KI23/24, Parashtrues: Agim Zogaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-21-0836-A0001], të 26 tetorit 2023
KI23/24, Aktgjykim, i 17 korrikut 2024, publikuar më 5 shtator 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mos arsyetim i vendimit, mos mbajtje e seancës dëgjimore
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 17 korrik 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI23/24, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0836-A0001] të 26 tetorit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktgjykimi [AC-I-21-0836-A0001] i 26 tetorit 2023 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe që (iii) Aktgjykimi [AC-I-21-0836-A0001] i 26 tetorit 2023 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të dorëzuar tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003 – qershor 2014, si i punësuar tek NSH “Auto Prishtina”. Pasi që kërkesë e tij u refuzua, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Auto Prishtina”, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën kohore të lartpërmendur. Më 15 nëntor 2021, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktgjykimit e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vendosi gjithashtu që të mos mbajë seancë dëgjimore. Kundër Aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shkak të vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në ankesë. Më 26 tetor 2023, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes Aktgjykimit, e vlerësoi si të bazuar ankesën e Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ndryshoi Aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kërkesa e tij ishte parashkruar. Gjithashtu, përmes Aktgjykimit të lartpërmendur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës vendosi të mos mbajë seancë të shqyrtimit gjyqësor.
Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i është cenuar e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit, që në thelb përkon me (i) mosarsyetim të vendimit gjyqësor; dhe (ii) mosmbajtje të seancës dëgjimore.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe mbajtjen e seancës dëgjimore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Së pari, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se përmes Aktgjykimit të lartcekur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk kishte elaboruar mjaftueshëm se si ishte arritur parashkrimi edhe për 3 (tre) vitet e fundit para paraqitjes së padisë, gjegjësisht për vitet 2011-2014. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ofroi një konkludim të përgjithshëm dhe arsyetim të pamjaftueshëm lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, gjegjësisht mungesën e ofrimit të ndonjë prove mbi ndërprerjen e parashkrimit dhe pavlefshmërisë së listës së 12 shtatorit 2014, provë të cilën në raste të tjera të ngjashme me të parashtruesit të kërkesës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës e kishte pranuar si të vlefshme. Së dyti, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që në parim, mbajtja e seancës dëgjimore në të paktën njërën nga instancat gjyqësore është detyrim kushtetues, ndërsa përderisa përjashtimet nga ky parim janë të mundshme, rrethanat e rastit konkret, nuk përkojnë me mundësinë e këtij përjashtimi, dhe rrjedhimisht, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nuk kanë ekzistuar rrethana të cilat do të mund të justifikonin mungesën e seancës dëgjimore.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe mosmbajtjes së seancës dëgjimore, parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Agim Zogaj
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm