KI212/21, Parashtrues: Behar Emini, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 382/2021, të 22 shtatorit 2021
KI212/21, Aktgjykim i 22 majit 2023, publikuar më 22 qershor 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, gjykatë e themeluar me ligj, kompensim për pronën e shpronësuar, procedurë urgjente, shkelje e të drejtës në pronë
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës të iniciuar në procedurë jo-kontestimore për caktimin e kompensimit si rezultat paluajtshmërisë së shpronësuar nga Kuvendi Komunal i Komunës së Gjilanit.
Më 29 qershor 1995, Kuvendi i Komunës së Gjilanit kishte vendosur për eksproprijimin/shpronësimin me të drejtën për kompensim të paluajtshmërisë për ndërtimin e një rruge qarkore në Komunën e Gjilanit, një pjesë e së cilës paluajtshmëri, kishte qenë në posedim të paraardhësit ligjor të parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 11/2009] të 25 shkurtit 2013 kishte vërtetuar të drejtën e pronësisë në emër të parashtruesit të kërkesës lidhur me paluajtshmërinë në fjalë dhe për pasojë, kishte filluar procedura jo-kontestimore lidhur me kompenzimin si rezultat i eksproprijimit/shpronësimit. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [N.nr. 109/2008] të 11 marsit 2014 kishte caktuar kompensimin për paluajtshmërinë e shpronësuar tashmë në emër të parashtruesit të kërkesës, i vërtetuar edhe nga ana e Gjykatës së Apelit. Megjithatë, si rezultat i Aktvendimit [Rev. Nr. 73/2015] të 20 prillit 2015 të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte aprovuar revizioni i Komunës së Gjilanit, rasti ishte kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore me rekomandimin për vlerësimin e shumës nga një ekspertizë përkatëse në pajtim me ligjin. Kjo e fundit, në procedurë të rivendosjes përmes Aktvendimit [Cn. Nr. 119/2015] të 24 shkurtit 2017, kishte aprovuar pjesërisht propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensim të paluajtshmërisë së shpronësuar dhe për pasojë kishte caktuar vlerën e kompensimit për parashtruesin e kërkesës. Ky Aktvendim i fundit i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 4784/17] të 24 majit 2021 të Gjykatës së Apelit. Kundër këtyre dy Aktvendimeve të fundit, përkatësisht të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, Komuna e Gjilanit, në cilësinë e kundërpropozuesit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, me ç’rast kjo e fundit kishte: (i) aprovuar revizionin e Komunës së Gjilanit, (ii) ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit; dhe (iii) refuzuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e paluajtshmërisë së shpronësuar, me arsyetimin se, bazuar në dispozitat e Ligjit të aplikueshëm për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, pasi që: (i) bazuar në nenin 2b të Ligjit mbi Eksproprijimin, të aplikueshëm në rrethanat e rastit të tij, revizioni kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit nuk ishte i lejuar; dhe se (ii) procedura e caktimit të kompensimit për shpronësim të paluajtshmërisë nuk ishte zhvilluar me urgjencën e përcaktuar me ligj. Nga pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës, në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, rezulton që çështjet e ngritura në kërkesën e tij ndërlidhen me mungesën e jurisdiksionit të Gjykatës Supreme për të vendosur në revizion, të cilat pretendime në thelb dhe bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërlidhen me kriterin e së drejtës për një “gjykatë të themeluar me ligj”, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat Njeriut. Përderisa pretendimi i tij që ndërlidhet me karakterin urgjent të procedurës për caktimin e shumës së kompensimit si rezultat i shpronësimit të pronës bazuar në dispozitat e ligjeve të aplikueshme, ndërlidhet me garancitë e përcaktuara në paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe pastaj aplikoi në rastin konkret (i) parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e “gjykatës së themeluar me ligj”; dhe (ii) në kuptim të së drejtës në pronë, aplikoi edhe garancitë e përcaktuara në dispozitat kushtetuese dhe ligjore që ndërlidhen me të drejtën për kompensim në rast të shpronësimit të pronës, si dhe parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore relevante të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vet Gjykatës.
Së pari, në aplikimin e parimeve që ndërlidhen me të drejtën për një “gjykatë të themeluar me ligj”, duke përfshirë praktikën e vet Gjykatës në raste të ngjashme, ndër tjerash, u sqarua që bazuar në nenin 2b të Ligjit mbi Eksproprijimin (Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86), kundër vendimeve të formës së prerë mbi caktimin e kompensimit, revizioni nuk është i lejuar dhe rrjedhimisht, Gjykata Supreme nuk kishte juridiksion për të vendosur në lidhje me revizionin e palës së paditur. Në këtë kuptim, Gjykata rikujton se përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 4784/17] të Gjykatës së Apelit të 24 majit 2021 ishte vërtetuar Aktvendimi [Cn. Nr. 119/2015] i Gjykatës Themelore i 24 shkurtit 2017, i nxjerrë në procedurë të rivendosjes, përmes të cilit ishte caktuar shuma e kompensimit për paluajtshmërinë e kontestuar. Rrjedhimisht, në mungesë të juridiksionit për të vendosur në këtë çështje përmes revizionit, e njëjta nuk mund të konsiderohet si “gjykatë e themeluar me ligj” në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Së dyti, në aplikimin e parimeve që ndërlidhen me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për kompensim si rezultat i shpronësimit të paluajtshmërisë së tij dhe karakterit urgjent të një procedure të tillë, Gjykata vlerësoi se, si rezultat i kalimit të një periudhe të konsiderueshme të zhvillimit të procedurave në procedurë jo-kontestimore, procedura e kompensimit për shpronësimin e paluajtshmërisë nuk ishte zhvilluar me urgjencën e kërkuar sipas paragrafit 3 të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenin 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin. Më specifikisht, Gjykata konsideroi se si rezultat i vonesës në dhënien e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për shpronësimin e paluajtshmërisë së tij, ishte prishur ekuilibri i drejtë midis mbrojtjes së pronës dhe kërkesave të interesit të përgjithshëm, dhe rrjedhimisht parashtruesit të kërkesës i ishte cenuar e drejta në pronë e garantuar me paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktvendimi [Rev. Nr. 382/2021] i Gjykatës Supreme i 22 shtatorit 2021 nuk është në përputhshmëri (i) me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe (ii) me paragrafin 3 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rezultat i këtij konstatimi, Gjykata shpalli të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. Nr. 382/2021] e Gjykatës Supreme të 22 shtatorit 2021 dhe konstatoi se Aktvendimi [Ac. Nr. 4784/17] i Gjykatës së Apelit i 24 majit 2021, është përfundimtar dhe i detyrueshëm.
Behar Emini
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Administrative