Prishtinë, më 19 qershor 2023
Nr. ref.: AGJ 2216/23
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI212/21
Parashtrues
Behar Emini
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 382/2021, të 22 shtatorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Behar Emini, me vendbanim në Gjilan, i cili përfaqësohet nga Abdylaziz Sadiku, avokat në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Rev. nr. 382/2021] të 22 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, për të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] e 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 24 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 dhjetor 2021, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit KSH.KI212/21 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues. Të njëjtën ditë, Kryetarja e Gjykatës caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci.
Më 2 dhjetor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 11 janar 2022, Gjykata i dërgoi përfaqësuesit ligjor të parashtruesit të kërkesës kërkesë për plotësim të kërkesës, gjegjësisht i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë formularin zyrtar të kërkesës si dhe kopjen e plotë të Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimit [N. 119/15] të 24 shkurtit 2017 të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Më 18 janar 2022, përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës i dorëzoi dokumentet e kërkuara nga Gjykata.
Më 7 prill 2022, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Komunës së Gjilanit. Po të njëjtën ditë, Gjykata i kërkoi Gjykatës Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) dorëzimin e dosjes së plotë të rastit.
Më 20 prill 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 18 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë vendosi që shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës me plotësime shtesë ta shtyjë për një seancë të radhës.
Më 1 dhjetor 2022, Gjykata ktheu dosjen e lëndës në Gjykatën Themelore.
Më 8 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë vendosi që të deklarojë kërkesën të pranueshme por shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës me plotësime shtesë ta shtyjë për një seancë të radhës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 23 shkurt 2023, Gjykata në përbërje të plotë vendosi që shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës me plotësime shtesë ta shtyjë për një seancë të radhës.
Më 30 mars 2023, parashtruesi i kërkesës kërkoi informatë se në cilën fazë të procedurës kërkesa e tij është duke u trajtuar në Gjykatë.
Më 22 maj 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata vendosi që: (i) të shpallë, njëzëri, kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shumicë votash, se Aktvendimi [Rev. nr. 382/2021] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 22 shtatorit 2021 nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me shumicë votash, se Aktvendimi [Rev. nr. 382/2021] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 22 shtatorit 2021 nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) të shpallë, njëzëri, të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 382/2021] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 22 shtatorit 2021; (v) të konstatojë, me shumicë votash, se Aktvendimi [Ac. nr. 4784/17] i Gjykatës se Apelit, i 24 majit 2021 është përfundimtar dhe i detyrueshëm; dhe (vi) të konstatojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që më 29 qershor 1995, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, gjegjësisht Drejtoria për urbanizëm, punë komunale banesore dhe ndërtimtari dhe çështje pronësoro-juridike (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi i Komunës së Gjilanit) kishte nxjerrë Vendimin [01-465-3/64] për eksproprijimin me të drejtën për kompensim të një paluajtshmërie në sipërfaqe prej 1648 m² për ndërtimin e një rruge qarkore në Komunën e Gjilanit.
Në momentin e procedurës së shpronësimit, një pjesë e kësaj paluajtshmërie, gjegjësisht 328 m² (në tekstin e mëtejmë: paluajtshmëria) nga 1648 m² ishte në posedim të paraardhësit ligjor të parashtruesit të kërkesës S.E., i cili këtë paluajtshmëri në vitin 1962 e kishte blerë nga K.J..
Më 29 dhjetor 2008, parashtruesi i kërkesës, në kuadër të procedurës jo-kontestimore në Gjykatën Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), parashtroi kërkesë për kompensimin e paluajtshmërisë së shpronësuar në sipërfaqe prej 328 m² nga ana e Komunës së Gjilanit (në cilësinë e kundërpropozuesit në këtë procedurë).
Më 22 maj 2012, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [N. nr. 109/08] vendosi që të ndërpresë procedurën jo-kontestimore në mënyrë që në procedurë kontestimore të vërtetohet çështja e pronësisë së parashtruesit të kërkesës në paluajtshmërinë e lartcekur.
Më 25 shkurt 2013, Gjykata Themelore në procedurë kontestimore përmes Aktgjykimit [C.nr. 11/2009] vërtetoi të drejtën e pronësisë në emër të parashtruesit të kërkesës, si pasardhës ligjor i S.E. Nga shkresat e lëndës rezulton, që në këtë procedurë kontestimore, parashtruesi i kërkesës kishte hequr dorë nga kërkesa për kompensim të pronës së shpronësuar.
Procedura e parë jokontestimore
Më 11 mars 2014, Gjykata Themelore në procedurë jo-kontestimore përmes Aktvendimit [N.nr. 109/2008] caktoi kompensimin nga Komuna e Gjilanit për paluajtshmërinë e shpronësuar tashmë në emër të parashtruesit të kërkesës në shumë prej 29,520. 00 euro.
Gjykata që në fillim konstatoi se: “Në mes të palëve ndërgjyqëse nuk është kontestuese fakti se ne vitin 1994-95, nga ana e ish-Komunës së Gjilanit- Departamenti për Urbanizëm, Veprimtari Komunale dhe Banesore e Ndërtimtari dhe Qeshtje Pronesore Juridike, është bërë shpronësimi me kompenzim të plotë i pjesës se ngastrës kadastrale P-70403013-00214-1, ne sipërfaqe prej 328m2, për nevojat e Fondit Republikan për Rruge Magjistrale, Qendra Jug, për ndërtimin e rrugës qarkore te qytetit te Gjilanit, e cila sipërfaqe e tokës gjendet ne vendin e quajtur "Poredin" me kulture tokë bujqësore ne sipërfaqe prej 328 m2, e evidentuar tek DGJKP-ja në Gjilan, sipas Qertifikates mbi të Drejtat Pronësore UL-70403013-00517, pasi që një fakt të tille e konfirmon Aktvendimi nr.01-465-3/64 i dt.29.06.1995.
Nuk është kontestues fakti se paluejtshmëria e shpronësuar nuk është kompenzuar fare nga ish Komuna e Gjilanit.”
Gjykata Themelore përmes Aktvendimit të saj theksoi se: “[...] Komuna e Gjilanit tani kundërpropozuese, ka subjektivitetin juridik dhe legjitimitetin pasiv me qenë palë në procedurë, pasi që ajo është trashëgimtare e ish Komunës së Gjilanit me të gjitha të drejtat e plota në pasurinë publike, siq është rasti me Rrugën Qarkore të Qytetit të Gjilanit dhe është jologjike të mendohet se kundërpropozuesja nuk është trashëgimtare e ish Komunës së Gjilanit, kur tani ajo administron me tërë pasurinë dhe asetet e paraardhëses së saj”.
Në vijim, Gjykata Themelore vlerësoi se: “Poashtu gjykata konsideron se nuk ka parashkrim të kërkesave të propozuesit, pasi që parashkrimi është kohë e përcaktuar me ligj për realizmin e të drejtave në kërkesa në kohë të caktuar e deri më tani nuk ka vendim administrativ dhe as gjyqësor me të cilin do të ishte përcaktuar lartësia e qmimit të tokës së shpronësuar, në mënyrë që propozuesi të humbte këtë të drejtë me mosrealizmin e kërkesave monetare në afatin ligjor”.
Në lidhje me heqjen dorë nga kërkesa për kompensim të shpronësimit, Gjykata Themelore vlerësoi se: “Fakti se [parashtruesi i kërkesës] ka hequr dorë nga kërkesëpadia për kompensimin në procedurë kontestimore, është nga shkaku se [parashtruesi i kërkesës] para inicimit të padisë në gjykatë, pra në vitin 2009, në të njëjtë gjykatë më herë pra në vitin 2008, ka pasur të ushtruar propozimin për kompenzim të paluejtshmërisë. Prandaj në rastin konkret gjykata konsideron se nuk ka të bëjë me qështje të gjykuar, meqë siq u tha më lartë kompenzimi për paluejtshmërinë e shpronësuar zgjidhet sipas rregullave të procedurës jokontestimore, e këto dispozita janë imperative që nuk mund të ndryshohen me vullnetin e palëve”.
Rrjedhimisht, Gjykata Themelore duke u bazuar në nenet 1, 3, 28, 40, 52 të Ligjit për Eksproprijimin [KK.nr. 011-3/1-78 të KSA të Kosovës] në lidhje me nenet 2a, 8, 13 dhe 24 të Ligjit mbi Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Eksproprijimin [KK. nr. 465-2/86] aprovoi propozimin e parashtruesit të kërkesës dhe si rrjedhojë obligoi Komunën e Gjilanit që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë shumën prej 29,520.00 euro me kamatë prej 4,5 % në vit, duke filluar nga dita e parashtrimit të propozimit (29 dhjetor 2008) deri në pagesën definitive. Këtë shumë, Gjykata Themelore e bazoi në ekspertizën, e 18 shkurtit 2014 të ekspertit të bujqësisë të caktuar nga kjo gjykatë, marrë për bazë faktin që në kohën e shpronësimit paluajtshmëria në fjalë kishte qenë tokë bujqësore.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktvendimit [N.nr. 109/08] të 11 marsit 2014 të Gjykatës Themelore, Komuna e Gjilanit parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurave kontestimore dhe jokontestimore, respektivisht, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Në ankesën e saj, Komuna e Gjilanit, ndër të tjera kishte theksuar se: (i) kjo komunë nuk është bartëse e projektit të shpronësimit në vitin 1995, dhe rrjedhimisht nuk ka legjitimitet pasiv për të qenë palë në këtë procedurë; (ii) në këtë procedurë ka parashkrim të kërkesës; dhe (iii) parashtruesi i kërkesës në procedurën kontestimore kishte hequr dorë nga e drejta e kompensimit të paluajtshmërisë së shpronësuar.
Më 5 janar 2015, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 1715/2014] refuzoi ankesën e Komunës së Gjilanit dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit, ndër të tjera, vlerësoi se nuk qëndron pretendimi i Komunës së Gjilanit për mungesë të legjitimitetit pasiv të kësaj komune. Në lidhje me këtë, Gjykata e Apelit vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe shtoi se: “Meqë Komuna e Gjilanit është pasardhëse juridike e ish komunës së viteve 1995 dhe i ka trashëguar të gjitha pasuritë publike dhe asetet e saj, atëherë pa dyshim se edhe detyrimi i kësaj komune për borxhet e trashëguara të krijuara në Kosovë, duhet të kompensohen, sepse rruga qarkore e ndërtuar nga shpronësimi të bërë shfrytëzohet nga qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe nuk ka asnjë logjikë që ky kompensim t’i mohohet [parashtruesit të kërkesës]. Është i paqëndrueshëm edhe pretendimi tjetër ankimor se Komuna e Gjilanit nuk është pasardhëse juridike e Komunave të ish-Jugosllavisë. Kjo, është fakt mirëpo pasardhës e komunave të cilat kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në territorin e ish KSA të Kosovës, e tani të Republikës së Kosovës”.
Në lidhje me pretendimin e Komunës së Gjilanit për parashkrimin e kërkesës, Gjykata e Apelit vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore.
Më 19 shkurt 2015, kundër Aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, Komuna e Gjilanit parashtroi revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Në revizionin e saj, Komuna e Gjilanit ndër të tjera: (i) pretendoi se parashtruesi i kërkesës në procedurën kontestimore kishte hequr dorë nga e drejta e kompensimit të paluajtshmërisë së shpronësuar; (ii) kontestoi ekspertizën dhe raportin e ekspertizës, të cilës Gjykata Themelore ia kishte falë besimin dhe në bazë të së cilës kishte caktuar edhe shumën e kompensimit; (iii) pretendoi se kjo komunë nuk është bartëse e projektit të shpronësimit në vitin 1995, dhe rrjedhimisht nuk ka legjitimitet pasiv për të qenë palë në këtë procedurë; (iv) sqaroi se i ka kërkuar Qeverisë që të kompensojë shpronësimin e pronave për ndërtimin e kësaj rruge pasi e njëjta është një rrugë regjionale që lidh rrugën me komunat e Vitisë, Kamenicës, Prishtinës, Ferizajt dhe Bujanovcit; dhe (v) duke iu referuar dispozitave të Ligjit të aplikueshëm për Marrëdhëniet e Detyrimeve pretendoi se në këtë procedurë ka parashkrim të kërkesës.
Më 20 prill 2015, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 73/2015] pranoi revizionin e Komunës së Gjilanit si të bazuar dhe prishi Aktvendimin [N.nr. 109/08] të 11 marsit 2014 të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin [Ac. nr. 1715/2014] të 5 janarit 2015 të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu në rivendosje në Gjykatën Themelore.
Gjykata Supreme konstatoi se çështja e caktimit të shumës së kompensimit nuk ishte bërë në pajtim me paragrafin 2 të nenit 13 të Ligjit mbi Ndryshimin dhe plotësimet për Ligjin për Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare KSAK nr.46/1986]. Në lidhje me këtë, Gjykata Supreme kërkoi nga Gjykata Themelore që : “[...] në vendosje të serishme në këtë çështje juridike, [...] të administrojë provat me ekspertët e njëjtë dhe me ekspertin financiar do të caktojë çmimin e tregut të tokës së shpronësuar ne pajtim me nenin 13 par. 2 të Ligjit mbi Ndryshimin dhe plotësimet për Ligjin për Eksproprijimin apo te nenit 14, i cili është i aplikueshëm sipas Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/24 e pastaj të caktojë kompensimin real për tokën e eksproprijuar të propozuesit. Gjykata e shkallës së parë duhet të vërtetojë faktin se kush është shfrytëzues i fundit të ngastrës së shpronësuar dhe në bazë të kësaj do të vërtetojë legjitimitetin pasiv të palës në procedurë”.
Procedura përmbarimore
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës inicioi procedurën për përmbarimin e Aktvendimit [N. nr. 109/08] të 11 marsit 2014 të Gjykatës Themelore.
Më 19 mars 2015, përmbaruesi privat përmes Urdhrit P.nr. 168/2015 lejoi përmbarimin e Aktvendimit [N. nr. 109/08] të 11 marsit 2014 të Gjykatës Themelore. Kundër këtij Urdhri, Komuna e Gjilanit paraqiti prapësim në Gjykatën Themelore.
Më 1 prill 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [CPK. nr. 34/2015 refuzoi prapësimin e Komunës së Gjilanit. Kundër këtij Aktvendimi, Komuna e Gjilanit paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 7 qershor 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AC. nr. 1230/16] refuzoi ankesën e Komunës së Gjilanit dhe vërtetoi Aktvendimin [CPK. nr. 34/2015] të 1 prillit 2015 e Gjykatës Themelore. Në një datë të paspecifikuar, Komuna e Gjilanit përmes Prokurorit të Shtetit inicioi propozimin për kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit me pretendimin se kjo e fundit kishte lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës Themelore për përmbarim të Aktvendimit [N.nr. 109/2008] të Gjykatës Themelore të 11 marsit 2014, i cili Aktvendimit ishte prishur përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme dhe në atë kohë lënda ndodhej në procedurë të rivendosjes në Gjykatë të Apelit.
Më 6 shtator 2017, Prokurori i Shtetit në Gjykatën Supreme inicioi kërkesën [KMLC. nr. 86/2017] kundër Aktvendimit [Ac. nr. 1230/2016] të 7 qershorit 2017.
Më 26 tetor 2017, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CML. nr. 11/2017] aprovoi si të bazuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit dhe prishi Aktvendimin [Ac. nr. 1230/2016] të 7 qershorit 2017 të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu në rivendosje në të njëjtën gjykatë.
Nga dosja e plotë e lëndës nuk rezulton që në ndërkohë është nxjerrë vendim i gjykatave të rregullta në procedurë përmbarimore.
Procedura e rivendosjes në procedurë jokontestimore
Më 24 shkurt 2017, Gjykata Themelore, në procedurë të rigjykimit përmes Aktvendimit [Cn. nr. 119/2015] aprovoi pjesërisht propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensim të paluajtshmërisë së shpronësuar dhe për pasojë caktoi vlerën e kompensimit në shumë: “[...] prej 39,360.00 euro, minus 10 % nga shuma e përgjithshme me kamatë ashtu siç kanë paguar bankat e Kosovës, duke filluar nga [29 dhjetori 2008] deri në pagesën definitive”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 24 shkurtit 2017, Komuna e Gjilanit parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 24 maj 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 4784/17] vërtetoi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit vlerësoi se Aktvendim i Gjykatës Themelore, i nxjerrë pas administrimit të provave në procedurë është i drejtë dhe i bazuar në ligj, dhe se kjo e fundit po ashtu ka ofruar arsyetim konkret edhe për faktet vendimtare. Në vijim, Gjykata e Apelit vërtetoi se Aktvendimi i Gjykatës Themelore nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe në mënyrë të drejtë ka zbatuar të drejtën materiale.
Gjykata e Apelit, në thelb vërtetoi se Komuna e Gjilanit ka legjitimitet pasiv për të qenë palë në këtë procedurë: “[...] pasi që ajo është trashëgimtare e ish-Komunës së Gjilanit me të gjitha të drejtat e plota në pasurinë publike siç është rasti me Rrugën Qarkore të qytetit të Gjilanit”.
Në vijim, përkitazi me pretendimin e Komunës së Gjilanit se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar, Gjykata e Apelit vlerësoi se: “[parashtruesi i kërkesës] ka provuar se nuk është kompensuar asnjëherë për paluajtshmërinë e përfshirë në procesin e shpronësimit dhe meqë të drejtat që rrjedhin nga e drejta e pronësisë janë të drejta me karakter absolut, të njëjtat edhe nuk parashkruhen”.
Më 28 qershor 2021, kundër Aktvendimeve të lartcekura të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, Komuna e Gjilanit parashtroi revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Në revizionin e saj, Komuna e Gjilanit ndër tjerash pretendoi se: (i) përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore parashtruesit të kërkesës i është njohur e drejta në kompensim për ngastrën kadastrale nr. 214/23 në sipërfaqe prej 328 m² përderisa nga vendimi për shpronësim rezulton që është shpronësuar ngastra nr. 214/3 në sipërfaqe prej 0.16.48 ha; (ii) parashtruesit të kërkesës i mungon legjitimiteti juridik për arsye se në momentin e shpronësimit prona ka qenë e regjistruar në emër të K.U.J., përkatësisht nuk ka qenë pronar juridik e as faktik i ngastrës së shpronësuar; (iii) kontestoi ekspertizën dhe raportin e ekspertizës, të cilës Gjykata Themelore ia kishte falë besimin dhe në bazë të së cilës kishte caktuar edhe shumën e kompensimit; (iv) pretendoi se kjo komunë nuk është bartëse e projektit të shpronësimit në vitin 1995, dhe rrjedhimisht nuk ka legjitimitet pasiv për të qenë palë në këtë procedurë; (v) sqaroi se i ka kërkuar Qeverisë që të kompensojë shpronësimin e pronave për ndërtimin e kësaj rruge pasi e njëjta është një rrugë regjionale që lidh rrugën me komunat e Vitisë, Kamenicës, Prishtinës, Ferizajt dhe Bujanovcin; dhe (v) duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve pretendoi se në këtë procedurë ka parashkrim të kërkesës. Në revizionin e saj, Komuna e Gjilanit kishte bashkëngjitur edhe një Aktvendim të Gjykatës Supreme në lidhje me një rast të shpronësimit, përkatësisht Aktvendimit [Rev. nr. 630/20] të 17 marsit 2021, përmes të cilit kishte refuzuar kërkesën e një propozuesi për kompensim të pronës së shpronësuar për shkak të parashkrimit. Në fund, Komuna e Gjilanit pretendoi se gjykatat si rezultat i vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike në mënyrë të gabuar kanë zbatuar edhe të drejtën materiale.
Më 12 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigje në revizionin e Komunës së Gjilanit, përmes të cilës iu përgjigj të gjitha pretendimeve të ngritura në revizion. Në lidhje me pretendimin për parashkrimin e kërkesës, parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e tij ndaj revizionit theksoi se: “[...] kundërpropozuesi [Komuna e Gjilanit] nuk bën një dallim në mes të asaj se parashkrimi vlen te raportet e detyrimeve ndërsa nuk vlen te e drejta e pronës sepse ajo asnjëherë deri më tani, pra as me ligjet e mëparshme e as të tanishmet nuk vjetërsohet ndonëse drejta mbi pronën është e drejt absolute. Edhe Ligji mbi eksproprijimin nr. 21/1978 dhe Ligji për ndryshimet dhe plotësimet të ligjit mbi eksproprijimin nr. 46/86 të KSAK është ligj special dhe nuk parasheh dispozita për vjetërsimin e të drejtës së pronës dhe kompensimit të saj”. Përgjigjes së tij në revizion, parashtruesi i kërkesës i kishte bashkëngjitur kopjen e Aktvendimit [Rev. nr. 266/2016] të 18 tetorit 2016 të Gjykatës Supreme në lidhje me ngastrën e shpronësuar kadastrale 214/1 [pronë e S.E.], përmes të cilit ishte theksuar se: “Ndërsa kundërshtimet e revizionit për mungesën e legjitimitetit pasiv të kundërpropozuesit dhe për vjetërsimin e kërkesës për caktimin e kompensimit, gjykata e revizionit i refuzon si të pabazuara dhe për të jëjta shkaqe dhe arsye të dhëna nga dy gjykata e shkallës më të ulët ta cilat janë të pranueshme edh për gjykatën e revizionit, andaj është e panevojshme që ato edhe këtu të përsëriten”.
Më 22 shtator 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 382/2021]: (i) aprovoi revizionin e Komunës së Gjilanit; (ii) ndryshoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit; dhe (iii) refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e paluajtshmërisë së shpronësuar.
Bazuar në Aktvendimin e Gjykatës Supreme, kjo e fundit vendimin e saj për të prishur dy Aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit e kishte bazuar në faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar kompensim për paluajtshmërinë e shpronësuar ishte parashkruar. Këtë konstatim, Gjykata Supreme e mbështeti duke aplikuar edhe dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve [Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 29/78, 39/85 dhe 57/89].
Gjykata Supreme arsyetoi se: “Kompensimi i drejtë për patundshmërinë që kalon në pronësi shoqërore, në bazë të Ligjit për Eksproprijimin, që ka qenë në fuqi në kohën e eksproprijimit të paluajtshmërisë lëndore, vërtete është dashtë që të caktohet qoftë me marrëveshje të arritur në mes të palëve ndërgjygjësore, qoftë sipas detyrës zyrtare nga ana e ish Gjykatës Komunale në Gjilan. Në nenin 52 paragrafi 1, të Ligjit për Eksproprijimin (Gazeta Zyrtare KSAK nr. 21 e datës 28 prill 1978 të ndryshuar me Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji të shpallur në Gazetën Zyrtare të KSAK nr. 46/22 nëntor 1986) ka qenë e paraparë se poqe se marrëveshja mbi kompensim nuk arrihet brenda afatit 3 muajsh prej ditës së plotfuqishmërisë së aktvendimit mbi eksproprijimin organi kompetent për punët pasuroro-juridike i kundërpropozueses-këtu komunës së Gjilanit, ka qenë i detyruar që sipas detyrës zyrtare vendimin për eksproprijimin me të gjitha shkresat e lëndës, t’ia dërgojë gjykatës kompetente që të caktojë kompensimin për eksproprijim. Me par. 3 të këtij neni parashihet që në qoftë se organi komunal i administratës kompetent për punët pronësore juridike nuk vepron sipas dispozitës nga paragrafi 1, të këtij neni, pronari dhe shfrytëzuesi i mëparshëm i eksproprijimit drejtpërdrejtë mund ti drejtohen gjykatës për caktimin e kompensimit, çka do të thotë se pronari i mëparshëm nuk mund të bartë kurrfarë pasojash për shkak të lëshimit eventual të organit shtetëror, kështu që vet pala ka mundësi t’i drejtohet gjykatës për të caktuar shpërblimin nga dita e plotfuqishmërisë së aktvendimit për eksproprijim”.
Në vijim, Gjykata Supreme arsyetoi se: “Por deri kur pala ka afat ligjor që t’i drejtohet gjykatës për të caktuar shpërblimin nga dita e plotëfuqishmërisë së aktvendimit për eksproprijim, pa tjetër që duhet ti referohemi dispozitave të LMD [Ligjit për Marrëdhënien e Detyrimeve] pasi që ky afat nuk parashihet me dispozita të Ligjit për Eksproprijimin, dhe pasi që tani më, në mes të palëve kemi një raport detyrimor juridike që mbase rregullohet me dispozitat e LMD-së, siç është rasti konkret i parashkrimit të kërkesave, si institut i të drejtës së detyrimeve“.
Gjykata Supreme, duke aplikuar këtë qëndrim në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, konsideroi se: „[Parashtruesi i kërkesës] ka paraqitur për caktimin e këtij kompensimi më 29.12.2008 ndërsa si u tha më lart eksproprijimi i ngastrës lëndore është bërë në vitin 1995, që do të thotë 13 vite pas eksproprijimit të kësaj ngastre. Në nenin 371 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i cili ka qenë në fuqi deri në hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të Republikës së Kosovës në vitin 2012, parashihet që kërkesat parashkruhen për 10 vite, në qofte se me ligj nuk është paraparë ndonjë afat tjetër i parashkrimit. Kjo do të thotë se me këtë dispozitë parashihet afati i përgjithshëm i parashkrimit të kërkesave. Në rastin konkret e drejta për të parashtruar kërkesën për kompensim me kohë është e kufizuar me parashkrimin e një kërkese të tillë, kështu që ish pronari i patundshmërisë së eksproprijuar nuk mund të mbrohet nga pasojat e lëshimit të tillë, që për një periudhë shumë të gjatë si në rastin konkret periudhë 13 vjeçare, të mos kërkoj caktimin e kompensimit të drejtë, ndërkohë që ligji ia ka dhënë atë mundësi që edhe vet ti drejtohet gjykatës pas kalimit të aftit tremujor gjatë të cilit organi shpronësues nuk i ka dërguar në gjykatë shkresat e lëndës për caktimin e kompensimit për eksproprijim. Në këtë rast kemi të bëjmë me humbjen e të drejtës që në mënyrë të detyrueshme të kërkoj kompensimin kur kalon afati i parashkrimit për të kërkuar nga kundërpropozuesja përmbushjen e obligimeve të saj sa i përket kompensimit të paluajtshmërisë së eksproprijuar“.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt]) të KEDNJ-së dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës duke iu referuar kronologjisë së procedurave të ndjekura para gjykatave të rregullta thekson se në: Aktvendimin [N. nr. 109/2009] e Gjykatës Themelore të 11 marsit 2014; Aktvendimin [Ac. nr. 1715/2014] e Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2015; dhe Aktvendimin [Rev. nr. 73/2015] e Gjykatës Supreme të 20 prillit 2015 nuk është konstatuar se ka parashkrim të kërkesës.
Në lidhje me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës pohon se në një rast tjetër analogjik me rastin e tij, përkatësisht në lidhje me rastin e shpronësimit të paluajtshmërisë së S.E., paluajtshmëri kjo e ngjitur me atë të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 266/2016] të 18 tetorit 2016 nuk kishte konstatuar parashkrim të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës, pas dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatë, më 18 janar 2022 dorëzoi formularin e plotësuar të kërkesës të kërkuar nga Gjykata. Në kërkesën e tij të plotësuar, parashtruesi i kërkesës pretendimin e tij në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës e kishte plotësuar me arsyetimin si në vijim:
Së pari, parashtruesi i kërkesës specifikon se: “Se nuk është ber një gjykim i drejtë nga [Gjykata Supreme] konform dispozitave te nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me Aktvendimin Rev. 266/2016 [e Gjykatës Supreme] te dt. 18.10.2016, konsiderojme se është e nevojshme te theksoj edhe ajo se në të dy rastet, Gjykata Supreme e Kosovës nuk ka mund të lëshohet në vendosjen lidhur me Revizionin e Kundër propozuesit për faktin se me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi eksproprijimin gazeta zyrtare nr. 46/86 i dt. 02. 11. 1986 neni 2b al.4 i cili i shtohet nenit 1 të Ligjit mbi eksproprijimin, shprehimisht përcaktohet se "Kundër Aktvendimit të plotfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet Revizioni".
Së dyti, parashtruesi i kërkesës po ashtu specifikon se: “Arsyeja e moslejimit të Revizionit si mjet i jashtëzakonshëm, e gjen mbështetjen e vetë po ashtu në dispozitat e nenit 2b paragrafin 3 te Ligjit për ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit mbi eksproprijimit ku thuhet se procedura për kompensim e patundshmërisë se eksproprijuar është urgjente”.
Parashtruesi i kërkesës, në vijim thekson se Gjykata Supreme: “[...] nuk po i përfill dispozitat e nenit 1 të Ligjit mbi eksproprijimin por po i përfill dispozitat e nenit 211 të LPK”.
Në dritën e pretendimit të tij se revizioni në Gjykatën Supreme nuk ishte i lejuar, parashtruesi i kërkesës specifikon se: “Në Përgjigjen në Revizion të ushtruar nga Kundër propozuesi, ne rastin konkret fare nuk jam thirr në dispozitat e lartë cituara ligjore te cilat e ndalojnë të drejtën e ushtrimit te Revizionit duke pas parasysh praktiken e [Gjykatës Supreme] për rastet e këtillë, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon e legjitimon Aktvendimit Rev.nr 382/2021 te dt. 22.09.2021 te nxjerr nga e [Gjykata Supreme] kur e pranon Revizionin e kundër propozuesit dhe ia mohon te drejtën e pronës propozuesit për [paluajtshmërinë] e eksproprijuar”.
Përkitazi me pretendimin e tij për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se: “[...]e drejta [...] për pronë është shkel, me Aktvendimin e Gjykatës Supreme [...] kur parashtruesi të kërkesës ia ka mohuar të drejtën e gëzimit të pronës së vetë, respektivisht kompensimi me pronë adekuatë apo kompensim monetar”.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që Aktvendimin [Rev. nr. 382/2021] të 22 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme ta shpallë kundërkushtetues dhe: “...ta lenë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës të Apelit [Ac. Nr. 4784] i dt. 24.05.2021 dhe Aktvendimi [e Gjykatës Themelore] Cn. Nr. 119/2015 i dt. 24.02.2017 për kompensimin e palujtshmërisë së eksproprijuar.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
Neni 1 i Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së
(Mbrojtja e pronës)
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
LIGJI NR. 03/L-007 PËR PROCEDURËN JOKONTESTIMORE
[Shpallur në Gazetën Zyrtare më 12 janar 2009]
Neni 27
Goditja e aktvendimit me revizion
27.1 Në procedurën jokontestimore në të cilën vendoset mbi çështjet statusore, banesore dhe lidhur me kompensimin për paluajtshmërinë e eksproprijuar, mund të përdoret revizioni kundër aktvendimit të shkallës së dytë që ka marrë formë të prerë.
27.2 Në çështjet juridike të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni revizioni lejohet nën kushtet e caktuara me Ligjin për procedurën kontestimore, po qe se me ligj nuk është paraparë ndryshe.
LIGJI NR. Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
[Shpallur në Gazetën Zyrtare më 20 shtator 2008]
Neni 221
(pa titull)
Revizionin e vonuar, jo të plotë dhe të palejueshëm me, aktvendim e hedhë poshtë gjykata e revizionit, po që se një gjë të tillë nuk e ka bërë gjykata e shkallës së parë brenda kufijve të autorizimeve të saja (neni 218 i këtij ligji).
LIGJI MBI EKSPROPRIJIMIN
(Gazeta Zyrtare e KSAK Nr. 21/78)
Neni 52
(pa titull)
Në qoftë se marrëveshja mbi shpërblimin në tërësi nuk arrihet brenda afatit prej 3 muajsh prej ditës kur vendimi mbi eksproprijimin ka marrë formë të prerë, organi komunal i administratës kompetente për punët juridike pasurore ia dërgon pa vonesë të gjitha aktet gjykatës komunale në territorin e së cilës gjendet pasuria e patundshme e eksproprijuar me qëllim të caktimit të shpërblimit.
Organi komunal i administratës mundet edhe pare se të skadoj afati nga alineja 1 e këtij neni t’ia dërgojë gjykatës vendimin mbi eksproprijimin në formë të prerë me akte nëse shifet haptazi se gjer te marrëveshja mbi shpërblim nuk do të arrihet.
Në qoftë se organi komunal nuk vepron sipas dispozitës nga alinea 1 e këtij neni, pronari i përparshëm i pasurisë së patundshme të ekspropriuar mundet drejtpërdrejt t’i drejtohet gjykatës për të caktuar shpërblimin.
Neni 2b i Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Eksproprijimin, Gazeta Zyrtare e KSAK, Nr. 46/86, e 22 nëntorit 1986
Marrëveshja për kompensimin e pasurisë së patundshme të eksproprijuar lidhet para organit komunal të administratës që është kompetent për punët pronësore juridike.
Nëse marrëveshja për kompensim nuk arrihet, kompensimin e cakton gjyqtari në procedurë jashtë-kontestimore.
Procedura për caktimin e kompensimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar është urgjente.
Kundër Aktvendimit te plotfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet revizioni.
Neni 13 i Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Eksproprijimin, Gazeta Zyrtare e KSAK, Nr. 46/86, e 22 nëntorit 1986 përmes të cilit është ndryshuar neni 28
[...]
2) "çmimi i tregut i tokës së eksproprijuar bujqësore përcaktohet në bazë të dhënave mbi vlerën qarkulluese te cilat i jep shërbimi i te ardhurave shoqërore dhe të dhënave mbi shumën nga marrëveshjet që janë arritur për caktimin e kompensimit të drejtë për tokën e eksproprijuar në atë anë".
Neni 24 i Ligjit për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit mbi Eksproprijimin, Gazeta Zyrtare e KSAK Nr. 46/86, e 22 nëntorit 1986 përmes të cilit është ndryshuar alinea 3 e nenit 52
Nëse organi komunal i administratës, kompetente për punët pronësore-juridike nuk vepron sipas dispozitës nga alineja 1 e këtij neni, pronari dhe shfrytëzuesi i mëparshëm i eksproprimit mundet drejtpërdrejt mund t’i drejtohet gjykatës për caktimin e kompensimit.
LIGJI PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE I RSFJ-SË (I SHPALLUR MË 30 MARS 1978)
Neni 371
(pa titull)
Kërkesat parashkruhen për pesë vjet në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit.
Neni 379
(pa titull)
Të gjitha kërkesat që janë përcaktuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose me vendim gjyqësor të formës së prerë ose me vendim të organit tjetër kompetent, ose me anë të pajtimit para gjykatës ose organit tjetër kompetent, parashkruhën për dhjetë vjet dhe ato për të cilat ligji edhe ashtu parashikon afat më të shkurtër parashikrimi.
Mirëpo, të gjitha kërkesat perioike që rezultojnë nga vendimet ose pajtimet e tilla dhe rrjedhin për pagesë në të ardhmën, parashkruhen në afatin e parashikuar për parashkrimin e kërkesave periodike.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: palë e autorizuar; e konteston Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 382/2021] të 22 shtatorit 2021; i ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Për më tepër dhe në fund, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar siç është e përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se më 29 qershor 1995, Kuvendi i Komunës së Gjilanit kishte vendosur për eksproprijimin/shpronësimin me të drejtën për kompensim të një paluajtshmërie në sipërfaqe prej 1648 m². Kjo paluajtshmëri ishte shpronësuar për ndërtimin e një rruge qarkore në Komunën e Gjilanit. Nga shkresat e lëndës rezulton që një pjesë e kësaj paluajtshmërie, gjegjësisht 328 m² ishte në posedim të paraardhësit ligjor të parashtruesit të kërkesës S.E. Në vitin 2008 në procedurë jo-kontestimore në Gjykatën Themelore parashtruesi i kërkesës, kishte kërkuar kompensimin për shpronësimin e paluajtshmërisë. Në ndërkohë, ishte ndërprerë procedura jo-kontestimore dhe në procedurë kontestimore Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 11/2009] të 25 shkurtit 2013 vërtetoi të drejtën e pronësisë në emër të parashtruesit të kërkesës. Si rezultat i kësaj, Gjykata Themelore në procedurën e rifilluar jo-kontestimore përmes Aktvendimit [N.nr. 109/2008] të 11 marsit 2014 kishte caktuar kompensimin për paluajtshmërinë e shpronësuar tashmë në emër të parashtruesit të kërkesës në shumë prej 29,520. 00 euro. Si rezultat i ankesës së Komunës së Gjilanit në cilësinë e palës kundërpropozuese ndaj Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 1715/2014] të 5 janarit 2015 kishte refuzuar ankesën e Komunës së Gjilanit dhe kishte vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Kundër Aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, Komuna e Gjilanit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit përmes Aktvendimit [Rev. nr. 73/2015] të 20 prillit 2015 kishte pranuar revizionin e Komunës së Gjilanit si të bazuar dhe kishte prishur Aktvendimet e lartcekura të Gjykatës Themelore dhe atij të Apelit duke e kthyer lëndën në rivendosje në Gjykatë Themelore. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj kishte konstatuar se çështja e caktimit të shumës së kompensimit nuk ishte bërë në pajtim me paragrafin 2 të nenit 13 të Ligjit mbi Ndryshimin dhe plotësimet për Ligjin për Eksproprijimin dhe për pasojë kishte kërkuar nga Gjykata Themelore: (i) që të administrojë provat me ekspertët e njëjtë dhe me ekspertin financiar do të caktojë çmimin e tregut të tokës së shpronësuar ne pajtim me nenin 13 paragrafin 2 të Ligjit mbi Ndryshimin dhe plotësimet për Ligjin për Eksproprijimin; dhe (ii) të vërtetojë faktin se kush është shfrytëzues i fundit i ngastrës së shpronësuar dhe në bazë të kësaj të vërtetojë legjitimitetin pasiv të palës në procedurë. Si rezultat i kësaj, Gjykata Themelore në procedurë të rivendosjes përmes Aktvendimit [Cn. nr. 119/2015] të 24 shkurtit 2017 kishte aprovuar pjesërisht propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensim të paluajtshmërisë së shpronësuar dhe për pasojë kishte caktuar vlerën e kompensimit për parashtruesin e kërkesës. Ky Aktvendim i fundit i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit [Ac. nr. 4784/17] të 24 majit 2021 të Gjykatës së Apelit. Kundër këtyre dy Aktvendimeve të fundit, përkatësisht të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, Komuna e Gjilanit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme. Më 22 shtator 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 382/2021] kishte: (i) aprovuar revizionin e Komunës së Gjilanit; (ii) ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit; dhe (iii) refuzuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e paluajtshmërisë së shpronësuar. Gjykata Supreme vendimin e saj për të prishur dy Aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit e kishte bazuar në faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar kompensim për paluajtshmërinë e shpronësuar ishte parashkruar. Këtë konstatim, Gjykata Supreme e mbështeti duke aplikuar dispozitat e LMD-së.
Gjykata rikujton se objekt i vlerësimit të parashtruesit të kërkesës është Aktvendimi [Rev.nr.382/2021] i 22 shtatorit 2021, i Gjykatës Supreme, i nxjerrë në procedurë jo-kontestimore, e cila procedurë kishte filluar në vitin 2008 me parashtrimin e kërkesës së tij për kompensim, si rezultat i paluajtshmërisë së shpronësuar.
Parashtruesi i kërkesës e konteston konstatimin e dhënë nga Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj duke pretenduar shkelje: (i) të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; dhe (ii) nenit 46 të Kushtetutës.
Së pari, në kuptim të pretendimit të tij për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ka specifikuar se bazuar në Ligjin mbi Eksproprijimin revizioni kundër Aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit nuk ishte i lejuar.
Nga pretendimet e lartcekura, në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së rezulton që parashtruesi i kërkesës, në thelb pretendon së në rastin konkret ligj i aplikueshëm ishte Ligji mbi Eksproprijimin [i plotësuar dhe ndryshuar, Gazeta Zyrtare KSAK nr.46/86] dhe bazuar në nenin 2b të këtij ligji “kundër aktvendimit të plotfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet revizioni.“ Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesë specifikon se ligji i zbatueshëm në rrethanat e rastit të tij është Ligji mbi Eksproprijimin, sipas së cilit ligj revizioni në rastin e tij nuk ishte i lejuar. Nga kjo rezulton që pretendimi i parashtruesit të kërkesës në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së ngritë çështje të gjykatës së themeluar me ligj.
Së dyti, në lidhje me të drejtën në pronë, parashtruesi i kërkesës thekson se si rezultat i refuzimit të kërkesës së tij për kompensim nga ana e Gjykatës Supreme, atij i është shkelur e drejta në pronë e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës. Në vijim, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij specifikon se bazuar në nenin 2b të Ligjit të lartcekur mbi Eksproprijimin procedura për caktimin e kompensimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar është urgjente. Thënë këtë, Gjykata pretendimin e tij për shkelje të së drejtës në pronë, do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në kontekst të paragrafit 3 të nenit 46 të Kushtetutës.
Prandaj, dhe në vijim, Gjykata do të trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës nga: (i) këndvështrimi i së drejtës së tij për gjykatë të themeluar me ligj, si pjesë përbërëse e të drejtave të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) si dhe të drejtës së tij për kompensim të palujatshmërisë së shpronësuar, si pjesë përbërëse e garancisë së përcaktuar me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me Protokollin nr. 1 të KEDNJ-së duke aplikuar edhe parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në të cilin rast Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” .
I. Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Në dritën e pretendimit të parashtruesit të kërkesës se revizioni në procedurën e zhvilluar në lidhje me kërkesën për kompensim të shpronësimit të tij nuk ishte i lejuar, Gjykata këtë pretendim do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në kuptim të së drejtës së tij për një gjykatë të themeluar me ligj, përkatësisht do të shqyrtojë nëse Gjykata Supreme në pajtim me ligjin e aplikueshëm kishte juridiksion të vendoste në procedurë të revizionit.
Thënë këtë, Gjykata fillimisht do të shtjellojë parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një gjykatë të themeluar me ligj, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret, për të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për “gjykatë të themeluar me ligj” të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe praktika relevante gjyqësore
Bazuar në atë si më sipër dhe me qëllim të shqyrtimit të kërkesës së parashtruesit të kërkesës në kuptim të së drejtës së tij për gjykatë të themeluar me ligj, si rezultat i mungesës së kompetencës së Gjykatës Supreme për të vendosur në revizion, ashtu siç është përcaktuar me nenin 2b të Ligjit mbi Eksproprijimin, Gjykata fillimisht i referohet parimeve të përgjithshme të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së.
Përmes rastit Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës [nr. 26374/18, Aktgjykim, i 1 dhjetorit 2020], GJEDNJ kishte zhvilluar edhe më tej parimet e përgjithshme për të drejtën e një gjykate të themeluar me ligj të vendosura përmes praktikës së mëhershme të saj gjyqësore.
GJEDNJ në parim ka konstatuar se: “[...] një gjykatë e karakterizon, në kuptimin material të termit, funksioni i saj gjyqësor, pra vendosja për çështjet në kuadër të kompetencës së saj në bazë të rregullave procedurale dhe zhvillimit të tyre në mënyrën e përcaktuar me ligj” (shih rastin e GJEDNJ-së Coëme dhe të tjerë kundër Belgjikës, nr. 32492/96 dhe katër të tjerë, Aktgjykim i 22 qershorit 2000, paragrafi 99).
Në këtë kuptim, GJEDNJ ka vlerësuar se sipas nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së, gjykata duhet gjithmonë të jetë “e themeluar me ligj” dhe sipas saj kjo shprehje pasqyron parimin e sundimit të ligjit, i cili është pjesë përbërëse e sistemit mbrojtës të përcaktuar me KEDNJ dhe Protokollet e saj (shih rastet e GJEDNJ-së, DMD Group, A.S. kundër Sllovakisë, nr. 19334/03, Aktgjykimi i 5 tetorit 2010, paragrafi 58 dhe Richert kundër Polonisë, nr. 54809/07, Aktgjykim i 25 tetorit 2011, paragrafi 41).
Thënë këtë, GJEDNJ po ashtu ka specifikuar se nëse një gjykatë nuk është themeluar në pajtim me qëllimin e ligjvënësit, asaj domosdoshmërisht do t’i mungojë legjitimiteti i kërkuar në një shoqëri demokratike për të zgjidhur konteste (shih rastin e GJEDNJ-së Lavents kundër Letonisë, nr. 58442/00, Aktgjykim, i 28 shkurtit 2003, paragrafi 114).
Sipas praktikës gjyqësore të GJENDJ-së “Ligj”, sipas domethënies së nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së, nënkupton jo vetëm legjislacionin për themelimin dhe kompetencat e organeve gjyqësore, por çdo dispozitë e legjislacionit vendor, e cila, nëse shkelet, do të bënte pjesëmarrjen e një apo me tepër gjyqtarëve në shqyrtimin e rastit, të parregullt. Me fjalë tjera, fraza “e themeluar me ligj” përfshin jo vetëm bazën ligjore për vetë ekzistencën e “gjykatës” por edhe respektimin nga gjykata të rregullave të veçanta në bazë të të cilave qeveriset ajo (shih rastin e GJEDNJ-së, DMD Group, A.S. kundër Sllovakisë, i cituar më lart, paragrafi 59 dhe Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës, nr. 29458/04 dhe nr. 29465/04, Aktgjykim, i 20 korrikut 2006, paragrafi 24).
GJEDNJ në rastin Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës përveç se kishte afirmuar parimet e vendosura përkitazi me të drejtën për një gjykatë “të themeluar me ligj” të vendosura më parë nga kjo gjykatë, po ashtu kishte theksuar se e drejta për një gjykatë të themeluar me ligj ndërlidhet edhe me parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës (shih paragrafët 231-234 të Aktgjykimit në këtë rast). GJEDNJ, më tutje kishte konsideruar si të nevojshëm edhe vendosjen e një testit të pragut (threshhold test) me tre (3) hapa apo kritere në mënyrë që të mund të konstatojë nëse në rrethanat e rastit konkret është shkelur e drejta e një gjykatë të themeluar e ligj ashtu siç përcaktohet me nenin 6, paragrafin 1 të KEDNJ-së. Në vijim, po në të njëjtin rast, GJEDNJ kishte theksuar se e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së duhet të interpretohet në dritën e preambulës së KEDNJ-së, e cila, në pjesën e saj relevante, deklaron që sundimi i ligjit është pjesë e trashëgimisë së përbashkët të palëve nënshkruese. Rrjedhimisht, sipas GJEDNJ-së e drejta për një gjykatë të themeluar me ligj është refleksion i këtij parimi të sundimit të ligjit, dhe, si i tillë, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë dhe legjitimitetin e gjyqësorit siç kërkohet në një shoqëri demokratike (paragrafi 238, i Aktgjykimit në rastin Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës). Testi i aplikuar nga Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së në këtë rast përfshinte: (i) nëse kishte shkelje të qartë të ligjit vendor (shih paragrafët 244-245 të Aktgjykimit); (ii) nëse shkelja në fjalë duhet të vlerësohet në dritën e objektit dhe qëllimit të kriterit të "gjykatës së themeluar me ligj", veçanërisht për të siguruar aftësinë e gjyqësorit për të kryer detyrat e veta pa ndërhyrje të paligjshme në mënyrë që të ruhet sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve (shih paragrafët 246-247 të Aktgjykimit); dhe (iii) nëse shkelja e ligjit vendor ka krijuar pasoja të tilla që kanë rezultuar në shkelje të së drejtës së gjykatës së themeluar me ligj ashtu siç është përcaktuar me nenin 6, paragrafin 1 të KEDNJ-së (shih paragrafët 248-252 të Aktgjykimit).
Praktika relevante gjyqësore e GJEDNJ-së
Sipas praktikës gjyqësore të GEJDNJ-së, Gjykata vëren se pretendimi për mospajtueshmëri me të drejtën për “një gjykatë të themeluar me ligj” është shqyrtuar dhe vlerësuar në kontekste të ndryshme, si në aspektin civil dhe atë penal të nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së përfshirë por duke mos u kufizuar si në vijim:
Kur një gjykatë ka vendosur jashtë juridiksionit të saj (shih rastin Coëme dhe të tjerët kundër Belgjikës, të cituar më lart, paragrafët 107-109 dhe Sokurenko and Strygun kundër Ukrainës, të cituar më lart, paragrafët 26-28);
Në rastin kur një rast i është caktuar apo ricaktuar një gjyqtari ose një gjykate specifike (shih rastin DMD Group AS kundër Sllovakisë, të cituar më lart, paragrafët 62-72; rastin Richert kundër Polonisë, të cituar më lart, paragrafët 41-57);
Në rastin e zëvendësimit të një gjyqtari pa ofruar arsyetimin përkatës siç është kërkuar me ligjin vendor (shih rastin Kontalexis kundër Greqisë, nr. 59000/08, Aktgjykim, i 28 nëntorit 2011, paragrafët 42-44);
Në rastin e ripërtëritjes së heshtur të mandatit të gjyqtarit për një periudhë të pacaktuar pas kalimit të mandatit të tij dhe në pritje të riemërimit të tij (shih rastin Gurov kundër Moldavisë, nr. 36455/02, Aktgjykim, i 11 tetorit 2006, paragrafi 37);
Në rastin e gjykimit nga një gjykatë, anëtarët e të cilit në bazë të ligjit ishin të diskualifikuar që të merrnin pjesë në gjykim (shih rastin Lavents kundër Letonisë, i cituar më lart, paragrafët 114- 115);
Në rastin e nxjerrjes së Aktgjykimit nga paneli i gjyqtarëve i cili përbëhej nga një numër më i vogël i anëtarëve se ai i përcaktuar me ligj (shih rastin Momčilović kundër Serbisë, kërkesa nr. 23103/07, Aktgjykim, i 2 prillit 2019, paragrafi 32).
Në vijim, Gjykata marrë për bazë faktin që pretendimi i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me juridiksionin apo kompetencën e gjykatës për të vendosur në revizion, do t’i referohet rastit Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës, i cili rast ndërlidhet me çështjen kur gjykatat kanë vendosur jashtë kompetencës apo juridiksionit të tyre të përcaktuar me ligj.
Në rastin Sokurenko dhe Stuygun kundër Ukrainës, rrethanat e të cilit ndërlidheshin me atë se parashtruesit e kërkesës pretendonin se Gjykata Supreme e Ukrainës nuk ishte kompetente për të vërtetuar vendimin e Gjykatës së lartë Komerciale, pasi që sipas Kodit për Procedurë Komerciale, kjo gjykatë pas anulimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë Komerciale, mund ta kthejë çështjen në rivendosje të serishme ose t’i anulojë të gjitha procedurat. Sipas GJEDNJ-së, nuk kishte asnjë dispozitë tjetër që shtrinte kompetencën e Gjykatës Supreme për të marrë një vendim të tillë. GJEDNJ, më tej theksoi se në lidhje me këto raste, Gjykata Supreme nuk kishte dhënë ndonjë arsye për marrjen e një vendimi, duke tejkaluar juridiksionin e saj, e cila kishte rezultuar në shkelje të qëllimshme të Kodit të Procedurës Komerciale dhe krijimin e një praktike në Gjykatën Supreme të Ukrainës. Përfundimisht, GJEDNJ konstatoi se si pasojë e asaj që Gjykata Supreme kishte kaluar kufijtë e juridiksionit të saj, të përcaktuara qartë në Kodin e Procedurës Komerciale, kjo gjykatë nuk mund të konsiderohej si "gjykatë e themeluar me ligj" në kuptim të nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së.
Gjykata po ashtu i referohet rasteve Verita S kundër Ukrainës 39157/02, Aktgjykim, i 13 nëntorit 2008; Bazalt Impeks, TOV kundër Ukrainës, nr. 39051/07, Aktgjykim, i 1 dhjetorit 2011; dhe AVIAKOMPANIYA A.T.I, ZAT kundër Ukrainës nr. 1006/07, Aktgjykim, i 5 tetorit 2017 përmes të cilave kishte vlerësuar se rrethanat faktike dhe juridike ishin të njëjta si ato në rastin Sokurenko dhe Stuygun dhe rrjedhimisht kishte konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së si rezultat i cenimit të së drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj.
(ii) Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata, ashtu siç ka specifikuar edhe më lart, parimet e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së i ka aplikuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih, ndër të tjera, rastet KI156/20, me parashtrues Raiffeisen Bank J.SC., Akygjykim, i 3 marsit 2022; dhe KI14/22, me parashtruese Shpresa Gërvalla, Aktgjykim, i 23 shkurtit 2023).
Gjykata më lart i është referuar edhe Aktgjykimit të saj në rastin KI93/16 [me parashtrues Maliq Maliqi dhe Skender Maliqi, Aktgjykim, i 31 marsit 2017] përmes të cilit çështjen e moslejimit të revizionit në rrethanat e rastit të parashtruesve të kërkesës e kishte trajtuar në kuptim të parimeve të përgjithshme që ndërlidhen me aplikimin dhe zbatimin qartazi arbitrar të ligjit.
Gjykata vë në pah se rrethanat e rastit KI93/16 ndërlidhen me atë se në vitin 2004 ishte nxjerrë vendim për shpronësimin e paluajtshmërisë së paraardhësit të parashtruesve të kërkesës me qëllim që t’i sigurohet tokë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Në vitin 2006, parashtruesit e kërkesës në Gjykatën Komunale në Prishtinë kishin parashtruar kërkesë kundër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, SHA “Sllatina” (në tekstin e mëtejmë: SHA “Sllatina”), për kompensim monetar për patundshmërinë e shpronësuar. Si rezultat i kërkesës së tyre, Gjykata Komunale caktoi kompensimin në emër të shpronësimit. Gjatë procedurës së zhvilluar gjyqësore, ligj i aplikueshëm ishte Ligji mbi Eksproprijimin (Gazeta Zyrtare e KSAK nr. 46/86). Gjykata Komunale e përcaktoi shumën që duhej paguar. Si rezultat i ankesës së kundërpropozuesit, çështja ishte rikthyer në rigjykim në Gjykatën Komunale. Megjithatë Gjykata Komunale në procedurë të rigjykimit përmes Aktvendimit të 28 tetorit 2008 sërish e kishte aprovuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për kompensim të pronës së shpronësuar duke caktuar edhe shumën e kompensimit. Ky vendim i Gjykatës Komunale ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit të Gjykatës së Qarkut. Si rrjedhojë e këtij vendimi të fundit, kundërpropozuesi [SHA “Sllatina”] kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme përmes Aktvendimi [Rev. nr. 321/2012] e kishte aprovuar si të bazuar revizionin e SHA “Sllatina” dhe kishte anuluar Aktvendimet e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale duke ia kthyer çështjen gjykatës së shkallës së parë për rigjykim. Gjykata Supreme kishte vënë në pah se ligji i aplikueshëm është Ligji mbi Eksproprijimin dhe duke aplikuar nenin 13 të këtij ligj, çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Gjatë zhvillimit të procedurës në Gjykatën Themelore në rigjykim, parashtruesit e kërkesës kuptuan për ekzistimin e Aktvendimit të Gjykatës Supreme. Përveç kësaj, Gjykata Themelore e kishte pezulluar sine die shqyrtimin e rastit, në pritje të informatave shtesë nga SHA “Sllatina”. Si rezultat, më 16 qershor 2016 parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar kërkesës në Gjykatë, duke kontestuar mes tjerash se revizioni në Gjykatën Supreme në rastin e tyre nuk ishte i lejuar.
Në Aktgjykimin e saj në rastin KI93/16, Gjykata vlerësoi se: ”[...] aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme jo vetëm që nuk morri parasysh që ”procedura për caktimin e kompensimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar është urgjente”; por para se gjithash nuk i kushtoi vëmendje faktit se “kundër Aktvendimit të plotëfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet revizioni.” Në vijim, Gjykata po ashtu vlerësoi se: ”Ligji mbi eksproprijimin nuk është as i paqartë , as i dykuptimshëm sa i përket revizionit; në të kundërtën, Ligji mbi Eksproprijimin në mënyrë specifike të qartë dhe të drejtpërdrejtë thotë se mjeti juridik i revizionit nuk është i lejuar kundër aktvendimeve të plotfuqishme për caktimin e kompensimit për paluajtshmërinë e eksproprijuar. Kështu, Gjykata Supreme nuk mund të pranojë fare dhe nuk mund të marra parasysh një revizion të tillë. Gjykata vëren se Gjykata Supreme ishte në dijeni për dispozitat e Ligjit për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit mbi Eksproprijimin (Gazeta Zyrtare e KSAK nr. 46/86) kur theksoi “shërbimin e të ardhurave shoqërore” në rastet e caktimit të kompensimit për eksproprijimin e tokës bujqësore. Megjithatë, Gjykat supreme as nuk dha ndonjë shpjegim se përse e zbatoi një nen të atij Ligji, ndërsa shpërfilli një nen të këtij Ligji që përjashtonte juridiksionin e saj, dhe as nuk shpjegoi se pse e pranoi revizionin që, me po këtë ligj, nuk lejohet”.
Si rezultat dhe në zbatim të Aktgjykimit të Gjykatës, Gjykata Supreme në rastin konkret përmes Aktvendimit [Rev. nr. 20/2018] të 22 shkurtit 2018 revizionin e kundërpropozuesit [Aeroportit të Prishtinës] e kishte hedhur po ashtu si të palejuar në bazë të nenit 2b të Ligjit të lartcekur mbi Eksproprijimin. Përmes këtij Aktvendimi, Gjykata Supreme kishte konstatuar se: “...në prani të kësaj gjendjeje juridike dhe duke patur parasysh faktik se sipas dispozitave të nenit 2b, (al. tre dhe katër) të Ligjit për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit mbi Eksproprijimin, G.Z e KSAK nr. 46/86, parashihet se: “Procedura për caktimin e kompensimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar është urgjente dhe se ”Kundër Aktvendimit të plotëfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet revizioni”. Nga këtu, sipas dispozitës së sipër përmendur ligjore, përkitazi me rastin konkret juridiko-civil, rrjedhë se në procedurën e caktimit të kompensimit për pasurinë e eksproprijuar, revizioni është i palejuar. Prandaj, pasi që gjykata e instancës më të ulët nuk ka vepruar në pajtim me nenin 218 të LPK-, që të hedh revizionin si të palejuar, Gjykata Supreme e Kosovës, me zbatimin e nenit 221 të LPK-së, u dashtë që ta hedh të njëjtin si të palejuar”.
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nga parashtruesi i kërkesës është nxjerrë në procedurë jo-kontestimore si rezultat i revizionit të parashtruar nga Komuna e Gjilanit, në cilësinë e kundërpropozuesit.
Në vijim, Gjykata vë në pah se revizioni ishte paraqitur kundër Aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, përmes të cilave në procedurë të rivendosjes ishte caktuar dhe vërtetuar shuma e kompensimit për shpronësimin e paluajtshmërisë së parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës specifikon se bazuar në nenin 2b të Ligjit mbi Eksproprijimin, si ligji i aplikueshëm në rrethanat e rastit të tij, revizioni kundër Aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, përmes të cilave është përcaktuar shuma e kompensimit për shpronësim, nuk ishte i lejuar.
Në vijim të këtij pretendimi, Gjykata vë në pah se gjykatat e rregullta, përfshirë edhe vetë Gjykatën Supreme në procedurën jo-kontestimore të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës kishin aplikuar dispozitat e Ligjit mbi Eksproprijimin [i plotësuar dhe ndryshuar, Gazeta Zyrtare KSAK 46/86].
Thënë këtë, marrë për bazë faktin që procedura e kërkesës për kompensim të pronës së shpronësuar është zhvilluar në procedurë jo-kontestimore, Gjykata po ashtu i referohet nenit 27 [Goditja e Aktvendimit me revizion] të Ligjit për Procedurën Jokontestimore, përmes të cilit përcaktohet që:
“27.1. Në procedurën jokontestimore në të cilën vendoset mbi çështjet statusore, banesore dhe lidhur me kompensimin për paluajtshmërinë e eksproprijuar, mund të përdoret revizioni kundër aktvendimit të shkallës së dytë që ka marrë formë të prerë.
27.2 Në çështjet juridike të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni revizioni lejohet
nën kushtet e caktuara me Ligjin për procedurën kontestimore, po qe se me ligj nuk
është paraparë ndryshe.”
Në vijim të kësaj, Gjykata vë theksin në paragrafin 2 të nenit 27 të Ligjit për Procedurën Jokontestimore, përmes të cilit specifikohet se revizioni lejohet nën kushtet e caktuara me LPK-në po që se me ligj nuk është paraparë ndryshe. Thënë këtë, Gjykata konsideron se ligj i aplikueshëm në rrethanat e parashtruesit të kërkesës ishte Ligji mbi Eksproprijimin [i plotësuar dhe ndryshuar, Gazeta Zyrtare KSAK 46/86] dhe se neni 2 b i këtij Ligji në mënyrë specifike përcakton që: “Kundër Aktvendimit te plotfuqishëm mbi caktimin e kompensimit nuk lejohet revizioni”.
Gjykata në aplikimin e parimeve dhe kritereve të lartcekura që ndërlidhen me të drejtën për një gjykatë të themeluar me ligj do të shqyrtojë: (i) nëse vendimmarrja e Gjykatës Supreme në revizion ka rezultuar në shkelje të qartë të dispozitave të ligjit të aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret; (ii) në vijim të kësaj në rast se është konkluduar shkelja e dispozitave të ligji, kjo e fundit duhet të vlerësohet në dritën e qëllimit të kriterit të "gjykatës së themeluar me ligj"; dhe në fund (iii) të vlerësojë nëse shkelja e dispozitave ligjorë në fuqi që ndërlidhet me lejimin apo jo të revizionit ka rezultuar në shkelje të së drejtës së gjykatës së themeluar me ligj ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6, paragrafin 1 të KEDNJ-së.
Në dritën e elaborimit të lartcekur, Gjykata vë në pah se neni 2b i Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare KSAK 46/86] përcakton që kundër vendimeve të formës së prerë mbi caktimin e kompensimit revizioni nuk është i lejuar. Në këtë kuptim, Gjykata rikujton se përmes Aktvendimit [Ac. nr. 4784/17] të Gjykatës së Apelit, të 24 majit 2021 ishte vërtetuar Aktvendimi [Cn. nr. 119/2015] i Gjykatës Themelore, i 24 shkurtit 2017 i nxjerrë në procedurë të rivendosjes përmes të cilit ishte caktuar shuma e kompensimit për paluajtshmërinë e shpronësuar. Thënë këtë, Gjykata konsideron se neni 2b i Ligjit mbi Eksproprijimin nuk është as i paqartë, as i dykuptimshëm sa i përket mos lejimit të revizionit në rrethanat e parashtruesit të kërkesës.
Bazuar në këtë vlerësim, Gjykata konsideron se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka rezultuar në shkelje të qartë të nenit 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK46/86) përmes të cilit përcaktohej se kundër vendimeve të formës së prerë mbi caktimin e kompensimit revizioni nuk është i lejuar.
Në vijim të këtij konstatimi, Gjykata do të shqyrtojë nëse kjo shkelje duhet të vlerësohet në dritën e qëllimit të një gjykate të themeluar me ligj. Në këtë kuptim, Gjykata, ashtu siç ka elaboruar më lart, ka specifikuar se çështja e kompetencës së një gjykate apo lejimit të një mjeti juridik në një procedurë specifike ngritë çështje të gjykatës së themeluar me ligj, si një nga pjesët përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Për më tepër, çështja nëse revizioni ka qenë apo nuk ka qenë i lejuar në rrethanat e rastit konkret ngritë çështje të parimit të sigurisë juridike, si një nga komponentët kryesorë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike.
Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pas paraqitjes së revizionit në Gjykatën Supreme nga ana e kundërpropozuesit, në përgjigjen e tij ndaj këtij revizioni nuk e kishte ngritur çështjen e moslejimit të revizionit. Këtë parashtruesi i kërkesës e justifikon duke specifikuar se: “Në Përgjigjen në Revizion të ushtruar nga Kundër propozuesi, ne rastin konkret fare nuk jam thirr në dispozitat e lartë cituara ligjore te cilat e ndalojnë të drejtën e ushtrimit te Revizionit duke pas parasysh praktiken e [Gjykatës Supreme] për rastet e këtillë, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon e legjitimon Aktvendimit Rev.nr 382/2021 te dt. 22.09.2021 te nxjerr nga e [Gjykata Supreme] kur e pranon Revizionin e kundër propozuesit dhe ia mohon te drejtën e pronës propozuesit për [paluajtshmërinë] e eksproprijuar”.
Megjithatë, Gjykata duke marrë për bazë faktin që çështja nëse revizioni është i lejuar apo jo ngritë çështje të së drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj, konsideron se kjo ka qenë në kompetencën e vetë Gjykatës Supreme për tu deklaruar në lidhje me mungesën e kompetencës së saj për të vendosur në revizion, dhe rrjedhimisht kjo barrë nuk bie mbi parashtruesin e kërkesës. Këtë vlerësim Gjykata e mbështet edhe në nenin 221 të LPK-së, përmes të cilit përcaktohet që: „Revizionin e vonuar, jo të plotë dhe të palejueshëm me, aktvendim e hedhë poshtë gjykata e revizionit, po që se një gjë të tillë nuk e ka bërë gjykata e shkallës së parë brenda kufijve të autorizimeve të saja (neni 218 i këtij ligji)”.
Në fund, Gjykata konsideron se shkelja e nenit 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK46/86) në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhet me mungesë të juridiksionit apo kompetencës së Gjykatës Supreme për të vendosur në revizion, e cila ka rezultuar në shkeljen e të drejtës së parashtruesit të kërkesës për një gjykatë të themeluar me ligj.
Prandaj, Gjykata Supreme në mungesë të juridiksionit për të vendosur në këtë çështje e njëjta nuk mund të konsiderohet si gjykatë e themeluar me ligj në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës nuk është në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij kishte pretenduar edhe shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Në vijim të këtij pretendimi, Gjykata do të vazhdojë me shqyrtimin e këtij pretendimi duke iu referuar parimeve të përgjithshme të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, për t’i aplikuar të njëjta në rrethanat e rastit konkret.
II. Në lidhje me të drejtën në pronë
Gjykata fillimisht vë në pah se pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të drejtës së tij në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në kontekst të garancive të përcaktuara në Kushtetutë dhe ligj, të cilat garantojnë zhvillimin e një procedure të menjëhershme dhe adekuate në rast të shpronësimit të pronës. Thënë këtë, ne trajtimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës Gjykata do t’i referohet garancive të përcaktuar me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe parimeve të vendosura përmes praktikës relevante gjyqësore të GJEDNJ-së për të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret.
Neni 46 i Kushtetutës
Sa i përket të drejtave të garantuara dhe të mbrojtura me nenin 46 të Kushtetutës, Gjykata së pari vlerëson se e drejta në pronë sipas paragrafit 1 të nenit 46 të Kushtetutës garanton të drejtën e posedimit të pronës; paragrafi 2 i nenit 46 të Kushtetutës përcakton mënyrën e shfrytëzimit të pronës, duke specifikuar qartë se shfrytëzimi i saj rregullohet me ligj dhe në pajtim me interesin publik.
Gjykata po ashtu rikujton se paragrafi 3 i nenit 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës, përcakton:
“Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.”
Neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së
Gjykata, në vijim vë në pah se neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së përcakton që:
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
Praktika relevante gjyqësore e GJEDNJ-së
Ndërsa, sa i përket të drejtave të garantuara dhe të mbrojtura me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata vëren se GJEDNJ ka konstatuar se e drejta pronësore përbëhet nga tri rregulla të ndryshme. Rregulli i parë, i cili përcaktohet në fjalinë e parë të paragrafit të parë dhe i cili ka natyrë të përgjithshme, formulon parimin e gëzimit paqësor të pronës. Rregulli i dytë, në fjalinë e dytë të të njëjtit paragraf përfshin privimin nga prona dhe ia nënshtron atë kushteve të caktuara. Rregulli i tretë, i cili përfshihet në paragrafin e dytë të këtij neni ua njeh shteteve, mes tjerash, të drejtën për të kontrolluar shfrytëzimin e pronës në pajtim me interesin e përgjithshëm, me zbatimin e atyre ligjeve që ato i konsiderojnë të nevojshme për këtë qëllim (shih rastin e GJEDNJ-së, Sporrong dhe Lönnrot kundër Suedisë, nr. 7151/75 dhe 7152/75, Aktgjykim i 23 shtatorit 1982, paragrafi 61; dhe rastin e Gjykatës, KI86/18, parashtrues Slavica Đordević, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021, paragrafi 140).
Në kontekst të së drejtës për kompensim si rezultat i shpronësimit, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së ka konstatuar se këto rrethana ndërlidhen me paragrafin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së i cili përcakton parimin e gëzimit paqësor të pronës në terma të përgjithshëm (shih në këtë kontekst edhe rastin Almeida Garret, Mascarenhas Falcao dhe Të Tjerët kundër Portugalisë, nr. 29813/96 dhe 30229/96, Aktgjykim, i 11 janarit 2000, paragrafët 43 dhe 48, dhe rastin Yagtzilar dhe Të Tjerët kundër Greqisë, nr. 41727/98, Aktgjykim, i 6 dhjetorit 2001, paragrafi 37).
Në rastin Yagtzilar dhe të tjerët kundër Greqisë, GJEDNJ kishte vlerësuar se: ” […] një ndërhyrje në gëzimin paqësor të pronës duhet të rezultojë me një ekuilibër të drejtë midis kërkesave të interesave të përgjithshme të komunitetit dhe kërkesave të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit [shih edhe referencat e tjera të përdorura në këtë rast, përkatësisht rastin Sporrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, i cituar më lart, paragrafi 69]. [...] Kushtet e kompensimit sipas legjislacionit përkatës janë substanciale për vlerësimin nëse veprimi i kontestuar respekton ekuilibrin e drejtë të kërkuar dhe, veçanërisht, nëse ajo vendos një barrë joproporcionale për parashtruesit.” [Paragrafi 40 i Aktgjykimit në rastin Yagtzilar dhe të tjerët kundër Greqisë.]
Rrjedhimisht, GJEDNJ në këtë rast kishte konkluduar se mungesa e kompensimit për shpronësimin në rastin e parashtruesve kishte prishur në dëm të tyre, ekuilibrin e drejtë midis mbrojtjes së pronës dhe kërkesave të interesit të përgjithshëm [paragrafi 42 i Aktgjykimit nërastin Yagtzilar dhe të tjerët kundër Greqisë ].
Praktika gjyqësore e Gjykatës
Ngjashëm edhe në rastin KI93/16, Gjykata në kuadër të shqyrtimit të pretendimit të parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës kishte vlerësuar dhe rrjedhimisht kishte konstatuar se:
“Kësisoj, Gjykata konsideron se vendimi i mëhershëm i Gjykatës së Qarkut [Vendimi Ac. nr. 398/2009] i 17 korrikut 2012, për caktimin e shumës që duhej paguar si kompensim për eksproprijimin e pronës së tyre kishte marrë formë të prerë dhe detyruese dhe, si i tillë ishte bërë res judicata, pasi që asnjë mjet juridik nuk ishte i lejuar për të kontestuar atë vendim. (paragrafi 94) […] Gjykata vëren se, deri më tani, nuk është paguar kompensimi për shpronësimin e pronës së parashtruesve që ishte vendosur qysh më 1 qershor 2004. (paragrafi 96) […] Kësisoj, Gjykata konsideron se një vonesë e tillë, pa qenë i paguar kompensimi për shpronësimin, nuk mund të konsiderohet se është në përputhje me kriterin “e menjëhershëm dhe adekuat” në kuptim të nenit 46.3 të Kushtetutës”. (Paragrafi 97 i Aktgjykimit në rastin KI93/26.)
Rrjedhimisht, Gjykata në këtë rast kishte konstatuar se parashtruesit e kërkesës padrejtësisht ishin privuar nga prona e tyre për shkak të vonesës në dhënien e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për shpronësimin e pronës së tyre duke konkluduar se e drejta e tyre për gëzimin paqësor të pronës, e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së ishte cenuar (paragrafi 98 i Aktgjykimit në rastin KI93/16).
Aplikimi i garancive dhe parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Gjykata fillimisht vë në pah se neni 2b i Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86) përcakton që: “...procedura për caktimin e kompensimit për pasurinë e patundshme është urgjente” përderisa edhe paragrafi 3 i nenit 46 të Kushtetutës përcakton: “[...] sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat”.
Gjykata duke i aplikuar garancitë e mishëruara në paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës si dhe parimet e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së në rrethanat e rastit konkret vë në dukje se:
Parashtruesi i kërkesës procedurën për caktimin e kompensimit për shpronësim të palujatshmërisë e kishte iniciuar më 29 dhjetor 2008;
Përmes vendimit gjyqësor, përkatësisht Aktvendimit [C.nr. 11/2009] të 25 shkurtit 2013, i nxjerrë në procedurë kontestimore është konstatuar se parashtruesi i kërkesës është pronar i paluajtshmërisë;
Gjykata Themelore në procedurë jo-kontestimore përmes Aktvendimit [N.nr. 109/2008] të 11 marsit 2014 ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka marrë kompensim për shpronësimin e paluajtshmërisë së tij;
Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [Cn. nr. 119/2015] të 24 shkurtit 2017, parashtruesit të kërkesës i kishte caktuar kompensim për shpronësimin e pronës së tij dhe se ky vendim i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 4784/17] të 24 majit 2021. Megjithatë, si pasojë e Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme ishin prishur Aktvendimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore për caktimin e kompensimit dhe rrjedhimisht parashtruesit të kërkesës i ishte refuzuar kërkesa për kompensim të paluajtshmërisë së shpronësuar; dhe
Procedura për caktimin e kompensimit të shpronësimit të paluajtshmërisë së tij, të iniciuar në procedurë jo-kontestimore nga gjykatat e rregullta, përfshirë edhe atë Supreme nuk është trajtuar me urgjencë ashtu siç përcaktohet me paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86).
Në dritën e të lartcekurave dhe marrë për bazë faktin që si rezultat i kalimit të një periudhe të konsiderushme të zhvillimit të procedurave në procedurë jokontestimore, Gjykata vlerëson se procedura e kompensimit për shpronësimin e paluajtshmërisë nuk është zhvilluar me urgjencën e kërkuar sipas paragrafit 3 të nenit 46 të Kushtetutës, dhe nenin 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86] e cila përgjatë shumë viteve kishte rezultuar më mungesë të kompensimit për shpronësim në dëm të parashtruesit të kërkesës duke u prishur ekuilibri i drejtë midis mbrojtjes së pronës dhe kërkesave të interesit të përgjithshëm.
Thënë këtë, në vijim të konstatimit të lartcekur se procedura e zhvilluar për caktimin e kompensimit për shpronësimin e paluajtshmërisë nuk ishte zhvilluar në pajtim me garancitë e përcaktuara në paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenin 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin [Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86) si rezultat i vonesës në dhënien e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për shpronësimin e palujatshmërisë së tij, parashtruesit të kërkesës i është cenuar edhe e drejta në pronë.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se në rastin e parashtruesit të kërkesës është shkelur e drejta e tij në pronë, e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, më 22 maj 2023
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, me shumicë votash, se Aktvendimi [Rev. nr. 382/2021] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 22 shtatorit 2021 nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË KONSTATOJË, me shumicë votash, se Aktvendimi [Rev. nr. 382/2021] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 22 shtatorit 2021 nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË SHPALLË, njëzëri, të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 382/2021] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 22 shtatorit 2021;
TË KONSTATOJË, me shumicë votash, se Aktvendimi [Ac. nr. 4784/17] i Gjykatës se Apelit, i 24 majit 2021 është përfundimtar dhe i detyrueshëm;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TË KONSTATOJË që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Behar Emini
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Administrative