Prishtinë, më 23 dhjetor 2024
Nr. Ref.:AGJ 2590/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI11/24
Parashtrues
Zekë Jasiqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit, PN. nr. 1420/23, të 15 nëntorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Zekë Jasiqi nga Deçani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Artan Qerkini, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [PN. nr. 1420/23] të 15 nëntorit 2023 e Gjykatës së Apelit, në lidhje me Aktvendimin [PKR. nr. 91/2023] të 1 nëntorit 2023 e Gjykatës Themelore.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimeve të kontestuara, përmes të cilave, pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me pikën c të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës kërkon edhe vendosjen e masës së përkohshme, duke pretenduar se: “Zbatimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, që përmban në vete një mori shkeljesh të së drejtave individuale të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane, do të ishte në vetvete edhe një cenim i mëtutjeshëm i të drejtave të garantuara me po ato instrumente. Vetë fakti se një zbatim i këtij aktvendimi antikushtetues do të privonte Parashtruesin nga e drejta për të përzgjedhur mbrojtësin përderisa procedura penale kundër tij do të vazhdonte, e kjo rrethanë Parashtruesit do ti shkaktonte dëme të pariparueshme pasi që ai do të privohej nga e drejta të përfaqësohet nga mbrojtësi i përzgjedhur prej tij”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullat 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve], 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 janar 2024, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimeve [GJR. KI11/24] dhe [KSH. KI11/24] caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 9 shkurt 2024, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës i është dërguar Gjykatës së Apelit.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 28 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që rasti të shtyhet për shqyrtim në një nga seancat e radhës, me kërkesë që i njëjti të plotësohet me sqarime shtesë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që rasti të shtyhet për shqyrtim në një nga seancat e radhës, me kërkesë që i njëjti të plotësohet me sqarime shtesë.
Më 30 tetor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri/ i rekomandoi pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, (i) shpalli kërkesën të pranueshme; (ii) konstatoi se Aktvendimi [PN.Nr.1420/23] i Gjykatës së Apelit, 15 nëntorit 2023, nuk është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me pikën (c) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për gjykim të drejtë) të KEDNJ-së; (iii) refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.
Përmbledhja e fakteve
Më 21 maj 2019, Policia e Kosovës në Prokurorinë Themelore-Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria) paraqiti kallëzimin penal [2018-KE-262] kundër parashtruesit të kërkesës dhe personave: I.O, I.B, A.T, M.M, R.H, E.L dhe S.N, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Fajde” nga neni 343 në lidhje me nenin 31 të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK), veprën penale “Detyrimi” nga neni 340 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së ndaj të dëmtuarit F.D.
Më 21 maj 2019, Prokuroria përmes Aktvendimit [PP/I. nr. 90/2019] për fillimin e hetimeve kundër shtatë (7) personave I.O, I.B, A.T, M.M, R.H, E.L dhe S.N. Në këtë Aktvendim parashtruesi i kërkesës nuk figuron si person që është subjekt i hetimeve.
Më 7 qershor 2021, Prokuroria përmes Aktvendimit të ri për vazhdimin e hetimeve dhe për zgjerimin e hetimeve ndaj parashtruesit të kërkesës, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Fajde”. Parashtruesi i kërkesës kishte zgjedhur si përfaqësues, avokatin T.R.
Më 19 nëntor 2021, Prokuroria pranë Gjykatës Themelore Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) ngriti Aktakuzën [PP/I. nr. 90/2019] kundër I.O, I.B, S.N, M.M dhe A.T, për shkak të veprave penale “Fajde”, “Detyrimi” dhe “Mashtrimi”.
Më 22 nëntor 2021, njëri nga të dyshuarit, A.T, ndaj të cilit Prokuroria Themelore kishte nxjerrë Aktvendimin [PP/I. nr. 90/2019] për ngritje të aktakuzës, autorizoi avokatin A.Q si përfaqësuesin e tij në këtë çështje penale.
Më 7 shkurt 2023, Prokuroria gjithashtu ngriti Aktakuzën [PP.I. nr. 91/2019] kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Fajde”.
Më 14 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës autorizoi po ashtu avokatin A.Q, si mbrojtës të dytë për ta përfaqësuar atë në këtë çështje penale.
Më 27 tetor 2023, Gjykata Themelore mbajti seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen sipas Aktakuzës [PKR. nr. 91/2023] kundër parashtruesit të kërkesës. Gjatë seancës gjyqësore, Prokurori i Shtetit e lexoi aktakuzën dhe pas leximit të Aktakuzës deklaroi se: “në këtë çështje penale, i dëmtuari F.D. ka qenë i njëjtë dhe procedura ka qenë edhe për të akuzuarit të tjerë e për të cilit tani jemi në fazën e shqyrtimit kryesor e ku njëri nga të akuzuarit mbrohet nga avokati A.Q., andaj në mënyrë që të mos del ndonjë shkelje në fazën e mëtejme kërkoj nga gjykata që kjo të vlerësohet çështja se a mund që i njëjti të jetë mbrojtës i të dy të pandehurve”.
Më 1 nëntor 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR. nr. 91/23] refuzoi përfaqësimin/mbrojtjen e parashtruesit të kërkesës nga avokati A. Q. në çështjen penale lidhur me Aktakuzën [PP/I. nr. 90/2019] të 7 shkurtit 2023.
Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata Themelore theksoi:
“Gjykata […], konstaton se bazuar në dispozitën e nenit 54 par. 1 të KPPRK-së përcaktohet se: “Në një procedurë penale nuk mund të mbrojë dy apo më tepër të pandehur në të njëjtën çështje penale, pavarësisht se a është bërë veçimi i procedurës apo fazës së procedurës...”. Në rastin konkret kemi të bëjmë me çështje të njëjtë penale dhe të dëmtuar të njëjtë.
Për më tepër edhe vetë mbrojtësi një argument të tillë e ka pohuar pasi që prokurori i shtetit ka ngritur këtë çështje që fillimisht ndaj të pandehurve tjerë ku i akuzuar është edhe i mbrojturi i av. [A.Q.] [A.T.] fillimisht nga prokuroria është nxjerr një aktvendim për fillimin e hetimeve me dt. 21.05.2019 në të cilën [Z. J.] nuk ka qenë i përfshirë por me dt. 07.06.2019 prokurori e ka nxjerr një aktvendim për zgjerimin e fazës së hetimeve në të cilën është përfshirë edhe z. [Z.J.], e që sipas kësaj e vërteton faktin se pavarësisht procedurave gjyqësore të ndara që janë duke u zhvilluar kemi të bëjmë me një rast të njëjtë penal e që dispozita e nenit 54 par. 1 të KPRK-së, i ndalon që një mbrojtës edhe në një situatë të tillë të mund ti përfaqësoj dy të pandehur.
Andaj me qëllim që të mos vijmë te një situatë ku mund të rrezikohet ndonjë situatë e konfliktit të interesit ndaj njërit të pandehur e gjithashtu duke u bazuar edhe në dispozitën e nenit 54 par. 1 të KPPRK-së, gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, avokati A.Q, në cilësinë e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar se Gjykata Themelore në mënyrë të gabuar ka interpretuar paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale (në tekstin e mëtejmë: KPPK).
Më 15 nëntor 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN. nr. 1420/23] refuzoi si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të parashtruesit, avokatit A.Q.
Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit, inter alia, theksoi se:
“Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, vlerëson se në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se gjykata e shkallës së parë, pasi që ka marrë deklarimet e palëve në procedurë lidhur me këtë çështje penale, gjatë seancës ka marrë aktvendim procedural në të cilin theksohet se në një procedurë penale, mbrojtësi nuk mund të mbrojë dy ose më tepër të pandehur në të njëjtën çështje penale, pavarësisht se a është bërë veçimi i procedurës apo fazës së procedurës […].
Po ashtu, duke u bazuar edhe në dispozitën e nenit 54 par. 1 të KPPRK-së, e cila thekson [...] Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës vlerëson se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë në këtë çështje penale është i drejtë, të cilin aktvendim në tërësi e mbështet edhe ky Kolegj Penal i kësaj gjykate, për faktin se pavarësisht procedurave gjyqësore të ndara që janë duke u zhvilluar, kemi të bëjmë me një rast të njëjtë penal, andaj edhe dispozita e lartcekur e ndalon që mbrojtësi edhe në një situatë të tillë të mund të përfaqësoj dy të pandehur”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi në kërkesën e tij pretendon se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kanë shkelur të (i) drejtën e tij për të zgjedhur mbrojtësin e tij, e garantuar me paragrafin 5 të nenit 30 të Kushtetutës; dhe (ii) të drejtën e tij për një vendim të arsyetuar gjyqësor, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.
Në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të paragrafit 5 të nenit 30 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “E drejta në përzgjedhje të mbrojtësit është kategori kushtetuese, gjegjësisht e drejta e garantuar taksativisht me Kushtetutë (neni 30) dhe me KEDNJ (neni 6). Në dritën e për sa më sipër, konsiderojmë se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore e Prishtinës, gjatë interpretimit të nenit 54 par. 1 të KPP, kanë dështuar të zbatojnë parimet e përmbajtura në nenin 55 par. 4 të Kushtetutës për arsyet që do të paraqiten në vijim të kësaj Kërkese. Për më tepër, këto gjykata nuk kanë dhënë arsye të fuqishme dhe të qëndrueshme për kufizimin e të drejtës së parashtruesit të kërkesës për të përzgjedhur avokatin sipas dëshirës së vet”.
Në mbështetje të kësaj, parashtruesi i kërkesës shton se interpretimi i dispozitave ligjore të cilat kanë karakter të kufizimit të të drejtave, siç në fakt është neni 54, paragrafi 1 të KPPK-së, e cila kufizon të drejtën e avokatit në ushtrim të profesionit dhe të drejtën e të pandehurit për përzgjedhjen e mbrojtësit, duhet t’i nënshtrohet interpretimit teologjik/qëllimor, e jo interpretimit mekanik gramatikor.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se sipas parimeve kushtetuese, kufizimi i një të drejte duhet të ketë një qëllim legjitim. Në rastin konkret, sipas tij, me dispozitën e nenit 54 paragrafi 1 të KPPK-së, qëllimi legjitim i kufizimit të një të drejte ka qenë integriteti i procedurës. Pra, në këtë rast ligjvënësi i ka dhënë përparësi integritetit të procedurës karshi të drejtës së të pandehurit për përzgjedhjen e mbrojtësit dhe të drejtës së mbrojtësit për të ushtruar profesionin e tij. Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesës shton se: “Mirëpo, çdo tejkalim i qëllimit legjitim të kufizimit, rrezikon të drejtat e të pandehurit në procedurën penale. Në rastin në fjalë, kufizimi i të drejtës së parashtruesit të kërkesës për përzgjedhjen e mbrojtësit nuk synon arritjen e një qëllimi legjitim e që në rastin konkret do duhej të ishte sigurimi i integritetit të procedurës.”
Parashtruesi i kërkesës specifikon se Gjykata duhet të marrë për bazë si në vijim: (i) mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës - avokati A.Q, në mbrojtjen e të pandehurit tjetër A.T, është përfshirë pas ngritjes së aktakuzave në të dyja rastet, (ii) dispozitivat e aktakuzave në të dyja rastet; dhe (iii) kualifikimet ligjore.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës thekson se mohimi i të drejtës së tij në zgjedhjen e mbrojtësit përbën shkelje të të drejtave të tij si i pandehur në një procedurë penale, të drejta këto të garantuara me paragrafin 5 të nenit 30, paragrafin 4 të nenit 55, të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.3 (c) të KEDNJ-së.
Së dyti, parashtruesi i kërkesës gjithashtu konsideron se atij i është shkelur e drejta e tij për një vendim të arsyetuar gjyqësor, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për faktin se Gjykata e Apelit nuk arsyetoi pretendimet e tij ankimore lidhur me zbatimin e gabuar të nenit 54 paragrafit 1 të KPPK-së. Në mbështetje të kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të mosarsyetimit të vendimeve gjyqësore, në disa raste kur gjykatat e rregullta nuk kanë adresuar ndonjë pretendim të rëndësishëm që palët kanë ngritur para tyre (shih, në mes tjerash, rastet: KI135/14, 138/15, KI22/16, KI177/19)”.
Në fund, në lidhje me kërkesën e tij për vendosjen e masës së përkohshme, parashtruesi i kërkesës arsyeton se:
“Nga ajo që u tha më sipër, shihet qartë se ky rast është tipik i rrethanave kur masa e përkohshme është e domosdoshme. Kjo kërkesë përmbush të gjitha kushtet për tu shqyrtuar dhe miratuar nga Gjykata pasi që është me shkrim, mbështetet në fakte të dëshmuara të rastit, ofron argumente juridike mbështetëse dhe tregon për pasojat e pariparueshme që Parashtruesi do të pësonte pa caktimin e masës së përkohshme.
Zbatimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, që përmban në vete një mori shkeljesh të së drejtave individuale të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane, do të ishte në vetvete edhe një cenim i mëtutjeshëm i të drejtave të garantuara me po ato instrumente. Vetë fakti se një zbatim i këtij aktvendimi antikushtetues do të privonte Parashtruesin nga e drejta për të përzgjedhur mbrojtësin përderisa procedura penale kundër tij do të vazhdonte, e kjo rrethanë Parashtruesit do ti shkaktonte dëme të pariparueshme pasi që ai do të privohej nga e drejta të përfaqësohet nga mbrojtësi i përzgjedhur prej tij”.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata të konstatojë se Aktvendimi [PN1. nr. 1420/23] i Gjykatës së Apelit i 15 nëntorit 2023 është nxjerrë në shkelje të neneve 30, 31 dhe 55 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6. 3 (c) të KEDNJ-së.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
“Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
[…]
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas”.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 55
[Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore]
“1. Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.
[...]
4. Me rastin e kufizimit të drejtave të njeriut dhe interpretimit të atyre kufizimeve, të gjitha institucionet e pushtetit publik, dhe sidomos gjykatat, e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“[…]
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq”.
KODI NR. 08/L-032 I PROCEDURËS PENALE
KAPITULLI V
MBROJTËSI
Neni 52
E drejta e të pandehurit për të pasur mbrojtës
“1. I dyshuari dhe i pandehuri kanë të drejtë të kenë mbrojtës gjatë gjithë fazave të procedurës penale”.
[...]
Neni 54
Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi
“1. Në një procedurë penale mbrojtësi nuk mund të mbrojë dy ose më tepër të pandehur në të njëjtën çështje, pavarësisht se a është bërë veçimi i procedurës apo fazës së procedurës. Një mbrojtës nuk mund të përfaqësoj personin juridik dhe personin fizik në të njëjtin rast, përveç nëse personi fizik është i vetmi person që ka në pronësi, menaxhon dhe është i punësuar nga personi juridik.
2. I pandehuri mund të ketë deri në tre (3) mbrojtës dhe e drejta për mbrojtje konsiderohet se është përmbushur kur në procedurë merr pjesë njëri nga mbrojtësit.
[...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata gjithashtu i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Gjykatës, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [PN. nr. 1420/23] e Gjykatës së Apelit, të 15 nëntorit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me paragrafin 1 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit 3 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Për më tepër, dhe në fund, Gjykata thekson se kërkesa nuk mund të shpallet e papranueshme mbi asnjë bazë tjetër. Prandaj, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të vlerësohen meritat e saj.
Meritat
Gjykata fillimisht rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën penale, e cila ishte iniciuar përmes paraqitjes së kallëzimit penal nga Policia e Kosovës kundër parashtruesit të kërkesës si dhe shtatë (7) personave të tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kishin kryer veprat penale të “Fajdes”, “Detyrimit” dhe “Mashtrimit” ndaj të dëmtuarit F.D., të parapara me dispozitat e KPK-së në fuqi. Si rezultat, Prokuroria Themelore penale kishte nxjerrë dy vendime: (i) Aktvendimin [PP/I.nr.90/2019], të 21 majit 2019 me të cilin kishte filluar hetimin ndaj shtatë (7) personave, por jo edhe ndaj parashtruesit të kërkesës dhe (ii) Aktvendimin të 7 qershorit 2021,për zgjerim të hetimeve, në të cilin u përfshi edhe parashtruesi i kërkesës. Në vijim të këtyre të fundit, Prokuroria më 19 nëntor 2021 kishte ngritur Aktakuzën e parë [PP/I.nr.90/2019] në të cilën ishin përfshirë pesë (5) persona si të pandehur, dhe njëri nga këta, përkatësisht i akuzuari A.T., e kishte autorizuar avokatin A.Q. që ta përfaqësojë atë gjatë zhvillimit të procedurës penale. Përderisa, më 7 shkurt 2023, Prokuroria kishte ngritur edhe Aktakuzën e dytë [PP.I.nr.91/2019] kundër parashtruesit të kërkesës për veprat penale “Detyrimi” dhe “Fajdeja”. Bazuar në dosjen e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës gjatë procedurës së zhvillimit të hetimeve kishte qenë i mbrojtur nga një avokat. Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesës, më 14 gusht 2023, po ashtu autorizoi edhe avokatin A. Q. për ta përfaqësuar atë përgjatë zhvillimit të mëtejmë të procedurës penale. Megjithatë, gjatë zhvillimit të procedurës së shqyrtimit fillestar, të 27 tetorit 2023 në lidhje me Aktakuzën [PKR.nr.91/2023] ku A.Q, si përfaqësues i zgjedhur nga parashtruesi i kërkesës, pranë Gjykatës Themelore kishte dorëzuar autorizimin për përfaqësim, Prokurori i çështjes kishte kërkuar nga kjo gjykatë që të vërtetojë nëse i njëjti, përkatësisht avokati A.Q., mund të jetë njëkohësisht avokat mbrojtës i dy pandehurve në të njëjtën procedurë penale. Në vijim të kësaj kërkese, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR. nr. 91/23] të 1 nëntorit 2023 duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 54 të KPPK-së vendosi që avokati A.Q nuk mund të jetë avokat mbrojtës i parashtruesit të kërkesës në këtë procedurë. Si rezultat i ankesës së tij në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktvendimit [PN. nr. 1420/23] të 15 nëntorit 2023 refuzoi ankesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Gjykata, fillimisht vë në dukje se vendimet e kontestuara nga ana e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me vendimin për refuzimin e mbrojtësit/përfaqësuesit gjatë zhvillimit të procedurës së shqyrtimit fillestar, përderisa procedura penale ndaj tij është ende duke u zhvilluar.
Në lidhje me këtë, Gjykata duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së vëren se kjo e fundit ka vlerësuar se edhe pse “qëllimi kryesor i nenit 6 të KEDNJ-së, kur bëhet fjalë për procedurën penale, është që të sigurojë një gjykim të drejtë nga një “gjykatë” kompetente që të vendosë në lidhje me akuzën penale, kjo nuk do të thotë se ky nen nuk zbatohet edhe në procedurën paraprake. Prandaj, neni 6 – në veçanti paragrafi 3 i tij –mund të jetë relevant para se rasti të arrijë në fazën e shqyrtimit kryesor nëse dhe në masën ku ekziston mundësia që çështja e gjykimit të drejtë rrezikon të dëmtohet seriozisht nga mosrespektimi fillestar i kësaj dispozite. Ashtu sic [GJEDNJ] ka theksuar në aktgjykimet e saja paraprake, e drejta e përcaktuar në nenin 6.3 (c) të Konventës, është një nga elementet, ndër të tjerave, të konceptit të gjykimit të drejtë në procedurë penale e përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 6 ” (shih, rastin e GJEDNJ-së Dvorski kundër Kroacisë [DhM], nr. 25703/11, Aktgjykim, i 20 tetorit 2015, paragrafi 76 dhe referencat e tjera të përmendura aty si rastet Imbrioscia kundër Zvicrës, nr. 13972/88, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1993, paragrafi 36, dhe Salduz kundër Turqisë, [DhM], nr. 36391/02, Aktgjykimi i 27 nëntorit 2008, paragrafi 50).
Në këtë kuptim, pas nxjerrjes së vendimit të fundit në këtë procedurë specifike e që ndërlidhet me refuzimin e gjykatave për përfaqësimin e tij nga avokati A.Q. gjatë zhvillimit të mëtejmë të procedurës penale, parashtruesi i kërkesës konteston këto dy vendime, përkatësisht Aktvendimin [PKR. nr. 91/23] të 1 nëntorit 2023, të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin [PN. nr. 1420/23] të 15 nëntorit 2023, të Gjykatës së Apelit duke pretenduar se të njëjtat atij i kanë shkelur të drejtën e tij (i) për të zgjedhur mbrojtësin e tij në procedurë penale dhe (ii) të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor nga ana e Gjykatës së Apelit, pasi që sipas tij kjo e fundit nuk i kishte adresuar në tërësi pretendimet e tij të ngritura në ankesë para kësaj gjykate.
Në vijim të kësaj, marrë për bazë rrethanat e rastit konkret dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kërkesën e tij në Gjykatë, kjo e fundit vlerëson se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me të drejtën e tij për të zgjedhur mbrojtësin e tij në procedurë penale, e drejtë kjo e garantuar përmes paragrafit 5 të nenit 30 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6.3 (c) të KEDNJ-së. Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me të drejtën e në vendimi të arsyetuar gjyqësor, Gjykata do t’i elaborojë në kuptim të arsyetimit të gjykatave të rregullta e që në mënyrë specifike ndërlidhen me të drejtën e një të pandehuri për të pasur ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh vetë.
Rrjedhimisht, në vlerësimin e pretendimeve të lartcekura, Gjykata do të shtjellojë (i) parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për të zgjedhur mbrojtësin, të garantuar me paragrafin 5 të nenit 30 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6. 3 (c) të KEDNJ-së, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret, për të vazhduar me (ii) aplikimin e këtyre parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret. Këto kategori pretendimesh, Gjykata do t’i shqyrtojë duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore dhe parimet e përgjithshme të GJEDNJ-së
Parimet e Kushtetutës dhe të KEDNJ-së
Gjykata i referohet paragrafit 5 të nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, i cili përcakton që çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale edhe “të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;[...]”
Në vijim të kësaj, Gjykata vë në dukje se e drejta për të zgjedhur mbrojtësin është e garantuar edhe me pikën c) të paragrafit 3 të nenit 6 të KEDNJ-së, e cila përcakton që çdo i akuzuar për kryerjen e veprave penale ka të drejtën: “të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë.”
Dispozitat relevante të KPPK-së
Në këtë kuptim, Gjykata i referohet dispozitave relevante të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, që përcaktojnë të drejtat e të akuzuarve për të pasur mbrojtje gjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj tyre. Në këtë kuptim, Gjykata vëren se paragrafi 1 i nenit 52 (E drejta e të pandehurit për të pasur mbrojtës) i KPPK-së përcakton që: “ I dyshuari dhe i pandehuri kanë të drejtë të kenë mbrojtës gjatë gjithë fazave të procedurës penale.”
Në vijim të kësaj, Gjykata vë theksin në paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të KPPK-së, i cili ndërlidhet edhe me rrethanat e rastit konkret ku përcaktohet që: “Në një procedurë penale mbrojtësi nuk mund të mbrojë dy ose më tepër të pandehur në të njëjtën çështje, pavarësisht se a është bërë veçimi i procedurës apo fazës së procedurës. Një mbrojtës nuk mund të përfaqësoj personin juridik dhe personin fizik në të njëjtin rast, përveç nëse personi fizik është i vetmi person që ka në pronësi, menaxhon dhe është i punësuar nga personi juridik.”
Parimet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së
Gjykata fillimisht vë në dukje se GJEDNJ, në praktikën e saj gjyqësore ka theksuar se “[...] edhe pse jo absolute, e drejta e secilit, i cili është akuzuar për një vepër penale që në mënyrë efektive të mbrohet nga një avokat është një nga veçoritë themelore të gjykimit të drejtë.” (shih, rastet e GJEDNJ-së, Salduz kundër Turqisë [DHM], kërkesa nr. 36391/02, Aktgjykim i 27 nëntorit 2008, paragrafi 51, Demebukov kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 68020/01, Aktgjykim i 28 shkurtit 2008, paragrafi 50; dhe Ibrahim dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar [DHM], kërkesat nr. 50541/08, 50571/08, 50573/08 dhe 40351/09, Aktgjykim, i 13 shtatorit 2016, paragrafi 255).
Sipas, GJEDNJ-së, neni 6, paragrafi 3, pika c e KEDNJ-së përmban tri të drejta të ndryshme: (i) atë për t’u mbrojtur vetë; (ii) atë për të pasur ndihmën e një mbrojtësi të zgjedhur vetë dhe (iii) të ndihmës juridike falas (shih, rastin e GJEDNJ-së, Pakelli kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 8398/78, Aktgjykim i 25 prillit 1983, paragrafi 31).
Gjykata duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, rikujton që pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me të drejtën e tij për të zgjedhur mbrojtësin e tij gjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj tij. Në këtë kuptim, GJEDNJ ka specifikuar se konsiderohet e rëndësishme që qysh në fazat fillestare të procedurës personi i akuzuar për vepër penale i cili nuk dëshiron të mbrohet vetë duhet të ketë mundësinë të përdorë ndihmën juridike sipas zgjedhjes së tij (shih, rastin e GJEDNJ-së Martin kundër Estonisë, nr. 35985/09, Aktgjykimi i 30 majit 2013, paragrafët 90 dhe 93). Sipas GJEDNJ-së, kjo e drejtë rrjedh nga vetë formulimi i nenit 6, paragrafi 3, pikës c të KEDNJ-së, i cili garanton se “çdo i akuzuar për një vepër penale ka këto të drejta minimale: [...] të mbrohet [...] përmes një avokati mbrojtës sipas zgjedhjes së tij [...]” (shih, rastin e GJEDNJ-së Dvorski kundër Kroacisë [DhM], nr. 25703/11, Aktgjykim, i 20 nëntorit 2015, paragrafi 78).
Megjithatë, GJEDNJ që në fillet e hershme të praktikës së saj gjyqësore ka theksuar se “e drejta e të akuzuarit për të zgjedhur avokatin e tij nuk është një e drejtë absolute”, por është e kufizuar nga e drejta shteteve që paraqitjen e mbrojtësve/avokatëve në gjykatë t’ia u nënshtrojë rregullave të cilat janë të zbatueshme në sistemin përkatës juridik (shih rastin e GJEDNJ-së, Ensslin, Baader dhe Raspe kundër Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 7572/ 76, 7586/76 dhe 7587/76, Vendim, i 8 korrikut 1978).
Në vijim, GJEDNJ ka vlerësuar se pavarësisht nga rëndësia e marrëdhënies së besimit ndërmjet avokatit dhe klientit të tij, kjo e drejtë nuk është absolute, gjegjësisht i nënshtrohet disa kufizimeve të caktuara në dritën e rrethanave të veçanta të çdo rasti individual, dhe të cilat kufizime nënkuptojnë ekzistencën e arsyeve relevante dhe të mjaftueshme, arsye këto që përcaktojnë se kufizimi i kësaj të drejte është në interes të drejtësisë (shih, rastin e GJEDNJ-së Dvorski kundër Kroacisë, të cituar më lart, paragrafi 79).
Në rastin Dvorski kundër Kroacisë, GJEDNJ theksoi se një person i akuzuar për një vepër penale i cili nuk dëshiron që të mbrohet vetë duhet t’i mundësohet qasja në mbrojtje sipas zgjedhjes së tij/saj që nga fillimi i procedurës penale. Megjithatë, sipas GJEDNJ-së, nëse e drejta në qasje në mbrojtës/avokat sipas zgjedhjes së tij/saj është kufizuar, GJEDNJ duhet që fillimisht të shqyrtojë nëse një kufizim i tillë ishte i bazuar në arsyetim “relevant dhe të mjaftueshëm”. Në mungesë të një arsyetimi të tillë, GJEDNJ vazhdoi me shqyrtimin dhe elaborimin e asaj nëse kufizimi në të drejtën për zgjedhjen e mbrojtësit në mënyrë të pafavorshme kishte afektuar të gjykimin e drejtë gjatë procedurës në tërësinë e saj (shih, paragrafët 81 -82 të Aktgjykimit në rastin Dvorski kundër Kroacisë).
Vlerësimi i Gjykatës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon interpretim të gabuar të paragrafit 1 të nenit 54 të KPPK-së nga ana e gjykatave të rregullta dispozitë kjo që i referohet kufizimit të akuzuarit në përfaqësim nga mbrojtësi.
Gjykata, marrë për bazë parimet e përgjithshme të elaboruara si më sipër, rithekson se e drejta e të pandehurit për të pasur mbrojtës sipas zgjedhjes së tij është e garantuar me paragrafin 5 të nenit 30 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6.3 (c), e cila e drejtë sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe përcaktimeve të dispozitave të procedurës penale nuk është absolute. Në rrethanat konkrete të rastit, kjo e drejtë, përkatësisht e drejta për të zgjedhur vetë edhe një mbrojtës të dytë i cili njëherit është edhe mbrojtës i një të pandehuri tjetër në procedurë të njëjtë penale është e kufizuar me ligj, përkatësisht me paragrafin 1 të nenit 54 të KPPK-së. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përmes të cilës është specifikuar se (i) e drejta në mbrojtje nuk është absolute; (ii) kufizimet në këtë të drejtë, përkatësisht zgjedhja e mbrojtësit i nënshtrohet dispozitave të cilat janë të zbatueshme në sistemin përkatës juridik, lidhur me atë se kush mund të jetë avokat në procedurë; dhe (iii) duhet të ekzistojnë arsye relevante dhe të mjaftueshme, arsye këto që përcaktojnë se kufizimi i kësaj të drejte është në interes të drejtësisë.
Gjykata, duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, në mënyrë specifike duke iu referuar edhe dosjes së lëndës si dhe aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, vëren se parashtruesi i kërkesës gjatë procedurës hetimore ishte përfaqësuar nga një mbrojtës tjetër. Megjithatë, Aktvendimi i Gjykatës Themelore specifikon se: “në seancën e shqyrtimit fillestar në të cilin të pranishëm ishin Prokurori i Shtetit A. H, i akuzuari Zekë Jasiqi [parashtruesi i kërkesës], me mbrojtësit e tij T. R me autorizim dhe av. A .Q i cili gjykatës në seancë i ka dorëzuar autorizimin [...].”
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se bazuar në paragrafin 2 të nenit 54 të KPPK-së përcaktohet numri i saktë të mbrojtësve që një i pandehur mund t'i përdorë për mbrojtjen e tij, përkatësisht “I pandehuri mund të ketë deri në tre (3) mbrojtës dhe e drejta për mbrojtje konsiderohet se është përmbushur kur në procedurë merr pjesë njëri nga mbrojtësit”.
Prandaj, siç rezulton nga Aktvendimi i Gjykatës Themelore në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës qysh në fazë të hershme të procedurës penale ishte i përfaqësuar nga një avokat. Megjithatë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në seancën e shqyrtimit fillestar nuk kishte revokuar autorizimin për avokatin T.R, por kishte zgjedhur të ketë edhe një avokat tjetër për të qenë mbrojtësi i tij gjatë zhvillimit të mëtejmë të procedurës penale, nga e cila rezulton që i njëjti përgjatë zhvillimit të procedurës nuk kishte mbetur pa përfaqësues/avokat.
Duke iu rikthyer thelbit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës, e që ndërlidhet me të drejtën për të zgjedhur avokatin e tij A.Q., Gjykata rikujton se Gjykata Themelore, me kërkesë të prokurorit, kryesisht kishte shqyrtuar nëse zgjedhja e avokatit të caktuar, A.Q, si avokat/mbrojtës i dytë mund të përbente shkelje, për arsye se i njëjti avokat tashmë përfaqësonte A.T në të njëjtën procedurë penale . Gjykata Themelore vendimin e saj për refuzimin e avokatit A.Q, si mbrojtës i dytë i parashtruesit të kërkesës e bazoi në paragrafin 1 të nenit 54 të KPPK-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata vlerëson se në rrethanat kur ka disa të pandehur në procedurë penale dhe të cilët kanë zgjedhur të njëjtin avokat mbrojtës, ky kufizim shprehimisht është përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 54 të KPPK-së, dhe se i njëjti është zbatuar në këtë rast edhe nga Gjykata Themelore. Gjykata po ashtu vë në pah arsyetimin e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit ishte vërtetuar se: “[...] për faktin se pavarësisht procedurave gjyqësore të ndara që janë duke u zhvilluar, kemi të bëjmë me një rast të njëjtë penal, andaj edhe dispozita e nenit 54 paragrafi 1 të KPP-së e ndalon që mbrojtësi edhe në një situatë të tillë të mund të përfaqësoj dy të pandehur”.
Gjykata ripërsëritë se konkluzioni i Gjykatës Themelore i referohet ekskluzivisht pamundësisë që avokati A.Q të jetë mbrojtësi i dytë i parashtruesit të kërkesës, përkatësisht se bëhet fjalë vetëm për një kufizim të pjesshëm dhe se fushëveprimi i kufizimit nga ana e Gjykatës Themelore bazohet në bazë të dispozitave ligjore, dhe se ky kufizim i shërben kryesisht qëllimit të parandalimit të rrezikimit të rregullsisë së procedurave të mëtutjeshme gjyqësore penale.
Në vijim të kësaj, Gjykata në aplikimin e parimeve dhe kritereve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht atyre që (i) e drejta në mbrojtje nuk është absolute; (ii) kufizimet në këtë të drejtë, përkatësisht kufizimi në zgjedhjen e mbrojtësit i nënshtrohet dispozitave të cilat janë të zbatueshme në sistemin përkatës juridik, lidhur me atë se kush mund të jetë avokat në procedurë; dhe (iii) duhet të ekzistojnë arsye relevante dhe të mjaftueshme, arsye këto që përcaktojnë se kufizimi i kësaj të drejte është në interes të drejtësisë, vëren se (i) kufizimi i zgjedhjes së mbrojtësit për përfaqësim, në rrethanat e rastit konkret është kufizuar me paragrafin 1 të nenit 54 të KPPK-së, kufizim ky që i referohet asaj që një mbrojtës nuk mund të përfaqësojë dy të pandehur në procedurë penale; dhe (ii) kufizimi në këtë të drejtë është në interes të drejtësisë.
Gjykata bazuar në përcaktimet e nenit 54 të KPPK-së vëren se qëllimi i kufizimit të zgjedhjes së mbrojtësit në rrethanat kur i njëjti mbrojtës është autorizuar që të përfaqësojë dy të pandehur në procedurën e njëjtë penale, konsiston në ruajtjen e integriteti të procedurës penale përgjatë gjithë zhvillimit të saj, dhe si i tillë ky kufizim është proporcional për shkak se i shërben interesit të drejtësisë, përkatësisht se vlen vetëm në rastet specifike të dy a më shumë pandehurve në procedurën e njëjtë penale. Si i tillë ky kufizim, i përcaktuar me nenin 54 të KPPK-së që vlen vetëm në rastet specifike të përcaktuar me këtë dispozitë ka për qëllim parandalimin e asaj që mbrojtësi të ndikojë në mbrojtjen e secilit të pandehur, dhe si rrjedhojë të shmangë konfliktin në mes të interesave të dy pandehurve përgjatë zhvillimit të procedurës në të njëjtën çështje penale.
Në vijim të kësaj, Gjykata gjithashtu vëren se gjykatat e rregullta, përkatësisht Gjykata Themelore në kontekstin e këtij kufizimi specifik të përcaktuar me nenin 54 të KPPK-së ka justifikuar mjaftueshëm vendimin e saj, duke e bazuar të njëjtin në ligj.
Në vijim, Gjykata vë në dukje se aktvendimet e kontestuara për refuzimin e përfaqësimit të parashtruesit të kërkesës nga një avokat i caktuar gjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj tij nuk është një vendim i cili do të ndikojë në zhvillimin e procedurës penale në tërësinë e saj e që ndërlidhet me përcaktimin e bazueshmërisë së akuzës penale kundër tij, për arsye se me aktvendimet e kontestuara është vendosur vetëm përkitazi me pamundësinë e përfaqësimit të parashtruesit të kërkesës nga një mbrojtës i dytë, i zgjedhur nga ai gjatë zhvillimit të shqyrtimit fillestar të procedurës penale për arsye se mbrojtësi i zgjedhur A.Q. përfaqësonte një pandehur tjetër në po të njëjtën procedurë penale.
Në këtë kuptim, Gjykata sërish vë në dukje qëndrimin e GJEDNJ-së, e cila ka theksuar se e drejta e një të pandehuri për të zgjedhur mbrojtësi nuk është absolute dhe se kjo e drejtë (i) mund të kufizohet në rrethanat konkrete të rastit dhe në (ii) pajtim me përcaktimin e legjislacionit përkatës në fuqi. Në këtë kuptim, Gjykata rithekson se interpretimi dhe arsyetimi i gjykatave të rregullta në lidhje me refuzimin e tyre që parashtruesi i kërkesës që të përfaqësohet nga avokati A.Q. është i bazuar në dispozitat e KPPK-së.
Prandaj, në dritën e elaborimit si më sipër, Gjykata vlerëson se në rrethanat specifike të rastit konkret, e drejta për zgjedhje të mbrojtësit në procedurë penale e garantuar me paragrafin 5 të nenit 30 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6. 3 (c) të KEDNJ-së është (i) kufizuar me ligj; (ii) ky kufizimi në këtë rast, i shërben interesit të përgjithshëm të drejtësisë, përkatësisht parandalimit të një konflikti të mbrojtjes së interesave të pandehurve në procedurën penale; dhe se (iii) gjykatat kanë arsyetuar vendimin e tyre për refuzimin e përfaqësimit të parashtruesi i kërkesës nga mbrojtësi A.Q., vendim ky i bazuar në nenin 54 të KPPK-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, përmes të cilës është refuzuar mbrojtja e parashtruesit të kërkesës nga avokati A.Q. si mbrojtës i dytë në procedurën penale, në rrethanat specifike të rastit konkret nuk përbën shkelje të paragrafit 5 të nenit 30 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6. 3 (c) të KEDNJ-së.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon vendosjen e masës së përkohshme për arsye se “Zbatimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, që përmban në vete një mori shkeljesh të së drejtave individuale të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane, do të ishte në vetvete edhe një cenim i mëtutjeshëm i të drejtave të garantuara me po ato instrumente. Vetë fakti se një zbatim i këtij aktvendimi antikushtetues do të privonte Parashtruesin nga e drejta për të përzgjedhur mbrojtësin përderisa procedura penale kundër tij do të vazhdonte, e kjo rrethanë Parashtruesit do ti shkaktonte dëme të pariparueshme pasi që ai do të privohej nga e drejta të përfaqësohet nga mbrojtësi i përzgjedhur prej tij”.
Megjithatë, Gjykata tashmë ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e pranueshme dhe se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 30 të Kushtetutës, në ndërlidhje me pikën (c) të paragrafit 3 të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe si rezultat i kësaj konstaton se kërkesa për vendosje të masës së përkohshme duhet të refuzohet në pajtim me rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës KI10/22, parashtrues Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aktgjykim i 18 korrikut 2022, paragrafi 85).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 27 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 44, 45 dhe 48 (1) (a) të Rregullores së punës, më 30 tetor 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË VËRTETOJË se Aktvendimi [PN.nr.1420/23] i Gjykatës së Apelit, i 15 nëntorit 2023 nuk është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 3o [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me pikën (c) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË REFUZOJË kërkesën për vendosje të masës së përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve, dhe në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta shpallë të njëjtin në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË se ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Zekë Jasiqi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile