Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme AC-I-18-0160 të 29 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI16/22

Shkarko:
Përmbledhje

KI16/22, Parashtrues: Hamit Gashi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme AC-I-18-0160 të 29 shtatorit 2021   

KI16/22, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, publikuar më 13 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për t’u dëgjuar, e drejta për një vendim të arsyetuar, siguria juridike, parimi i kontradiktoritetit, ndalimi i diskriminimit,  kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur në Gjykatën Komunale në Klinë lidhur me konfirmimin e marrëdhënies së punës dhe kompensimin e të ardhurave personale në vlerë prej 21,390.00 euro ta aprovoj të bazuar dhe ta obligoj të paditurën NSH “Malishgan” Klinë, që parashtruesit të kërkesës t’ia konfirmoj marrëdhënien e punës dhe t’ia kompensoj të ardhurat personale që nga 26.09.1991 deri më 15.07.1999. Gjykata Komunale në Klinë shpallet inkompetente në çështjen juridike të parashtruesit të kërkesës dhe lënda me të gjitha shkresat i përcillet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së vendosi që procedura në këtë çështje juridike pezullohet, për arsye se NSH “Malishgan” Klinë është në likuidim sepse është subjekt i Vendimit për Likuidim nga ana e Autoritetit të Likuidim. Autoriteti i Likuidimit vendosi që kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensim të pagave të papaguara të refuzohet e pavlefshme sepse është parashkruar. Parashtruesi i kërkesës e kontestoi vendimin dhe kërkoi që të detyrohet Autoriteti i Likuidimit të NSH “Malishgan” që parashtruesin e kërkesës ta radhitë në listën e kreditorëve dhe që t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 21.390,00 euro për periudhën prej 26 shtator 1991 deri më 1 shtator 1999. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së  konstatoi se ankesa e parashtruesit të kërkesës refuzohet e pabazuar, vërtetohet Aktgjykimi i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe se nuk caktohen taksa për procedurën gjyqësore. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së shpjegoi se afati i parashkrimit nuk është ndërprerë dhe për këtë parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur asnjë dëshmi brenda tri viteve prej momentit kur e paditura nuk e ka përmbushur obligimin, në bazë të nenit 608 të Ligjit të Punës së Bashkuar.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm me aktgjykimin e kontestuar janë shkelur e drejta për dëgjim publik, parimi i kontradiktoritetit, parimi i barazisë së armëve në procedurë dhe parimi i sigurisë juridike lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar. Më konkretisht parashtruesi i kërkesës pretendoi se i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i) pretendimi për dëgjim publik dhe siguri juridike shpallen të papranueshme për shkak të mos shterjes në substancë të mjeteve juridike në procedurën e zhvilluar pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; (ii) pretendimi për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar është qartazi i pabazuar sepse Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së është i arsyetuar dhe përmban fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre; (iii) pretendimi për shkelje të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit është qartazi i pabazuar sepse në faza të ndryshme të procedurës parashtruesit të kërkesës i ishte dhënë mundësia që t’i paraqet të gjitha pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; (iv) pretendimi për diskriminim  është qartazi i pabazuar sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hamit Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile