Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2362/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI245/23
Parashtruese
Marigona Boshnjaku
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [PPR.nr.1299/23], të 26 shtatorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Marigona Boshnjaku, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e: (i) Aktvendimit [PPR.nr.1299/23] të Gjykatës Themelore në Prishtinë [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore], të 26 shtatorit 2023; dhe (ii) Aktvendimin [PPN.II.nr.901/22], e Prokurorisë Themelore në Prishtinë [në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore], të 5 korrikut 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PPR.nr.1299/23] të Gjykatës Themelore, i 26 shtatorit 2023; dhe Aktvendimit [PPN.II.nr.901/22], të Prokurorisë Themelore, i 5 korrikut 2023.
Parashtruesja e kërkesës nuk i ka specifikuar të drejtat kushtetuese që pretendon se i janë shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 1 nëntor 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 8 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin Nr.GJR.KI245/23, caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH.KI245/23, caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 13 nëntor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Gjykata kërkoi nga parashtruesja e kërkesës të specifikonte se cilat të drejta kushtetuese pretendon se i janë cenuar.
Më 30 nëntor 2023 dhe 01 janar 2024, parashtruesja e kërkesës dorëzoi dokumente shtesë në Gjykatë, përkatësisht dy shkresa të reja, në të cilat rithekson se janë shkelur të drejtat dhe liritë e saj kushtetuese mirëpo nuk i specifikon ato.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 21 korrik 2022, parashtruesja e kërkesës parashtroi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë [në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore], kundër komunës së Podujevës, për çështje pronësore. Parashtruesja e kërkesës theksonte se Komuna e Podujevës i shkaktoi dëme materiale për shkak të zgjerimit të një rruge publike. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se përballej me presione, kërcënime dhe shantazhe të natyrave të ndryshme nga zyrtarët komunal për shkak të kontesteve pronësore me Komunën e Podujevës.
Më 5 korrik 2023, Prokuroria Themelore përmes Aktvendimit [PPN.II.nr.901/22], në bazë të nenit 84, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1 të Kodit të Procedurës Penale, hodhi poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga parashtruesja e kërkesës. Prokuroria Themelore konstatoi se nga shkresat e lëndës nuk kishte elemente të veprës penale siç pretendonte parashtruesja e kërkesës, por kontesti kishte natyrë pronësore. Prokuroria Themelore theksoi se parashtruesja e kërkesës nuk kishte përmendur ndonjë rast apo person të caktuar, mirëpo vetëm bëri përgjithësime dhe citime të dispozitave ligjore dhe përshkruante shqetësime të natyrave të ndryshme.
Më 26 shtator 2023, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesën [PP.II.nr.5687/23], në Gjykatën Themelore për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj parashtrueses së kërkesës. Prokuroria Themelore pretendonte se parashtruesja e kërkesës kishte kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 402, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak se brenda objektit të Prokurorisë Themelore kishte sulmuar zyrtarët policor të cilët pësuan lëndime trupore.
Më 26 shtator 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPR.nr.1299/23], e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj parashtrueses së kërkesës. Gjykata Themelore caktoi masën e paraqitjes në stacionin policor ndaj parashtrueses së kërkesës, sipas nenit 176, paragrafi 1 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga 26 shtatori 2023 deri më 26 tetor 2023.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës nuk i ka specifikuar të drejtat kushtetuese që pretendon se i janë shkelur nga akti i kontestuar.
Parashtruesja e kërkesës thekson se nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohej. Sipas saj, ajo është sulmuar nga zyrtarët policor në objektin e Prokurorisë Themelore dhe pësoi lëndime trupore.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, dhe 48 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (1) (b) [Kriteret e pranueshmërisë], të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
(b) Janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj kundër aktit të kontestuar;
Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës ia ka bashkangjitur kërkesës së saj dy aktvendime: Aktvendimin [PPN.II.901/22] e Prokurorisë Themelore; dhe Aktvendimin [PPR.nr.1299/23] e Gjykatës Themelore.
Në lidhje me Aktvendimin e Prokurorisë Themelore, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës kishte ngritur kallëzim penal ndaj komunës së Podujevës. Prokuroria Themelore e hodhi poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se nuk kishte elemente të veprës penale. Parashtruesja e kërkesës kishte mundësi të paraqes ankesë kundër këtij aktvendimi në Prokurorinë e Apelit, ashtu siç udhëzohej në aktvendim. Mirëpo, nuk duket që parashtruesja e kërkesës ta ketë përdorur mjetin juridik.
Në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës Themelore, Gjykata vëren se ndaj parashtrueses së kërkesës ekzistonte dyshimi se kishte kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe për këtë arsye Prokuroria Themelore bëri kërkesë që ndaj saj të shqiptohet arrest shtëpiak. Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për arrest shtëpiak, ndërkaq vendosi masën e lajmërimit në stacionin policor ndaj parashtrueses së kërkesës, për (1) një muaj. Parashtruesja e kërkesës kishte mundësi të paraqes ankesë kundër këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, ashtu siç udhëzohej në aktvendim. Parashtruesja e kërkesës nuk duket të ketë përdorur mjetin juridik kundër këtij aktvendimi.
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës në të dy rastet nuk i përdori mjetet juridike kundër aktvendimeve, që i lejoheshin sipas ligjit. Parashtruesja e kërkesës përmes mjeteve juridike do të kishte mundësi të adresonte të gjitha pretendimet e saj për shkeljet ligjore dhe kushtetuese. Gjykata nuk i di arsyet se pse parashtruesja e kërkesës nuk e bëri një gjë të tillë.
Gjykata thekson se është detyrim i parashtruesve të kërkesës të përdorin të gjitha mjetet juridike të përcaktuara nga ligji, përpara se të dorëzojnë kërkesën në Gjykatë. (rasti i Gjykatës, KI67/19, parashtrues Hajrije Rina Zhitija Ajeti, aktvendim për papranueshmëri i 5 shtatorit 2019, paragrafët 32-39). Në këtë mënyrë, i mundësohet gjykatave të rregullta për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. (rasti i Gjykatës, KI30/17, parashtrues Muharrem Nuredini, aktvendim për papranueshmëri i 4 korrikut 2017, paragrafët 35-37; KI24/18, parashtrues Jadranka Sapic, aktvendim për papranueshmëri i 13 dhjetorit 2019, paragrafët 49-50).
Gjykata konstaton se bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës, kërkesa është e papranueshme për shkak të mos shterjes së mjeteve juridike.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47.2 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Marigona Boshnjaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale