KI118/20, Parashtrues: Selim Leka, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev.179/19, të 14 janarit 2020
KI118/20, Aktvendim për papranueshmëri i 21 tetorit 2021, publikuar më 9 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontrata kolektive, paga jubilare, regresi, kërkesë e paafatshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte pensionuar më 3 shkurt 2014 për shkak të arritjes së moshës 65 vjeçare të pensionimit. Ai kishte punuar mësimdhënës në shkollën fillore të mesme të ulët në Zabel, komuna e Gjilanit. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi kundër të paditurës Komuna e Gjilanit-Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, duke kërkuar të detyrohet e paditura që t’ia kompensojë pagesën e një page mujore për shpërblim jubilar dhe pagesën e një page mujore për përcjellje në pension dhe regresin. Gjykata Themelore në Gjilan me Aktgjykim [C.nr.378/18] e refuzoi të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit me Aktvendim [AC.nr.5550/18] vendosi që të hedhet poshtë padia e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme me Aktvendim [Rev. 179/19] e hodhi të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër vendimeve të gjykatave të instancës më të ulët. Gjykata Supreme konstatoi se bazuar në nenin 211.2 të LPK-së revizioni është i palejuar për shkak se vlera e objektit të kontestit nuk i kalon 3.000€.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës, kërkoi që (i) të aprovohet në tërësi kërkesëpadia për pagat pas pensionimit kundër palës së paditur Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan dhe (ii) ose lënda të kthehet në rivendosje.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujtoi se afati katër (4) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës. Gjykata vlerësoi se “vendim i fundit” bazuar në nenin 49 të Ligjit është Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.5550/18] i 20 shkurtit 2019, me të cilin ishte hedhur poshtë ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe i cili ishte i formës së prerë dhe i paapelueshëm.
Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin Gjykatës së Apelit [Ac.nr.5550/18] të 20 shkurtit 2019 është dorëzuar pas afatit ligjor katër (4) mujor të parashikuar me nenin 49 të Ligjit dhe specifikuar më tej me Rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Selim Leka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative