Prishtinë, më 6 shkurt 2023
Nr. ref.:RK2124/23
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI137/22
Parashtrues
Agim Stublla
Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar
të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Agim Stublla me vendbanim në fshatin Lluzhan, Komuna e Podujevës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik.
Parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar saktësisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), të cilat pretendon se i janë cenuar përmes ndonjë akti të autoritetit publik.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 7 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës, parashtroi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 14 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 16 shtator 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që (i) të plotësojë formularin e Gjykatës; (ii) të saktësojë aktin e autoritetit publik që po e konteston; dhe (iii) të sqarojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuar me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar përmes aktit përkatës të autoritetit publik; si dhe (iv) të bashkangjisë dokumentet relevante lidhur me rastin. Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që sqarimet e lartcekura t’i dorëzojë në Gjykatë në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh.
Më 19 dhe 20 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës, dorëzoi dokumentet e njëjta si në kërkesën e tij të 7 shtatorit 2022, duke mos bashkangjitur dokumentet siç janë kërkuar me letrën e Gjykatës të 16 shtatorit 2022. Parashtruesi i kërkesës, ka bashkangjitur dy përgjigje që në thelb janë identike me kërkesën e tij fillestare të dorëzuar në Gjykatë më 7 shtator 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç 'rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 janar 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhje e fakteve
Gjykata nuk i referohet fakteve të këtij rasti sepse nga shkresat e përfshira në këtë kërkesë, pasqyrimi i gjendjes faktike është objektivisht i pamundur.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk ka specifikuar aktin e autoritetit publik të cilin e konteston dhe as nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar.
Parashtruesi i kërkesës në thelb ankohet se ndjehet i diskriminuar dhe i kërcënuar sepse është “etiketuar bashkëpunëtor i regjimit të Millosheviqit” dhe kërkon nga Gjykata “që si gjykatë kushtetuese t’i kryen hetimet, me realitet.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale) dhe 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.”
[...].
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Në kontekst të dispozitave të lartcekura, Gjykata thekson se bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 1 të nenit 47 dhe nenit 48 të Ligjit, përpos specifikimit të aktit konkret të autoritetit publik i cili kontestohet, palët janë gjithashtu të detyruara që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren që parashtruesi i kërkesës, përkundër kërkesave të Gjykatës për sqarim, (i) nuk e ka saktësuar para Gjykatës aktin e autoritetit publik të cilin e konteston; (ii) nuk i ka sqaruar se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar; dhe (iii) nuk e ka dorëzuar në Gjykatë dokumentacionin përkatës.
Gjykata nga shkresat e lëndës dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës, nuk mund të kuptojë se për çka konkretisht ankohet ai, dhe si rrjedhojë e cilit vendim të autoritetit publik bazohen pretendimet e tij. Kërkesa e tij, përmban pretendime për “etiketim”, “diskriminim” dhe “kërcënime” por pa identifikuar autoritetin publik apo personin privat që e “kërcënon” apo “etiketon” atë.
Në këtë aspekt, Gjykata i referohet paragrafit (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 35
(Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
[...]
“(5) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është e paplotë ose e paqartë përkundër kërkesave të Gjykatës ndaj palës që të plotësojnë apo qartësojnë kërkesën.”
[...]
Gjykata thekson se rregulli i lartcekur i Rregullores së punës, i mundëson Gjykatës që të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër nëse, ndër të tjera, kërkesa e një parashtruesi është e paplotë dhe e paqartë, përkundër kërkesave të Gjykatës për të plotësuar dhe qartësuar kërkesën përkatëse. Gjykata i është drejtuar parashtruesit të kërkesës me një kërkesë të tillë, mirëpo edhe pse parashtruesi i kërkesës ishte përgjigjur duke ripërsëritur pretendimet e tij, ai nuk ishte përgjigjur në asnjërën nga kërkesat specifike të Gjykatës, siç është sqaruar në procedurën para Gjykatës të këtij vendimi.
Prandaj, Gjykata duhet të konstatojë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se është e paplotë dhe e paqartë, siç është përcaktuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës.
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesave të Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, i refuzon këto kërkesa me procedurë të shkurtër. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI 60/20, parashtrues Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame, Vendim për refuzim i 18 shkurtit 2021, paragrafi 36; KI90/20, parashtrues Arben Boletini, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 25; dhe rastet nr. KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 7 dhjetorit 2020, paragrafi 33 dhe referencat e përdorura aty).
Përfundimisht, në përputhje me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 22, 47 e 48 të Ligjit dhe rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, më 17 janar 2023, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20. 4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Agim Stublla
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Tjetër