Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN1. 264/2023, të 23 marsit 2023

Nr. të lëndës KI162/23

Parashtruesit: Skënder Bajrami

Shkarko:

KI162/23, Parashtrues Skënder Bajrami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN1. 264/2023, të 23 marsit 2023

KI162/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2024, i publikuar më 14 shkurt 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, masa e sigurisë, procedurë penale, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se me arrestimin e parashtruesit të kërkesës bazuar në urdhrin e Prokurorisë Themelore për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti kishte kryer vepra penale të Fajdes dhe të Shmangies nga Tatimi. Më specifikisht, si rezultat i arrestimit të parashtruesit të kërkesës, më 2 mars 2023 dhe kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 3 marsit 2023 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë, pas seancës dëgjimore të mbajtur më 4 mars 2023, përmes Aktvendimit të 5 marsit 2023 të Gjyqtarit të Procedurës Paraprakë në Gjykatën Themelore parashtruesit të kërkesës iu caktua masa e ndalimit për t’iu afruar “vendbanimit të dëmtuarve […] si dhe të bashkakuzuarve në distancën e specifikuar” dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë iu caktua masa e paraburgimit. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 5 marsit 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit përmes së cilës pretendoi: (i) shkelje të paragrafit 8 të nenit 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke theksuar se seanca dëgjimore pas arrestimit të tij nuk ishte mbajtur brenda dyzet e tetë (48) orëve, afat ky i përcaktuar edhe me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe (ii) shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke theksuar se nuk përmbusheshin kushtet për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Si rezultat i kësaj, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të kontestuar, të 23 marsit 2023 ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i  kërkesës në kërkesën e tij ngritë çështjen e  detyrimit kushtetues sipas paragrafit 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe atij ligjor sipas paragrafit 8 të nenit 162 të Kodit të Procedurës Penale që pas arrestimit të pandehurit për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprave penale, i njëjti duhet të sillet para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda dyzet e tetë (48) orëve dhe (ii) dështimin e Gjykatës së Apelit Gjykata që t’i adresojë pretendimet e tija thelbësore të ngritura në ankesën e tij para kësaj gjykate e që ndërlidhen me  caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar ne fazën e hetimit.

Gjykata në këtë rast, ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me (i) kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij deri në mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore dhe (ii) caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Në lidhje me të parën, Gjykata duke u mbështetur në dokumentacionin e dorëzuar nga Gjykata Themelore gjeti se seanca dëgjimore është mbajtur brenda dyzetë e tetë (48) orëve nga dita e arrestit të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit dhe mos-adresimit të pretendimeve të tij, Gjykata konstatoi se edhe pse Aktvendimi nuk ishte i individualizuar, megjithatë në përmbajtjen e tij, i referohet arsyes për caktimin e masës së lartcekur kështu duke (i) konstatuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale, (ii)  dhënë arsyetimin që ndërlidhet me rrezikun e pengimit të tij në procedurën penale si dhe (iii) ofruar arsyetimin përkatës në lidhje me rrezikun e përsëritjes së veprave penale të njëjta.

Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në kërkesën e tij  janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese për shkak të mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes ashtu siç përcaktohet me  rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Skënder Bajrami

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale