KI161/23, Parashtrues Imer Tahiraj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0747-A0001, të 16 marsit 2023
KI161/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 20 gusht 2023.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës, pas 38 vitesh posedimi, pretendonte se pronat e tij, përfshirë një kompleks prej 250 hektarësh, janë privatizuar pa leje nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Ai kishte filluar procedurat ligjore për të mbrojtur të drejtat e tij pronësore, duke filluar përmes ankesë në AKP dhe më pas duke paraqitur padi në gjykatën lokale. Megjithëse ai ka kërkuar vërtetimin e pronësisë dhe kompensimin e dëmit, për ngastrën kadastrale nr. 5039, në sipërfaqe prej 03.00.00 ha, në vendin e quajtur “Prroni i zi”, të cilën patundshmëri e ka shitur AKP-ja në bazë të marrëveshjes mbi shitblerjen e aksioneve të zakonshme, ngase patundshmëria ka qenë e evidentuar në emër të KBI “Ereniku”, në Gjakovë, por gjykatat e rregullta kanë refuzuar kërkesat e tij. Gjykatat e rregullta kanë shpallur veten jo kompetente për të vendosur mbi çështjen dhe kanë drejtuar rastin tek Gjykata Supreme si gjykatë kompetente. Megjithatë, edhe Gjykata Supreme ka refuzuar revizionin e tij, duke e cilësuar procedurën si të papërfunduar.
Më 12 qershor 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër vendimit të lartcekur të Autoriteti të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke kërkuar që të miratohet kërkesa e tij për kompensimin e shpenzimeve gjyqësore në vlerë prej 3,000.00 euro nga NSH “Ereniku-Prodhimtaria Primare”. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij drejtuar AKP-së kishte listuar shpenzimet që i janë shkaktuar dhe ka pretenduar se përmes vendimit të AKP-së i janë shkelur të drejtat fundamentale.
Më 25 tetor 2021, shkalla e parë e DHPGJS përmes Aktgjykimit [C-IV-15-1056] duke u bazuar në dispozitat të Ligjit nr. 06/l-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Ligji për DHPGJS-në) refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar meqë kishte dështuar që t’ i mbështes pretendimet e tij me prova konkrete, përkatësisht parashtruesi i kërkesës nuk ka prezantuar aktgjykimin përmes të cilit “NSH” është ngarkuar me detyrimin për kompensimin e shpenzimeve të procedurës gjyqësore të pretenduar. Pas ankimimit, Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0747-A0001] të 16 marsit 2023 duke u bazuar në nenin 42.2 të Ligjit për DHPGJS–së refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-15-1056] të 25 tetorit 2021.
Gjykata vëren se në esencë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës ndërlidhen edhe me shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës si rezultat i refuzimit të padisë së tij nga DHPGJS për anulimin e vendimit [PEJ029-0221] të AKP-së të 5 majit 2015, përmes të cilit refuzoi kërkesën parashtruesit të kërkesës si të pabazuar lidhur me kompensimin e shumës prej 3.000.00 euro, në emër të shpenzimeve gjyqësore nga NSH “Ereniku”, të cilën parashtruesi pretendonte se i takonte, si dhe mungesën mbajtjes së një seance dëgjimore në DHPGJS.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se DHPGJS, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që të mbështeste pretendimet e tij me prova të mjaftueshme para DHPGJS-së; (ii) Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka prezantuar prova të nevojshme për të mbështetur kërkesën e tij për kompensim të shpenzimeve gjyqësore, duke mos paraqitur as aktgjykimin që ngarkonte NSH-në “Ereniku” me detyrimin për këto shpenzime.
Gjithashtu, parashtruesi para Gjykatës ngriti edhe pretendimin specifik lidhur me atë se DHPGJS ka nxjerrë vendime në rastin e tij, pa një seancë dëgjimore në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se një seancë dëgjimore mund të mos kërkohet kur nuk ka çështje të besueshmërisë ose fakteve të kontestuara që kërkojnë një seancë dëgjimore dhe gjykatat mund të vendosin çështjen në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme në bazë të parashtresave të palëve dhe materialeve të tjera të shkruara (shih, rastet e GJEDNJ-së: Döry kundër Suedisë, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 37; Saccoccia kundër Austrisë, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73).
Pra, Gjykata i kushton rëndësi faktit që parashtruesi i kërkesës kishte qenë në gjendje të kërkonte një seance dëgjimore, të cilën nuk e kishte bërë; se të dy nivelet e DHPGJS-së kishin dhënë arsye për mos mbajtjen e seancës dëgjimore; dhe që parashtruesi i kërkesës i ishte dhënë mundësi të bollshme për të paraqitur çështjen e tij me shkrim dhe për të komentuar mbi parashtresat e palës tjetër, si dhe çështjet e përfshira në dosje të rastit ishin të natyrës ekskluzivisht ligjore apo të natyrës së lartë teknike.
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 në ndërlidhje me nenin 46 të Kushtetutës duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (ii) pretendimet që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Imer Tahiraj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale