KI288/23, Parashtrues: Gjelosh Vataj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.349/2023] të 13 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme
KI288/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 11 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës për sistemimin në një vend pune pasi ishte shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit, ku lidhur me këtë nuk kishte marrë përgjigje. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër Kompanisë së Ujësjellësit, ku përmes padisë kishte kërkuar që të shfuqizohet vendimi i Bordit drejtues përmes të cilit ai ishte shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës duke anuluar si të kundërligjshëm aktvendimin e të paditurës të 9 marsit 2016 dhe detyroi të paditurën Kompaninë e Ujësjellësit që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës Kryeshef Ekzekutiv dhe t’ia kompensojë pagat. Kompania e Ujësjellësit paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e aprovoi ankesën e saj dhe e prishi vendimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e ktheu në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në rigjykim vendosi që ta hedhë poshtë si të palejuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë u refuzua nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi atë.
Gjykata vërejti se në esencë parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i ndërlidh me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, përkatësisht me: (i) interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 78 dhe 79 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës.
Në vlerësimin e saj Gjykata vërejti se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktvendimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata vlerësoi se çështja e llogaritjes së afatit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, Gjykatat e rregullta përmes aktvendimeve të tyre kanë bërë interpretim të drejtë të dispozitave të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, përkatësisht nenit 78 dhe 79, ku kanë shtjelluar se afati për paraqitjen e padisë në kontestet e punës në gjykatë është 30 ditë pasi që parashtruesi i kërkesës ta ketë pranuar vendimin nga punëdhënësi, apo nuk merr përgjigje brenda afatit lidhur me kërkesën e tij.
Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta vërtetuan, që parashtruesi i kërkesës kërkesën e tij drejtuar Kompanisë së Ujësjellësit për sistemim në një vend pune e kishte parashtruar më 16 mars 2016, ndërsa Kompania e Ujësjellësit afatin e përgjigjes e kishte 15 ditë që i bie deri më 31 mars 2016, që do të thotë se parashtruesi i kërkesës nga data 31 mars 2016 ka pasur afat 30 ditë që të parashtrojë padi në Gjykatën Themelore, mirëpo padinë e ka parashtruar me 6 maj 2016, që i bie jashtë afatit ligjorë. Lidhur me këtë Gjykata vëren se edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk kishte pranuar ndonjë përgjigje nga punëdhënësi në afatin prej 15 ditësh, ai kishte në dispozicion edhe 30 ditë që të pranojë përgjigjen dhe të parashtrojë padi në Gjykatën Themelore, mirëpo padinë e parashtroi pas afatit 30 ditor të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës. Gjykata nuk vërejti zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimi i kontestuar, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me atë se përse parashtruesi i kërkesës padinë e tij e ka parashtruar jashtë afatit ligjor.
Gjykata vlerësoi se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pa bazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Gjelosh Vataj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative