KI42/22, Parashtrues: Hysni Bajraj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PNS.nr.58/2021, të 8 nëntorit 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, urdhër për ndalim afatgjatë të aseteve, e drejta në pronë, vendim i arsyetuar gjyqësor
Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës që gjykatat e rregullta nuk i kanë respektuar garancitë kushtetuese të vendimit të arsyetuar gjyqësor, pasiqë të njëjtat nuk i janë përgjigjur pretendimeve esenciale të parashtruesit të kërkesës lidhur me çështjet vijuese: (i) kërkesa për ngrirje të aseteve është dashur të paraqitej nga Gjykata kompetente në Zvicër, e jo nga Prokuroria siç ka ndodhur në rastin konkret dhe se e njëjta nuk përmban informacione se kur pretendohet të jetë kryer vepra penale, përkatësisht cili është afati i parashkrimit për veprat penale për të cilat ishin në procedurë hetimore në Zvicër; (ii) standardi ligjor për lëshimin e urdhrit për ndalim afatgjatë të aseteve duhet të përkoj me dyshimin e bazuar; (iii) nuk kishte asnjë provë të vetme përmes të cilës argumentohet që pasuria e parashtruesit të kërkesës është produkt i ndonjë vepre penale; (iv) nuk është arsyetuar refuzimi i propozimit të mbrojtjes për të dëgjuar në cilësi të dëshmitarit informatori i përmendur nga autoritet zvicerane.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i vendimit të paarsyetuar gjyqësor, si dhe shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, si rezultat i vënies së Urdhrit për ndalim afatgjatë të aseteve të tij.
Për sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes ankesës kundër Urdhrit për ndalim afatgjatë të aseteve, me ç’ rast konkludoi se gjykatat kanë pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse që mbështesin konkluzionin e tyre përkitazi me vendimmarrjen në çështjen e parashtruesit të kërkesës. Në anën tjetër lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cenim të së drejtës në pronë, Gjykata konstatoi se përkundër që kishte ndërhyrje në ushtrimin paqësor të së drejtës pronësore të tij, e njëjta ishte e arsyetuar dhe se nuk ishte në disproporcion me qëllimin legjitim të ndjekur.
Në fund, Gjykata konkludon që kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e
papranueshme, sepse pretendimet për (I) vendim të paarsyetuar gjyqësor, si dhe (II) për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, deklarohen si pretendime qartazi të pabazuara. Prandaj, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Hysni Bajraj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale