Prishtinë, më 23 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2352/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI15/23
Parashtrues
Agron Dalladaku
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. Nr. 486/2022] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Agron Dalladaku, me vendbanim në Komunën e Prishtinës, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) i përfaqësuar nga Fortesa Mehmeti Syla, avokate.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. Nr. 486/2022] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [C.NR.4565/20] të 23 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin në vijim: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimin të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet të jenë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit]; 22 [Zbatimi i drejtpërdrejt i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]; 24 [Barazia para Ligjit]; 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura para Gjykatës
Më 27 janar 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoj kërkesën, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi me 30 janar 2023.
Më 6 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Remzie Istrefi Peci, Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban.
Më 3 mars 2023, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin ligjor të parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzoj autorizimin për përfaqësim dhe kopjet e plota të vendimeve lidhur me rastin konkret.
Më 3 mars 2023, Gjykata njoftoj Gjykatën Supreme për regjistrimin e rastit.
Më 15 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoj në Gjykatë autorizimin e kërkuar duke përfshirë ankesat dhe vendimet e kontestuar në mbështetje të kërkesës se tij.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se personat G.D., dhe F.Zh.D., në cilësinë e paditësit më 15 tetor 2020 kanë parashtruar padi në Gjykatën Themelorë duke kërkuar që të aprovohet kërkesëpadia e tyre dhe të vërtetohet që i padituri, përkatësisht parashtruesi i kërkesës ka penguar paditësit në posedim të banesës se tyre duke ndryshuar strukturën e hyrjes se banesës dhe pamundësimin e shfrytëzimit të saj. Paditësit gjithashtu kërkuan që i padituri, përkatësisht parashtruesi i kërkesës të kthej banesën në posedimin e tyre duke ja dorëzuar mjetet e qasjes brenda saj si dhe te përmbahet nga ndonjë veprim që pengon posedimin/shfrytëzimin e banesës.
Më 23 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.4565/20] aprovoj si te bazuar kërkesëpadinë e paditësve duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës ka privuar paditësit nga posedimi i banesës dhe rrjedhimisht urdhëroj parashtruesin e kërkesës që në afat prej 7 (shtatë) ditëve t’ua kthej paditësve në posedim banesën si dhe të detyroj që të kompensoj shpenzimet e kontestit në vlere prej 800 euro e 20 cent (tetë qind euro e njëzet cent).
Gjykata Themelore përmes të njëjtit Aktvendim theksoj se “Palët ndërgjyqëse janë trashëgimtarë të mundshëm, bashke posedues ideale të banesës në fjalë që nga momenti i vdekjes së trashëgimlënësit pavarësisht se kur kanë vendosur autoritetin faktik mbi banesën, deri kur gjykata te përcaktoje së cili është trashëgimtar i banesës.”
Kundër Aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të të drejtës materiale.
Më 18 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.1880/2022] refuzoj si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoj Aktvendimin [C.nr.4565/20] e Gjykatës Themelore me arsyetimin se ky i fundit nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.
Më 19 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të lartcekur, paraqiti revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të se drejtës materiale me propozimin që aktvendimi i atakuar të prishet dhe çështja të i kthehet gjykatës se shkalles se dytë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 20 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës i propozoj Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit inicimin e kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktvendimin [C.NR.4565/20] të 23 marsit 2021 të Gjykatës Themelore.
Më 13 shtator 2022, Zyra e Kryeprokurorit te Shtetit përmes Njoftimit [KMLC.nr.93/22] refuzoj propozimin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se nuk ka baze ligjore për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 15 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.486/2022] duke u bazuar në paragrafin 4 të nenit 481 të Ligjit nr. 03/l-006 për Procedurën Kontestimore hodhi poshtë revizionin si të palejuar me arsyetimin se kundër aktvendimeve të dhëna në kontestet për shkak të pengimi të posedimit revizioni nuk është i lejuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit [Rev.nr.486/2022] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat dhe lirët themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit]; 22 [Zbatimi i drejtpërdrejt i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]; 24 [Barazia para Ligjit]; 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nenet e lartcekura të Kushtetutës janë shkelur përmes vendimeve të gjykatave të rregullta të nxjerra në rastin konkret dhe në disfavor të tij me arsyetimi se kane dështuar që të ofrojnë një “gjykim të drejtë” përgjatë shqyrtimi të rastit tij.
Parashtruesi i kërkesës përgjatë pretendimeve te tij ka shtjelluar juridiksionin e Gjykatës dhe ka elaboruar plotësimin e kushteve ligjore dhe procedurale në mënyrë që kërkesa e tij të trajtohet nga Gjykata duke shqyrtuar pretendimet e ngritura nga ai.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të (i) shpall të pranueshme kërkesën; (ii) të konstatoj se Aktvendimi [Rev. Nr. 486/2022] i 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje Aktvendimin [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [C.NR.4565/20] të 23 marsit 2021 të Gjykatës Themelore janë nxjerrë në shkelje të neneve të pretenduar të Kushtetutës.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës e Apelit [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.486/2022] të 15 dhjetorit 2022 refuzoj si të palejuar revizionin e paraqitur, për shkak se kundër aktvendimeve të dhëna në kontestet për shkak të pengimit të posedimit revizioni nuk është i lejuar, siç përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 481 të Ligjit nr. 03/l-006 për Procedurën Kontestimore.
Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktvendimit [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës në kohe kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta duke u bazuar në paragrafin 4 të nenit 481 të Ligjit nr. 03/l-006 për Procedurën Kontestimore (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih rastet e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 38; KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).
Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktvendimi [Ac.nr.1880/2022] i Gjykatës së Apelit, i 18 korrikut 2022, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 43 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata rikujton se Aktvendimi [Ac.nr.1880/2022] i Gjykatës së Apelit, i 18 korrikut 2022, edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktvendimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 27 janar 2023, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.1880/2022] e Gjykatës së Apelit, të 18 korrikut 2022, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih rastet e Gjykatës KI48/21 parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21 parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi Peci Gresa Caka-Nimani
Agron Dalladaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile