KI181/20, Parashtrues: Ndërmarrja private „Betoni“, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës E. Rev. nr. 225/20 të 27 korrikut 2020
KI181/20, aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2021, publikuar më 4 qershor 2021
Fjalët kyç: persona juridikë, kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi i pabazuar
Në vitin 1994, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratë mbi qiranë me M.G. për pronën e paluajtshme, përkatësisht dy parcelave kadastrale për një periudhë prej 10 vjetësh me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të parashtruesit të kërkesës.
Trashëgimtarët ligjorë të M.G. parashtruan kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Rahovec kundër parashtruesit të kërkesës duke kërkuar ndërprerjen e kontratës së qirasë mbi pronën e paluajtshme si dhe pagimin e borxhit të mbetur të qirasë.
Kjo kërkesë u shqyrtua nga Gjykata Themelore, e cila aprovoi kërkesën e trashëgimtarëve ligjorë të M.G., duke ndërprerë marrëveshjen e qirasë së pronës së paluajtshme sepse palët ndërgjyqëse nuk arritën të pajtohen lidhur me blerjen e objektit ose blerjen e pronës së paluajtshme, qëndrim i cili u mbështet nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, por ajo u refuzua sepse vlera e treguar e kontestit në këtë rast nuk kalon 3,000 euro.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara nenet 21, 22, 23, 24, 27, 28, 31, 46, 49, 53, 54, 55 dhe 119 të Kushtetutës, të garantuara me nenin 6 të KEDNJ-së, të garantuara me nenin 10 të DUDNJ-së, si dhe nenet 182, 183 dhe 184 të LPK-së dhe nenet 375, 585 dhe 595 të LMD-së.
Gjykata konstatoi se argumentet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk arsyetojnë shkeljet e pretenduara të të drejtave kushtetuese në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës dhe ai nuk mbështeti pretendimet për shkelje të të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë dhe Konventë. Prandaj, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, dhe për këtë arsye, të papranueshme, si vetë kërkesa, po ashtu edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme, të gjitha në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafi (2) i rregullit 39 të Rregullores së punës.
Ndërmarrja private „Betoni“
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile