Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit  K.DH.SH.II.1597/2022  të Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë të 8 dhjetorit 2022  

Nr. të lëndës KI89/23

Parashtruesit: “Rex Marble sh.p.k”

Shkarko:

KI89/23, Parashtrues: “Rex Marble sh.p.k”, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit  K.DH.SH.II.1597/2022  të Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë të 8 dhjetorit 2022  

KI89/23, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2023, publikuar më 4 dhjetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë paraprake, kërkesë e papranueshme   

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëjë me ndërlidhet me mosmarrëveshje të kompanive “Rex Marble” sh.p.k., dhe “Fox Marble”sh.p.k., përkitazi me përdorimin e tri licencave për shfrytëzim të gurit të fortë të lëshuara nga KPMM. Ndërkohë, është zhvilluar procedura gjyqësore në nivel të shkallës së dhe të dytë të gjyqësorit të rregullt dhe çështja ishte kthyer në ri-procedurë në shkallë të parë. Në ri-procedurë, Gjykata Themelore miratoi të bazuar propozimin e propozuesit të sigurimit R.Sh., të paraqitur kundër kundërshtarëve të sigurimit, “Fox Marble Kosova”, sh.p.k, “Fox Marble Limited” dhe “Rex Marble”, sh.p.k. Gjykata Themelore iu ndaloi kundërshtarëve të sigurimit “Fox Marble Kosova” sh.p.k , “Fox Marble Limited” dhe “Rex Marble” sh.p.k, tjetërsimin, vendosjen e ndonjë barre apo ndryshimin e gjendjes juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër gjyqësor. Gjykata Themelore dha arsyetim të zgjeruar lidhur me kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, ekspertizën e grafologjisë, ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k. dhe plotësimin  e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurisë. Kundërshtarët e sigurimit paraqitën ankesë tek Gjykata Komerciale. Gjykata Komerciale vërtetoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe theksoi se aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 të LPK-së dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, se parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime specifike por të ndërlidhura përkitazi me caktimin e ekspertit, legjitimitetin aktiv të palës kundërshtare, kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe pritjet legjitime. Të gjitha këto të meta të pretenduara procedurale dhe materiale sipas parashtruesit të kërkesës kanë rezultuar me shkelje të neneve 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6, 13 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta.

Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të pronës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ka të bëj me aspektin material të kërkesës së tij dhe se i njëjti akoma ka mundësi që në procedurë tek gjyqësori i rregullt t’i ngre pretendimet për mbrojtje të pronës, ngase objekt vlerësimi kushtetues para Gjykatës janë procedurat paraprake .

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31[E Drejta për Gjykim të dhe 54[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me dhe nenet 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“Rex Marble sh.p.k”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile