Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mosnxjerrjes së Ligjit për kthim të pronës dhe Ligjit mbi veprimin me pronën (Fl. Zyrtare JDF nr. 36/45) si dhe ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji (Fl. Zyrtare e RPFJ-së, nr. 64/46)

Nr. të lëndës KI 71/19

Parashtruesit: Avni Vula

Shkarko:

KI 71/19, Parashtrues i kërkesës Avni Vula,  Vlerësim i kushtetutshmërisë së mosnxjerrjes së Ligjit për kthim të pronës dhe Ligjit mbi veprimin me pronën (Fl. Zyrtare JDF nr. 36/45) si dhe ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji (Fl. Zyrtare e RPFJ-së, nr. 64/46)

 KI 71/19, Aktvendim për papranueshmëri  i 15 janarit 2020, i publikuar më 7 shkurt 2020.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, actio popularis, restituimi kthimi i pronës, palë e paautorizuar, kërkesë e papranueshme  

Parashtruesi i kërkesës kërkoi (i) obligimin e institucioneve kosovare për të nxjerrë ligj për kthimin-restituimin e pronave dhe (ii) shpalljen nule dhe të pavlefshme të të gjitha ligjeve, rregulloreve, dekreteve dhe vendimeve gjyqësore lidhur me të drejtat pronësore të ish-Jugosllavisë që nga viti 1945 e deri në ditët e sotme.

Gjykata theksoi se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh actio popularis, që do të thotë se individët nuk mund të ankohen në abstrakt ose t’i sfidojnë drejtpërsëdrejti veprimet ose mosveprimet e autoriteteve publike. Kushtetuta e Kosovës ofron mbështetje për individët sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike vetëm përbrenda fushëveprimit të përcaktuar me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës.

Gjykata vërejti se në Republikën e Kosovës nuk ka një ligj të veçantë për kthim të pronave dhe si rrjedhojë kërkesat për kthim të pronave nuk mund të bazohen në garancitë që i ofron neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së apo, mutatis mutandis, në garancitë e nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Gjykata më tej theksoi se kërkesat për kthim të pronave nuk mund të konsiderohen se përbëjnë një “pritje legjitime” përderisa nuk ekziston një ligj për kthim të pronave.

Gjykata konkludoi se kërkesa në baza kushtetuese është e papranueshme, për shkak se nuk është dorëzuar në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar siç përcaktohet me nenin 113.1 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Avni Vula

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative