KI198/21, Parashtrues: Behlul Jashari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit nr. AC-I-20-0265-A0001, të 2 korrikut 2021
KI198/21, aktvendim i 12 majit 2022, publikuar më 9 qershor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, kompensim, zbatim i gabuar i ligjit, e drejta në punë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret i referohen kontestit civil, përkatësisht kërkesës monetare për kompensim për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontratës së punës nga ndërmarrja shoqërore NSH “Rilindja”. Parashtruesi i kërkesës fillimisht ka dorëzuar kërkesë në Autoritetin e Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për kompensim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës dhe kërkesa e tij është refuzuar për shkak se e njëjta është parashkruar. I pakënaqur me këtë vendim, parashtruesi parashtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), Kolegji i Specializuar i së cilës, me Aktgjykimin [C-VI-17-0045], e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi vendimin [PRN142- 0021] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, i cili pas analizimit të pretendimeve të ngritura e refuzoi ankesën dhe e vërtetoi aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës dhe nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të KEDNJ-së duke arsyetuar se e drejta e tij nuk ishte parashkruar dhe për këtë arsye ai duhej të merrte kompensim nga NSH “Rilindja”.
Gjykata konstaton se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë plotësuar të gjitha kushtet e mësipërme nga AKP-ja dhe kolegjet e DHPGJS-së, vendimmarrja e të cilave është plotësisht në pajtim me kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së. Gjykata në këtë rast vëren se parashtruesi i kërkesës thjesht nuk u pajtua me rezultatin e procedurës dhe gjykimin e rastit të tij në AKP dhe kolegjet e DHPGJS-së lidhur me çështjen e parashkrimit. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mundet vetvetiu të paraqesë pretendim të argumentueshëm për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë bien në kategorinë (iii), nën-kategorinë (b) të pretendimeve „të pambështetura apo të paarsyetuara“, dhe si të tilla, të njëjtat deklarohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se këto pretendime bien në kategorinë (iii), nën-kategorinë (a) të pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, prandaj, si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Behlul Jashari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile