Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac, nr. 1418/2022, të 13 marsit 2023 

Nr. të lëndës KI144/23

Parashtruesit: Gëzim Kadriqeli

Shkarko:

KI144/23, Parashtrues: Gëzim Kadriqeli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac, nr. 1418/2022, të 13 marsit 2023 

KI144/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 22 mars 2024  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mos shterim procedural, kërkesës e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës bashkë me D.B dhe Xh.K., në cilësinë  e garantuesve të kredimarrësit Gj.B., kishin nënshkruar Marrëveshjen për Kredinë [nr. 10078] dhe Linjën  e Kredisë [Nr.10162]. Shuma e përgjithshme e aprovuar nga Kreditori për kredimarrësin ishte 150,000 euro. Gjithashtu, Raiffeiesen Bank, në cilësinë e pengmarrësit, dhe parashtruesi i kërkesës Gëzim Kadriqeli, Dedë Bala si dhe Xhelal Kepuska, në cilësinë e pengdhënësit, nënshkruan Marrëveshjen mbi Hipotekën [10078/H] dhe [10162/H], përmes së cilës siguronte pengmarrësin, përkatësisht Kreditorin, për përmbushjen e plotë të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Kredinë [nr.10078] dhe Linja  e Kredisë [Nr.10162], duke lënë nën hipotekë paluajtshmëritë e tyre (shih paragrafin 16 të këtij Aktvendimi). Marrëveshja për Hipotekën [Nr.10078/H] dhe [10162/H] përcaktonte se “Pengdhënësi deklaron se është ne dijeni që nëse detyrimet e parapara nga Marrëveshja mbi Kredinë nuk përmbushen në tërësi, pengmarrësi do të iniciojë procedura të ekzekutimit të hipotekës, e cila mundë të shpije në marrjen e pasurisë së pengdhënësit dhe dëbimin e tij nga prona”. Pjesë e kësaj marrëveshje ishte edhe parashtruesi i kërkesës. Për arsye të mos përmbajtjes së marrëveshjeve të sipërcituara, kreditori ka paraqitur propozim lidhur me procedurën përmbarimorë ndaj parashtruesit të kërkesës dhe debitorëve të tjerë. Gjykata Komunale në Gjakovë duke vepruar sipas propozimit të kreditorit ka lëshuar urdhrin përmbarimor [E.nr.1356/11], të 9 dhjetorit 2011, përmes së cilit lejoi përmbarimin ndaj debitorit. Ndërkohë, Përmbaruesi Privat Gjokë Radi përmes Konkluzionit [P.nr.18/21], të 10 shkurtit 2021, caktoi shitjen e paluajtshmërive përkatëse të debitorëve.

Në rastin konkret, Gjykata vëren se janë zhvilluar një sërë procedurash që kishin rezultuar në disa vendime. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kundër urdhrit për lejimin e përmbarimit [E.nr.1356/11] dhe Konkluzionit [P.nr.18/21], paraqiti prapësim në Gjykatën Themelore me kërkesë që të shfuqizohet urdhri përmbarimor [E.nr.1356/11], me arsyetimin se nuk ishte nënshkrues i marrëveshjeve të 25 marsit 2005.  Gjykata Themelore  përmes Aktvendimit [106/21] refuzoi prapësimin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se organi përmbarues e ka caktuar dhe zbatuar përmbarimin në bazë të një dokumenti përmbarues, respektivisht duke u thirrur në marrëveshjen mbi hipotekën të 25 marsit 2005, ku parashtruesi i kërkesës ishte nënshkrues i saj dhe se nuk ishte dëshmuar e kundërta. Më 11 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Konstatimet dhe vlerësimet e gjykatave të rregullta, në tërësi, parashtruesi i konteston para Gjykatës duke pretenduar shkelje të nenit 3, 21, 22 24, 31, 54 dhe 102 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata, duke iu referuar dokumenteve shtesë të nxjerra nga dosja origjinale, vëren se Gjykata Themelore në Gjakovë përmes Aktvendimit [04533377] aprovoi kërkesën e Përmbaruesit Privat Gjokë Radi, për përjashtimin e tij nga lënda përmbarimore [2023:118117] (P.nr.18/21) e parashtruesit të kërkesës. Si rezultat i kësaj dhe sipas kërkesës së kreditorit, Gjykata Themelore në Gjakovë transferoi lëndën për procedim të mëtejmë te Përmbaruesi tjetër Privat Mehdi Reshani. Në kontekstin e kësaj çështjeje, Gjykata vëren se procedurat për përmbarimin, në të cilat ishte përfshirë Gjokë Radi, janë anuluar dhe aktualisht është filluar një procedurë e re nën udhëheqjen e një Përmbaruesi të ri, specifikisht Përmbaruesit Privat Mehdi Reshani.  Në këtë procedurë të re parashtruesi i kërkesës do të ketë mundësinë t’i cekë të gjitha kundërshtimet, dhe për rrjedhojë kjo e cilëson kërkesën e parashtruesit të kërkesës si kërkesë të kategorisë i) “mos-shterimi procedural”, që është në pajtim me praktikën e lartpërmendur të GJEDNJ-së.

Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit të kërkesës cilësohet si kërkesë e kategorisë “(i) “mos-shterimi procedural” i mjeteve juridike dhe rrjedhimisht kërkesa refuzohet në pajtim me nenin 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Gëzim Kadriqeli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile