Prishtinë, më 1 shkurt 2024
Nr. ref.: RK 2315/24
VENDIM PËR TËRHEQJE TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI101/23
Parashtrues
Faik Kurrumeli dhe të tjerët
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të Gjykatës së Apelit të 29 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Faik Kurrumeli, Shkelzen Elezaj, Anita Brahimi, Flaka Hashani Mahmudi, Arjan Tafa, Avdullah Ismaili, Hanmije Mjaki dhe Shyqeri Mjaki, Arsim Hasani nga Prishtina përkatësisht Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), përfaqësuar nga Arbër Fazliu, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Parashtruesit e kërkesës kanë pranuar vendimin e kontestuar më 14 shkurt 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 22 mars 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI101/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 5 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës Gjykatës Themelore në Pejë dhe të njëjtës iu kërkua që të dorëzojë fletëkthesën që tregon ditën e pranimit të vendimit të kontestuar nga parashtruesit të kërkesës.
Më 14 qershor 2023, Gjykata Themelore në Pejë dorëzoi fletëkthesën që tregon ditën e pranimit të vendimit të kontestuar nga parashtruesit e kërkesës.
Më 19 korrik 2023, Gjykata kërkoi nga përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës që të njoftohet nëse Gjykata Themelore ka nxjerrë vendim të ri lidhur me sekuestrimin e përkohshëm të pronës së parashtruesve të kërkesës.
Më 15 shtator 2023, Gjykata përsëriti kërkesën drejtuar përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës për t’u njoftuar për ndonjë zhvillim të ri pranë gjyqësorit të rregullt lidhur me kërkesën KI101/23.
Më 28 shtator 2023, përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës dorëzoi një parashtresë ku në mënyrë shprehimore thuhet “[...] Përmes kësaj parashtrese kërkojmë që Procedura sipas Kërkesës së Parashtruesve të Ndërpritet apo që e njëjta të konsiderohet e tërhequr nga ana e tyre [...].”
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 14 tetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj në bazë të kërkesës PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 kishte kërkuar sekuestrimin e përkohshëm të pronave (vilave) të parashtruesve të kërkesës të cilat gjenden në komunën e Shtërpcës në zonën kadastrale në Verbeshticë.
Më 7 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda përmes Urdhrit [UGJK.nr.161/22] vendosi të sekuestrojë përkohësisht objektet ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 të datës 14.10.2022 përfshirë pronat-vilat e parashtruesve të kërkesës të identifikuar me nr.05661-7, nr.05804-33, nr. 05845-16, nr. 05845-14, nr. 05668-2, nr. Nr.5808/35.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) Prokuroria Themelore ka parashtruar kërkesë për sekuestrim të përkohshëm të objekteve ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë të cilat janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim kundër disa të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra penale të dënueshme nga dispozitat përkatëse të KPRK-së; (ii) gjykata themelore pas shikimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës gjeti sa jenë përmbushur kushtet ligjore për sekuestrim të përkohshëm pasi që objektet e lartcekura dyshohet se janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr. 04/L-087, e të cilat objekte dyshohet se janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim; (iii) konform nenit 112.9 të KPPRK-së sendet dhe pasuria e sekuestruar përkohësisht janë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e prokurorit të shtetit; (iv) kundër këtij urdhri mund të ushtrohet kundërshtim në afat prej 48 orë, nga momenti i pranimit, drejtuar kolegjit shqyrtues të kësaj gjykate.
Më 11 nëntor 2022, parashtruesit e kërkesës paraqitën kundërshtim me propozim që të anulohet Urdhri [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022. Parashtruesit e kërkesës pretenduan zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë gjendjes faktike. Parashtruesit e kërkesës theksuan se nuk janë subjekt i procedurës penale dhe i veprimeve të Prokurorisë Themelore dhe se prona-vilat e tyre nuk do të duhej të sekuestroheshin përkohësisht për shkak se palët e treta janë subjekt i hetimeve dhe procedurës penale.
Më 25 nëntor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PK.nr.389/22] e refuzoi të pabazuar kundërshtimin të paraqitur nga parashtruesit e kërkesës kundër Urdhrit [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) kolegji shqyrtues i kësaj gjykate ka vlerësuar se në rastin konkret kundërshtimet e lartcekura janë të pabazuara ngase kjo çështje juridike është në fazën e hetimeve; (ii) sipas urdhëresës për sekuestrim të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar përkohësisht sendet që mund të jenë prova gjatë kësaj procedure penale ose që të kenë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose që mund të konsiderohen si dobi pasurore me kryerjen e veprës penale; (iii) edhe kolegji shqyrtues i kësaj gjykate konsideron se urdhëresa e gjyqtarit të procedurës paraprake është e lëshuar në harmoni me dispozitat ligjore të KPRK-së dhe është plotësisht e bazuar; (iv) në rastin konkret, hetimet janë në zhvillim e sipër dhe kemi të bëjmë me sekuestrim të përkohshëm e që gjatë rrjedhës së procedurës penale; (v) duke marrë parasysh se në rastin konkret nevojiten veprime urgjente në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme dhe për të shmangur mundësinë e zhdukjes së këtyre provave të cilat do të qartësohen gjatë fazave të mëvonshme të procedurës ku do të vendoset për konfiskimin e përhershëm ose lirimin e tyre; (vi) derisa konform nenit 267.4 KPPRK-së, Prokurori i Shtetit është i obliguar që të kërkojë masën e përkohshme të sigurimit të pasurisë nga neni 268 të KPPRK-së.
Gjykata Themelore dhe këshillë juridike se konform nenit 24.6 të KPPRK-së kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa brenda 5 ditëve nga momenti i pranimit të këtij aktvendimi, ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit nëpërmjet kësaj gjykate.
Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje ligjore me propozim që Gjykatës Apelit të aprovoi ankesën dhe çështjen ta kthejë në rivendosje apo të ndryshojë aktvendimin ankimor duke lënë jashtë fuqie urdhrin për sekuestrim.
Më 29 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.nr.1350/22] e hodhi të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PK.nr.389/22] të 25 nëntorit 2022.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe aktvendimit ankimor ka ardhur në përfundim se nuk mund të shqyrtojë ankesën e parashtruesve të kërkesës për shkak të pengesave procedurale-formale; (ii) Gjykata e Apelit gjen se përkundër se është dhënë këshilla juridike me të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit; (iii) në rastin konkret, ndaj aktvendimit të gjykatës themelore nuk lejohet ankesë e posaçme; (iv) neni 417.5 i KPPRK-së parashikon: “Përveç nëse përcaktohet ndryshe me këtë Kod, aktvendimi i kolegjit shqyrtues mbi kundërshtimin shqyrtohet nga Gjykata e Apelit vetëm në bazë të ankesës kundër aktgjykimit të gjykatës themelore.”; (v) prandaj, duke qenë se pranë gjykatës së shkallës së parë ka vendosur kolegji shqyrtues lidhur me kundërshtimin e urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake sekuestrimin e përkohshëm, ky aktvendim nuk mund të ankimohet me ankesë të posaçme pranë Gjykatës së Apelit.
Më 6 korrik 2023, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda përmes Urdhrit [UGJK.nr.161/22] vendosi: HUDHET si e paafatshme, kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 e datës 15.06.2023, për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Urdhërohet lirimi i objekteve të parashtruesve të kërkesës.
Kërkesa për tërheqje të kërkesës nr. KI101/23
Më 28 shtator 2023, përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës dorëzoi një parashtresë ku në mënyrë shprehimore thuhet “[...] përmes kësaj parashtrese kërkojmë që Procedura sipas Kërkesës së Parashtruesve të Ndërpritet apo që e njëjta të konsiderohet e tërhequr nga ana e tyre [...].”
Vlerësimi i kërkesës për tërheqje të kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Megjithatë, në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh kërkesën e përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës për tërheqjen e kërkesës, Gjykata së pari do të shqyrtojë kërkesën për tërheqje të kërkesës duke iu referuar rregullit 31 (Tërheqja e palëve nga procedura) dhe rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
Rregulli31
(Tërheqja e palëve nga procedura)
“(1) Parashtruesi/ja e kërkesës mund të tërheqë kërkesën në çdo kohë para
shqyrtimit dhe vendimmarrjes së Gjykatës.
(2) Pavarësisht tërheqjes së kërkesës, Gjykata mund të vazhdojë me shqyrtimin dhe
vendosjen e kërkesës kur këtë e kërkon interesi publik dhe/ose respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
(1) Gjykata mund të hedhë poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se
pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.”
Gjykata vëren se paragrafi (1) i rregullit 31 të Rregullores së punës ua mundëson parashtruesve të kërkesës që ta tërheqin kërkesën e tyre në çdo kohë para shqyrtimit dhe vendimmarrjes së Gjykatës. Gjykata bazuar në nenin 23 të Ligjit (Tërheqja e kërkesës) dhe rregullave 31 (Tërheqja e palëve nga procedura) dhe 54 (hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, vendos për miratimin ose jo të kësaj kërkese (shih rastin e Gjykatës KI28/18 parashtrues i kërkesës Ymer Preniqi, Vendim për tërheqje të kërkesës i 16 janarit 2019, paragrafi 25).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se nuk ka ndonjë arsye bindëse për vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të aktvendimit të lartcekur, sepse me lirimin e objekteve të parashtruesve të kërkesës si dhe me kërkesën e përfaqësuesit të këtyre të fundit për tërheqje të kërkesës, kërkesa KI101/23 nuk përfaqëson kontest (shih rastet e Gjykatës KI28/18 parashtrues i kërkesës Ymer Preniqi, cituar më lart, paragrafi 26; KI04/17, parashtrues i kërkesës Z. K., Vendim për tërheqje të kërkesës i 28 korrikut 2017, paragrafi 19 dhe rastin KI110/17, parashtrues i kërkesës Sekule Stanković Vendim për tërheqje të kërkesës i 13 qershorit 2018, paragrafi 18).
Rrjedhimisht, Gjykata miraton kërkesën e përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës për tërheqje të kërkesës në pajtim me nenin 23 të Ligjit dhe rregullin 31 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113 (7) të Kushtetutës, me nenet 20, 23 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat dhe 31 dhe 54 të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË MIRATOJË kërkesën për tërheqje të kërkesës;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Faik Kurrumeli dhe të tjerët
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për tërheqjen e palës nga kërkesa
Penale