Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 67/2019, të 20 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 126/19

Parashtruesit: Lon Paluca

Shkarko:

KI126/19, Parashtrues: Lon Paluca, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 67/2019, të 20 marsit 2019

KI126/19, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 nëntorit 2019, publikuar më 9 dhjetor 2019

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, përsëritje e procedurës, kërkesë qartazi e pabazuar, ratione materia

Parashtruesi i kërkesës parashtroi për herë të dytë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me rastin e tij, duke kontestuar vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta. Herën e parë, përmes kërkesës KI116/10, parashtruesi i kërkesës kontestoi para Gjykatës Aktgjykimin [Rev. nr. 286/2007], e Gjykatës Supreme që refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, lidhur me kërkesën e tij për kompensim lidhur me shpronësimin e pronës së paluajtshme të parashtruesit të kërkesës që kishte ndodhur në vitin 1977. Këtë kërkesë Gjykata e kishte deklaruar si qartazi të pabazuar.

Në kërkesën e tanishme KI126/19, parashtruesi konteston Aktvendimin [Rev. nr. 67/2019] e Gjykatës Supreme të Kosovës, të 20 marsit 2019, që kishte refuzuar kërkesën e tij lidhur me përsëritjen e procedurës dhe që kishte përfunduar me Aktgjykimin [Rev. nr. 286/2007] e Gjykatës Supreme, dhe që kishte qenë objekt shqyrtimi para Gjykatës përmes kërkesës KI116/10.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimin e kontestuar përmes kërkesës KI126/19, Gjykata Supreme ka bërë shkelje të të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut  si dhe i të drejtës për barazi para ligjit dhe mbrojtje të pronës të garantuar me nenin 24 dhe 46 të Kushtetutës.

Lidhur me sa më sipër, Gjykata, bazuar edhe në praktikën e saj gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konsideroi se neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6, paragrafi 1 të Konventës, nuk zbatohet në propozimin e parashtruesit për përsëritje të procedurës. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit lidhur me refuzimin nga gjykatat e rregullta për të përsëritur procedurën nuk është ratione materiae në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës se me vendimin e kontestuar Gjykata Supreme i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës si dhe nenin 10 të Deklaratës Universale, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës këto shkelje nuk i ka arsyetuar në asnjë mënyrë por nenet në fjalë vetëm se i ka cekur në mënyrë taksative.

Për këtë arsye, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i ka plotësuar kriteret procedurale për pranueshmëri, siç përcaktohet me Kushtetutë, dhe siç parashihet më tej me Ligj dhe Rregullore të punës, andaj duhet të deklarohet e papranueshme.

 

 

 

 

Parashtruesit:

Lon Paluca

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile