shkresat e dorëzuara para saj Gjykata ka konstatuar se Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI90/16 nuk është konfirmuar të jetë zbatuar në tërësi nga autoritet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës dhe rregullin 66 të Rregullores së punës, Gjykata nxjerrë këtë Aktvendim për Mospërmbarim përkitazi me rastin e Gjykatës KI90/16. Në të njëjtën kohë, Gjykata gjithashtu e njofton Prokurorin e Shtetit përkitazi me moszbatimin e Aktgjykimit të saj në rastin KI90/16.

 

  1. Në fund, duhet të theksohet se përtej konstatimit të moszbatimit të një Aktgjykimi, përmes Vendimit për Mospërmbarim dhe Njoftimit përkatës të Prokurorit të Shtetit, Gjykata nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatim të një vendimi të Gjykatës nga ana e autoriteteve përgjegjëse. Kompetenca për një vlerësim të tillë më pas i takon Prokurorit të Shtetit, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 19 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe me rregullin 66 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 18 korrik 2022, njëzëri:

 

VENDOSI

 

  1. TË KONSTATOJË që Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KI90/16, me parashtrues Bransilav Jokić, i datës 5 dhjetor 2017 nuk është zbatuar nga autoritetet përgjegjëse të Republikës së Kosovës;

 

  1. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim për Mospërmbarim përkitazi me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KI90/16;

 

  1. T’UA KOMUNIKOJË palëve këtë Aktvendim për Mospërmbarim;

 

  1. TË NJOFTOJË Prokurorin e Shtetit për nxjerrjen e këtij Aktvendimi për Mospërmbarim;

 

  1. Në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit dhe për qëllime të rregullit 66 (6) të Rregullores së punës, ky vendim do të publikohet në Gazetë Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

Gresa Caka-Nimani

[1]     Shih Urdhrin në rastin KO01/09, të 7 qershorit 2010, i qasshëm përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/leter_drejtuar_kryetarit_te%20_komunes_se_prizrenit.pdf dhe Urdhrin në rastin KO01/09, të 21 qershorit 2010, i qasshëm përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/urdher_rasti_ko_01_09.pdf.

[2]     Shih Vendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI08/09, të 14 nëntorit 2012, i qasshëm përmes vegëzës: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/gjk_ki_08_09_vmsp_shq.pdf;

dhe Njoftimin e Kryeprokurorit të Shtetit të për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI08/09, të 28 majit 2019, i qasshëm përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/08/KI08-09_Njoftim-p%C3%ABr-moszbatim-t%C3%AB-Aktgjykimit-t%C3%AB-Gjykat%C3%ABs-Kushtetuese_P.SH_.pdf.

[3]     Shih shkresën Njoftimi përkitazi me moszbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KI112/12 dhe shkresën drejtuar Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 17 prillit 2014, të qasshme përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/08/KI112-12_Njoftim-perkitazi-me-moszbatimin-e-Aktgjykimit_P.SH_SHQ.pdf.

[4]     Shih “Informatë e Përditësuar përkitazi me Aktgjykimin nr.KI187-13”, të 6 shkurtit 2015, e qasshme përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/08/informate_e_perditesuar_KI187_13_shq.pdf dhe shkresën “Informim për moszbatimin e Aktgjykimit KI187/13”, të 6 shkurtit 2015 drejtuar Kryeprokurorin e Shtetit, e qasshme përmes vegëzës në vijim:  https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/08/njoftimi_për_moszbatimin_e_aktgjykimit_KI187_13_shq.pdf.

[5]     Shih Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI56/09, të 24 shtatorit 2021, i qasshëm përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/09/ki56-09_VPM_shq.pdf; dhe Informimin e Kryeprokurorit të Shtetit të për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI56/09, të 24 shtatorit 2021, i qasshëm përmes vegëzës: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/09/Informim-p%C3%ABr-mosp%C3%ABrmbarim-t%C3%AB-Aktgjykimit_Aleksander-Lumezi_shq.pdf.

[6]     Shih Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI132/15, të 24 shtatorit 2021, i qasshëm përmes vegëzës në vijim: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/09/ki132-15_VPM_shq.pdf ; dhe Informimin e Kryeprokurorit të Shtetit të për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI132/15, të 24 shtatorit 2021, i qasshëm përmes vegëzës: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/09/Informim-p%C3%ABr-mosp%C3%ABrmbarim-t%C3%AB-Aktgjykimit_Aleksander-Lumezi_shq.pdf.

[7]     Një konstatim të ngjashëm Gjykata e kishte nxjerrë në paragrafin 23 të Vendimit për Mospërmbarim të rastit KO08/09, të cekur më lart; paragrafin 27 të Vendimin për Mospërmbarim të rastit KI132/15, të cekur më lart; si dhe paragrafin 27 të Vendimin për Mospërmbarim të rastit KI56/09, të cekur më lart.

[8]    Shih Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI56/09, të 24 shtatorit 2021, paragrafi 30, të cekur më lart; dhe Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI132/15, të 22 shtatorit 2021, paragrafi 31, të cekur më lart.

[9]     Shih, ndër tjerash, rastet e GJEDNJ-së, Guðmundur Andri Ástráðsson v. Islanda, kërkesa nr.23674/18, Aktgjykim i Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së i 1 dhjetorit 2020, paragrafi 238; Brumărescu v. Rumania, kërkesa nr. 28342/95, Aktgjykim i Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së i 28 tetorit 1999, paragrafi 61; si dhe Agrokompleks v. Ukraina, kërkesa nr. 23465/03, Aktgjykim i Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së i 25 korrik 2013, paragrafi 148.

[10]   Shih, ndër tjerash, rastin e GJEDNJ-së Romashov v. Ukraina, kërkesa nr.67534/01, Aktgjykim i GJEDNJ-së i 24 korrikut 2004, paragrafi 42.

[11]   Shih Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI56/09, të 24 shtatorit 2021, paragrafi 29, të cekur më lart; dhe Aktvendimin për Mospërmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI132/15, të 24 shtatorit 2021, paragrafi 30, të cekur më lart.

[12]   Shih, ndër tjerash: (i) Preambulën e KEDNJ-së; (ii)Preambulën e Kartës për të Drejtat Fondamentale të Bashkimit Evropian; si dhe (iii) Statutin e Komisionit të Venecias.

Parashtruesit:

Branislav Jokić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për mosmbarim