Prishtinë, më 2 maj 2024
Nr. ref.:RK 2426/24
VENDIM PËR HEDHJE POSHTË TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI115/23
Parashtrues
Bratislav Nicolić
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN1.nr.422/2023], të 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Bratislav Nicolić (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), nga Komuna e Shtërpcës, i përfaqësuar nga Artan Qerkini, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [PKR.nr.239/22], e 7 prillit 2023, të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 5 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI57/23], caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Krasniqi – Gërxhaliu (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 13 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit.
Më 18 shtator 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimin e kërkesës ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 25 shtator 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore kopjen e Aktvendimit përmes të cilit është liruar parashtruesi i kërkesës.
Më 5 tetor 2023, Gjykata pranoi kopjen e Aktvendimit [PKR. 239/22], të 1 shtatorit 2023, përmes të cilit Gjykata Themelore e liroi nga paraburgimi parashtruesin e kërkesës dhe i caktoi masën e dorëzanisë në vlerë prej 50,000 € (pesëdhjetë mijë) euro.
Më 11 tetor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore kopjet e 3 (tri) aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, respektivisht, Aktgjykimin [Pml. nr. 251/2023], e 26 majit 2023; Aktgjykimin [Pml. nr. 359/2023], e 26 korrikut 2023; dhe Aktgjykimin [Pml. nr. 394/2023], e 4 gushtit 2023.
Më 13 tetor 2023, Gjykata pranoi nga Gjykata Themelore kopjet e aktgjykimeve të lartcekura të Gjykatës Supreme.
Më 23 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimin e kërkesës ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 mars 2024, Gjykata shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me 7 (shtatë) vota për dhe 2 (dy) kundër, i rekomandoi Gjykatës hedhjen poshtë të kërkesës.
Në përputhje me rregullin 56 (Mendimet mospajtuese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim mospajtues, i cili do të publikohet së bashku me këtë Vendim për hedhje poshtë të kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Faktet e rastit para ngritjes së aktakuzës
Nga shkresat e lëndës rezulton që Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), kishte filluar hetimet që ndërlidheshin me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Më 24 nëntor 2021, Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), nxori Aktvendim për Zgjerimin e Hetimeve kundër parashtruesit të kërkesës dhe tetë (8) të dyshuarve tjerë. Specifikisht, në lidhje me parashtruesin e kërkesës, Prokuroria Themelore në Aktvendimin e saj theksoi se ekzistonte dyshimi i bazuar se ai kishte kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga paragrafi 1 i nenit 422 të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK), “Marrje e ryshfetit” nga paragrafi 2 i nenit 428 të KPRK-së, “Ushtrim i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 431 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 366 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (Në tekstin e mëtejmë: KPRK në fuqi).
Më 22 dhjetor 2021, Prokuroria Themelore përmes kërkesës [KT.I.nr.138/21] i kërkoi Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë.
Më 23 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore në Ferizaj) përmes Aktvendimit [2021:289261], ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë shqiptoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se deri më 10 nëntor 2022, parashtruesit të kërkesës i ishte vazhduar 7 (shtatë) herë paraburgimi çdo dy muaj nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore). Aktvendimet e lartcekura ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit duke refuzuar ankesat e parashtruesit të kërkesës, përveç ankesës ndaj Aktvendimit [2021:019820], të 15 korrikut 2022, të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të cilën Gjykata e Apelit e aprovoi dhe e ktheu çështjen te Gjykata Themelore në Ferizaj për rivendosje, e cila më pas ia vazhdoi sërish paraburgimin parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të paspecifikuar, nga shkresat e lëndës rezulton që lënda [2022:019820], e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë u transferua në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Më 10 nëntor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [DKR.PP.nr.233/22], vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, respektivisht, deri më 11 dhjetor 2022.
Më 9 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzën, e evidentuar me shenjën PP/1.nr.138/22, ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, si dhe kërkoi vazhdimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se nuk kanë pushuar arsyet ligjore nga pikat 1.2.1., 1.2.2., dhe 1.2.3, të nën-paragrafëve 1.1. dhe 1.2, të paragrafit 1 të nenit 187, të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale.
Faktet e rastit pas ngritjes së aktakuzës
Më 10 dhjetor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR.nr.239/22] vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajve, respektivisht, deri më 8 shkurt 2023, me arsyetimin, ndër të tjera, se mund të ketë “ndërhyrje në gjykatë” duke qenë se janë iniciuar dy çështje për veprat penale “Pengimi i të provuarit të procedurës penale" dhe "Frikësimi gjatë procedurës penale dhe ekziston elementi “rrezikut për arratisje” për shkak të nënshtetësisë së dyfishtë të parashtruesit të kërkesës dhe pandehurve të tjerë, në lidhjet e tyre shoqërore dhe familjare me shtetin e Serbisë ku në rast të arratisjes do të ishte i pamundur sigurimi i prezencës së tyre për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar në çështje penale me të njëjtin shtet.
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ndaj Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën e njëjta më 24 janar 2023, përmes Aktvendimit [PN.1.nr.13/2023] e refuzoi.
Më 7 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mosvazhdim të paraburgimit/ ndërprerje të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore.
Më 8 shkurt 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR.nr.239/22], vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh, respektivisht, deri më 8 prill 2023 me arsyetimin, ndër të tjera, se mund të ketë “ndërhyrje në gjykatë” duke qenë se janë iniciuar dy çështje për veprat penale “Pengimi i të provuarit të procedurës penale" dhe "Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe ekziston elementi “rrezikut për arratisje” për shkak të nënshtetësisë së dyfishtë të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, në lidhjet e tyre shoqërore dhe familjare me shtetin e Serbisë, ku në rast të arratisjes do të ishte i pamundur sigurimi i prezencës së tyre për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar në çështje penale me të njëjtin shtet.
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ndaj Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 17 shkurt 2023, Kodi 08/L-032 i Procedurës Penale (në tekstin e mëtejmë: KPPRK), shfuqizoi Kodin Nr. 04/L-123 e Procedurës Penale.
Më 24 shkurt 2023, Prokuroria Themelore plotësoi aktakuzën, e evidentuar me numrin [PP.1.nr.138/20].
Më 8 mars 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1.nr.239/2023], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 17 mars 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti Kërkesë për Mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme ndaj Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit.
Më 6 prill 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [PML.nr.138/2023], refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [PN1.nr.239/2023] e Gjykatës së Apelit, të 8 marsit 2023, me arsyetimin si në vijim:
“Kjo Gjykatë vlerëson se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform nenit 187 par.1 nën par.1.2 pika 1.2.1 të KPPK ngase me lëshimin e të pandehurve në liri ekziston rreziku potencial se të pandehurit mund të ikin apo të fshihen për t’iu shmangur procedurës dhe përgjegjësisë penale duke pasur parasysh dënueshmërinë ligjore për veprat penale për të cilat dyshohen, si dhe ekziston rreziku konkret i ikjes pasi që të njëjtit përveç që janë shtetas të Republikës së Kosovës kanë edhe nënshtetësi të Republikës së Serbisë dhe se lehtë mund të largohen nga Kosova, me çka prania e tyre në procedurën e mëtejmë penale do të pamundësohej.
Po ashtu, ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform nenit 187 par.1 nën par 1.1 e 1.2. pika 1.2.2. të KPPK-së ngase po të gjenden të pandehurit në liri do të mund të ndikonin në njëri-tjetrin si bashkë të pandehur e po ashtu do të mund të ndikonin edhe të personat e tjerët të pandehur që disa prej tyre gjenden në arrati e që dyshohen për vepra penale që ndërlidhen me veprat për të cilat dyshohen këta të pandehur, andaj, vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm me qëllim të zhvillimit normal të procedurës.[...]”
Më 7 prill 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR.nr. 239/22], vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe 6 (gjashtë) të pandehurve të tjerë në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh, respektivisht, deri më 7 qershor 2023, me arsyetimin kolektiv si në vijim:
“[...]
Baza e dyshimit të bazuar
Se është plotësuar kushti i parë dhe themelor nga dispozita e nenit 184 par. 1 nënpar.1.1 të KPPRK-së, pra ekzistimi i dyshimit te bazuar se te pandehurit të lartcekur kanë kryer veprat penale të cilat ju vihen në barrë, këtë e arsyetojnë edhe provat materiale si në vijim: [...] si dhe provat tjera te cilat gjenden ne shkresat e lëndës, e te cilat prova konsiderojmë se janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se të pandehurit [parashtruesi i kërkesës [...] kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Bazat e posaçme nga neni 184 par.1 nën par. 1.2. të KPPRK-së
Bazën nga neni 184 par. 1 nen par. 1.2 pika 1.2.1 te KPPRK-se për vazhdimin e paraburgimit ndaj te pandehurve [...], gjykata e arsyeton me faktin se të njëjtëve ju vihen në barrë veprat penale në lidhje me korrupsionin zyrtar apo kundër detyrës zyrtare, dhe pas parasysh edhe dënimet e rënda të kanosura për këto vepra penale, ku i pandehuri [parashtruesi i kërkesës] akuzohet për gjithsej njëzet e tetë (28) vepra penale, [...], e të cilëve, po qe se provohet fajësia e tyre në këtë procedurë penale, ju kanoset një dënim i lartë burgimi, dhe duke pas parasysh po ashtu edhe lidhjet e tyre me shtetin e Serbisë, fillimisht përmes nënshtetësisë se dyfishtë, si dhe lidhjet e tyre shoqërore dhe familjare që kanë me Serbinë, si dhe faktin qe ne mes organeve të Republikës se Serbisë dhe Republikës se Kosovës nuk ka bashkëpunim dhe sigurimi i tyre do te ishte i pamundur ose shumë i vështirë, gjykata konsideron se mbi këto rrethana ekziston rreziku real qe te njëjtit, po qe se gjenden ne liri apo nën ndonjë mase tjetër më të bute, mund te ikin dhe kështu të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, të pengojnë rrjedhën dhe zhvillimin e kësaj procedurës penale, si dhe t’i shmangen përgjegjësisë eventuale penale për veprat penale te cilat ju vihen në barrë.
Sa i përket bazës tjetër, të përcaktuar me nenin 184 par. 1 nen par. 1.2 pika 1.2.2 te KPPRK-së, për vazhdimin e masës se paraburgimit, gjykata vlerëson se edhe ky kusht ende ekziston dhe është evident, e kjo për faktin se në rastin konkret edhe gjatë hetimeve të këtij rasti, janë bërë tentimet që të pengohet procedura penale si dhe të ndikohet në dëshmitarë përmes frikësimit apo ndërhyrjes, dhe për këtë janë filluar hetimet edhe në dy çështje tjera penale ndaj personave të caktuara për veprat penale "Pengimi i të provuarit të procedurës penale" dhe "Frikësimi gjatë procedurës penale", po ashtu disa të pandehur në rastin konkret ende gjenden ne arrati, dhe duke pas parasysh faktin se të pandehurit njihen mes veti sepse banojnë në një qytet relativisht të vogël dhe kanë qenë të punësuar në të njëjtin vend, pranë Komunës së Shtërpcës, dhe po ashtu njihen edhe me dëshmitaret dhe dëshmitaret bashkëpunues të këtij rasti, duke shtuar këtu faktin se tani me rastin e ngritjes se aktakuzës janë zbuluar edhe emrat e personave të cilët kanë bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe janë shpallur dëshmitarët bashkëpunues, dhe për këtë gjykata konsideron se me lënien e te pandehurve në liri apo nën ndonjë masë tjetër alternative, ekziston rreziku real që të njëjtit mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e procedurës penale duke ndërhyrë në dëshmitarët ose dëshmitarët bashkëpunues; si dhe të njëjtit mund të ndikojnë edhe mes veti me qëllim të harmonizimit të mbrojtjes së tyre, dhe me këtë të pengojnë rrjedhjen e procedurës penale.
Vlerësimi i gjykatës konform dispozitës së nenit 184, par. 1 nënpar 1.3 të KPPRK-së
[...]
Gjykata me kujdes te posaçëm ka vlerësuar edhe propozimet dhe deklarimet e mbrojtësve e te përkrahura edhe nga ana e te pandehurve, por ka gjetur se mbrojtësit nuk potencuan asnjë rrethane tjetër bindëse e cila do të ishte me ndikim me rastin e marrjes se vendimit, dhe nuk ofruan asnjë argument bindës për ndërprerjen apo zëvendësimin e masës se paraburgimit me ndonjë mase tjetër, pothuajse te gjithë mbrojtësit janë thirrur në nacionalitetin e të pandehurve si fakt dhe te njëjtin fakt e kane lidhur me qëndrimin e tyre te gjatë në paraburgim, ku gjykata ka gjetur se këto pretendime janë plotësisht te pabazuara për faktin se nacionaliteti i te pandehurve asnjëherë nuk ka luajtur asnjë rol me te vogël me rastin e caktimit apo vazhdimit te masës se paraburgimit, por pikërisht faktet dhe karakteristikat personale e te pandehurve siç janë pesha e veprave penale për te cilat akuzohen dhe lidhja e te njëjtëve me shtetin ku ndiqen penalisht si dhe me shtetin tjetër, si dhe karakteristikat e tjera personale të potencuara më lartë në lidhje me rrezikun e ndikimit ne dëshmitarë, kane qenë faktet vendimtare mbi bazën e të cilave, e në pajtim edhe me dispozitat përkatëse ligjore, iu është caktuar dhe vazhduar paraburgimi. Prandaj, gjykata duke u bazuar në të lartcekurat, gjykata edhe pas vlerësimit të të gjitha propozimeve, si dhe pas vlerësimit te mundësisë për aplikimin masave me te buta te parashikuara me nenin 171 te KPPRK-se, ka ardhur në përfundim se në rastin konkret, në këtë moment, masa e paraburgimit është masë më adekuate, proporcionale dhe e nevojshme, për sigurimin e pranisë se te pandehurve në këtë procedure penale, duke konkluduar se asnjëra masë më e butë nuk do të mund të eliminonte rreziqet e lartcekura mbi bazën e te cilave të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit”
Më 12 prill 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, ku nga e njëjta kërkoi që ta ndërpresë masën e paraburgimit ndaj tij dhe që i njëjti të mbrohet në liri, apo në alternativë të caktohet ndonjë masë më e butë e paraparë me dispozitat e KPPRK-së.
Më 28 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1.nr.422/2023], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe 6 (gjashtë) të pandehurve të tjerë dhe vërtetoi Aktvendimin [PKR.nr. 239/22], të 7 prillit 2023, të Gjykatës Themelore, me arsyetimin kolektiv si në vijim:
“[...] Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të pandehurve i ka vazhduar masën e paraburgimit konform nenit 190 par 1 dhe 2 e lidhur me nenin 184 par. 1. nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit janë kryes të këtyre veprave penale për të cilat në rast se vërtetohet fajësia e tyre janë paraparë dënime të larta me burgim, duke marrë parasysh lidhjet e tyre me shtetin e Serbisë përmes nënshtetësisë e me pas lidhjeve familjare dhe shoqërore, shton dyshimin e bazuar se te njëjtit mund te ikin apo largohen nga vendi ashtu që të jenë të pa arritshëm për organet e ndjekjes dhe me këtë do të pengonin zbatimin e hetimeve dhe vërtetimin e gjendjes faktike, andaj vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj te pandehurve është e domosdoshme me qëllim të zhvillimit me sukses të kësaj procedure penale.
Po ashtu, ky kolegj penal i Gjykatës se Apelit te Kosovës vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të pandehurve i ka vazhduar masën e paraburgimit konform nenit 190 par 1 dhe 2 lidhur me nenin 184 par. 1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së, ngase duke marrë parasysh se gjatë hetimeve në rastin konkret janë bërë tentimet që të pengohet procedura penale dhe të ndikohet në dëshmitarë përmes frikësimit, apo ndërhyrjes, dhe për këtë janë filluar hetimet edhe ne dy çështje tjera penale ndaj personave të caktuar për veprat penale Pengimi i të provuarit të procedurës penale dhe Frikësimi gjatë procedurës penale, po ashtu disa të pandehur ende gjenden ne arrati, dhe duke pas parasysh faktin se te pandehurit njihen mes veti sepse banojnë ne një qytet relativisht te vogël dhe kane qenë të punësuar në të njëjtin vend dhe po ashtu njihen edhe me dëshmitarët dhe dëshmitaret bashkëpunues të këtij rasti, e që paraqesin rrethana të veçanta që tregojnë rrezikun se me gjetjen ne liri të të pandehurve apo me shqiptimin e ndonjë masë tjetër, do te ndikojnë në dëshmitarë apo do te mund te i fshehin provat mbi pasurinë e fituar me veprën penale dhe ne këtë mënyrë do te pamundësojnë hetimin dhe zbardhjen e rastit gjer ne fund
Për arsyet e lartcekura, kjo Gjykatë vlerëson se Gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurve të lartcekur i'u ka vazhduar masën e paraburgimit, ngase masat e tjera të parapara nga neni 171 të KPPK-së, janë të pa mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë, në rrjedhën normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes se veprave tjera penale, prandaj, me qëllim te zbatimit me sukses të procedurës penale, vazhdimi i masës se ndalimit për të i'u ofruar vendit ose personit te caktuar si dhe masës se paraqitjes në stacionin policor konsiderohet si e domosdoshme, kurse ankesat e mbrojtësve të pandehurve janë refuzuar si të pabazuara [...]”
Nga informatat shtesë të lëndës rezulton se në një datë të paspecifikuar, J.K, bashkë i pandehuri i parashtruesit të kërkesës, parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të kontestuar, respektivisht, Aktvendimit [PN1.nr.422/2023], të 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vazhdimit të paraburgimit, ku përfshihet edhe parashtruesi i kërkesës.
Më 30 maj 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023], aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të J.K.-së, bashkë i pandehur i parashtruesit të kërkesës, dhe anuloi Aktvendimet e kontestuara, respektivisht Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [PKR.nr.239/2022], e 7 prillit 2023, të Gjykatës Themelore, si dhe çështjen e ktheu në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Nga informatat shtesë të lëndës rezulton se më 7 qershor 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR.nr.239/2022], ia vazhdoi masën e paraburgimit parashtruesit të kërkesës, të cilin aktvendim e vërtetoi Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1.DKR.nr.673/2023], më 26 qershor 2023.
Po ashtu, nga informatat e lartcekura rezulton që në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dhe bashkë të pandehurit tjerë, S.S. dhe J.K, parashtruan kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [PN1.DKR.nr.673/2023], të 26 qershorit 2023, të Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vazhdimit të paraburgimit.
Më 26 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.359/2023], aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës dhe bashkë të pandehurve të tjerë, S.S. dhe J.K., dhe anuloi Aktvendimet e kontestuara, respektivisht Aktvendimin [PN1.DKR. nr. 673/2023] e 26 qershorit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [PKR.nr.239/2022] e 7 qershorit 2023, të Gjykatës Themelore, si dhe çështjen e ktheu në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Nga shkresat shtesë të lëndës rezulton se më 2 gusht 2023, Gjykata Themelore ia vazhdoi masën e paraburgimit parashtruesit të kërkesës dhe disa të pandehurve të tjerë edhe për 1 (një) muaj, respektivisht deri më 1 shtator 2023.
Më 1 shtator 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR. 239/22], e liroi nga paraburgimi parashtruesin e kërkesës dhe i caktoi masën e dorëzanisë në vlerë prej 50,000 € (pesëdhjetë mijë) euro.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të KEDNJ-së.
Në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës së tij, parashtruesi i kërkesës pretendon se janë përmbushur kërkesat ligjore të përcaktuara me Ligj dhe Rregullore të Punës. Më specifikisht, përkitazi me shterjen e mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës pohon se i njëjti: “[...] ka shterur të gjitha mjetet juridike në dispozicion prandaj kjo kërkesë e dorëzuar Gjykatës Kushtetuese, është mjeti i fundit për mbrojtjen e të drejtave të parashtruesit, të garantuara me Kushtetutë”. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës konsideron se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme nuk paraqet mjet efektiv juridik, dhe në lidhje me këtë citon paragrafin 57 të rastit të Gjykatës, KI85/22, me parashtrues Jadran Kostić, Aktgjykim i 18 majit 2023, ku theksohet se: “Megjithatë kërkesa e tij për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar në Gjykatën Supreme në kuptim të mjetit efektiv juridik kishte rezultuar e pasuksesshme për arsye se kjo e fundit nuk kishte adresuar në merita pretendimet e tij të ngritura në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë duke e hudhë poshtë kërkesën e tij si jolëndore. Thënë këtë, në rrethanat specifike të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të marrë për bazë Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, si vendim të fundit, përmes të cilit është shqyrtuar çështja e vazhdimit të paraburgimit të parashtruesit të kërkesës, pasi që kërkesa e tij për mbrojtje të ligjshmërisë në kuptim të mjetit efektiv juridik kishte rezultuar e pasuksesshme.”
Pretendimet përkitazi me shkeljen e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 3 të nenit 5 të KEDNJ-së
Përkitazi me mosarsyetimin e Aktvendimit të kontestuar, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit ka cenuar të drejtën e parashtruesit që buron nga neni 29 i Kushtetutës në lidhje me paragrafin 3 të nenit 5 të KEDNJ-së, dhe se në mënyrë arbitrare ka interpretuar dispozitat e KPPRK-së në lidhje me rreziqet procedurale, të cilat shërbejnë si bazë për caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit. Në lidhje me këtë, i njëjti thekson si në vijim:
“[...] Me konstatimin se nëse vërtetohet fajësia të pandehurit do të mund të dënoheshin me dënime të larta, Gjykata ka shkelur në mënyrë të rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë.
3. Gjykata fare nuk arsyeton se pse lidhjet e të pandehurit, parashtruesit të kësaj kërkese [B.N.] me Serbinë do të ndikonin në arratisjen e tij, e sidomos nëse merret parasysh fakti se ai ka kaluar ne paraburgim më shumë se 17 (shtatëmbëdhjetë) muaj. Për më shumë, Gjykata vetëm spekulon atëherë kur konstaton se Parashtruesi ka lidhje familjare dhe shoqërore ne Republikën e Serbisë, sepse nuk ofron kurrfarë prove për një gjë te tille. Çdo argumentim i gjykatës i cili nuk mbështet në prova pa dyshim se është një spekulim.
4. Në lidhje me rrezikun e arratisjes, Gjykata e Apelit bën edhe një gabim te rëndë, ngase thekson se me arratisjen eventuale të pandehurve do të pengohen hetimet. Ky konstatim na jep te kuptojmë se Gjykata as nuk e ka idenë se ky proces gjyqësor ndodhet në fazën e konfirmimit te aktakuzës dhe se faza e hetimeve ka përfunduar para ngritjes së aktit akuzues.[...]”
Parashtruesi i kërkesës po ashtu paraqet argumente të tjera se Aktvendimi i kontestuar nuk i plotëson standardet e një vendimi gjyqësor në lidhje me vazhdimin e paraburgimit. Në këtë drejtim i njëjti konsideron se gjykata nuk ka arsyetuar konstatimin se mosparaqitja e të pandehurve do të ndikonte në vërtetimin e gjendjes faktike. Për këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se ai nuk është mjet i provës por është subjekt i procedurës penale dhe se nuk ka kurrfarë përgjegjësie për vërtetimin e gjendjes faktike, e në këtë kontekst as nuk detyrohet të ketë rol aktiv në procedurë dhe se në asnjë rrethanë nuk bie barra e të provuarit në të. I njëjti pretendon se gjykata pa asnjë provë të vetme ia vesh parashtruesit të kërkesës ndikimin dhe frikësimin e dëshmitarëve por se nëse personat e tjerë të përfshirë në këtë procedurë e kanë bërë këtë, i njëjti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi, sepse përgjegjësia penale është e patransferueshme dhe individuale.
Gjithashtu, lidhur me arsyen e gjykatës që e lidh arratinë e disa të pandehurve në kontekst të ndikimit në dëshmitarë, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nënvizon se sipas nenit 123 të KPPRK-së, i bashkëpandehuri është dëshmitar i privilegjuar dhe nuk mund të dëgjohet si dëshmitar dhe se e njëjta vlen edhe për konstatimin e gjykatës se të pandehurit jetojnë në një qytet të vogël dhe se njihen mes veti. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës konsideron se njohja me dëshmitarët nuk përbën kurrfarë rreziku për ndikim në deklarimet e tyre dhe se për këtë që të ekzistojë, i pandehuri dhe dëshmitari duhet të jenë në raport varësie a frike, e që në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar përmes Aktvendimit të kontestuar dhe se të gjithë dëshmitarët tashmë janë dëgjuar në këtë çështje.
Përkitazi me kohëzgjatjen e paraburgimit, parashtruesi i kërkesës pretendon se është faktor që do të duhej të vlerësohet nga gjykata në dritën e rrezikut të arratisjes dhe në lidhje me këtë e citon qëndrimin e GJEDNJ-së, në rastin Neumeister kundër Austrisë, nr. 1936/63, Aktgjykim i 27 qershorit 1968, ku në thelb thuhet se rreziku i arratisjes domosdoshmërisht zvogëlohet me kalimin e kohës së qëndrimit në paraburgim, sepse mundësia ligjore që koha e kaluar në paraburgim të llogaritet në dënimin me burgim e bën më pak të frikshëm dënimin eventual dhe për këtë zvogëlohet dukshëm ambicia për t’u arratisur.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu në kërkesën e tij liston pretendimet ankimore të tij, për të cilat pretendon se nuk ka marrë përgjigje nga Gjykata e Apelit, si në vijim:
“- [Parashtruesit të kërkesës] i janë sekuestruar një sasi e mjeteve financiare qe tejkalon dyfishin e vlerës financiare të keqpërdorimit të pretenduar të detyrës zyrtare nga i pandehuri;
- Koha e kaluar në paraburgim (më shumë se 15 muaj) është një garanci shtesë se i pandehuri nuk do te arratiset; Nuk ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitare sepse dëshmitaret janë dëgjuar. Për më shumë sipas nenit 335 të KPP-së, nëse ndryshimi i deklaratës së dëshmitarit është pasojë e ndikimit në vullnetin e tij, gjykata mund të mbështes vendimin në deklarimin e dëshmitarit të dhënë në fazën e hetimeve;
- [Parashtruesit të kërkesës] edhe përkundër sekuestrimit të një shume të konsiderueshme të të hollave (3,5 milion euro), është në gjendje të ofrojë garancinë shtesë në formë të hipotekave apo pasurisë tjetër të përshtatshme, se nuk do ti shmanget procedurës penale.”
I njëjti thekson se Gjykata e Apelit nuk ka dhënë arsye se pse masat më të buta se paraburgimi siç janë: arresti shtëpiak, ndalimi për t’iu afruar vendit dhe personave të caktuar, dorëzania, nuk janë të përshtatshme në rastin konkret dhe në këtë kontekst thirret në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konkretisht në rastin Vasilkovski dhe të tjerët kundër ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr. 28169/2010, Aktgjykim i 28 janarit 2011, ku GJEDNJ ka gjetur si në vijim:
“a) Gjykata vendase nuk ka përcaktuar ekzistencën e ndonjë fakti konkret në mbështetje te përfundimeve të tyre për rrezikun e ikjes;
b) Gjykatat vendase nuk kanë treguar asnjë aspekt karakteristik të karakterit ose sjelljes së të dyshuarve të cilat do të justifikonin përfundimin se tek secili aplikues ekziston rreziku i vazhdueshëm i ikjes, dhe as që i kanë arsyetuar argumentet e ankuesve se nuk ekziston rreziku i ikjes;
c) Në asnjë faze të procedurës Gjykatat vendase nuk i kane shpjeguar vendimet e tyre se pse alternativat e privimit nga liria nuk ishin te mjaftueshme për te garantuar zhvillimin e papengueshëm te procedurës penale; d) Gjykatat vendase në mënyrë të vazhdueshme e kanë përsëritur të njëjtin formulim, duke përdorë fjalë identike në vendimet për vazhdimin e paraburgimit;
e) Gjykatat vendase aspak nuk i kanë marrë parasysh rrethanat individuale për secilin prej ankuesve, pasi paraburgimi i tyre është vazhduar me aktvendime kolektive për paraburgimin.”
Specifikisht për dorëzaninë, parashtruesi i kërkesës pretendon se është një prej masave më të përdorura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë për zëvendësimin e paraburgimit dhe se kjo masë është dëshmuar si efektive. Në lidhje me këtë argument, i njëjti përmend edhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, gjegjësisht, rastet: Gault kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 1271/05, Aktgjykim i 20 shkurtit 2008, si dhe Skrobol kundër Polonisë, nr. 44165/98, Aktgjykim i 13 dhjetorit 2005.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu nënvizon se Gjykata e Apelit nuk ka verifikuar vazhdimin e ekzistencës së shkaqeve për paraburgim, si dhe nuk ka paraqitur në mënyrë specifike arsye shtesë ose të reja që justifikojnë dhënien e kësaj mase. Në lidhje me këtë, ai shprehet si në vijim: “[...] vërehet se Gjykata bën vetëm një shqyrtim elementar dhe sipërfaqësor të përmbajtjes se vendimit për vazhdimin e paraburgimit, duke mos ushtruar funksionin e saj si kontrolluese e vendimeve te gjykatave me të ulta, i cili pikërisht mishëron rolin e saj. Në vend që të funksionojë si një mekanizëm efektiv për rishikimin e ligjshmërisë se paraburgimit, gjykata vetëm "vulos kalimthi" vendimin e ankimuar, duke përsëritur ekzistencën e shkaqeve për paraburgim mbi baza po aq te papërshtatshme dhe jo bindëse”.
Pretendimet për cenimin e paragrafit 4 të nenit 5 të KEDNJ-së
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm thekson kërkesat e paragrafit 4 të nenit 5 të KEDNJ-së duke cituar praktikën relevante të GJEDNJ-së, respektivisht, që:
Çdo i ndaluar ka të drejtë të kërkojë që një “gjykatë” kompetente të marrë vendim “brenda një afati të shkurtër” rreth pikës nëse heqja e lirisë ndaj tij është bërë apo jo “e paligjshme” në dritën e elementeve të reja të shfaqura pas vendimit fillestar që e urdhëron këtë masë;
Kontrolli i gjyqtarit kombëtar duhet të respektojë si normat formale ashtu edhe ato materiale te legjislacionit kombëtar kontrolli i gjyqtarit kombëtar duhet të respektojë si normat formale ashtu edhe ato materiale të legjislacionit kombëtar;
Shtetet kontraktuese nuk janë të detyruara që të vendosin një shkallë të dyfishtë juridiksioni për shqyrtimin e ligjshmërisë së ndalimit, megjithatë, një shtet që pajiset me një sistem të tillë duhet që në parim t'u japë të ndaluarve edhe në apel të njëjtat garanci ashtu si në shkallë të parë;
Gjyqtari nuk mund t'i konsiderojë si pa rëndësi apo të mos i marrë parasysh disa fakte konkrete që përmenden nga i ndaluari e që mund të hedhin një dyshim mbi ekzistencën e kushteve te domosdoshme për "ligjshmëri", në kuptimin e Konventës, të heqjes së lirisë.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë se Aktvendimi i kontestuar ka shkelur të drejtën për liri dhe siguri të garantuar me nenin 29 të Kushtetutës dhe nenin 5 të KEDNJ-së në dëm të parashtruesit të kërkesës.
Dispozitat relevante të Rregullores së punës
Rregullorja e punës
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
(1) Gjykata mund te hedhe poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.
[...]
Vlerësimi i kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit vërtetohet Aktvendimi [PKR.nr.239/22] i 7 prillit 2023, të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, gjegjësisht për kohëzgjatjen prej 8 prillit deri më 7 qershor 2023. Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës gjendej në paraburgim që nga 23 dhjetori 2021 deri së paku në kohën e parashtrimit e kësaj kërkese para Gjykatës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” si në vijim: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga paragrafi 1 i nenit 422 të KPRK-së, “Marrje e ryshfetit” nga paragrafi 2 i nenit 428 të KPRK-së, “Ushtrim i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 431 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 366 të KPRK në fuqi. Gjykata Themelore në Ferizaj dhe më pas ajo në Pejë për shkak të transferimit të lëndës, ia kishte vazhduar paraburgimin parashtruesit të kërkesës gjithsej 8 (tetë) herë para ngritjes së aktakuzës. Më 9 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj ngriti aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, të cilën e plotësoi me 24 shkurt 2023. Që nga ngritja e aktakuzës deri në kohën e parashtrimit e kësaj kërkese para Gjykatës, parashtruesit të kërkesës i është vazhduar paraburgimi edhe 3 (tri) herë, përfshirë aktvendimin e kontestuar.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të kontestuar. Megjithatë nga informatat shtesë të lëndës, të cilat i Gjykata i kishte pranuar pasi që i ishte drejtuar gjykatave të rregullta, rezulton se në një datë të paspecifikuar, J.K, i bashkëpandehuri i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të kontestuar, respektivisht, Aktvendimit [PN1.nr.422/2023] të 28 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vazhdimit të paraburgimit, ku përfshihet edhe parashtruesi i kërkesës, e cila kërkesë i rezultoi e suksesshme sepse më 30 maj 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023] ia aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe anuloi Aktvendimin e kontestuar në lidhje me Aktvendimin [PKR.nr.239/2022] e 7 prillit 2023, i Gjykatës Themelore, si dhe çështjen e ktheu në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë. Po ashtu, nga informatat e lartcekura rezulton që parashtruesi i kërkesës, vendimet pasuese të gjykatave të rregullta, përkatësisht Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit për vazhdim të paraburgimit i kishte atakuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe në këto raste, Gjykata Supreme i kishte aprovuar kërkesat, duke kthyer ato në rivendosje. Gjithashtu, Gjykata thekson edhe informatën shtesë se përmes Aktvendimit [PKR. 239/22], Gjykata Themelore e liroi nga paraburgimi parashtruesin e kërkesës dhe i caktoi masën e dorëzanisë në vlerë prej 50,000 € (pesëdhjetë mijë) euro.
Gjykata rikujton edhe njëherë se parashtruesi dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatë më 5 qershor 2023, dhe se nga informatat e pranuara nga gjykatat e rregullta, Aktvendimi i kontestuar nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht, Aktvendimi [PN1.nr.422/2023], i 28 prillit 2023, i Gjykatës së Apelit ishte anuluar nga Gjykata Supreme më 30 maj 2023 përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023], me të cilën ia kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë J.K-së, i bashkëpandehur i parashtruesit të kërkesës.
Si rrjedhojë, rezulton se para se parashtruesi i kërkesës të dorëzojë kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese përmes përfaqësuesit të autorizuar ligjor, ku konteston Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktvendimin [PKR.nr.239/2022] e 7 prillit 2023, i Gjykatës Themelore, Gjykata Supreme tashmë kishte anuluar këto aktvendime, duke e kthyer lëndën në rivendosje në Gjykatën Themelore, aktvendime këto të cilat kanë efekt juridik edhe për parashtruesin e kërkesës siç është sqaruar më lart.
Bazuar në të lartcekurat, rezulton që Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit për të cilin parashtruesi i kërkesës nga Gjykata ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij është anuluar dhe për pasojë çështja në lidhje me kërkesëpadinë e tij është kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore, prandaj edhe Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nga ana e parashtruesit të kërkesës nuk mund të konsiderohet më si vendim përfundimtar në rastin e tij.
Në rrethana të tilla, Gjykata fillimisht duhet të vlerësojë nëse çështja para Gjykatës paraqet një pretendim aktiv dhe të diskutueshëm.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës i cili përcakton që:
“(1) Gjykata mund të hedhë poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.”
Në vijim, Gjykata po ashtu vë në dukje se detyrim i ngjashëm me paragrafin 1 të rregullit 54 të Rregullores së punës, ekziston edhe në nenin 37 (Çregjistrimi i kërkesave) të KEDNJ-së, përmes të cilit përcaktohet që:
“1. Në çdo fazë të procedimit, Gjykata mund të vendosë të çregjistrojë një kërkesë, kur rrethanat çojnë në përfundimin se:
a. [...] ose
b. çështja është zgjidhur; ose
c. për çdo arsye tjetër që, sipas Gjykatës, nuk justifikon vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës. [...]”
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), kur vlerëson se a aplikohet nën paragrafët b dhe c të paragrafit 1 të nenit 37 të KEDNJ-së, për çështjen e rasteve para saj, ajo duhet t'u përgjigjet dy pyetjeve me radhë: (i) së pari, se a qëndrojnë ende rrethanat për të cilat ishin ankuar drejtpërdrejtë parashtruesit e kërkesës; dhe, (ii) së dyti, nëse efekti i shkeljes eventuale të Konventës për shkak të atyre rrethanave gjithashtu është korrigjuar (shih rastet e GJEDNJ-së El Majjaoui dhe Stichting Touba Moskee kundër Holandës, nr. 25525/03, Vendim për çregjistrim të kërkesës, i 20 dhjetorit 2007, paragrafi 30; Pisano kundër Italisë, nr. 36732/97, Vendim për çregjistrim të kërkesës i 24 tetorit 2002, paragrafi 42; Sisojeva dhe të tjerët kundër Letonisë, nr. 60654/00, Vendim për çregjistrim të kërkesës i 15 janarit 2007, paragrafi 97).
Përderisa, Gjykata duke iu referuar edhe praktikës se vet gjyqësore po ashtu vë në dukje se në rrethana të ngjashme në rastin KI195/18, kishte vendosur ta hedhë poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës, për faktin se para Gjykata të vendoste në lidhje me kërkesën e tij, Gjykata Supreme kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës. Në këtë rast, Gjykata konstatoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit para kësaj Gjykate nuk është në fuqi dhe si i tillë, nuk prodhon asnjë efekt juridik për parashtruesin e kërkesës (KI195/18, me parashtrues Afrim Haxha, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 23 korrikut 2019, paragrafët 24-26).
Në rastin konkret, në kontekst të vlerësuarit nëse ende qëndrojnë rrethanat për të cilat parashtruesi i kërkesës është ankuar në Gjykatë, ky i fundit konsideron se në rrethanat e rastit konkret objekti i kërkesës nëse parashtruesi është viktimë e shkeljes së të drejtave të tij si rezultat i Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm për arsye se i njëjti është anuluar përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023] të 30 majit 2023, të Gjykatës Supreme, dhe çështja e vazhdimit të paraburgimit të tij është kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore. Së dyti, për rrjedhojë, Aktvendimi i kontestuar para kësaj Gjykate nuk është më tej në fuqi dhe si i tillë, nuk prodhon asnjë efekt juridik për parashtruesin e kërkesës.
Si përfundim, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit duhet të hedhet poshtë në bazë të rregullit 54 (1) (a) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, rregullin 54 (1) (a) të Rregullores së punës, më 26 mars 2024, me 7 (shtatë) vota për dhe 2 (dy) kundër,
VENDOS
TË HEDHË poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Bratislav Nikolić
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës
Penale