KI 168/20, parashtrues Pashk Spaqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac. nr. 5997/2019 të 8 qershorit 2020
KI168/20, aktvendim për papranueshmëri i 21 korrikut 2021, publikuar më 17 gusht 2021
Fjalë kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar
Gjykata konstaton se thelbi i kontestit lidhet me çështjen e pagesës së borxhit për shkak të ujit të pijshëm të konsumuar në shumën prej 3,744.44 euro, që pretendohet të jetë bërë nga parashtruesi i kërkesës për periudhën nga 1 janari 2006 deri më 1 shkurt 2015.
Në këtë drejtim, më 18 shkurt 2016, kreditori KRU „Radoniqi“ SH.A. nga Gjakova, parashtroi propozim te Përmbaruesi privat kundër parashtruesit të kërkesës, në të cilin ai kërkoi pagesën e borxhit në shumën prej 3,744.44 euro, i cili ishte krijuar si rezultat i konsumimit të ujit të pijshëm, për periudhën nga 1 janari 2006 deri më 1 shkurt 2015.
Përmbaruesi privat bllokoi llogaritë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi prapësim në Gjykatën Themelore kundër urdhrit për përmbarim, i cili u refuzua nga gjykata. Gjykata e Apelit gjithashtu refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër vendimit të Gjykatës Themelore.
Prandaj, parashtruesi i kërkesës pretendoi në kërkesë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe si bazë përmendi faktin se ai nuk kishte legjitimitetin pasiv të një pale në procedurë, dhe se borxhi për pagesë ishte parashkruar.
Duke analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekstin e shkresave të lëndës, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara.
Prandaj, Gjykata deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Pashk Spaqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Civile