Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 459/21, të 21 prillit 2022, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 2580/20], të 8 prillit 2021

Nr. të lëndës KI93/22

Parashtruesit: Jovan Ristič

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 6​​ shkurt​​ 2023

Nr. ref.:RK​​ 2118/23

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

 

rastin nr.​​ KI93/22

 

Parashtrues

 

Jovan Ristič

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit​​ të Gjykatës​​ Supreme,​​ Rev.​​ nr.​​ 459/21,​​ të​​ 21​​ prillit​​ 2022,​​ në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.​​ nr.​​ 2580/20],​​ të​​ 8​​ prillit​​ 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Jovan Ristič​​ me vendbanim në fshatin Livoq ​​ Epërm, Komuna e​​ Gjilanit, i cili përfaqësohet nga​​ Skender Zenuni nga Gjilani​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës​​ e​​ konteston Aktvendimin [Rev.​​ nr.​​ 459/21]​​ të​​ 21​​ prillit​​ 2022​​ të Gjykatës​​ Supreme në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.​​ nr.​​ 2580/20] të​​ 8​​ prillit​​ 2021.

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës,​​ Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.​​ nr.​​ 2580/20] të​​ 8​​ prillit​​ 2021,​​ e ka pranuar më​​ 27 korrik 2021.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ vendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi​​ i kërkesës​​ pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me​​ nenet​​ 24​​ [Barazia​​ para Ligjit]​​ dhe 46​​ [Mbrojtja e Pronës]​​ të Kushtetutës​​ së​​ Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në lidhje me nenin 1 të Protokollit 1​​ (Mbrojtja e Pronës)​​ të​​ Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa​​ bazohet në paragrafët​​ 1 dhe​​ 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e​​ Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin​​ 22 [Procedimi i kërkesës] dhe​​ 47 [Kërkesat​​ individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 32​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ dhe 59 [Llojet e​​ vendimeve]​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 21​​ qershor​​ 2022, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e dorëzoi​​ përmes Postës​​ kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të​​ Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 7​​ korrik​​ 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi​​ gjyqtarin​​ Safet Hoxha​​ gjyqtar​​ raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Selvete Gërxhaliu- Krasniqi​​ (kryesuese)​​ Remzije​​ Istrefi​​ Peci​​ dhe​​ Nexhmi Rexhepi, anëtarë.

 

  • Më​​ 5​​ korrik​​ 2022, Gjykata njoftoi​​ parashtruesin​​ e kërkesës​​ për regjistrimin e kërkesës​​ si dhe kërkoi saktësimin e kërkesës dhe plotësimin e​​ formularit. ​​ 

 

  • Më 4​​ gusht​​ 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi plotësimet e kërkuara në Gjykatë.

 

  • Më 12​​ shtator​​ 2022,​​ Gjykata​​ njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të saj.

 

  • Më 3​​ nëntor​​ 2022, kërkoi nga Gjykata Themelore që të bashkëlidhte fletëkthesën për dëshminë se kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e Gjykatë së Apelit.​​ 

 

  • Më​​ 25​​ nëntor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi​​ në​​ Gjykatë fletëkthesën ku theksohej që ​​ parashtruesi​​ i kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit më​​ 27 korrik​​ 2021.

 

  • Me​​ 16​​ dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më​​ 17​​ janar 2023, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • ​​ 17​​ prill 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në Gjykatën Themelore, e cila në analizën e Gjykatës Themelore nuk ishte e qartë, rrjedhimisht​​ më 21 prill 2020, gjyqtari i çështjes​​ e ktheu të njëjtën në plotësim, duke e udhëzuar se si te veproj në​​ bazë​​ të​​ dispozitave të​​ Ligjit të Procedurës Kontestimore (në tekstin në vijim: LPK).

 

  • ​​ 24​​ prill​​ 2020,​​ i autorizuari i​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ dorëzoi një​​ parashtresë, ku​​ theksonte se​​ si paditës ka paraqitur​​ personin Jovan Ristiq,​​ ndërsa​​ si të​​ paditur Kuvendin​​ Komunal në​​ Gjilan-Drejtoria për Urbanizëm, kurse objektin e kontestit e ka paraqitur si pengim posedim.​​ 

 

  • Më 24 prill 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit​​ [C.nr.753/20] (I) hodhi poshtë parashtresë e 17 prillit 2020 të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër të​​ paditurit Kuvendi​​ Komunal në​​ Gjilan-Drejtoria për Urbanizëm,​​ Planifikim e Mbrojtje te Mjedisit; (II)​​ Secila pale i bart shpenzimet e veta të​​ procedurës.

 

  • Në​​ arsyetimin​​ e Aktvendimit të lartcekur, Gjykata Themelore theksoi si në vijim:

 

“Gjykata duke vlerësuar parashtresën e dt.24.04.2020, erdhi në përfundim se e njëjta​​ parashtresë-padi nuk i përmbush elementet e parapara në nenin 253 te LPK-së, për përmbajtjen e nenin 253), kur themi këtë e kem parasysh se paditësi, përkatësisht i autorizuari i tij vetëm përshkruar se paditësi është pronarë i​​ ngastrave​​ nr.00359-0 dhe 00361-0 dhe përshkruan se kush ka dalë në vend ngjarje, si kanë biseduar me të paditurën (por të njëjtit nuk kanë qenë të vullnetit të mirë), etj etj, por askund nuk e shohim që paditësi ka paraqitur fakte, prova për vërtetim e fakteve (përveç që është pronare i ngastrave kontestuese), kurse kur vim te kërkesëpadia​​ është​​ shumë​​ e pa kjartë​​ se​​ çfarë​​ kërkon, pasi qe përmbajtjen e padisë​​ i njëjti flet për pengim posedim, kurse kërkon që​​ e paditura të​​ paguaj dëmin (cilin dëm dhe kush e ka shkaktuar apo si e ka shkaktuar, nuk dihet),​​ e gjithashtu ka kërkuar që​​ e paditura të​​ paguaj për 500 m2, në​​ vlerë​​ prej 15.000​​ (d.m.th.​​ asnjë​​ fakt e provë​​ për dëmin e pretenduar nuk ka paraqitur, e gjithashtu asnjë​​ fakt e provë​​ për kërkesën sa i përket pagesës për 500 m2 në​​ shumë​​ prej 15.000​​ (nuk ka paraqitur,​​ d.m.th.​​ sa i përket padisë, paditësi nuk i​​ është​​ përmbajtur nenit 253 të​​ LPK-së, edhe përkundër se i​​ është​​ kërkuar me Akt.C.nr.753/20, dt.21.04.2020.

 

[...]

 

[...] parashtresën e datës 24.04.2020, aspak nuk i është​​ përmbajtur​​ kërkesës së gjykatës, përkatësisht i njëjti ka dështuar të zbatoj standardet ligjore​​ ​​ përcaktuara nga LPK-ja, për padinë​​ si dhe për propozimet për masa siguruese, andaj për këto arsye (të​​ shpjeguara​​ si më​​ lartë​​ dhe bazuar në​​ nenin 102.3 të​​ LPK-së, erdhi në​​ përfundim se parashtresa e paditësit dt.17.04.2020 duhet të​​ hidhet poshtë​​ dhe vendosi si në pikën I të​​ dispozitivit.”

 

  • Kundër​​ Aktvendimit të lartcekur​​ parashtruesi i kërkesës​​ në​​ afat ligjor paraqiti​​ ankesë​​ për​​ shkak​​ ​​ shkeljeve të​​ dispozitave të​​ procedurës kontestimore, konstatimit të​​ gabuar dhe​​ jo​​ ​​ plotë​​ të​​ gjendjes​​ faktike dhe zbatimit të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale, me propozim​​ që të​​ aprovohet në​​ tërësi ankesa​​ si dhe të​​ prishet​​ Aktvendimi i Gjykatës​​ Themelore dhe​​ lënda​​ ti​​ kthehet​​ të njëjtës​​ gjykatë​​ në​​ vendosje meritore. Në anën tjetër edhe pala e paditur – Komuna e Gjilanit paraqiti përgjigje në ankesë.​​ 

 

  • Më 8 prill 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr. 2580/20] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.​​ Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit ndër të tjerash theksoi si në vijim:

 

Gjykata​​ e​​ shkallës​​ ​​ parë​​ drejtë​​ ka vendosur kur e ka hedhur poshtë​​ parashtresën e paditësit, kjo nga fakti se​​ konform​​ dispozitave ligjore, gjykata ia ka dërguar aktvendimin C.nr.753/20 të​​ dt.​​ 21.04.2o2o​​ me të cilin​​ paditësit iu është​​ kthyer në​​ plotësim​​ parashtresa e dt. 17.04.2020, që​​ ​​ afat prej 3 ditësh​​ nga dita e marrjes së​​ aktvendimit të​​ plotësojë​​ ​​ njëjtën, duke treguar se parashtresa e lartcekur a​​ është​​ padi. propozim për caktimin e masës së​​ përkohshme apo siguruese​​ për​​ sigurimin e​​ kërkesëpadisë, e që​​ udhëzohet të​​ plotësojë​​ parashtresën konform​​ dispozitave​​ ligjore të​​ LPK-së.​​ [...]

 

​​ rastin konkret gjykata e shkallës së​​ parë​​ i ka ndërmarrë​​ ​​ gjitha veprimet duke i dërguar​​ paditësit​​ aktvendimin për plotësimin e padisë, duke ia sqaruar në​​ mënyrë​​ ​​ saktë​​ dhe​​ ​​ qartë​​ se si​​ ​​ veprojë, duke e njoftuar edhe për pasojat ligjor të​​ mosveprimit Konform dispozitave ligjore​​ ​​ LPK-së. por​​ ​​ pala paditëse përkundër faktit që​​ e ka autorizuar me dt. 22.04.2020​​ juristin e​​ ​​ diplomuar​​ Skender Zenuni, nga Biro Juridike, Shërbime Juridike,​​ JUS Civile​​ i​​ cili​​ duhet të​​ jetë​​ profesionist​​ dhe​​ ​​ veprojë​​ sipas ligjit, i njëjti prapë​​ se​​ prapë​​ nuk c ka​​ plotësuar​​ padinë​​ konform dispozitave ligjore të​​ LPK-së.

 

  • Më 5 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion​​ kundër Aktvendimit të lartcekur, për shkak të cenimit të rëndë të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që​​ të pranohet revizioni,​​ ndërsa​​ Aktvendimi i shkallës së​​ parë​​ ​​ refuzohet si i pabazuar dhe të​​ detyrohet e paditura ta kompensoj vlerën e pronës me të​​ cilën​​ parashtruesi i kërkesës​​ nuk disponon me atë​​ pjesë.

 

  • Më 21 prill 2o22, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.459/21] hodhi poshtë si të palejuar revizionin e paditësit, të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj Gjykata Supreme theksoi si në vijim:

 

Gjykata Supreme e Kosovës duke vlerësuar kërkesën nga parashtresa e datës 17.04.2020, që ka të bëjë me masë të përkohshme apo masë të sigurisë si dhe parashtresën e datës 24.04.2020, që ka të bëjë me​​ çështjen e pengimit​​ të posedimit, vlerëson se në kontestet e tilla qoftë nga masa e sigurisë apo e pengimit​​ të posedimit revizioni është i palejueshëm. ​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ e​​ konteston Aktvendimin [Rev.​​ nr.​​ 459/21]​​ e​​ 21​​ prillit​​ 2022​​ të​​ Gjykatës​​ Supreme, me pretendimin se​​ i njëjti është​​ nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të​​ garantuara me nenet​​ 24 [Barazia para Ligjit]​​ dhe​​ 46​​ [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin​​ 1 të Protokollit 1​​ (Mbrojtja e Pronës)​​ të KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës në thelb pretendon që Gjykata Themelore nuk e shqyrtoi padinë e tij e cila i përmbante elementet ligjore të LPK-së. Pra, parashtruesi konsideron se​​ e​​ paditura – Komuna e Gjilanit​​ [theksim i shtuar]​​ nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore të nenit 7 paragrafit 7.3.4.1 dhe veprimet tjera procedurale siç e parasheh ligji nr. 03/L-139 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, por se në mënyrë të njëanshme dhe në kohën e pandemisë COVID-19 është marrë vendim pa prezencën e qytetarëve​​ për veprimet e ndërmarrë në rastin konkret nga e paditura.”

 

  • Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje esenciale të dispozitave ligjore të​​ paraparë​​ në nenin 24 lidhur me neni 46​​ ​​ Kushtetutës në​​ harmoni me​​ Konventën​​ Evropiane për​​ të​​ drejtat e njeriut.

 

  • Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të nxjerr Aktvendim përmes të cilit:​​ (I) Aprovohet në tërësi si e bazuar ankesa kushtetuese e parashtruesit të kërkesës; (II)​​ obligohet e paditura të​​ zbatojë​​ dispozitat ligjore të​​ Ligjit​​ Nr. 03/L-139 lidhur me nenin 46 të Kushtetutës së​​ Republikës​​ së Kosovës në​​ harmoni me nenin 1 të​​ Protokollit​​ shtesë​​ të KEDNJ-së.

 

Dispozitat relevante​​ kushtetuese​​ ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 24 [Barazia para Ligjit]​​ 

 

1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]​​ 

 

1. E drejta e pronës është e garantuar.​​ 

 

2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.​​ 

 

3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.​​ 

 

4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.​​ 

 

5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.

 

 

Pranueshmëria​​ e​​ kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari​​ vlerëson​​ nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur​​ kriteret​​ e pranueshmërisë, të​​ përcaktuara​​ me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në​​ këtë​​ drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet nenit​​ 113.1 dhe 113.7 [Juridiksioni dhe​​ Palët​​ e Autorizuara] të Kushtetutës,​​ i​​ cili​​ përcakton:​​ 

 

Neni 113

​​ 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[…]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata, më tej, i​​ referohet​​ neneve 47 [Kërkesa individuale], dhe 48 [Saktësimi i​​ kërkesës], të cilët​​ përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

  • Për​​ sa i​​ përket​​ përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i​​ kërkesës​​ është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin e Gjykatës Supreme​​ [Rev.​​ nr.​​ 459/21] të​​ 21​​ prillit​​ 2022, pasi​​ i​​ ka shteruar mjetet juridike të parapara me ligj.​​ 

 

  • Megjithatë, Gjykata​​ shqyrton​​ nëse janë përmbushur kriteret e përcaktuara me nenin 49 [Afatet] të Ligjit dhe rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], respektivisht paragrafin (1) (c) të Rregullores së punës. Ato përcaktojnë si në vijim:

 

Neni 49 i Ligjit

​​ [Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda​​ afatit​​ prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.

 

Rregulli 39 i Rregullores së punës

[Kriteret e pranueshmërisë]

 

“(1)​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

 

[…]

 

c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe

[…].”

 

  • Në​​ lidhje​​ me sa u tha më sipër, Gjykata​​ rikujton​​ se afati 4 (katër) mujor fillon nga​​ “vendimi i fundit”​​ në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar​​ ankesa​​ e parashtruesit​​ (shih​​ mutatis mutandis,​​ rastin e Gjykatës​​ Kushtetuese: KI120/17, parashtrues:​​ Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 30;​​ si dhe rastin​​ e GJEDNJ-së,​​ Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002).​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ po ashtu se parashtruesi​​ i kërkesës​​ duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi​​ i kërkesës​​ nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rastet e Gjykatës Kushtetuese: KI120/17, parashtrues​​ Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31; KI112/19, parashtrues​​ Ilir Kabashi,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 38;​​ si dhe rastin e GJEDNJ-së,​​ Fernie​​ kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).

 

  • Gjykata​​ vëren​​ se procedura ndaj parashtruesit​​ të kërkesës​​ e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e tij,​​ kishte​​ përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës​​ së Apelit​​ [Ac.​​ nr.​​ 2580/20] të​​ 8​​ prillit​​ 2021, përmes​​ së​​ cilit​​ ishte refuzuar​​ ankesa kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Më tej,​​ Gjykata​​ vëren se parashtruesi​​ i kërkesës​​ paraqiti​​ edhe kërkesën për revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar​​ shkelje të dispozitave të procedurës dhe të së drejtës materiale.​​ 

 

  • Në bazë të​​ arsyetimit të Gjykatës Supreme, Gjykata vëren se në pajtim me Aktvendimin e Gjykatës Supreme,​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ ka përdorur mjet juridik të palejuar në procedurën respektive.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata gjen se për shkak të vetë faktit se parashtruesi i kërkesës nuk e vazhdoi procedurën gjyqësore me mjetin juridik i cili ka qenë në dispozicion në çdo kohë, ai i ka kontribuar faktit se Gjykata Supreme nuk ka mundur të vazhdojë me vërtetimin e bazueshmërisë së pretendimeve të tij ankimore (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI76/17, parashtrues​​ Nysret Fana​​ dhe të tjerët, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 10 prillit 2018, paragrafi 57).​​ 

 

  • Për më tepër,​​ Gjykata​​ rikujton se, në rastin e parashtruesit​​ të kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës​​ së Apelit​​ [Ac.​​ nr.​​ 2580/20] të​​ 8​​ prillit​​ 2021, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai ka përdorur mjete juridike, si​​ revizionin​​ kundër Aktvendimit​​ të Gjykatës së Apelit, i cili nuk kanë qenë i paraparë me ligj.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49​​ të Ligjit është​​ Aktvendimi​​ i Gjykatës​​ së Apelit​​ [Ac.​​ nr.​​ 2580/20]​​ i​​ 8​​ prillit​​ 2021, me të cilin ishte refuzuar​​ ankesa e parashtruesit të kërkesës​​ dhe i cili ishte i paapelueshëm (shih rastet​​ e Gjykatës Kushtetuese nr.​​ KI112/19, parashtrues​​ Ilir Kabashi,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 43; KI23/19, parashtrues​​ Agim Hoxha, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 29 tetorit 2021, paragrafi 93).​​ 

 

  • Andaj,​​ Gjykata​​ rikujton se Aktvendimi i Gjykatës​​ së Apelit​​ [A​​ Ac.​​ nr.​​ 2580/20], ishte​​ nxjerrë​​ më​​ 8​​ prill​​ 2021.​​ Në bazë të​​ fletkthesës e cila ndodhet​​ në dosjen​​ e rastit​​ shihet që parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar më​​ 27 korrik 2021​​ dhe me këtë Gjykata vëren​​ se​​ koha në mes të pranimit të aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më​​ 21​​ qershor​​ 2022, në​​ Gjykatë​​ ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit​​ të kërkesës​​ në lidhje me​​ Aktvendimin​​ e Gjykatës​​ së Apelit​​ [Ac.​​ nr.​​ 2580/20]​​ të​​ 8​​ prillit​​ 2021,​​ është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri​​ juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe të parandalohet mbajtja në gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë kohore e palëve dhe personave të tjerë të përfshirë në procese gjyqësore (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së​​ Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09,​​ 45886/07​​ dhe​​ 32431/08),​​ të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258;​​ shih, gjithashtu Aktgjykimin e GJEDNJ-së​​ Lopes de Sousa Fernandes​​ kundër Portugalisë,​​ nr.​​ 56080/13, të 19 dhjetorit 2017, paragrafi 129; dhe, rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI112/19, parashtrues​​ Ilir Kabashi, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 46).​​ 

 

  • Ky​​ afat​​ gjithashtu​​ i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë​​ kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së​​ Sabri Güneş kundër Turqisë,​​ kërkesa nr. 27396/06, të 29 qershorit 2012, paragrafi 39;​​ shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI12/20,​​ parashtruese e kërkesës​​ Hamijete Dinarama-Daija,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 6 nëntorit​​ 2020, paragrafi 42).​​ 

 

  • Ky​​ rregull​​ specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontrolli i tillë nuk është më i mundur (shih Vendimin e GJEDNJ-së​​ Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, të 25 janarit 2000;​​ shih, gjithashtu, Aktgjykimin e GJEDNJ-së,​​ Sabri Güneş kundër Turqisë, të cituar më lart, paragrafi 40;​​ shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI53/18,​​ parashtrues i kërkesës​​ Hajri Ramadani, Aktvendimi për​​ papranueshmëri,​​ i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 45).

​​ 

  • Andaj, mbi​​ bazën​​ e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit​​ të kërkesës​​ është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës,​​ me​​ nenin​​ 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më​​ 17​​ janar​​ 2023, njëzëri:

 

​​ VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin

20.4 të Ligjit; dhe

 

  • Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari​​ raportues    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Safet Hoxha​​ ​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

1

Parashtruesit:

Jovan Ristič

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile