Prishtinë, më 26 shtator 2022
Nr. Ref.:RK 2048/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI46/22
Parashtrues
Veselin Beshoviq
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit Ac. nr.2648/2017 të 17 prillit 2019 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga Veselin Beshoviq nga Komuna e Pejës, i cili përfaqësohet para Gjykatës nga Gani Kelmendi, avokat nga Peja (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Ac. nr.2648/2017] të 17 prillit 2019, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [C.nr.1803/11] të 21 marsit 2017 të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
- Parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e kontestuar e kishte pranuar më 18 qershor 2019.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 29 (5) [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 121 [Prona] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ-së).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 20 prill 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI46/22], caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi, (anëtarë).
- Më 21 prill 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe nga i njëjti kërkoi që ta plotësojë formularin e kërkesës. Në po të njëjtën datë, Gjykata njoftoi Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
- Më 13 maj 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi formularin e kërkesës në Gjykatë.
- Më 10 qershor dhe 6 korrik 2022, Gjykata gjithashtu kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar. Gjykata Themelore nuk dorëzoi dokumentin e kërkuar në Gjykatë.
- Më 20 korrik 2022, Gjykata njoftoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës për regjistrim të kërkesës dhe po ashtu kërkoi që t’i sigurohet fletë-kthesa që tregon datën e pranimit të aktit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
- Më 22 korrik 2022, Gjykata Themelore ia dorëzoi Gjykatës fletë-kthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 18 qershor 2019.
- Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin [Ac. nr.2648/2017] të 17 prillit 2019 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese. Vendimi i kontestuar ndërlidhet me padinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e dëmit për mbajtje të padrejtë në paraburgim, e cila ishte refuzuar nga gjykatat e rregullta për shkak të mos paraqitjes në seancë gjyqësore edhe përkundër thirrjes së rregullt. Para zhvillimit të procedurave gjyqësore, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte aprovuar një shumë të caktuar të të hollave për kompensim të dëmit për mbajtje të padrejtë në paraburgim, me lartësinë e së cilës parashtruesi i kërkesës nuk ishte pajtuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [Ac. nr.2648/2017] të Gjykatës së Apelit të 17 prillit 2019, që ndërlidhet me padinë e lartcekur për kompensimin e dëmit për mbajtje të padrejtë në paraburgim, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 29 (5) [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 121 [Prona] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen e kompensimit të dëmit për mbajtje të padrejtë në paraburgim, duke pretenduar se Gjykata e Apelit në mënyrë arbitrare ka refuzuar propozimin e tij për kthim në gjendje të mëparshme, me ç ‘rast ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ. Andaj, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të vendos se: (i) kërkesa është e pranueshme për vendosje në merita; (ii) të anulojë aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit; (iii) të obligojë Këshillin Gjyqësor të Kosovës që parashtruesit të kërkesës t’ia mundësojë tërheqjen e shumës së aprovuar më 22 prill 2008.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
- c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [ nr.2648/2017] të 17 prillit 2019 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
- Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Ac. nr.2648/2017] të 17 prillit 2019 të Gjykatës së Apelit. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 19 qershor 2019. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 9 prill 2022, më shumë se dy (2) vite pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
- Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
- Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
- Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 27, 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022 njëzëri
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani