KI222/23, Parashtrues: Pal Bala dhe Merita Vitija-Dembogaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, REVU-nr. 6/2023, të 2 shkurtit 2023
KI222/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 3 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paafatshme
Në këtë rast, parashtruesit e kërkesës janë të punësuar si Zyrtar Ligjor në AKP, dhe kanë kërkuar harmonizimin e pozitës dhe kompensimin e pagës. Pasi kanë pranuar një përgjigje negative nga Departamenti i Burimeve Njerëzore, ata kanë paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave të AKP-së, e cila është refuzuar si e pabazuar. Pas kësaj, ata kanë paraqitur ankesë përpara Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) për rivlerësimin e vendimit të lartcekur.
KPMSHCK refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës duke mbajtur në fuqi vendimin e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave (Komisionit të AKP-së). Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), në përgjigje të ankesës, konfirmoi se avancimi në pozitë nuk mund të bëhej pa procedura të rekrutimit dhe se vendimi i AKP-së ishte në përputhje me ligjin. Pas kësaj, parashtruesit e kërkesës ngritën padi në Gjykatën Themelore, e cila në dhjetor të vitit 2017 anuloi vendimin e KPMSHCK-së, duke vlerësuar se kishte shkelje serioze të procedurave ligjore dhe mungesë të arsyetimeve të mjaftueshme në vendim. Pas një sërë procedurash ligjore lidhur me kërkesën e tyre, KPMSHCK në rivendosje refuzoi përsëri ankesën e tyre. Pas ankesave dhe padive në instancat ligjore, duke përfshirë Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme, ankesat e parashtruesve të kërkesave, te cilët kërkuan ndryshimin e këtyre vendimeve, duke argumentuar shkelje të procedurave ligjore dhe të drejtës materiale, u refuzuan. Gjykata Supreme e ka shpallur revizionin si të palejueshëm, duke konfirmuar vendimet e instancave të mëparshme.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [AA. nr. 162/21] të Gjykatës së Apelit, të 17 nëntorit 2022. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [REVU-nr. 6/2023] të 2 shkurtit 2023, hodhi si të palejueshëm revizionin me arsyetimin kryesor se “kundër vendimeve të plotfuqishme për çështje administrative nuk mund të ushtrohet revizion, andaj kjo gjykatë, ka hedhur poshtë si të palejueshme kërkesën për revizion“. Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesve të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktgjykimin [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit. Pas pranimit të këtij të fundit, ai ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta më 2 shkurt 2023, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paraqitur formën e duhur të mjetit juridik në Gjykatën Supreme. Në bazë të kësaj, Gjykata konkludon se parashtruesit e kërkesës kanë qenë të njoftuar jo më vonë se më 2 shkurt 2023 për vendimin e Gjykatës së Apelit [AA. nr. 162/21] të 17 nëntorit 2022.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Aktgjykimi [AA. nr. 162/21] i 17 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit, dhe i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [AA. nr. 162/21] i 17 nëntorit 2022, i Gjykatës së Apelit, edhe pse parashtruesit nuk kanë cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë se më 2 shkurt 2023, Gjykata Supreme me Aktvendimin [REVU-nr. 6/2023] ka hedhur poshtë si të palejueshme revizionin, dhe rrjedhimisht parashtruesit e kërkesës është dashur të jenë në dijeni për Aktgjykimin [AA. nr. 162/21] e Gjykatës së Apelit, të 17 nëntorit 2022. Prandaj, Gjykata gjen se afati prej 4 (katër) muajve ka filluar të rrjedhë nga 2 shkurti 2023, dhe se parashtruesit e kërkesës kanë paraqitur kërkesën e tyre, më 11 tetor 2023, në Gjykatën Kushtetuese, andaj Gjykata konkludon se ka kaluar periudha kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44) dhe refuzon kërkesën si të paafatshme.
Pal Bala dhe Merita Vitija-Dembogaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile