Prishtinë, 30 janar 2023
Nr.ref.:RK 2114/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI232/21
Parashtrues
Reshat Totaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 29/2021, të 9 gushtit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Reshat Totaj nga Komuna e Lipjanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Musli Abazi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 29/2021] të 9 gushtit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 3655/2016] të 9 marsit 2020, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 3111/12] të 30 qershorit 2016, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Aktvendimin e kontestuar parashtruesi i kërkesës e ka pranuar më 6 shtator 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është kërkesa e parashtruesit për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar.
Parashtruesi i kërkesës nuk i referohet ndonjë dispozite konkrete të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) që mund të jetë shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullit 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 19 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 10 janar 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr. Gjr. KI232/21] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 11 janar 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin që dëshmon që ai e përfaqëson parashtruesin e kërkesës para Gjykatës.
Më 11 janar 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga Gjykata Themelore që të dorëzojë fletëkthesën që dëshmon kohën kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktvendimin e kontestuar.
Më 19 janar 2022, Gjykata pranoi nga Gjykata Themelore fletëkthesën e kërkuar.
Më 19 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim para Gjykatës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në pozitën Polic në Policinë e Republikës së Kosovës.
Në lidhje me procedurën penale
Më 28 dhjetor 2011, Prokuroria Komunale në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ngriti aktakuzën [PP/nr. 7755-12/2011] ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit nga paragrafi 3 i nenit 343 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar përmes Ligjit nr. 03/l-002 të 22 dhjetorit 2008 (në tekstin e mëtejme: Kodi Penal).
Më 22 dhjetor 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 384/13] refuzoi aktakuzën [PP/nr. 7755-12/2011] me arsyetimin se Prokurori i Shtetit ishte tërhequr nga ndjekja penale sepse ndjekja penale për veprën për të cilën parashtruesi akuzohej tashmë ishte parashkruar.
Në lidhje me procedurën civile dhe administrative
Më 20 shtator 2012, Ministria e Punëve të Brendshme – Policia e Kosovës, pas zhvillimit të procedurës disiplinore nga Komisioni Disiplinor, kishte nxjerrë vendimin [177/KBD/12] për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës.
Kundër vendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Themelore duke kërkuar (i) anulim të vendimit [177/KBD/12] të 20 shtatorit 2012; (ii) që ta kthej parashtruesin në punë sipas kontratës së punës; dhe (iii) t’ ia kompensoj pagat mujore nga 29 shtatori 2021 deri në përmbarimin e Aktgjykimit sepse tashmë, sipas tij, procedura penale kishte përfunduar me Aktgjykim përmes të cilit ishte refuzuar aktakuza kundër tij.
Më 30 qershor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3111/12] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke arsyetuar se vendimi [177/KBD/12] për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës ishte marrë pasi ishte vërtetuar se parashtruesi kishte kryer shkelje të rëndë disiplinore, përkatësisht marrje ryshfeti, e cila kualifikohet edhe si vepër penale dhe se parashkrimi i ndjekjes penale nuk paraqet përjashtimin e përgjegjësisë disiplinore të tij lidhur me shkeljet serioze të detyrave të punës, e cila përgjegjësi ishte vërtetuar në tërësi në procedurën e brendshme disiplinore.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe vendimi të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Më 9 mars 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 3655/2016] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se nuk ka shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore apo aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Ndër të tjera, Gjykata e Apelit ka sqaruar se ndërprerja e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës ishte në përputhshmëri me pikën (a) dhe (d) të nenit 46 [Shkeljet e rënda disiplinore] të Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë dhe nenin 70 të Ligjit nr. 03/L- 212 të Punës.
Kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 3655/2016] të Gjykatës së Apelit parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe në fund kërkoi që çështjen ta kthej në rigjykim në shkallë të parë.
Më 28 korrik 2020, Gjykata Supreme ka pranuar revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 3655/2016] të Gjykatës së Apelit.
Më 9 gusht 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 29/2021] refuzoi revizionin si të paafatshëm.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta me vendimet e tyre e kanë gjykuar gabimisht dhe në mënyrë të paligjshme.
Parashtruesi i kërkesës përgjatë kërkesës së tij, ndër të tjera, thekson: “[...] deklaroj me përgjegjësi të plotë morale dhe materiale se vendimi PKR nr. 384/13 të datës 22.12.2015 të Gjykatës Themelore - Prishtinë, si dhe vendimin AA nr. 199/2013 nga 10.04.2014 të Gjykatës së Apelit, janë vendime që duhet të rishqyrtohen për shkak të konstatimit të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore. Me këtë kërkesë dorëzoj dhe plotësoj një formular pranë Gjykatës Kushtetuese në bazë të neneve 46, 47, 48, 50 për fillimin e procedimit për ndryshimin e vendimeve dhe vendimeve me deklaratën time se jam dënuar gabimisht dhe se jam i pafajshëm para ligjit”.
Parashtruesi i kërkesës më tutje thekson se vendimet e gjykatave të rregullta “janë aktgjykime dhe vendime që duhet të rishqyrtohen nga gjykata për shkak të konstatimit të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson: “[...] Me këtë kërkesë dorëzoj dhe plotësoj formularin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në bazë të neneve: 46, 47, 48, 50 dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese për fillimin e procedurës për ndryshimin e aktgjykimeve dhe vendimeve në Gjykatën e rregullt-Gjykatën Themelore-Prishtinë, me deklaratën time se jam dënuar gabimisht dhe se jam i pafajshëm para ligjit”.
Parashtruesi në kërkesën e tij nuk specifikon e as nuk qartëson se cilat të drejta dhe liri dhe në çfarë mënyre i janë cenuar ato përmes aktit të autoritetit publik të cilin ai e konteston.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që “Aktvendimet dhe vendimet e gjykatës të shqyrtohen përsëri nga gjykata për arsye të vërtetimit të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, se jam gjykuar gabimisht dhe se jam i pafajshëm para ligjit”.
Dispozitat relevante ligjore
KODI I PËRKOHSHËM PENAL I KOSOVËS, UNMIK/RREG/2003/25, 6 korrik 2003
Neni 343
MARRJA E RRYSHFETIT
(1) Personi zyrtar i cili kërkon ose merr dhuratë a përfitim tjetër për vete ose personin tjetër ose që pranon premtimin për dhuratë ose për ndonjë përfitim tjetër për të kryer në kuadër të autorizimeve të tij një veprim zyrtar apo një veprim tjetër të cilin ai nuk duhet ta kryejë ose të mos e kryej një veprim zyrtar apo veprim tjetër të cilin ai duhet ose ka mundur ta kryejë dënohet me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.
(2) Personi zyrtar i cili kërkon ose pranon dhuratë ose përfitim tjetër për vete ose për personin tjetër apo që pranon premtimin për dhuratë ose në ndonjë përfitim tjetër për të kryer në kuadër të autorizimeve të tij një veprim zyrtar apo veprim tjetër të cilin ai është dashur ta kryejë ose të mos e kryejë një veprim zyrtar apo një veprim tjetër të cilin ai nuk duhet ta kryejë, dënohet me burgim prej tre muajve deri në tri vjet.
(3) Personi zyrtar i cili pas kryerjes ose moskryerjes së një veprimi nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni kërkon apo pranon dhurata ose ndonjë përfitim për vete apo për personin tjetër në lidhje me kryerjen apo moskryerjen e tillë dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
(4) Dhurata apo përfitimi tjetër që është marrë konfiskohen.
Ligji nr. 03/l-035 për Policinë
Neni 46
Shkeljet e rënda disiplinore
Zyrtarët policorë dhe stafi civil bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse ai/ajo kryen, tenton të kryejë, ndihmon ose nxit tjetrin ta kryejë njërën nga veprimet e mëposhtme:
a) sjellja e rëndë diskredituese;
b) mosbindja e rëndë;
c) zbulimi i pavend dhe i rëndë i informatave;
d) korrupsioni;
e) shkelja e rëndë e autorizimit;
f) përdorimi i pavend i armës;
g) përdorimi i tepërt i forcës;
h) dëmtimi i rëndë i pasurisë së Policisë;
i) përdorimi i alkoolit ose i substancave të tjera intoksikuese;
j) ngacmimi seksual gjatë shërbimit;
k) veprimet diskriminuese në bazë të moshës, gjinisë, orientimit seksual si dhe përkatësisë etnike
dhe fetare;
l) keqpërdorimi dhe shfrytëzimi seksual i ndonjë personi;
m) veprimtaria penale.
Neni 48
Masat për shkeljet e rënda disiplinore
Zyrtari policor ose stafi civil i Policisë i cili ka kryer shkelje të rëndë disiplinore i nënshtrohet njërës nga masat disiplinore:
a) ndërprerjes së marrëdhënies së punës;
b) uljes së gradës;
c) largimit nga pozita komanduese;
d) suspendimi pa pagesë prej 30 deri në 60 ditë dhe/ose
e) ndalesa në pagë prej 20 deri 30 % e pagës mujore bruto deri dy muaj.
Ligji nr. 03/l-212 i Punës
Neni 70
Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;
1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nën paragrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër;
1.4. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
1.5. punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij/saj menjëherë pas rastit që shpie në largim, ose sapo punëdhënësi të jetë vënë në dijeni të atij rasti;
1.6. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur:
1.6.1. i punësuari është fajtor për përsëritjen e një keqsjelljeje më pak serioze ose të shkeljes së detyrimeve;
[...]
4.Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keqsjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes të kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu, shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afati]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kushteve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, duke kontestuar një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr. 29/2021] të Gjykatës Supreme, të 9 gushtit 2021, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Në këtë aspekt, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është në përputhshmëri me kriteret e përcaktuara me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenin 47 të Ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës, përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, në vlerësimin e të cilave Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (Shih, më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesi Praktik i GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë i 30 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284; shih gjithashtu rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 27 si dhe rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 38).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, gjatë vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtoj thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata rikujton se ndaj parashtruesit të kërkesës ishte ngritur aktakuza [PP/nr. 7755-12/2011] nga Prokuroria Komunale në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit nga paragrafi 3 i nenit 343 të Kodit Penal. Ministria e Punëve të Brendshme – Policia e Kosovës, pas zhvillimit të procedurës disiplinore nga Komisioni Disiplinor, kishte nxjerrë vendimin [177/KBD/12] e 20 shtatorit 2012 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, në vitin 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 384/13] refuzoi aktakuzën ndaj parashtruesit të kërkesës, pasi që Prokurori i Shtetit ishte tërhequr nga ndjekja penale. Pas ankimimit të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore kundër vendimit për ndërprerjen e punës, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3111/12] refuzoi ankesën si të pabazuar, duke arsyetuar se vendimi [177/KBD/12] për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës ishte marrë pasi ishte vërtetur në procedurë të brendshme se parashtruesi kishte kryer shkelje të rëndë disiplinore. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj konfirmon Aktgjykimin [C. nr. 3111/12] e Gjykatës Themelore duke aprovuar në tërësi provat e administruara lidhur me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale. Pas ankimimit, Gjykata Supreme refuzoi ankesën si të paafatshme. Konstatimet e gjykatave të rregullta lidhur me provat e administruara sa i përket gjendjes faktike dhe zbatimin e dispozitave ligjore gjatë shqyrtimit të rastit të tij, parashtruesi i kërkesës i konteston specifikisht para Gjykatës.
Lidhur me këtë pretendim, dhe siç është reflektuar tek pjesa që ndërlidhet me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në paragrafët 27-31 të këtij aktvendimi, përtej pretendimit se vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë duke u bazuar në “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore”, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur para Gjykatës asnjë argument dhe/ose arsyetim konkret përkitazi me shkeljet e të drejtave të tij.
Gjykata rikujton që të njëjtat pretendime të përgjithshme përkitazi me “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore” ishin shqyrtuar edhe para Gjykatës së Apelit, dhe e cila kishte theksuar këtë fakt përmes Aktgjykimit të saj [Ac. nr. 3655/2016], të 9 marsit 2020, duke theksuar si në vijim:
“Gjykata e Apelit e aprovon në tërësi vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm sa i përket vendosjes si në dispozitiv të aktgjykimit të atakuar, për arsye se i njëjti nuk është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, të pretenduara dhe as në shkeljet nga neni 182, par.2, pika b), g), j), k) dhe m) të LPK-së dhe rrjedhimisht nuk ka aplikim të gabuar të së drejtës materiale për të cilat gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të LPK-së”.
Përkundër këtij konstatimi, Gjykata e Apelit në fakt kishte arsyetuar në mënyrë të detajuar pretendimet e përgjithësuara të parashtruesit të kërkesës përkitazi me aplikimin e gabuar të dispozitave ligjore dhe konstatimin e gjendjes faktike. Në këtë aspekt, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit të saj, ndër të tjera, arsyetoi si në vijim:
“Gjykata e Apelit e ka vlerësuar mënyrën e vendosjes në këtë çështje juridike kontestimore nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe ka gjetur se është vendosur në mënyrë të drejtë, duke u mbështetur në provat e administruara të cilat i referohen gjendjes faktike të vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë nga gjykata e shkallës së parë dhe rrjedhimisht duke zbatuar në mënyrë të drejtë të drejtën materiale. Po ashtu edhe dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është mjaft i qartë, e në përputhje të plotë me arsyet e aktgjykimit, duke qenë kështu në harmoni logjike dhe juridike dispozitivi me arsyetimin.
“Gjykata e Apelit vlerëson se veprimet e të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës paditësit, janë veprime tërësisht të ligjshme në pajtim me nenin 46, pika a) dhe d) të Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë, i cili ka qenë në fuqi në kohën kur paditësi rezulton të ketë kryer shkeljen disiplinore nga neni 8, pika 1 dhe 3 të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2008-MBP për Llojet e Shkeljeve të Rënda dhe të Lehta Disiplinore në Policinë e Kosovës, me të cilën dispozitë shprehimisht parashihet” “Zyrtarët policorë dhe stafi civil bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse ai/ajo kryen, tenton të kryejë, ndihmon ose nxit tjetrin ta kryejë njërën nga veprimet e mëposhtme: a) sjellja e rëndë diskredituese dhe d) korrupsioni’’ dhe nenin 48, paragrafi 1 pika a) të të njëjtit ligj me të cilën shprehimisht parashihet “Masat për shkeljet e rënda disiplinore-Zyrtari policor ose stafi civil i Policisë i cili ka kryer shkelje të rëndë disiplinore i nënshtrohet njërës nga masat disiplinore: a) ndërprerjes së marrëdhënies së punës’’, me çka në kuptim të kësaj dispozite ligjore rezulton se masa disiplinore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës paditësit e cila i është shqiptuar nga e paditura, është në proporcion apo baraspeshë me llojin e shkeljes së konstatuar dhe ka mbështetje të plotë në dispozitat ligjore të këtij ligji, i cili ka qenë në fuqi në kohën kur paditësi ka kryer shkeljen disiplinore nga neni 8, pika 1 dhe 3 të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2008-MBP për Llojet e Shkeljeve të Rënda dhe të Lehta Disiplinore në Policinë e Kosovës”.
Masa disiplinore e ndërprerjes së marrëdhënies së punës paditësit, gjenë mbështetje edhe në dispozitën e nenit 70, paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, pika 1.4.1 dhe paragrafi 4 të Ligjit nr. 03/L-212 i Punës, më të cilat dispozita shprehimisht parashihet “Punëdhënësi mund t’ia ndërpres kontratën e punës të punësuarit në periudhën kohore të paralajmërimit në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit. Marrëveshjet kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keq sjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes së kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura’’.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në rastin konkret punëdhënësi (në këtë rast e paditura), ka vepruar në harmoni të plotë me dispozitat e sipërcituara, ngase veprimet e paditësit të konstatuara nga komisioni disiplinor i të paditurës kualifikohen si veprime që përbëjnë shkelje të rëndë të detyrave të punës, për çka Gjykata e Apelit vlerëson se masa e shqiptuar nga punëdhënësi është proporcionale me natyrën e shkeljes, e rrjedhimisht është edhe masë e ligjshme. Pra, me rastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës paditësit, punëdhënësi ka zbatuar dispozitat materialo-juridike në mënyrë adekuate sipas gjendjes faktike të konstatuar. Në procedurën gjyqësore gjykata e shkallës së parë ka administruar prova për vërtetimin e fakteve vendimtare të çështjes, megjithatë është vlerësim i gjykatës së shkallës së dytë se nga provat e administruara, paditësi nuk ka arritur të provojë të kundërtën e të gjeturave nga punëdhënësi”.
Gjykata në këtë kontekst thekson se gjykatat e rregullta dhe specifikisht Gjykata e Apelit kishte konstatuar se (i) Aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk ishte i përfshirë në aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe se drejt ishte konstatuar gjendja faktike në bazë të provave të administruara; si dhe (ii) vendimi për ndërprerjen e punës ishte në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë dhe Ligjit nr. 03/L-212 i Punës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon vetëm “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore”.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues: Limak Kosovo International Airport J.S.C., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues: Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues: Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, rastin e GJEDNJ-së: García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura atje; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI128/18, të cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, të cituar më lart, paragrafi 58).
Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet e sipërtheksuara, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqet pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare në mënyrë efektive; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës; dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kontestuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; si dhe rasti KI128/18, i cituar më lart, paragrafi 58).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore” janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 22 dhjetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin
20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Reshat Totaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar