Prishtinë, më 12 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2329/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI162/23
Parashtrues
Skënder Bajrami
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit, PN1.264/2023, të 23 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Skënder Bajrami, i përfaqësuar me autorizim nga Besnik Berisha, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [PN1.264/2023] të 23 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [2023:056815] të 5 marsit 2023 të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 27 mars 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Në vijim, parashtruesi i kërkesës, kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet.
Baza juridike
Kërkesat bazohen në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve), të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 24 korrik 2023, parashtruesi i kërkesës, përmes postës, dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 gusht 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR.KI dhe Nr. KSH. KI162/23] e caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi, gjyqtar raportues, dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selevete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 4 gusht 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës. Po të njëjtën ditë, Gjykata i dorëzoi Gjykatës Themelore kërkesë për dorëzimin e fletëkthesës, e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 7 shtator 2023, Gjykata i dorëzoi Gjykatës Themelore përsëritje të kërkesës për dorëzimin e fletëkthesës.
Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën që dorëzimi i fletëkthesës nuk ishte i mundur pasi që dosja ishte në Gjykatën Supreme.
Më 13 shtator 2023, Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që të dorëzojë informatë nëse ka parashtruar mjete ligjore të tjera dhe të dorëzojë kopjen e fletëkthesës, nëse e ka, që dëshmon se kur ai e ka pranuar Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 15 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës njoftoi Gjykatën se nuk posedon kopje të fletëkthesës, e cila dëshmon se kur e ka pranuar Aktvendimin e kontestuar, por thekson se kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me Ligj.
Më 21 shtator 2023, Gjykata i dërgoi kërkesë Gjykatës Supreme për të dorëzuar informatën apo edhe fletëkthesën e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 25 shtator 2023, Gjykata Supreme dorëzoi në Gjykatë informatën, nga e cila rezulton që përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes e-mailit e ka pranuar më 27 mars 2023.
Më 29 shtator 2023, Gjykata i kërkoi Gjykatës Themelore dorëzimin e informacionit si në vijim: (i) informatën dhe dokumentacionin përkatës, i cili dëshmon kohën apo orën e ndalimit të parashtruesit të kërkesës, më 2 mars 2023 dhe kohën/orën kur është mbajtur seanca dëgjimore, e 4 marsit 2023; (ii) procesverbalin e seancës dëgjimore të 4 marsit 2023; (iii) dhe të gjitha parashtresat e dorëzuara nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria) dhe parashtruesi i kërkesës.
Më 3 tetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar.
Më 23 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri, i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 2 mars 2023, parashtruesi i kërkesës me Urdhër të Prokurorit të Prokurorisë ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti kishte kryer veprën penale të Fajdes, sipas paragrafit 3 të nenit 331 të Kodit nr. 06/L-074 të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK) dhe veprën penale të shmangies nga tatimi, sipas paragrafit 1 të nenit 307 të KPK-së.
Mbështetur në informacionin dhe dokumentacionin, e dorëzuar nga Gjykata Themelore në Gjykatë, përkatësisht proces-verbalin e Policisë së Kosovës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte arrestuar më 2 mars 2023, në orën 11.00 të paradites.
Më 3 mars 2023, Prokuroria nxori Aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj parashtruesit të kërkesës dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë dhe njëherit Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore i parashtroi kërkesën [PP/I. Nr. 120/22] për caktimin e masës së paraburgimit për parashtruesin e kërkesës dhe 14) të pandehurit tjerë.
Mbështetur në procesverbalin e seancës dëgjimore, të dorëzuar në Gjykatë rezulton që më 4 mars 2023, në orën 10.20 të paradites, në Klinikën e Kardiologjisë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Gjykatës Themelore filloi seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, të kërkuar nga Prokuroria Themelore.
Në seancën e lartcekur dëgjimore, mbrojtësit e të pandehurve kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit për shkak se “kërkesa është e pabazuar dhe se nuk ekziston dyshimi i bazuar se të mbrojturit e tyre kanë kryer veprat penale me të cilat dyshohet se i kanë kryer dhe nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturit e tyre, duke i propozuar gjykatës që ndaj të njëjtëve të caktohet ndonjëra nga masat alternative të parapara me ligj.”
Më 5 mars 2023, Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore përmes Aktvendimit [2023:056815] parashtruesit të kërkesës i caktoi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit, apo personave të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, përkatësisht deri më 2 prill 2023, ndërsa ndaj katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë caktoi masën e paraburgimit.
Në raport me parashtruesin e kërkesës, Gjyqtari i Procedurës Paraprake, së pari specifikoi se: ”gjykata caktoi dhe mbajti seancë dëgjimore me dt. 04.03.2023 në QKUK-Klinika e Kardiologjisë pasi që i njëjti gjatë procedurës paraprake konkretisht gjatë intervistimit nga ana e hetuesve kishte probleme shëndetësore dhe i njëjti ishte shtrirë në këtë Klinikë Universitare dhe sipas rekomandimeve të mjekut kardiologut ai ishte i hospitalizuar në këtë klinikë, në të cilin seancë prokurori i shtetit [...] kishte mbështetur në tërësi kërkesën me shkrim për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 184, par. 1. nënpar. 1.1. dhe 1.2 pika 1.2.2. dhe 1.2.3 sa i përket rrezikut të ndikimit në dëshmitarë dhe të dëmtuar (pika 1.2.2) dhe rrezikut të përsëritjes së veprave penale (pika 1.2.3) , ndërsa s ai përket rrezikut të ikjes i njëjti ishte tërhequr nga kërkesa për këtë pikë, ku sipas prokurorit të shtetit nuk ekziston rreziku i ikjes së [parashtruesit të kërkesës].”
Së dyti, Gjyqtari i Procedurës Paraprake vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit në rrethanat e parashtruesit e kërkesës nuk është e domosdoshme, dhe si rezultat i këtij konstatimi atij i caktoi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Këtë vendim për caktimin e masës së lartcekur ndaj parashtruesit të kërkesës, e përcaktuar me nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 të paragrafit 1 të nenit 175 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale (në tekstin e mëtejmë: KPPK), Gjyqtari i Procedurës Paraprake e arsyetoi se “e njëjta do te jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjorë të shqiptimit të masave të paraparë për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë, pengimin e ri kryerjes së veprës penale dhe sigurimin e suksesshëm të zhvillimit të procedurës penale. Kjo nga fakti se i njëjti është i shtrirë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK-në Prishtinë dhe gjatë seancës ka deklaruar se për trajtim mjekësor i duhet një intervenim kirurgjik-kardiologjik, andaj duke u bazuar në nenin 171 par.1 të KPPRK-së me rastin e vendosjes se cilat nga masat do ta zbatojë për të siguruar pranin e të pandehurit gjykata detyrohet të marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masa konkrete dhe të siguroj që të mos zbatojë masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë.”
Së treti, Gjyqtari i Procedurës Paraprake, në vijim të vendimit të tij për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar të caktuar ndaj parashtruesit të kërkesës, vlerësoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara me nenin 175, paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 të KPPK-së në lidhje me nenin 184, paragrafin 1, nënparagrafët 1.1. dhe 1.2, pikat 1.2.2. dhe 1.2.3 të KPPK-së duke arsyetuar se: (i) po qe se parashtruesi i kërkesës gjendet në liri i njëjti mund të ndikojë në të dëmtuarit, dëshmitarët, të pandehurit tjerë dhe bashkëkryerësit e veprave penale; dhe (ii) marrë parasysh dyshimin e bazuar për kryerjen e tri veprave penale të fajdes dhe veprës penale të shmangjes së tatimit dhe “natyrën e biznesit të tij” i njëjti mund të përsëri veprat e njëjta apo të ngjashme.
Në fund, Gjyqtari i Procedurës Paraprake në kuadër të caktimit të masës së lartcekur ndaj parashtruesit të kërkesës, atij i vendosi ndalimin për t’iu mos “afruar vendbanimit të dëmtuarve [...] si dhe të bashkakuzuarve në distancën e specifikuar, në të kundërtën ndaj tij do të caktohet masa e paraburgimit.”
Më 6 mars 2023, kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Në ankesën e tij, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të dispozitave të procedurës penale, (i) gjegjësisht paragrafit 8 të nenit 162 dhe (ii) paragrafit 2 dhe të nenit 175 të KPPK-së. Në lidhje me (i) pretendimin për shkelje të paragrafit 8 të nenit 162, të KPPK-së, parashtruesi i kërkesës specifikoi se Aktvendimi Gjykatës Themelore “është rezultat i mbajtjes së kundërligjshme të seancës dëgjimore për caktimin e paraburgimit, e cila është mbajtur pas kalimit të afatit prej 48 orësh nga koha e arrestimit të [parashtruesit të kërkesës].” Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës specifikoi se ai është arrestuar më 2 mars 2023 në orën 6.05 të mëngjesit përderisa seanca dëgjimore është mbajtur më 4 mars 2023 në orën 10.20. Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës theksoi se mbajtja e seancës dëgjimore brenda 48 orësh garantohet edhe me paragrafin 2 të nenit 29 [E Drejta për Liri dhe Siguri] të Kushtetutës. Përderisa në (ii) lidhje me pretendimin e tij për shkelje të paragrafit 2 të nenit 175 të KPPK-së, parashtruesi i kërkesës specifikoi se: (i) nuk ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e dy veprave penale, përkatësisht në lidhje me veprën penale të fajdes, i njëjti specifikon se “asnjë dëshmitar i Prokurorisë dhe asnjë palë e dëmtuar nuk kanë komunikuar me [parashtruesin e kërkesës]”, ndërsa në lidhje me veprën penale të shmangjes së tatimit, “asnjë autoritet nuk ka konstatuar shmangje të tatimit”; (ii) nuk ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, dhe një rrezik i tillë nuk është vërtetuar nga Prokuroria me asnjë provë të vetme; dhe po ashtu (iii) nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, për të cilat dyshohet se i ka kryer, dhe se Prokuroria këtë të fundit nuk e ka mbështetur me asnjë provë të vetme.
Më 23 mars 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1. Nr. 264/2023] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit në Aktvendimin e saj, në lidhje me ankesat e të pandehurve, përfshirë edhe atë të parashtruesit të kërkesës konstatoi se të njëjtat janë të pabazuara. Këtë konstatim, Gjykata e Apelit e arsyetoi me atë se Aktvendimi i Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore është i drejtë dhe i bazuar në ligj, dhe se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale.
Në vijim, Gjykata e Apelit, se pari vlerësoi se janë përmbushur (i) kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj 14 të pandehurve tjerë dhe (ii) kushtet për caktimin e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, sipas nenit 175, paragrafit 1, nënparagrafit 1.2 lidhur me nenin 184, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, pika 1.2.2. të KPPK-së ndaj parashtruesit të kërkesës: “[...] sepse të pandehurit po të gjenden në liri të plotë mund të asgjësojnë, fshehin ndryshojnë ose falsifikoj provat e veprave penale kjo duke u nisur nga fakti se dëshmitaret dhe të dëmtuarit ende nuk janë dëgjuar në prokurori dhe se nga zbatimi i hetimeve deri në këtë fazë të procedurës penale është vërtetuar se disa të pandehur kanë kërcënuar të dëmtuarit të paguajnë fajdet, por edhe fakti se disa të pandehur të cilat vepra penale i kanë kryer në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë akoma gjenden në arrati, pra këto rrethana janë rrethana të veçanta që tregojnë rrezikun e madh se me gjetjen e të njëjtëve në liri, gjegjësisht në çfarëdo mase tjetër alternative do të ndikojnë në viktimat –dëshmitar apo edhe tek njëri-tjetri dhe në këtë mënyrë pothuajse do ta pamundësojnë hetimin dhe zbardhjen e rastit deri në fund, andaj këto rrethana paraqesin arsye të mjaftueshme, për caktimin e masave si në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë.”
Së dyti, Gjykata e Apelit po ashtu gjeti se janë përmbushur kushtet (i) për caktimin e paraburgimit ndaj 14 të pandehurve tjerë dhe (ii) kushtet për caktimin e ndalimit për të iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj parashtruesit të kërkesës sipas nenit 175, paragrafit 1, nënparagrafit 1.2 lidhur me nenin 184, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, pika 1.2.2. të KPPK-së, “[...] ngase duke pasur parasysh peshën e veprave penale, karakteristikat personale të pandehurve, ku të njëjtit kanë kryer nga disa vepra penale, kurse disa nga të pandehurit janë të dyshuar edhe për vepra tjera penale që vërtetohet edhe nga e kaluara e tyre kriminale dhe nga evidenca e policisë, janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e madh se me gjetjen e të njëjtëve në liri të plotë apo me ndonjë masë tjetër më të butë, do t’i përsërisin veprat penale të njëjta apo të ngjashme, andaj, këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore për caktimin e masave të lartcekura.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit atij i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës specifikon se është shkelur (i) “parimi i arsyetimit të vendimeve gjyqësore”; dhe (ii) “e drejta për ankim në kuptimin substancial”. Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesës specifikon se pretendimeve të tija, të ngritura në ankesën e tij në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit nuk i ka dhënë asnjë përgjigje për shkelje të paragrafit 8 të nenit 162 dhe shkelje të nenit 175 të KPPK-së.
Sipas tij, Gjykata e Apelit: (i) “Ka trajtuar në mënyrë kumulative ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e personave të pandehur në të njëjtën çështje, duke dhënë përgjigje kolektive, të përgjithësuara, abstrakte dhe të pakontesktualizuara me rrethanat specifike dhe individuale për secilin të pandehur.”; (ii) ka dështuar të ofrojë arsyetim bindës të mbështetur në fakte dhe në ligj; dhe (iii) ka dështuar që të bëjë lidhjen logjike në mes fakteve dhe ligjit të zbatueshëm.
Në lidhje me të lartcekurat, parashtruesi i kërkesës thekson se mosofrimi i përgjegjës apo mosadresimi i pretendimeve të tija në lidhje me shkeljen e paragrafit 8 të nenit 162 të KPPK-së përbente element thelbësor të ankesë së tij, që sipas tij seanca dëgjimore para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore ishte mbajtur pas kalimit të afatit 48 orësh nga koha e arrestimit të tij. Specifikisht, parashtruesi i kërkesës thekson se në ankesën e tij, ai e kishte specifikuar se parashtruesi i kërkesës ishte “arrestuar më datë 02.03.2023, ora 06.05, ndërsa seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit është mbajtë më 04.03.2023, në orën 10.20, pra rreth 4 orë e 20 minuta përtej afatit taksativ prej 48 orësh, i cili parashihet nga neni 162.8 të KPPRK-së.”
Përderisa, ndaj pretendimit të tij për shkelje të nenit 175 të KPPK-së, e që ndërlidhej me faktet vendimtare dhe kishin të bëjnë me “statusin penal” të tij, parashtruesi i kërkesës specifikon se Gjykata e Apelit nuk kishte dhënë përgjigje.
Në fund, parashtruesi i kërkesës i kërkon Gjykatës që të mos zbulohet identiteti i tij, megjithatë nuk ofron asnjë arsyetim për aprovimin e një kërkese të tillë.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për largim ose ekstradim.
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 5
(E drejta për liri dhe siguri)
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
b. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji; c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve; f. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm. 5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.
KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 307
Shmangia nga tatimi
Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, apo i shmanget tatimit duke përfituar rimbursimet tatimore apo kreditë tatimore të pajustifikuara, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, , gjendjen ekonomike apo fakte të tjera, ose përndryshe ofron informata false relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet.
[...]
Neni 331
Fajdeja
1. Kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
[...]
3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se njëzetepesëmijë (25.000) Euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon njëzetepesëmijë (25.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
KODI NR. 08/L-032 I PROCEDURËS PENALE
[i shpallur në Gazetën Zyrtare më 17 gusht 2022, dhe në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit të tij në Gazetë Zyrtare)
Neni 162
Arrestimi dhe ndalimi gjatë fazës së hetimit
1. Kur prokurori i shtetit autorizon arrestimin, policia arreston dhe ndalon personin vetëm nëse:
1.1. ka dyshim të bazuar se ai ka kryer vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare; dhe
1.2. ka baza të artikulueshme për të besuar se:
1.2.1. ka rrezik të arratisjes;
1.2.2. ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit;
ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, mund ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
2. Arrestimi dhe ndalimi nga ky nen autorizohet nga prokurori i shtetit që ka filluar hetimin, ose kur për shkak të rrethanave të ngutshme autorizimi i tillë nuk mund të merret para arrestimit, nga policia e cila menjëherë pas arrestimit duhet të informojë prokurorin e shtetit.
3. Personi i arrestuar sipas këtij neni gëzon të drejtat e të pandehurit.
4. Me rastin e arrestimit, personi i arrestuar informohet:
4.1. gojarisht për të drejtat e parapara në nenin 166 të këtij Kodi; dhe
4.2. me shkrim për të gjitha të drejtat e përcaktuara në nenin 165 të këtij Kodi dhe të
gjitha të drejtat tjera të cilat i gëzon sipas këtij Kodi në gjuhën që e kupton.
5. Sa më shpejtë që është e mundur pas arrestimit dhe jo më vonë se gjashtë (6) orë nga koha e arrestimit, prokurori i shtetit i lëshon personit të arrestuar vendimin me shkrim mbi ndalimin, që përfshin emrin dhe mbiemrin e personit të arrestuar, nëse dihen, apo nëse nuk dihen, çfarëdo informacioni për të identifikuar në mënyrë adekuate personin e arrestuar, vendin, ditën dhe kohën e saktë të arrestimit, veprën penale për të cilën dyshohet dhe bazën juridike për arrestim.
Kundër vendimit për ndalim të lëshuar nga prokurori i shtetit, i arrestuari apo mbrojtësi i tij mund të ushtrojë ankesë brenda gjashtë (6) orësh nga momenti i pranimit të vendimit. Lidhur me këtë ankesë vendos gjyqtari i procedurës paraprake brenda dymbëdhjetë (12) orëve nga momenti i pranimit të ankesës.
6. Brenda tridhjetegjashtë (36) orëve pas arrestimit, prokurori i shtetit i paraqet gjyqtarit të procedurës paraprake kërkesën për caktimin e paraburgimit.
7. Kërkesa për caktimin e paraburgimit duhet të jetë në pajtim me nenin 163 të këtij Kodi.
8. Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda dyzetetetë (48) orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim. Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim.
9. Personi i arrestuar do të lirohet nëse nuk sjellet para gjykatës brenda dyzet e tetë (48) orëve nga koha e arrestimit.
10. I pandehuri përfaqësohet nga mbrojtësi në seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për caktim të paraburgimit. Mbrojtësi ka qasje në shkresat e lëndës së të pandehurit për t’u përgatitur për seancën.
11. Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se pas dyzet e tetë (48) orëve nga seanca dëgjimore sipas paragrafit 8 të këtij neni, gjyqtari i procedurës paraprake e nxjerr një vendim i cili përcakton nëse të pandehurit i caktohet njëra nga masat nga neni 171 i këtij Kodi.
12. Gjyqtari i procedurës paraprake duhet të shqyrtojë nëse mund të urdhërohen masa më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit nga neni 171 të këtij Kodi.
13. Ndaj aktvendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për caktim të paraburgimit mund të paraqitet ankesë në përputhje me dispozitat e nenit 186, paragrafi 3 të këtij Kodi.
Nënkapitulli III - Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit
Kushtet e përgjithshme
Neni 171
Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit
1. Masat të cilat mund të përdoren për të siguruar praninë e të pandehurit, për pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale janë:
1.1. thirrja;
1.2. urdhërarresti;
1.3. premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin;
1.4. ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar; 1.5. paraqitja në stacionin policor;
1.6. dorëzania;
1.7. arresti shtëpiak;
1.8. paraburgimi.
2. Me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatojë për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet t’i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të sigurojë që të mos zbatojë masë më të rëndë kur mjafton masa e butë.
3. Këto masa hiqen kur pushojnë shkaqet që i kanë shkaktuar, apo zëvendësohen me masa të tjera më të buta po qe se për këtë plotësohen kushtet.
4. Para ngritjes së aktakuzës vendimet lidhur me këto masa i merr gjyqtari i procedurës paraprake, kurse pas ngritjes së aktakuzës vendimet i merr gjyqtari i vetëm apo kryetari i trupit gjykues, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë Kod.
5. Shprehja “masë më e butë për të siguruar praninë e të pandehurit” apo “masa më të buta” për qëllim të këtij kodi nënkupton thirrjen, premtimin e të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, paraqitjen në stacionin policor, dorëzaninë dhe arrestin shtëpiak.
[...]
E. Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar
Neni 175
Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar
1. Gjykata mund t’ia ndalojë të pandehurit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar kur:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer vepër penale; dhe
1.2. ekzistojnë rrethanat nga neni 184, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.2.2 ose 1.2.3 të këtij Kodi;
2. Gjykata vendos për një masë sipas këtij neni me aktvendim të arsyetuar. Aktvendimi duhet të përmbajë arsyetimin që përcakton se janë plotësuar kushtet nga paragrafi 1 i këtij neni dhe nevojën për masën e tillë.
3. Gjykata me aktvendim përcakton largësinë përkatëse nga vendi i caktuar ose nga personi të cilën i pandehuri duhet ta respektojë dhe nuk duhet ta kalojë me qëllim.
4. Aktvendimi i dërgohet të pandehurit dhe ku është e zbatueshme një kopje i dërgohet personit të mbrojtur nën masën e tillë.
5. Gjykata urdhëron paraburgim nëse i pandehuri shkel aktvendimin. I pandehuri gjithmonë njoftohet me kohë për pasojat e mosbindjes.
6. Nëse personi i mbrojtur me këtë masë qëllimisht cenon distancën të cilën i pandehuri detyrohet ta respektojë, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë siç parashihet në nenin 443 të këtij Kodi.
7. Përveç kur ky nen parasheh ndryshe, dispozitat e këtij Kodi lidhur me paraburgimin përshtatshmërisht zbatohen për caktimin, kohëzgjatjen, vazhdimin dhe pushimin e masës nga ky nen.
8. Për zgjatjen e masës nga ky nen para ngritjes së aktakuzës vendos gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të shtetit.
[...]
Neni 184
Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit
1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
1.2. përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:
1.2.1. kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
1.2.2. kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
1.3. masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 171 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
2. Në rastin nga paragrafi 1 nën-paragrafi 1.2 i këtij neni, paraburgimi i caktuar vetëm për shkak të mosvërtetimit të identitetit të personit hiqet posa të vërtetohet identiteti i tij. Në rastin nga paragrafi 1 nën-paragrafi 1.2 i këtij neni, paraburgimi hiqet posa të merren ose sigurohen provat për të cilat është caktuar paraburgimi.
3. Nëse i pandehuri ka shkelur njërën prej masave më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 171 të këtij Kodi, gjykata në mënyrë të posaçme këtë e merr parasysh gjatë vërtetimit të ekzistimit të rrethanave nga paragrafi 1, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të këtij neni.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [PN1.264/2023] të 23 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion. Thënë këtë, Gjykata vë në dukje se marrë për bazë që rrethanat e rastit specifik ndërlidhen me caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, dispozitat e KPPK-së nuk parashohin mjetin e jashtëzakonshëm juridik të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nda këtij vendimi.
Në vijim, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin 2 të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton që: “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me arrestimin e parashtruesit të kërkesës bazuar në urdhrin e Prokurorisë Themelore për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti kishte kryer vepra penale të Fajdes dhe të Shmangies nga Tatimi, të parapara me dispozitat e KPK-së. Më specifikisht, si rezultat i arrestimit të parashtruesit të kërkesës, më 2 mars 2023 dhe kërkesës së Prokurorisë Themelore, të 3 marsit 2023 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë, pas seancës dëgjimore të mbajtur më 4 mars 2023, përmes Aktvendimit të 5 marsit 2023 të Gjyqtarit të Procedurës Paraprakë në Gjykatën Themelore parashtruesit të kërkesës iu caktua masa e ndalimit për t’iu afruar “vendbanimit të dëmtuarve [...] si dhe të bashkakuzuarve në distancën e specifikuar” dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë iu caktua masa e paraburgimit. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 5 marsit 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit përmes së cilës pretendoi: (i) shkelje të paragrafit 8 të nenit 162 të KPPK-së, duke theksuar se seanca dëgjimore pas arrestimit të tij nuk ishte mbajtur brenda 48 orëve, afat ky i përcaktuar edhe me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe (ii) shkelje të paragrafit 2 të nenit 175 të KPPK-së, duke theksuar se nuk përmbusheshin kushtet për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Si rezultat i kësaj, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të kontestuar, të 23 marsit 2023, ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Bazuar në rrethanat e kërkesës, rezulton që procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë është në fazë të hetimit në Prokurorinë Themelore dhe se deri në këtë datë, Gjykata nuk ka ndonjë njoftim nëse ndaj parashtruesit të kërkesës është ngritur apo jo aktakuzë për veprat penale për të cilat dyshohet se i ka kryer.
Thënë këtë, Gjykata, fillimisht, rikujton se parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, përmes të cilit është vërtetuar masa e ndalimit ndaj tij për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës.
Në kuptim të këtyre dy dispozitave kushtetuese, parashtruesi i kërkesës specifikon se Gjykata e Apelit ka dështuar që t’i adresojë apo të ofrojë qëndrim në lidhje me pretendimet e tija thelbësore të ngritura në ankesën e tij para kësaj gjykate dhe se në këtë kuptim atij i është mohuar edhe qasja në gjykatë dhe në “mjete juridike në kuptimin substancial”.
Në lidhje me këtë dhe duke marrë për bazë rrethanat juridike të rastit konkret, Gjykata vë në pah se vendimet e gjykatave të rregullta ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë ndaj parashtruesit të kërkesës për të siguruar prezencën e tij në procedurë penale. Përveç kësaj, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës i referohen detyrimit kushtetues sipas paragrafit 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe atij ligjor sipas paragrafit 8 të nenit 162 të KPPK-së që pas arrestimit të të pandehurit për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprave penale, i njëjti duhet të sillet para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda dyzet e tetë (48) orëve.
Në vijim, Gjykata do të vazhdojë më vlerësimin e Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, duke shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në kërkesën e tij para Gjykatës e që ndërlidhen me (i) kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij deri në mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore dhe (ii) caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar.
Në lidhje me kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij në pritje të daljes së tij para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake
Gjykata vë në dukje se procedurat dhe të drejtat e të pandehurve në rastet e privimit të lirisë janë të garantuara përmes nenit 29 të Kushtetutës, të cilat ndër tjera përfshijnë garancione që ndërlidhen me ligjshmërinë e arrestit, caktimit të masës së privimit të lirisë, arsyetimit nga ana e gjykatave të rregullta dhe të drejtën për mjete juridike.
Së pari, Gjykata do të shqyrtojë pretendimin e parashtruesit të ngritur para Gjykatës së Apelit dhe në kërkesën e tij në Gjykatë, e që ndërlidhen me kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij para mbajtjes së seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake. Në vijim të këtij pretendimi, Gjykata fillimisht thekson se detyrimi për sjelljen e tij para gjyqtarit të procedurës paraprake, përveç se në paragrafin 8 të nenit 162 të KPPK-së është i përcaktuar edhe me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që: “2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës.[...]”.
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimi që i referohet kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së arrestit të një personi të arrestuar pa urdhër të gjykatës, pavarësisht asaj që parashtruesi i kërkesës në lidhje me këtë pretendon shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës, duhet që të shqyrtohet në dritën e garancive të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 të nenit 5 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata, marrë për bazë pretendimet specifike të parashtruesit të kërkesës, të specifikuara në kërkesën e tij para Gjykatës, e që ndërlidhen me kushtetutshmërinë e mbajtjes së tij në arrest para fillimit të seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake, të njëjtat do t’i shqyrtojë dhe vlerësojë duke aplikuar garancitë kushtetuese të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 3 të nenit 5 të KEDNJ-së dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, kjo e fundit në parim ka theksuar se pjesa hyrëse e paragrafit 3 të nenit 5 të KEDNJ-së ka për qëllim garantimin e kontrollit gjyqësor të shpejtë dhe automatik të arrestimit nga autoritetet policore në përputhje me dispozitat e paragrafit 1 (c) të këtij neni (shih rastin e GJEDNJ-së, Aquilina kundër Maltës [DHM], kërkesa nr. 25642/94 Aktgjykim, i 29 prillit 1999, paragrafët 48-49).
Sipas GJEDNJ-së: “Kur një person është i ndaluar në kuptimin e nenit 5 § 1 (c) jashtë kontekstit të procedurës penale, periudha e nevojshme midis arrestimit të një personi për qëllime parandaluese dhe paraqitjes së shpejtë të personit para një gjyqtari duhet të jetë më e shkurtër se në rastin e paraburgimit në pritje të gjykimit në procedurë penale.” Në vijim të kësaj, GJEDNJ ka specifikuar se: “Si rregull, lirimi në një kohë para shqyrtimit gjyqësor të shpejtë në kontekstin e paraburgimit/arrestimit parandalues duhet të jetë çështje orësh dhe jo ditësh” (shih rastin e GJEDNJ-së S., V. dhe A. kundër Danimarkës [DHM], kërkesat nr. 35553/12, 36678/12 dhe 36711/12 2018, Aktgjykim, i 22 tetorit 2018, paragrafët 133-134).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, në ankesën e tij para Gjykatës së Apelit kishte specifikuar se gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore, të 4 shkurtit 2023 ai e kishte ngritur çështjen e kohës së ndalimit të tij, duke pretenduar se ishte ndaluar në orën 6.o5 të mëngjesit, dhe se mbajtja e seancës dëgjimore kishte kaluar afatin prej dyzet e tetë (48) orësh, me më shumë se katër (4) orë sipas tij. Thënë këtë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës, kërkesës së tij në Gjykatë, i ka bashkëngjitur ankesën e tij të parashtruar në Gjykatë të Apelit, përmes të cilës ai kishte specifikuar se ishte “ndaluar” më 2 mars 2023 në orën 6.05 të mëngjesit përderisa seanca dëgjimore nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake është mbajtur më 4 mars 2023 në orën 10.20. Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës thekson se këtë pretendim specifik e kishte ngritur në Gjykatë Themelore dhe po ashtu edhe përmes ankesës së tij në Gjykatë të Apelit, dhe kjo e fundit këtë pretendim thelbësor të ligjshmërisë së kohëzgjatjes së arrestit të tij sipas paragrafit 8 të nenit 162 të KPPK-së nuk e kishte adresuar dhe si rrjedhojë nuk kishte ofruar qëndrim apo konstatim juridik në lidhje me këtë çështje.
Gjykata, bazuar në parimet dhe garancitë e lartcekura, të vendosura përmes paragrafit 2 të nenit 29 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 të nenit 5 të KEDNJ-së, dhe praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, vëren se pretendimi i parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij pa urdhër të gjykatës për më shumë se 48 orë, është një pretendim thelbësor i cili afekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e privimit të tij të lirisë dhe shqyrtimit të arrestimit apo ndalimit të tij nga nja autoritet gjyqësor brenda afatit të caktuar me Kushtetutë dhe ligjin në fuqi (paragrafin 8 të nenit 162 të KPPK-së).
Thënë këtë, Gjykata, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga Gjykata Themelore në Gjykatë më 3 tetor 2023, përkatësisht mbështetur në dokumentacionin e Policisë së Kosovës [dokumentin e titulluar “Të drejtat e Personit të Arrestuar dhe Informacion për të dyshuarin dhe njohja e të drejtave”], rezulton që kjo e fundit parashtruesin e kërkesës e ka arrestuar më 2 mars 2023, në orën 11.00 të paradites. Ky përcaktim i kohës së arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës ishte theksuar edhe në paragrafin e dytë të Aktvendimit [PPI. Nr. 200/22] të Prokurorit të Shtetit për ndalimin e personit të arrestuar, të 2 marsit 2023 dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore, të 5 marsit 2023. Përderisa bazuar në procesverbalin e seancës dëgjimore, të mbajtur nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore, rezulton se kjo seancë kishte filluar në orën 10.20 të paradites, më 4 mars 2023.
Në dritën e shqyrtimit të informatave të lartcekura, pjesë e dosjes së lëndës të dorëzuar në Gjykatë, rezulton që parashtruesi i kërkesës pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës [më 2 mars 2023, në orën 11.00] brenda dyzet e tetë (48) orëve, ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe paragrafin 8 të nenit 162 të KPPK-së ishte sjellë para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake (më 4 mars 2023, në orën 10.20].
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e privimit të lirisë së tij, nga momenti i arrestimit deri te sjellja e tij para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake është pretendim qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Në lidhje me caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar
Në vijim, Gjykata do të vazhdojë me shqyrtimin dhe vlerësimin e pretendimit të tij në lidhje me shqiptimin e masës së ndalimit ndaj parashtruesit të kërkesës për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 5 marsit 2023. Thënë këtë, kjo masë e sigurisë për të siguruar prezencën e të pandehurit në procedurë penale bazohet në paragrafin 1 të nenit 175 në ndërlidhje me nën-paragrafin 1.2.2 ose 1.2.3, të paragrafit 1, të nenit 184 të KPPK-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij specifikon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me mungesë të arsyetimit, përkatësisht e njëjta nuk i adresuar pretendimet thelbësore, të ngritura në ankesën e tij para kësaj gjykate. Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij para Gjykatës së Apelit në lidhje me caktimin e masës së ndalimit, të caktuar ndaj tij sipas nenit 175 të KPPK-së kishte specifikuar se: (i) nuk ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e dy veprave penale, përkatësisht në lidhje me veprën penale të fajdes, i njëjti specifikon se “asnjë dëshmitar i Prokurorisë dhe asnjë palë e dëmtuar nuk kanë komunikuar me [parashtruesin e kërkesës]”, ndërsa në lidhje me veprën penale të shmangjes së tatimit, “asnjë autoritet nuk ka konstatuar shmangje të tatimit”; (ii) nuk ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, dhe një rrezik i tillë nuk është vërtetuar nga Prokuroria me asnjë provë të vetme; dhe po ashtu (iii) nuk ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, për të cilat dyshohet se ai i ka kryer, dhe se Prokuroria nuk e ka mbështetur këtë me asnjë provë të vetme.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata duke iu referuar dispozitave relevante të KPPK-së, të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret, vëren se paragrafi 1 i nenit 171 (Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit) të KPPK-së janë: “thirrja; urdhërarresti; premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin; ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar; paraqitja në stacionin policor; dorëzania; arresti shtëpiak; dhe paraburgimi.” Sipas paragrafit 5 të nenit 171 të KPPK-së: “Shprehja “masë më e butë për të siguruar praninë e të pandehurit” apo “masa më të buta” për qëllim të këtij kodi nënkupton thirrjen, premtimin e të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, paraqitjen në stacionin policor, dorëzaninë dhe arrestin shtëpiak.”
Në vijim, paragrafët, 1, 2 dhe 7 të nenit 175 (Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar) të KPPK-së përcaktojnë që:
“1. Gjykata mund t’ia ndalojë të pandehurit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar kur:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer vepër penale; dhe
1.2. ekzistojnë rrethanat nga neni 184, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.2.2 ose 1.2.3 të këtij Kodi;
Gjykata vendos për një masë sipas këtij neni me aktvendim të arsyetuar. Aktvendimi duhet të përmbajë arsyetimin që përcakton se janë plotësuar kushtet nga paragrafi 1 i këtij neni dhe nevojën për masën e tillë.
[...]
7. Përveç kur ky nen parasheh ndryshe, dispozitat e këtij Kodi lidhur me paraburgimin përshtatshmërisht zbatohen për caktimin, kohëzgjatjen, vazhdimin dhe pushimin e masës nga ky nen.”
Në fund, neni 184, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.2.2 ose 1.2.3 i KPPK-së përcaktojnë që:
1.2.2. kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
Gjykata në shqyrtimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar dhe arsyetimit të dhënë përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktvendimin e Gjykatës Themelore, do të aplikojë garancitë kushtetuese edhe të nenit 29 të Kushtetutës për dhënie të arsyetimit të një vendimi të tillë duke iu referuar dispozitave të lartcekura të KPPK-së që përcaktojnë se masa e ndalimit të lartcekur caktohet kur (i) ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale; (ii) eksitojnë rrethanat nga neni 184, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.2.2 ose 1.2.3 (paragrafi 1 i nenit 175 të KPPK-së); (iii) vendimi për caktimin e masës së ndalimit duhet të përmbajë arsyetimin që përcakton se janë plotësuar kushtet nga paragrafi 1 i këtij neni dhe nevojën për masën e tillë (paragrafi 2 i nenit 175 të KPPK-së); dhe (iv) përcaktimit që dispozita e KPPK-së lidhur me paraburgimin përshtatshmërisht zbatohen për caktimin, kohëzgjatjen, vazhdimin dhe pushimin e masës nga ky nen (paragrafi 7 i nenit 175 të KPPK-së).
Në këtë kuptim, Gjykata i referohet edhe paragrafit 3 të nenit 5 të KEDNJ-së përmes të cilit përcaktohet që: “[...]. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.”
Në lidhje me ekzistimin e dyshimit të bazuar, Gjykata vë në dukje se parashtruesi i kërkesës, më 2 mars 2023 ishte arrestuar me urdhër të Prokurorit për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave të lartcekura penale, për të cilat Prokuroria kishte filluar hetimet dhe në vijim të kësaj, Gjyqtari i Procedurës Paraprake në shqyrtimin e propozimit të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kishte konstatuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale. Megjithatë Gjyqtari i Procedurës Paraprake përkundër propozimit të Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit, kishte vlerësuar se masa e ndalimit për t’iu afruar vendit dhe personave të caktuar si masë e sigurimit për të siguruar praninë e parashtruesit të kërkesës në procedurë ishte e mjaftueshme.
Përderisa, në lidhje me arsyetimin për caktimin e masës së lartcekur, në kuptim, të paragrafit 3 të nenit 5 të KEDNJ-së dhe paragrafit 1 të nenit 171 dhe paragrafit 2 të nenit 175 të KPPK-së, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit të saj kishte vlerësuar dhe konstatuar se: (i) kjo masë është e mjaftueshme “për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të paraparë për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë, pengimin e ri kryerjes së veprave penale dhe sigurimin e suksesshëm të zhvillimit të procedurës penale”; (ii) në pajtim me detyrimin e përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 171 të KPPK-së që të mos caktohet masë më e rëndë kur caktimi i një mase më të butë është i mjaftueshëm; (iii) janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara me nenin 175, paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 të KPPK-së në lidhje me nenin 184, paragrafin 1, nënparagrafët 1.1. dhe 1.2, pikat 1.2.2. dhe 1.2.3 të KPPK-së duke arsyetuar se: (a) po qe se parashtruesi i kërkesës gjendet në liri, i njëjti mund të ndikojë në të dëmtuarit, dëshmitarët, të pandehurit tjerë dhe bashkëkryerësit e veprave penale; dhe (b) marrë parasysh dyshimin e bazuar për kryerjen e tri veprave penale të fajdes dhe veprës penale të shmangjes së tatimit dhe “natyrën e biznesit të tij” i njëjti mund të përsëri veprat e njëjta apo të ngjashme. Thënë këtë, Gjykata vëren se arsyetimi i dhënë përmes këtij Aktvendimi, të Gjykatës Themelore për caktimin e një mase më të butë se ajo e paraburgimit mjaftueshëm ka ofruar arsyetim për: (i) ekzistimin e dyshimit të bazuar; (ii) ekzistimin e rrezikut të pengimit të procedurës penale përmes ndikimit në dëshmitarë dhe personat e dëmtuar; dhe (iii) ekzistimit të rrezikut të përsëritjes së veprave penale për të cilat parashtruesi i kërkesës dyshohet se i ka kryer.
Rrjedhimisht, Gjykata vëren se Gjyqtari i Procedurës Paraprake në kuptim, të paragrafit 1 të nenit 175, që ndërlidhët edhe me paragrafin 1 të nenit 29 të Kushtetutës, kishte caktuar masën e ndalimit duke e mbështetur caktimin e kësaj mase në dyshimin e bazuar të kryerjes së veprave penale nga parashtruesi i kërkesës.
Në vijim të kësaj, Gjykata vëren se në lidhje me caktimin e masës së lartcekur të ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar ndaj parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore. Më specifikisht, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit në arsyetimin e saj që ndërlidhej edhe me caktimin e masës së paraburgimit ndaj pandehurve të tjerë ashtu edhe në lidhje me caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, të caktuar ndaj parashtruesit të kërkesës kishte theksuar se: (i) “[...]të gjenden në liri të plotë mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, për shkak se dëshmitaret dhe të dëmtuarit ende nuk janë dëgjuar nga Prokuroria dhe [...]rrethana të veçanta që tregojnë rrezikun e madh se me gjetjen e të njëjtëve në liri, gjegjësisht në çfarëdo mase tjetër alternative do të ndikojnë në viktimat –dëshmitar apo edhe tek njëri-tjetri dhe në këtë mënyrë pothuajse do ta pamundësojnë hetimin dhe zbardhjen e rastit deri në fund, andaj këto rrethana paraqesin arsye të mjaftueshme, për caktimin e masave si në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë.” Gjykata e Apelit po ashtu (ii) gjeti se ishin përmbushur kushtet për “caktimin e ndalimit për të iu afruar vendit apo personit të caktuar të përcaktuar me nenin 175, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 lidhur me nenin neni 184, par. 1. nënpar. 1.2, pika 1.2.3 të KPK-së [ndaj parashtruesit të kërkesës], ngase duke pasur parasysh peshën e veprave penale, karakteristikat personale të pandehurve, ku të njëjtit kanë kryer nga disa vepra penale, kurse disa nga të pandehurit janë të dyshuar edhe për vepra tjera penale që vërtetohet edhe nga e kaluara e tyre kriminale dhe nga evidenca e policisë, janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e madh se me gjetjen e të njëjtëve në liri të plotë apo me ndonjë masë tjetër më të butë, do t’i përsërisin veprat penale të njëjta apo të ngjashme, andaj, këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore për caktimin e masave të lartcekura.”
Rrjedhimisht, Gjykata vëren se arsyetimi i Gjykatës së Apelit, ndonëse në këtë fazë të caktimit të masës së lartcekur të sigurisë ndaj parashtruesit të kërkesës nuk ishte i individualizuar. Megjithatë mbështetur në përmbajtjen e tij, Gjykata vlerëson se i njëjti i referohet edhe arsyes për caktimin e masës së ndalimit ndaj tij për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, përmes të cilës ka konstatuar (i) dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale; (ii) ka dhënë arsyetimin që ndërlidhet me rrezikun e pengimit të tij në procedurën penale si dhe (iii) ka ofruar arsyetimin përkatës në lidhje me rrezikun e përsëritjes së veprave të njëjta penale.
Në dritën e elaborimit dhe vlerësimit të lartcekur, Gjykata konsideron se arsyetimi i dhënë përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, përmes të cilës ishte vërtetuar konstatimi i Gjykatës Themelore për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit dhe personave të caktuar ka adresuar në mënyrë të mjaftueshme (i) ekzistimin e dyshimit të bazuar; (ii) ekzistimin e rrezikut të pengimit të procedurës penale; dhe (iii) ekzistimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale për të cilat parashtruesi i kërkesës dyshohet se i ka kryer.
Thënë këtë, Gjykata konsideron se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, nuk karakterizohet me mungesë arsyetimit, dhe se për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e arsyetimit lidhur me caktimin e masës së ndalimit ndaj tij për t’iu afruar vendit dhe personave të caktuar, është qartazi i pabazuar në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përfundimisht, në dritën e konstatimeve të lartcekura, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës (i) që ndërlidhen me kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së masës së arrestit, në kuptim të paragrafit 2 të nenit 29 të Kushtetutës, dhe (ii) arsyetimit të Gjykatës së Apelit që ndërlidhen me ligjshmërinë e caktimit të masës së ndalimit për t’iu afruar vendit dhe personave të caktuar ishin qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese për shkak të “mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për moszbulim të identitetit të parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës ka specifikuar që të mos i zbulohet identiteti i tij.
Në vijim të kësaj kërkese, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 2 të rregullit 24 [Moszbulim i identitetit të palëve] të Rregullores së Punës që përcakton:
(1) Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri ne publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë qe identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar.
(2) Gjykata vendosë lidhur me kërkesën e palës për moszbulim te identitetit me miratimin e shumicës së gjyqtarëve.
[...]
Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka ofruar asnjë arsyetim në lidhje me rrethanat specifike dhe të veçanta për të aprovuar një kërkesë të tillë.
Prandaj, në mungesë të arsyetimit dhe në mungesë të një rrethane specifike që arsyeton aprovimin e një kërkese të tillë, Gjykata konsideron se kërkesa për t’a mos zbuluar identitetin e tij duhet të refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 22 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 24, 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 23 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;
T'UA KUMTOJË, këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË, këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Skënder Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale