Prishtinë, 27 maj 2024
Nr. ref.:RK 2433/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI222/23
Parashtrues
Pal Bala dhe Merita Vitija-Dembogaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, REVU-nr. 6/2023, të 2 shkurtit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Pal Bala dhe Merita Vitija-Dembogaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), me vendbanim në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktvendimit [REVU-nr. 6/2023] të 2 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [AA. UZH. nr. 162/2021] të 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [AU. nr. 341/2018] të 24 dhjetorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Pal Bala, vendimin e kontestuar e ka pranuar më 4 tetor 2023.
Parashtruesja e kërkesës Merita Vitija-Dembogaj, vendimin e kontestuar e ka pranuar më 3 tetor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesit e kërkesës pretendojnë se iu janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin 24 [Barazia para ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 tetor 2023, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 20 tetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, caktoi gjyqtarin Radomir Laban- gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 8 nëntor 2023, Gjykata i njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 8 nëntor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi informata lidhur me datën e pranimit të aktvendimit të kontestuar nga parashtruesit e kërkesës.
Më 8 nëntor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj në pajtim me Ligjin.
Më 8 nëntor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesit e kërkesës janë të punësuar në pozitën Zyrtar Ligjor në Njësinë e Përpunimit të Kërkesave në Agjencinë Kosovare të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKP).
Më 10 korrik 2015, parashtruesit e kërkesës parashtruan kërkesë në Departamentin e Burimeve Njerëzore të AKP-së, për harmonizim të pozitës dhe kompensim të pagës.
Më 5 gusht 2015, parashtruesit e kërkesës pranuan përgjigje nga Departamenti i Burimeve Njerëzore të AKP-së.
Më 10 gusht 2015, parashtruesit e kërkesës parashtruan ankesë në Komisionin e Ankesave të AKP-së, duke kërkuar avancim në pozitë nga pozita zyrtar ligjor në zyrtar i lartë ligjor dhe kompensim të pagës.
Më 6 tetor 2018, Komisioni i Ankesave i AKP-së përmes vendimit [Ref:01095/15ak] refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar.
Më 20 tetor 2015, parashtruesit e kërkesës paraqesin ankesë kundër vendimit të lartcekur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK), dhe të cilën e plotësuan më 22 tetor 2015.
(Grupi i parë i procedurave)
Më 11 dhjetor 2015, KPMSHCK përmes vendimit [A/02/507/2015] vendosi si në vijim:
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e grup ankuesve K.D.”, Merita Vitia-Dembogaj dhe Pal Bala, me numër A 02/507/2015/ të datës 20.10.2015.
II.MBETET në fuqi vendimi me numër Ref.01095/15/ak i datës 06.10.2015 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i Agjencisë Kosovare të Pronës”.
KPMSHCK përmes vendimit të saj theksoi: “Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka shqyrtuar pretendimin ankimor të ankuesve për avancim në pozitë nga titulli Zyrtar Ligjor në Zyrtar i Lartë Ligjor dhe konstatoi që pretendimi ankimor nuk qëndron sepse avancimi bëhet vetëm me procedurë të brendshme të rekrutimit përmes procedurave të avancimit ashtu siç përcaktohet me dispozitë ligjore të nenit 27, paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, ku është përcaktuar se: “Avancimi nga një pozitë më e ultë në pozitë më të lartë funksionale ose me një gradë më e ultë në një gradë më të lartë brenda pozitës funksionale lejohet në bazë të : 1.4 “ kalimit me sukses të testimit, dëshmitë të meritës, aftësive dhe kompetencës profesionale”, po ashtu me dispozitat e nenit 10, paragrafi 1 të Rregullores Nr.21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civilë është përcaktuar se “Koha minimale për avancim nga një gradë më e ultë në një gradë më të lartë ose nga një kategori funksionale më e ultë në kategori funksionale më të lartë, është 3 vite kur performanca e nëpunësit civil është vlerësuar mirë dhe shumë mirë, ndërsa 2 vite kur performanca e tij/saj është vlerësuar shkëlqyeshëm”.
Kundër vendimit të lartcekur, parashtruesit e kërkesës ngritën padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e vendimit [A/02/507/2015] të KPMSHCK-së, me arsyetimin se është i përfshirë në vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 5 dhjetor 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 191/2016] vendosi si në vijim:
“Aprovohet si e bazuar, kërkesëpadia e paditësve Merita Vitija, K.D., dhe Pal Bala të gjithë nga Prishtina. Anulohet vendimi i të paditurit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrurës për Shërbimin Civil të Kosovës, me nr.4444/2015, i dt. 11.12.2015, dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek i padituri”.
Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës si më lart, me arsyetimin se vendimi i kontestuar i KPMSHCK-së ka të meta serioze që ndikojnë negativisht në vlerësimin e ligjshmërisë. Arsyetimi kryesor ka të bëjë me shkeljen e dispozitave ligjore, veçanërisht nenit 84, paragrafi 2 dhe nenit 85 të Ligjit për Procedurën Administrative. Gjykata Themelore ka vlerësuar se akti administrativ nuk përmban një përmbledhje të mjaftueshme të konstatimeve faktike dhe deklarim të bazës ligjore, siç kërkohen nga kriteret ligjore. Po ashtu, ka konstatuar se vendimi i KPMSHCK-së është i pavlefshëm dhe kundërthënës me vetveten, duke mos ofruar arsyetime konkrete mbi faktet vendimtare. Në vendim gjithashtu thuhet se arsyetimet e Kolegjit janë të formuluar në mënyrë të përgjithshme dhe abstrakte, duke mos ofruar arsyetime adekuate mbi faktet që kanë ndikuar në vendim.
(Grupi i dytë i procedurave)
Më 31 janar 2018, KPMSHCK në procedurën e rivendosjes nxori Vendimin [A. nr. 26/2018] përmes së cilit refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se “Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i Agjencisë Kosovare të Pronës, me rastin e nxjerrjes se Vendimit me numër protokolli Ref 01095/15/ Ak, të datës 06.10.2015, ka vepruar në pajtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, duke vërtetuar gjendjen faktike dhe bazën juridike”.
Kundër vendimit të lartcekur të KPMSHCK-së, parashtruesit e kërkesës kanë paraqitur padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e tij dhe të “obligohet e paditura që të ndryshoj aktemërimet për paditësit, Merita Vitija-Dembogaj dhe Pal Bala nga pozita zyrtar ligjor në pozitën zyrtar të lartë ligjor prej muajit janar i vitit 2015, si dhe të detyrohet AKKVP që në emër të kompensimit të ndryshimit në pagë paditësve t’ua bëjë kompensimin si në vijim; Obligohet e paditura AKKVP që në emër të kompensimit të diferencës së pagës sipas ekspertizës financiare deri në datën e ekspertizës t’ua paguaj paditësve; Merita Vitija-Dembogaj shumën e përgjithshme neto 4207,92 euro, Pal Bala shumën e përgjithshme neto 4207,92 euro, K.D., shumën e përgjithshme neto 3057,52 euro, të obligohet e paditura AKKVP që në emër të kompensimit të diferencës së pagës për muajt në vijim prej datës së ekspertizës dt.31.03.2020 deri dhjetor 2020 t’ua paguaj paditëses, Merita Vitija-Dembogaj shumën prej 544,95 euro, Pal Bala shumën prej 544.95 euro, kjo vlen për 9 muaj nga 60,55 euro, dhe prej dhjetorit 2020 e tutje derisa të ekzistojnë kushtet ligjore të paguaj shumën e diferencës mujore në vlerë prej 1 koeficient ose 60,55 euro për secilin muaj për paditësit, Merita Vitija- Dembogaj dhe Pal Bala, të gjitha këto me kamatë ligjore prej datës së paraqitjes së padisë ...”.
Më 24 dhjetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 341/2018] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar, me arsyetimin se “vendimet e kontestuara nga paditësit janë të drejta dhe të ligjshme dhe se me të njëjtat vendime paditësve nuk i është shkelur ndonjë e drejtë ligjore, ngase i padituri dhe e paditura drejtë kanë vërtetuar gjendjen faktike, dhe drejtë kanë zbatuar ligjin procedural dhe material, kur kanë refuzuar ankesën e paditësve si të pabazuar”.
Kundër aktgjykimit të lartcekur, parashtruesit e kërkesës brenda afatit ligjor paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke kërkuar që aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet në favor të parashtruesve të kërkesës.
Më 17 nëntor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 162/21] refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur dhe vërtetoi Aktgjykimin [A. nr. 341/2018] e 24 dhjetorit 2020.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës kundër aktgjykimit të lartcekur paraqitën revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe shkelje të së drejtës materiale, me propozimin që të prishet aktgjykimi i kontestuar në favor të parashtruesve të kërkesës.
Më 2 shkurt 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [REVU-nr. 6/2023] hodhi si të palejueshëm revizionin, me arsyetimin kryesor se “kundër vendimeve të plotfuqishme për çështje administrative nuk mund të ushtrohet revizion, andaj kjo gjykatë, ka hedhur poshtë si të palejueshme kërkesën për revizion”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [REVU-nr. 6/2023] i 2 shkurtit 2023 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Pretendimi për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e tyre duke shkelur Rregulloren nr. 21/2012 dhe pa analizuar me kujdes ndryshimet në përshkrimin e detyrave të punës të parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë dallime në pagën e tyre dhe kolegëve të tjerë, duke e cilësuar këtë si diskriminim dhe pa mbështetje ligjore, duke iu dhënë përparësi zyrtarëve të lartë ligjor, në kundërshtim me organogramin. Parashtruesit e kërkesës kërkojnë njohjen e barazisë në pagë me kolegët e tyre, duke prezantuar arsyet e tyre në kontekst ligjor.
Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Dhe bazuar në këto veprime agjencia në vitin 2015 kur ka bërë harmonizimin e koeficienteve është dashur që të bëjë harmonizimin e koeficienteve edhe për paditësit siç e ka bërë për disa pozita që e ka konsideruar pa pasur fare konkurrencë e pa ndërmarrje të veprimeve siç kishte bërë për paditësit duke ua ndryshuar përshkrimin e detyrave të punës, për t’i barazuar me pagë me kolegët e tyre të zyrës për punë të njëjtë, pagë të njëjtë. Kështu që gjykata e ka të qartë se kemi të bëjmë hapur me diskriminim në pagesa për punë të njëjtë dhe përgjegjësi të njëjtë dhe kjo gjendje nuk ka mbështetje dhe as arsyetim në të drejtën materiale në fuqi. Bazuar edhe në Organogramin e Zyrës së Procedimit të Kërkesave (provë në padi) procedimi i lëndëve kontestuese në agjenci është detyrë dhe përgjegjësi vetëm e zyrtarëve të lartë ligjor që kanë koeficientin 8, por e paditura AKKVP punëdhënësi këto punë dhe përgjegjësi sipas këtij organogrami prej vitit 2014 ju kishte dhënë përmes ndryshimit të përshkrimit të detyrave të punës edhe paditësve, dhe faktikisht të gjithë ishin barazuar me punë dhe përgjegjësi, por me paga ishin mbajtur ndryshe, dhe kjo nuk është e lejuar me asnjë të drejtë materiale. Gjithashtu edhe lartësia ishte vërtetuar drejt nga ana ekspertit dhe nga shënimet e paraqitura nga e paditura AKKVP me saktësisht akt-emërimet dhe listat e pagave të kërkuara nga gjykata në seancën e fundit për kolegët e zyrës së paditësve, zyrtarët e lartë ligjor A.D., V.D., V.H., me këtë vërtetohet se ekziston dallimi në pagë në vlerë prej një koeficienti, për punën e njëjtë dhe përgjegjësitë e njëjta në mes të kolegëve zyrtarë të lartë ligjor dhe paditësve”.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “[...] e paditura AKKVP ka bërë trajtim të pa barabartë të paditësve në raporte me punëtorët e tjerë të saj kolegët e tyre të cekur më lart A.D., V.D., V.H., lidhur me pagë të njëjtë për punë të njëjtë, duke bërë kështu shkelje të dispozitave të sipërcituara të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se “aktgjykimet e lartpërmendura kanë shkelur të drejtën e tyre për "barazi para ligjit", të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës dhe të drejtën për një "proces të rregullt gjyqësor", të garantuar me nenin 6 të Konventës. Pasi që gjykata e njëjtë themelore, i njëjti gjyqtar z. H.H.,, në një procedurë tjetër gjyqësore, në një rast identik dhe përafërsisht në të njëjtën kohë, kishte nxjerrë aktgjykim aprovues, duke shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për barazi para ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi 05/L-021”.
Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Rastin e ngjashëm gjyqtari H., e ka aprovuar vetëm duke u bazuar në kërkesën e paditëses se kryen punë të njëjtë me kolegët e saj, por nuk paguhet njëjtë, dhe në arsyetimin e këtij aktgjykimi saktësisht e kishte shënuar se i padituri ka bërë trajtim të pabarabartë të paditëses në raport me punëtorët e tjerë të saj, lidhur me pagën e njëjtë për punë të njëjtë, duke bërë kështu shkelje të dispozitave të sipërcituara të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dhe kjo gjendet në arsyetimin e gjykatës në rastin A.nr.676/2018 i 30 tetorit 2020, i cili është i bashkëngjitur. Ndaj këtij aktgjykimi ka pasur ankesë nga pala e paditur Zyra Kombëtare e Auditimit, dhe Gjykata e Apelit me Aktvendimin AA.nr.64S/2o i 25 korrikut 2022 (i njëjti kryetar i kolegjit - si në rastin e vendosjes për parashtruesit e kërkesës z. M.N.,) e ka kthyer çështjen në rishqyrtim për t’i vlerësuar vetëm provat materiale dhe përpilimit të ekspertizës financiare për të caktuar detyrimet që ka e paditura, pra Gjykata e Apelit fare se ka vënë në diskutim se ka të bëjë me diskriminim pagë e njëjtë për punë të njëjta”.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata e Apelit nuk e ka vlerësuar fare ligjin material, kur ka refuzuar ankesën e paditësve, kjo për faktin se nuk ka pasur parasysh ligjet e aplikueshme në Kosovë që e rregullojnë çështjen e pagës së njëjtë për punën e njëjtë, e që i referohen diskriminimit. Dy gjykatat, ajo Themelore dhe ajo e Apelit gjatë shqyrtimit të ankesës dhe padisë së paditësve kanë qenë të detyruara ti referohen Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi Nr. 05/L-021, përkatësisht nenit dy (2) të të njëjtit ku përcaktohet se: "1. Ky ligj zbatohet për të gjitha veprimet apo mosveprimet, të të gjitha institucioneve shtetërore dhe lokale, të personave fizikë dhe juridikë, të sektorit publik dhe privat, të cilët shkelin, kanë shkelur ose mund të shkelin të drejtat e çdo personi apo personave fizikë dhe juridikë në të gjitha fushat e jetës, e posaçërisht që kanë të bëjnë me: 1.3. 'kushtet e punësimit dhe të punës, përfshirë shkarkimin apo ndërprerjen e kontratës dhe pagesës, dhe nenit 3 të të njëjtit, i cili përcakton se "1. Parimi i trajtimit të barabartë nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë sipas kuptimit të cilësdo nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij ligji [...]”.
Parashtruesit e kërkesës tutje theksojnë: “Për më tepër, Gjykata e Apelit në arsyetim thotë: “se paditësit mund të kryejnë edhe punë të tjera shtesë që nuk bien nën përgjegjësinë e tyre dhe se kjo është çështje personale apo vullnetare". Po të ishte ashtu siç e citon Gjykata, atëherë pse ekzistojnë pozitat e ndryshme në nivelin profesional të shërbimit civil: asistent, zyrtar, zyrtar i lartë. Po të ishte siç thotë gjykata, që punëdhënësi AKKVP do të mund t'iu jepte paditësve detyra shtesë ajo nuk do t’ua ndryshonte paditësve përshkrimin e detyrave të punës, por këtë e ka bërë në janar 2014 dhe paditësit vazhdojnë të kenë të njëjtin përshkrim të detyrave të punës dhe vazhdojnë të kryejnë detyra të njëjta me zyrtarët e lartë ligjor të cekur më lart. Kurse sa i përket asaj që thotë gjykata "çështje personale apo vullnetare" e paditësve kryerja e detyrave shtesë, gjykata nuk e ka parasysh se punëdhënësi duke iu ndryshuar paditësve përshkrimin e detyrave të punës i ka obliguar ata që të përmbushin këto detyra, dhe në bazë të Ligjit për shërbyes civilë mospërmbushja e detyrave të punës paraqet shkelje të rëndë disiplinore, e për të cilën shkelje si masë disiplinore parashihet edhe largimi nga shërbimi civil. Këtu nuk bëhet fjalë për punë tjera shtesë, por për përgjegjësi shtesë dhe punë të njëjtë me zyrtarët e lartë ligjor, apo barazim të detyrave, punëve dhe përgjegjësive të paditësve me kolegët e tyre, zyrtarët e lartë. Andaj, përderisa paditësit ngarkohen me përgjegjësitë e zyrtareve të ultë, nuk bëhet fjalë për punë shtesë por për përgjegjësi shtesë dhe punë të njëjtë me zyrtarët e lartë ligjor, që edhe Forma dhe Niveli i Pagesës duhet të harmonizohet”.
Parashtruesit e kërkesës në lidhje me aktin e kontestuar theksojnë: “Më 02 shkurt 2023, Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktvendimin REVU-br.6/2023 e hedhë poshtë si të palejueshëm revizionin e parashtruesve te kërkesës kundër aktgjykimit AA.nr.162/21 të Gjykatës së Apelit. Gjykata Themelore Prishtinë në rastin kur revizioni është i palejueshëm, do të duhej ta hedhë poshtë me Aktvendim pa mbajtur fare seancë gjyqësore e ndaj këtij aktvendimi lejohet ankesa për gjykatën e shkallës së dytë (siç ceket në manualin për zbatimin e procedurës kontestimore). Gjykata e shkallës së parë revizionin e paraqitur e ka konsideruar të lejueshëm dhe të njëjtin e ka përcjellë për Gjykatën Supreme e cila e ka hedhë poshtë si të palejueshëm, edhe me këtë veprim parashtruesve të kërkesës iu janë cenuar të drejtat e tyre në gjykim të drejtë e të paanshëm, sepse po të veprohej drejtë nga gjykata parashtruesit do të kishin mundësi ankimimi dhe do të përmirësonin emërtimin e kërkesës nga revizion në kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm”.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata e Apelit me aktgjykimin e saj me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesve të kërkesës ka bërë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës pasi nuk e ka respektuar standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke mos e adresuar fare pretendimin e parashtruesve të kërkesës sa i përket diskriminimit pagë e njëjta për pune të njëjta, dhe se i njëjti gjyqtar në rastin tjetër identik ka nxjerrë Aktgjykim aprovues duke u bazuar ne diskriminim, kurse në vendosjen për parashtruesit e kërkesës në arsyetim të aktgjykimit vetëm cekë rregulloren dhe procedurat e avancimit si dhe bazohet në dokumente të bashkëngjitura nga punëdhënësi, e fare nuk i shqyrton dëshmitë dhe pretendimet e paditësve”.
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) kërkesën e tyre ta shpallë të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që aktvendimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [Revu. nr. 6/2023] i 2 shkurtit 2023 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:
Rregulli 29
[Llogaritja e periudhës kohore]
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit 20 efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [REVU-nr. 6/2023] të 2 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë: (i) cili është “vendimi i fundit” në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës në ndërlidhje me rrjedhjen e afatit ligjor katër (4) mujor nga neni 49 i Ligjit, përkatësisht “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”; dhe (ii) nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Lekić kundër Sllovenisë, kërkesa nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08 Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do t’i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih rastin e GEDNJ-së, Sabri GÜNEŞ kundër Turqisë , kërkesa nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafi 52 dhe 55).
Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih rastin e GJEDNJ-së, Chapman kundër Belgjikës, kërkesa nr. 39619/06, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 34). Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, afati katërmujor fillon të rrjedhë nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, pa marrë parasysh nëse vendimi është shpallur gojarisht ndaj parashtruesit të kërkesës. Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kuptim, Gjykata është bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht e cila ka theksuar se nuk kërkohet shterimi i mjeteve juridike diskrecionale, apo mjeteve juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi. Sipas GJEDNJ-së, shterimi i mjeteve juridike dhe periudha katër (4) mujore janë të ndërlidhura ngushtë. GJEDNJ më tej thekson se afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita kur parashtruesi ka pranuar vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik (shih rastin e GJEDNJ-së, Anne Williams kundër Mbretërisë së Bashkuar, Kërkesa nr.32567/06, Vendim i 17 shkurtit 2009).
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [AA. nr. 162/21] të Gjykatës së Apelit, të 17 nëntorit 2022. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [REVU-nr. 6/2023] të 2 shkurtit 2023, hodhi si të palejueshëm revizionin me arsyetimin kryesor se “kundër vendimeve të plotfuqishme për çështje administrative nuk mund të ushtrohet revizion, andaj kjo gjykatë, ka hedhur poshtë si të palejueshme kërkesën për revizion".
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesve të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktgjykimin [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit. Pas pranimit të këtij të fundit, ai ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta më 2 shkurt 2023, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paraqitur formën e duhur të mjetit juridik në Gjykatën Supreme. Në bazë të kësaj, Gjykata konkludon se parashtruesit e kërkesës kanë qenë njoftuar jo më vonë se më 2 shkurt 2023 për vendimin e Gjykatës së Apelit [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022.
Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktgjykimit [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës në kohë kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paraqitur formën e duhur të mjetit juridik në Gjykatën Supreme, e cila në këta rast do të ishte kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, por kanë paraqitur kërkesën për revizion, që nuk është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore të LKA-se (neni 24, paragrafi 1 dhe neni 25, paragrafi 1). (Shih rastin e Gjykatës KI16/12, parashtrues i kërkesës Gazmend Tahiraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2012, si dhe rastin 116/14, parashtrues i kërkesës Fadil Selmanaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 9 dhjetorit 2014, si dhe rastin KI163/19, parashtrues Hamid Kryeziu, Aktvendim për papranueshmëri i 10 qershorit 2020, paragrafët 61-62).
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Aktgjykimi [AA. nr. 162/21] i 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit, dhe i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [AA. nr. 162/21] i 17 nëntorit 2022, i Gjykatës së Apelit, edhe pse parashtruesit nuk kanë cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë se më 2 shkurt 2023, Gjykata Supreme me Aktvendimin [REVU-nr. 6/2023] ka hedhur poshtë si të palejueshme revizionin, dhe rrjedhimisht parashtruesit e kërkesës është dashur të jenë në dijeni për Aktgjykimin [AA. nr. 162/21] e Gjykatës së Apelit, të 17 nëntorit 2022. Prandaj, Gjykata gjen se afati prej 4 (katër) muajve ka filluar të rrjedhë nga 2 shkurti 2023, dhe se parashtruesit e kërkesës kanë paraqitur kërkesën e tyre, më 11 tetor 2023, në Gjykatën Kushtetuese, andaj Gjykata konkludon se ka kaluar periudha kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesve të kërkesës në lidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 29 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20. 4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Pal Bala dhe Merita Vitija-Dembogaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile