Prishtinë, më 16 shkurt 2023
Nr. ref.:RK 2129/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI111/22
Parashtrues
Bechtel Enka GP O.P
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit Ac.nr. 5723/20 të 7 dhjetorit 2021
të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga kompania “Bechtel Enka GP O.P” (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Koci dhe Vokshi”, me seli në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin Ac. nr. 5723/20 të 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në lidhje me Aktvendimin PPP. nr. 2021/19, të 21 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 31 dhjetor 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ); nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] lidhur me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së; dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi në po të njëjtën datë.
Më 2 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI111/22] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 9 gusht 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale si dhe Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 janar 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 17 janar 2019, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (në tekstin e mëtejmë: KPMM) përmes Aktvendimit nr. 93 obligoi parashtruesin e kërkesës që KPMM-së, si kreditor, t’ia paguaj borxhin në shumë prej 185,084.40 euro, duke përfshirë rrjedhën e interesit prej 2%, për pagesën e rentës minerale për eksploatimin e materialit në fshatin Trudë në Komunën e Prishtinës, për ndërtimin e auto-udhës "Morinë – Merdare”. Ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër këtij aktvendimi u refuzua nga Komisioni i Ankesave i KPMM-së.
Më 13 nëntor 2019, KPMM, në cilësinë e kreditorit kundër parashtruesit të kërkesës paraqiti propozim për përmbarim në bazë të Vendimit nr. 93 të 17 janarit 2019, përmes së cilit kërkoi që ky i fundit t’ia paguajë KPMM-së borxhin e lartcekur, duke përfshirë interesin, si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm me ndalimin, sekuestrimin e mjeteve në para apo regjistrimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe shitjen publike te sendeve te luajtshme apo të paluajtshme.
Më 14 nëntor 2019, Autoriteti Përmbarues ‘”Alea SH.P.K” (në tekstin e mëtejmë: Përmbaruesi Privat) përmes Urdhrit [P. nr. 466/2019] lejoi përmbarimin e propozuar nga KPMM, duke caktuar një afat prej 7 (shtatë) ditësh për përmbushje vullnetare të detyrimit.
Më 18 nëntor 2019, parashtruesi i kërkesës kundër Urdhrit [P. nr. 466/2019] të 14 nëntorit 2019 të Përmbaruesit Privat paraqiti prapësim në Gjykatën Themelore, me arsyetimin se realizimi i kredisë ishte parandaluar në mënyrë të përhershme në bazë të Vendimit [nr. 17/117] të datës 27 marsit 2013 të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se kërkesa nga dokumenti përmbarues ishte parashkruar.
Më 21 shtator 2020, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [PPPP. nr. 2021/19] refuzoi si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës kundër Urdhrit [P. nr. 466/2019] të 14 nëntorit 2019 të Përmbaruesit Privat. Në arsyetimin e Aktvendimit të lartcekur u theksua se: përmbaruesi privat lejoi urdhrin përmbarimor në bazë të vendimit nr.93 të 17 janarit 2019 i cili ishte bërë i formës së prerë më 15 korrik 2019 dhe i ekzekutueshëm nga 31 korriku 2019; se parashtruesi i kërkesës nuk kishte ofruar prova për të argumentuar pretendimet e ngritura në prapësim, në kuptim të paragrafit 4 të nenit 69 (Prapësimi kundër vendimeve për përmbarim) të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore (në tekstin e mëtejmë: LPP); apo se ekzistonte ndonjëri nga shkaqet e parapara në nenin 71 (Shkaqet e prapësimit) të LPP-së. Gjithashtu, Gjykata Themelore në arsyetimin e aktvendimit të saj konstatoi se sipas paragrafit 1 të nenit 361 të Ligjit Nr. 04/L-017 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD) në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk kishte parashkrim të kërkesës pasi që nuk bëhej fjalë për pagesë periodike por për pagesë të rentës minerale.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit [PPP. nr. 2021/19] të 21 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës përmbarimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Në një datë të paspecifikuar, KPMM parashtroi përgjigje në ankesën e parashtruesit të kërkesës përmes së cilës propozoi refuzimin si të pabazuar të ankesës së tij.
Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Ac. nr. 5723/20] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [PPP. nr. 2021/19] e 21 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore.
Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se: Aktvendimi [PPP. nr. 2021/19] i 21 shtatorit 2020 i Gjykatës Themelore ishte i rregullt dhe i ligjshëm; i përcjellë me vërtetim të drejtë të gjendjes faktike; si dhe nuk ishte i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit theksoi se Gjykata Themelore drejtë kishte vlerësuar se Aktvendimi [Nr. 93/2019] i 17 janarit 2019, i i KPMM-së përbën dokument përmbarues dhe se ankesa e parashtruesit të kërkesës për parashkrim të kërkesës ishte e pabazuar meqenëse në procedurë përmbarimore gjykata nuk kishte detyrim të lëshohej në ligjshmërinë e dokumentit përmbarues, dhe se për këtë parashtruesi i kërkesës ka mundur të iniciojë ndonjë procedurë tjetër, siç është konflikti administrativ.
Më 15 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për ushtrimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke propozuar që t’i kërkohet Gjykatës Supreme të aprovojë si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të prishë Aktvendimin [Ac. nr. 5723/20] e 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [PPP. nr. 2021/19] e 21 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore dhe të ndryshojë Aktvendimin [Ac. nr. 5723/20] e Gjykatës së Apelit në mënyrë që të aprovojë si të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 4 prill 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes Njoftimit [KMLC. nr. 14/2022] refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për ushtrimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas pikës a dhe b, paragrafit 1 të nenit 247 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK).
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës lidhur me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës thekson se kërkesa e tij i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën dhe me Rregulloren e Punës së Gjykatës. Në këtë drejtim, lidhur me kriterin e parashtrimit të kërkesë brenda afatit prej 4 muajsh nga data kur është dorëzuar vendimi i fundit gjyqësor, parashtruesi i kërkesës shton se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit i është dorëzuar me 31 dhjetor 2021 mirëpo meqenëse Prokuroria ka kompetencë ekskluzive për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë i është drejtuar asaj. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i 4 prillit 2022 paraqet akt të fundit të organeve shtetërore, edhe pse jo akt të organit gjyqësor.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se afatshmëria e kërkesës duhet të vlerësohet në ndërlidhje me mjetet juridike në dispozicion dhe se: “Ndonëse kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit - praktika e deritanishme nuk njeh ndonjë rast kur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka paraqitur këtë mjet juridik pa propozimin e palës”. Për të mbështetur argumentet e tij, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), Riad dhe Idiab kundër Belgjikës, nr. 29787/03 dhe 29810/03, Aktgjykim, 24 janarit 2008; Červenka kundër Republikës Ceke, nr. 62507/12, Aktgjykim, i 13 tetorit 2016; dhe Petrović kundër Serbisë, nr. 40485/08, Aktgjykim, i 15 korrikut 2017.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit dhe mungesës së arsyetimit të vendimit. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton se “Në dritën e rrethanave të rastit, Gjykata e Apelit ka dështuar t'i elaboroj këto pretendime ankimore, se: 1) - Kredia është shuar nëpërmjet Vendimit të Qeverisë, dhe se - 2) Kërkesa e Kreditorit ishte parashkruar, konform Nenit 353 të LMD-së. Ndërkohë që - Gjykata e Apelit - mjaftohet vetëm me përmendjen e faktit se procedura përmbarimore është procedurë strikte e ekzekutimit. Ndonëse kjo asnjëherë nuk është ngritur si çështje nga Debitori, i njëjti i rikujton Gjykatës Kushtetuese se përtej "rregullsisë" së një dokumenti përmbarimor në kuptim të përmbajtjes së tij, kur ekzistojnë shkaqet e prapësimit nga Neni 71 i LPP-së - si shkaqe strikte, të njëjtat duhet të mirren doemos parasysh nga Gjykatat që vendosin për to.”
Më tej, parashtruesi i kërkesës deklaron se “Gjykata e Apelit në asnjë moment nuk e ka marrë mundin për të argumentuar asnjë nga faktet vendimtare - apo për të cituar ndonjë nga provat materiale në të cilat ka mbështetur konstatimet e saj. Po ashtu, Gjykata e Apelit nuk i ka adresuar fare argumentet dhe provat e prezantuara nga ana e Parashtruesit të Kërkesës.”
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së duke theksuar se “....me Vendimin e Qeverise së Republikës së Kosovës nr. 17/2017 të datës 27 shkurt 2013, Parashtruesi i Kërkesës ishte liruar nga detyrimi për të paguar të gjitha tatimet e parapara me procedurat e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Rrjedhimisht, Parashtruesi i Kërkesës ka pasur pritje legjitime se një rente e tille nuk do të aplikohet.”
Parashtruesi i kërkesës shton se zbatimi i gabuar i të drejtës procedurale dhe mungesa e arsyetimit bindës në Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ka ndikuar që ndërhyrja në të drejtat pronësore të mos përcillet me garanci të mjaftueshme kundër arbitraritetit, e si rrjedhojë nuk ka qenë në përputhje me Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të: (i) shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNJ-së ; (iii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 46 të Kushtetutës dhe të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së; (iv) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Ac. nr. 5723/20] e 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit; dhe (v) të kthejë Aktvendimin [Ac. nr. 5723/20] e 7 dhjetorit 2021 në rivendosje në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Dispozitat relevante ligjore
LIGJI 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
Neni 68
(Mjetet e jashtëzakonshme juridike)
Nuk është i lejuar revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurën përmbarimore
[...]
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 247
(pa titull)
247.1 Prokurori publik mund ta ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë:
a) për shkak te shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, në qoftë se shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale , po qe se gjykata e shkallës së parë e ka nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po qe se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
b) për shkak të aplikimit të gabueshëm të së drejtës materiale.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të nenit 113 në lidhje me nenin 21, paragrafit 4 të Kushtetutës individët dhe personat juridikë janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës në cilësinë e personit juridik është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Ac. nr. 5723/20] e 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës lidhur me kriterin e parashtrimit të kërkesë brenda afatit katër (4) mujor thekson se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit atij i është dorëzuar me 31 dhjetor 2021, dhe bazuar në kompetencën e Prokurorit të Shtetit për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë i është drejtuar Zyrës së tij më këtë kërkesë dhe si rrjedhojë sipas tij Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i 4 prillit 2022 në rrethanat e rastit të tij paraqet akt të fundit të autoritetit publik. Në mbështetje të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës i është referuar tri (3) rasteve të GJEDNJ-së, përkatësisht rasteve Riad dhe Idiab kundër Belgjikës; Červenka kundër Republikës së Çekisë dhe Petrović kundër Serbisë (të cituara më lart) rrethanat faktike dhe juridike të të cilave raste nuk ndërlidhen me rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës dhe rrjedhimisht qëndrimi apo konstatimi i GJEDNJ-së në këto raste nuk është i aplikueshëm në kontekstin e rastit konkret.
Në këtë drejtim, Gjykata duke adresuar edhe pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës fillimisht rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” në procesin e shterjes së mjeteve juridike. Në këtë kuptim, Gjykata po ashtu vlerëson se kërkesa për shterjen e mjeteve juridike dhe kriterin që kërkesa të paraqitet brenda afatit prej 4 (katër) muajve janë të ndërlidhura ngushtë.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton që në rrethanat e rastit konkret procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me Urdhrin përmbarimor [P. nr. 466/2019] të 14 nëntorit 2019 ishte zhvilluar para dy instancave gjyqësore, Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, që kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit [Ac. nr. 5723/20] të 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit.
Në vijim Gjykata i referohet nenit 68 (Mjetet e jashtëzakonshme juridike) të LPP-së i cili përcakton që: “nuk lejohen revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurën përmbarimore”. Bazuar në këtë të fundit Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk kishte mjet juridik në dispozicion dhe të qasshëm që ai drejtpërsëdrejti mund ta parashtronte në Gjykatën Supreme për të kontestuar Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit. Megjithatë, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës bazuar në nenin 247 të LPK-së i ishte drejtuar Prokurorit të Shtetit, me propozimin që ky i fundit në emër të parashtruesit të kërkesës të ushtrojë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit. Lidhur me këtë mjet të jashtëzakonshëm juridik, Gjykata vëren se ushtrimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë është plotësisht në diskrecion të Prokurorit të Shtetit dhe plotësohen kushtet e përcaktuara me nenin 247 të LPK-së.
Në këtë aspekt, Gjykata përmes praktikës së vet gjyqësore ka theksuar se nuk kërkohet shterimi i mjeteve juridike diskrecionale, apo mjeteve juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, siç është rasti me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur përmes Prokurorit të Shtetit para se parashtruesit e kërkesave t'i drejtohen Gjykatës (shih, rastin e Gjykatës KI174/20, parashtrues DE-KO Sh.p.k, Aktvendim për papranueshmëri i 25 shkurtit 2021, paragrafi 38 dhe KI234/21, parashtrues N.P.N Çlirimi, Aktvendim për Papranueshmëri i 8 qershorit 2022, paragrafi 46).
Në këtë kuptim, Gjykata është bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht rastet Lepojic kundër Serbisë, nr. 13909/05, Aktgjykim i 6 nëntorit 2007 dhe Trajce Stojanovski kundër ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr. 1431/03, Vendim i 16 shtatorit 2008. Në lidhje me propozimin e ngjashëm, siç është propozimi i paraqitur Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të ushtrojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para organeve gjyqësore në emër të parashtruesit të kërkesave, GJEDNJ në rastin Lepojic kundër Serbisë në kuptim të asaj nëse propozimi i paraqitur para prokurorit të shtetit duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë është mjet efektiv, ku kishte deklaruar se: "[GJEDNJ] gjen se është vetëm prokurori i shtetit ai që mund të dorëzoj [kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë] në emër të parashtruesit të kërkesës, dhe, për më tepër, ky i fundit ka diskrecion nëse dëshiron të bëjë një gjë të tillë. Përderisa parashtruesi i kërkesës mund të kërkoj një veprim të tillë të prokurorit, ai nuk ka të drejtë sipas ligjit për të përdorur një mjet të tille juridik [kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë] personalisht [ ... ] Kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë, për këtë arsye, ishte jo efektive [ ... ]" (shih paragrafin 54 në rastin Lepojić kundër Serbisë).
Po ashtu në rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, kjo e fundit nuk kishte marre për bazë njoftimin e prokurorit të shtetit për qëllim të llogaritjes se afatit, kur ky i fundit kishte konstatuar se nuk kishte bazë të mjaftueshme për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. GJEDNJ në këtë rast kishte theksuar se: “kërkesa e parashtruesit para prokurorit publik, nuk ishte mjet që duhej të shterej për qëllime [të KEDNJ-së]. Rrjedhimisht, periudha kohore për të përdorur atë mjet juridik nuk e ndal rrjedhjen e afatit gjashtë (6) mujor për të paraqitur kërkesë para GJEDNJ lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit” dhe rrjedhimisht, GJEDNJ kishte konkluduar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit të paraparë me KEDNJ.
Megjithatë, Gjykata rikujton qe praktika e saj gjyqësore, njeh edhe raste në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e njoftimeve te Prokurorit te Shtetit përmes të cilit nuk është pranuar kërkesa e palëve për ushtrim të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e Prokurorit të Shtetit Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rastit të saj KI42/18, parashtruese Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2020, përmes të cilit kishte vlerësuar pretendimet e ngritura nga ana e parashtrueses së kërkesës për shkelje kushtetuese të Njoftimit të Prokurorit te Shtetit që ndër tjerash ndërlidheshin me mungesën e arsyetimit të këtij njoftimi, përderisa kërkesa e parashtrueses së kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ndaras nga Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit në Gjykatë ishte paraqitur brenda afatit te para pare me Ligj dhe Rregullore të punës.
Megjithatë, Gjykata vëren se rrethanat e rastit të lartcekur KI42/18 dallojnë nga rrethanat e rastit konkret për arsye se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të 17 dhjetorit 2021 dhe nuk ngritë pretendime specifike lidhur me Njoftimin e Zyrës se Kryeprokurorit te Shtetit.
Në lidhje me këtë, Gjykata duke iu referuar praktikës së vet gjyqësore në raste të ngjashme vlerëson se parashtruesin e kërkesës, pas pranimit te Aktvendimit [Ac. nr. 5723/20] të 7 dhjetorit 2021 te Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (shih rastin e Gjykatës KI174/20, të cituar më lartë, paragrafi 46).
Prandaj, Gjykata vlerëson se "vendim i fundit", në kuptim të nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës është Aktvendimi i [Ac. nr. 5723/20] i 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit [PPPP. nr. 2021/19] të Gjykatës Themelore. Në lidhje me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, Gjykata rikujton se ky i fundit ishte nxjerrë më 17 dhjetor 2021 të cilin parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon se e ka pranuar më 31 dhjetor 2021, përderisa kërkesën e tij në Gjykatë i njëjti e ka dorëzuar më 27 korrik 2022.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht e njëjta është e papranueshme për shqyrtim të mëtejmë.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullat 39 (1) (c) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 25 janar 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Bechtel Enka GP O.P.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile