Prishtinë, më 21 tetor 2024
Nr. ref.:RK 2561/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI28/24
Parashtrues
Avdyl Smajli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar
të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Avdyl Smajli nga Gjakova (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shkurt 2024, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 shkurt 2024, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [nr. GJR. KI28/24] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe me vendimin [nr. KSH. KI28/24] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 5 mars 2024, Gjykata i dërgoi një shkresë dhe njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që: (i) të saktësojë aktin e autoritetit publik që po e konteston; dhe (ii) të sqarojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuar me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar përmes aktit përkatës të autoritetit publik; si dhe (iii) të bashkëngjisë dokumentet relevante lidhur me rastin. Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që sqarimet e lartcekura t’i dorëzojë në Gjykatë në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
Më 11 mars 2024, parashtruesi i kërkesës dërgoi një e-mail në e-mailin zyrtar të Gjykatës ku ndër të tjera, theksoi “arsyeja e kësaj kërkese ka të bëjë me pronën time të cilën e kam shfrytëzuar me rreth 20 vite gjegjësisht përmes korporatës sime unë paguaj tatime dhe shpenzimet publike, dhe se më kanë dëbuar nga aty, andaj kërkoj të mbahet një seancë si e domosdoshme për të treguar detajisht ngjarjen”.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhje e fakteve
Gjykata nuk i referohet fakteve të këtij rasti sepse nga shkresat e përfshira në këtë kërkesë, pasqyrimi i gjendjes faktike është objektivisht i pamundur.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk ka specifikuar aktin e autoritetit publik të cilin e konteston dhe as nuk ka qartësuar saktësisht se për çfarë ankohet konkretisht.
Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se i është drejtuar me një kërkesë Komunës së Gjakovës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje, ku lidhur me këtë thekson se “ ... andaj kërkoj që të obligoni Komunën e Gjakovës në përgjigje, si dhe të vlerësoni ligjshmërinë e vendimmarrjes së pronës sime”.
Parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon: (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale) dhe 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik”.
[...].
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Në kontekst të dispozitave të lartcekura, Gjykata thekson se bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 1 të nenit 47 dhe nenit 48 të Ligjit, përpos specifikimit të aktit konkret të autoritetit publik i cili kontestohet, palët janë gjithashtu të detyruara që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren që parashtruesi i kërkesës: (i) nuk e ka saktësuar para Gjykatës aktin e autoritetit publik të cilin e konteston; (ii) nuk i ka sqaruar se si dhe pse të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar; dhe (iii) nuk e ka dorëzuar në Gjykatë dokumentacionin përkatës.
Gjykata nga shkresat e lëndës dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës nuk mund të kuptojë se për çka konkretisht ankohet ai, dhe si rrjedhojë e cilit vendim të autoritetit publik bazohen pretendimet e tij.
Prandaj, Gjykata ia kishte dërguar një shkresë parashtruesit të kërkesës në adresën të cilën e kishte lënë në Gjykatë, përmes të cilës shkresë kërkoi nga parashtruesi i kërkesës (i) të saktësojë aktin e autoritetit publik që po e konteston; dhe (ii) të sqarojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuar me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar përmes aktit përkatës të autoritetit publik; si dhe (iii) të bashkëngjisë dokumentet relevante lidhur me rastin.
Gjykata vëren nga fletëkthesa se parashtruesi i kërkesës shkresën e Gjykatës e ka pranuar, dhe në përgjigjen e tij drejtuar Gjykatës kishte theksuar se “arsyeja e kësaj kërkese ka të bëjë me pronën time të cilën e kam shfrytëzuar me rreth 20 vite gjegjësisht përmes korporatës sime unë paguaj tatime dhe shpenzimet publike, dhe se me kanë dëbuar nga aty, andaj kërkoj të mbahet një seancë si e domosdoshme për të treguar detajisht ngjarjen”. Mirëpo, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk i është përgjigjur në mënyrë specifike kërkesave të Gjykatës.
Në këtë aspekt, Gjykata i referohet paragrafit (2) (a) të rregullit 54 të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
[...]
“(2) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë përkundër kërkesës ose kërkesave nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojnë ose të qartësojnë kërkesën”.
[...]
Gjykata thekson se rregulli i lartcekur i Rregullores së punës i mundëson Gjykatës që të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër nëse, ndër të tjera, kërkesa e një parashtruesi është e paplotë dhe e paqartë, përkundër kërkesave të Gjykatës për të plotësuar dhe qartësuar kërkesën përkatëse. Gjykata i është drejtuar parashtruesit të kërkesës me një kërkesë për sqarim, mirëpo edhe pse Gjykata ka tentuar që të marrë sqarimet e kërkuara në shkresë, parashtruesi i kërkesës nuk i ka dorëzuar ato.
Prandaj, Gjykata duhet të konstatojë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se është e paplotë dhe e paqartë, siç është përcaktuar në paragrafin (2) (a) të rregullit 54 të Rregullores së punës.
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesave të Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i refuzon këto kërkesa me procedurë të shkurtër (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI60/20, parashtrues Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame, Vendim për refuzim i 18 shkurtit 2021, paragrafi 36; KI90/20, parashtrues Arben Boletini, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 25; dhe rastet nr. KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 7 dhjetorit 2020, paragrafi 33 dhe referencat e përdorura aty).
Përfundimisht, në përputhje me rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 22, 47 e 48 të Ligjit dhe rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, më 25 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20. 4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Avdyl Smajli
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës