Prishtinë, më 8 maj 2023
Nr. ref.:RK 2161/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI208/22
Parashtrues
Flurentin Berisha
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [P. nr. 267/22]
të Gjykatës Themelore në Gjakovë të 7 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Flurentin Berisha me vendbanim në Gjakovë, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Korab Bokshi, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [P.nr. 267/22] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të 7 tetorit 2022.
Aktgjykimi [P. nr. 267/22] i Gjykatës Themelore në Gjakovë i 7 tetorit 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 15 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 30 [ Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 dhjetor 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 dhjetor 2022, Gjykata pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [nr. GJR. KI208/22] caktoi gjyqtarin Enver Peci Gjyqtar raportues dhe me vendimin [nr. KSH. KI208/22] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 6 janar 2023, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) dhe e njoftoi atë për regjistrimin e kërkesës. Përveç kësaj, përmes kësaj shkrese, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore informata shtesë në lidhje me atë “se a ka pasur parashtruesi i kërkesës përfaqësues ligjor në procedurat para Gjykatës Themelore në Gjakovë”.
Më 18 janar 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese procesverbalin e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 5 tetor 2022 lidhur me çështjen penale [P. nr. 267/22] të parashtruesit të kërkesës.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, me shufër metalike ka thyer derën e objektit, konkretisht të librarisë “T”, ka hyrë në të dhe ka marrë një shumë të caktuar parash.
Më 21 qershor 2022, Prokuroria Themelore-Departamenti i Përgjithshëm në Gjakovë ngriti aktakuzën [PP/II nr. 197/22] ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Kosovës” dhe propozoi që parashtruesi i kërkesës të shpallet fajtor dhe të dënohet në bazë të ligjit.
Nga shkresat e lëndës, të cilat Gjykata Themelore i ka dorëzuar më 18 janar 2023, Gjykata konstaton se më 5 tetor 2022, është mbajtur shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore, me ç’rast Gjykata i ka treguar në detaje parashtruesit të kërkesës për të drejtat lidhur me mbrojtje dhe për t’u deklaruar rreth aktakuzës.
Me atë rast, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës kishte deklaruar para gjykatës dhe prokurorit, në të cilën ai sqaron a) se e kupton aktakuzën b) se e pranon në tërësi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, dhe pranon pasojat si dhe favoret juridike të pranimit të fajësisë, dhe c) se ai do të mbrohet vet personalisht.
Më 7 tetor 2022, Gjykata Themelore duke u bazuar në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 tetor 2022 kishte marrë aktvendim për pranimin e fajësisë ë parashtruesit të kërkesës, dhe të njëjtën ditë nxori edhe Aktgjykimin [P. nr. 267/22], ku shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale – “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 nën par.1.1 të Kodit Penal të Kosovës dhe shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj si dhe dënimin me gjobë në shumë prej njëqind (100) euro.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Themelore në Gjakovë është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parapara me nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]. Sipas pretendimeve të përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore në Gjakovë është dashur të marrë parasysh arsimimin e parashtruesit të kërkesës dhe se a i ka kuptuar plotësisht të drejtat e tij për mbrojtje, sepse duke mos i siguruar mbrojtës me shpenzime publike, parashtruesi i kërkesës i është privuar nga liria dhe mundësia faktike për realizimin e të drejtave të tij për mbrojtje efikase të garantuara me nenin 30 të Kushtetutës e që janë cenuar edhe të drejtat për një gjykim të drejtë nga neni 31 i Kushtetutës.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 30 dhe 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykata ka shkelur të drejtën në sigurimin e mbrojtjes efikase, duke mos i siguruar mbrojtës me shpenzime publike dhe duke mos i ftuar fare mbrojtësin që e ka pasur parashtruesi i kërkesës në prokurori gjatë dhënies së mbrojtjes. Tutje, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës pretendon se Gjykata Themelore është dashur të vlerësoj shkallën e arsimimit të parashtruesit të kërkesës dhe të bindet se i njëjti ka kuptuar të drejtat e tij për mbrojtje.
Lidhur me mosshterimin e mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës thekson se “Aktgjykimi i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe i njëjti është person i paarsimuar, prandaj e ka pasur të pamundur parashtrimin e mjeteve efikase juridike”.
Përfundimisht, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës kërkon nga Gjykata që të gjejë shkelje të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës në Aktgjykimin [P. nr. 267/22] të Gjykatës Themelorë në Gjakovë të 7 tetorit 2022.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
“Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[…]
Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.”
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.”
[...]
Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
[...]
të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;”
[...]
KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 315
Vjedhja e rëndë
“1. Kushdo që kryen vjedhje nga paragrafi 1. i nenit 313 të këtij Kodi, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në shtatë (7) vjet, nëse:
1.1. vepra është kryer duke thyer, kaluar apo depërtuar me forcë në veturat e mbyllura, ndërtesat, dhomat, arkat, sanduqet apo hapësirat tjera të mbyllura ose duke hequr pengesat tjera me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme;”.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Përveç kësaj, Gjykata po ashtu u referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1.Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2.Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili e konteston një akt të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [P. nr. 267/22] të 7 tetorit 2022 të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Në vazhdim, Gjykata i referohet rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i cili specifikon se:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar”
Gjykata fillimisht rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre gjatë procedurës së rregullt gjyqësore para se çështja të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljet e pretenduara pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporurar në ligjin kombëtar apo jo (shih rastin e GJEDNj-së, inter alia, Aksoy kundër Turqisë , nr. 21987/93, Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51; shih, po ashtu ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI67/19, parashtrues Hajrije Rina Zhitija Ajeti , Aktvendim për papranueshmëri, i 30 shtatorit 2019, paragrafi 34; KI09/19, parashtrues Leutrim Hajdari,, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2020, paragrafi 36; KI30/17, parashtrues Muharrem Nuredini, Aktvendim për papranueshmëri i 7 gushtit 2017, paragrafi 35; dhe KI94/14, parashtrues Sadat Ademi,Aktvendim për papranueshmëri i 17 dhjetorit 2014, paragrafi 24; KI178/21,parashtrues Agim Stublla, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 shkurtit 2022, paragrafi 26).
Gjykata Kushtetuese ka krijuar një mekanizëm mbrojtës i cili është subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih rastet e Gjykatës nr. KI15/16, parashtrues Ramadan Muja, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2016, paragrafi 42; dhe KI178/21, cituar më lart, paragrafi 27).
Rrjedhimisht, Gjykata thekson se shterimi i mjeteve juridike permban dy elemente: (i) shterimin ne kuptimin formal-procedural, që nënkupton mundësinë e përdorimit te mjetit juridik kunder aktit te nje autoriteti publik ne nje shkalle me te larte me juridiksion te plote; dhe (ii) shterimi i mjeteve ne kuptimin thelbësor, që nënkupton raportimin e shkeljeve kushtetuese në ”thelb“ para gjykatave te rregullta, në mënyrë që ato të kenë mundësinë të parandalojnë ose korrigjojnë shkeljen e të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ. Gjykata i konsideron mjetet juridike të shterura vetëm kur parashtruesit, në pajtim me ligjet në fuqi, i kanë përdorur ato në të dy kuptimet (shih edhe rastin e Gjykatës Kushtetuese KI71/18, parashtruesit Kamer Borovci, Mustafi Borovci dhe Avdulla Bajra, aktvendim për papranueshmëri, i 21 nëntorit 2018, paragrafi 57).
Në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës duhet të ketë një rrugë të rregullt deri te mjetet juridike të cilat janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të siguruar një mundësi për të korrigjuar shkeljet e pretenduara. Ekzistimi i mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaft i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, dhe nëse nuk është kështu, atëherë këtyre mjeteve juridike do t’iu mungojë disponueshmëria dhe efektiviteti i nevojshëm (shih rastet e GJEDNJ-së, inter alia, Vernillo kundër Francës, nr. 11889/85,, Aktgjykim i 20 shkurtit 1991, paragrafi 27; dhe Dalia kundër Francës, nr. 154/1996/773/974,Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 38).
Gjykata duhet të shqyrtojë nëse janë shteruar mjetet juridike dhe nëse mjeti juridik ishte efektiv, në dispozicion në teori dhe praktikë në kohën përkatëse, përkatësisht nëse ka qenë i qasshëm, që ka mundur t’i korrigjojë shkeljet në lidhje me kundërshtimet e parashtruesit të kërkesës, dhe gjithashtu ka ofruar një perspektivë të arsyeshme për sukses (shih rastin e GJEDNJ-së, inter alia, Civet kundër Francës, nr. 29340/95 , Aktgjykim i 28 shtatorit 1999, paragrafët 42-44; dhe rastin e Gjykatës, KI178/21, cituar më lart, paragrafi 29).
Megjithatë, kur një mjet juridik parashikohet me ligj, i takon parashtruesit të kërkesës të dëshmojë se mjeti juridik i paraparë me ligj është shteruar me të vërtetë ose për ndonjë arsye nuk ka qenë në dispozicion dhe ka qenë joefektiv në rrethanat e posaçme të rastit, ose kur ka pasur rrethana të veçanta për shkak të cilave ai ose ajo kanë qenë të liruar nga kushti i shterimit të mjeteve juridike.
Duke iu rikthyer rastit konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës pas pranimit të fajësisë, me aktgjykimin [P. nr. 267/22] të Gjykatës Themelore, është shpallur fajtor për veprën penale të kryer dhe është dënuar me 1 vit burgim, si dhe me gjobë. Aktgjykimi [P. nr. 267/22] i Gjykatës Themelore mori formë të prerë për shkak se parashtryuesi i kërkesës nuk ka parashtruar ankesë në gjykatën më të lartë. Sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ka qenë pjesa e procedurës që është zhvilluar para Gjykatës Themelore që ka sjellë shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës.
Në mbështetje të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës paraqet dy baza mbi të cilat ai ndërton pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese të lartpërmendura. Arsyeja e parë për shkeljen e pretenduar është fakti se ai nuk ka pasur mbrojtës në procedurën pranë Gjykatës Themelore, që i përgjigjet “të drejtës së tij për mbrojtje”, ndërsa arsyeja e dytë është e natyrës procedurale dhe ka të bëjë me lëshimin e afatit për paraqitjen e ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, me pretendimin se ka humbur afatin e pretenduar për paraqitjen e ankesës në gjykatën më të lartë për dy arsye dhe ato janë ”se aktgjykimi i Gjykatës Themelore i është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, si dhe se është person i paarsimuar, prandaj e ka pasur të pamundur parashtrimin e mjeteve efikase juridike”.
Gjykata thekson se çështja e ngritur në gjykatë lidhur me ”të drejtën e mbrojtjes” ka një rëndësi të madhe si koncept i garancisë së një gjykimi të drejtë të parashikuar në nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës, si dhe në nenin 6 të KEDNJ-së, dhe rrjedhimisht, kërkoi nga Gjykata Themelore komente shtesë dhe shkresa të lëndës për të përcaktuar bazueshmërinë e atyre pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.
Bazuar në sa më sipër, duke shqyrtuar të dyja pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerëson se pretendimi i parë i parashtruesit të kërkesës është më tepër e një natyre thelbësore, ndërsa pretendimi i dytë përjashton karakterin procedural me të cilin ai përpiqet të arsyetojë lëshimin e tij procedural. Megjithatë, në mënyrë që Gjykata ta marrë në shqyrtim pretendimin e parë në kuptimin thelbësor, fillimisht duhet të shqyrtojë bazueshmërinë e pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës dhe të përcaktojë nëse janë plotësuar të gjitha kushtet procedurale të kërkesës së parashtruar në këtë gjykatë. Më konkretisht, për të përcaktuar nëse pretendimet e tij për mospërdorimin e mjeteve juridike të përcaktuara me ligj janë të bazuara.
Gjykata rikujton se sipas rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, parashtruesi i kërkesës është i detyruar të shterojë të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj, si kusht që Gjykata të shqyrtojë meritat e kërkesës së tij që do të përfshinte edhe përgjigjen mdaj pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me pretendimin e tij për shkeljen e “të drejtës për mbrojtje”.
Pretendimet në lidhje me humbjen e afatit
Prandaj, duke shqyrtuar pretendimin e dytë të parashtruesit të kërkesës me të cilin ai përpiqet të justifikojë humbjen e afatit, Gjykata konstaton se gjatë seancës përgatitore parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Themelore ka pranuar veprën penale. Megjithatë, ajo që Gjykata vëren si fakt të rëndësishëm që përcakton rezultatin e kësaj procedure pranë kësaj gjykate në kuptimin procedural është se gjyqtari i Gjykatës Themelore e ka njoftuar parashtruesin e kërkesës për të drejtat e tij në procedurën penale, përfshirë të drejtën për mbrojtje, para procedurës së pranimit të fajit. Për më tepër, Gjykata, bazuar në procesverbalin e seancës së Gjykatës Themelore, konstaton se ai vullnetarisht, a) deklaroi se i kupton plotësisht të drejtat e tij; b) se heq dorë vullnetarisht nga e drejta e mbrojtjes, me deklaratën “se do të mbrohem vet personalisht”; dhe c) se ka pranuar vullnetarisht fajin për veprën penale të kryer. Këtu Gjykata do të ndalet në analizën e mëtutjeshme të procedurës pranë Gjykatës Themelore për arsye se pikërisht kjo pjesë e procedurës që ai deklaroi se është e një rëndësie të madhe dhe e mjaftueshme për analiza të mëtejshme si dhe për marrjen e përgjigjes në lidhje me pretendimin e dytë.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ishte mjaftueshëm i vetëdijshëm për të drejtat e tij të cilat iu paraqitën atij nga gjyqtari i Gjykatës Themelore, si dhe pasojat që rezultuan nga një veprim i tillë, dhe për këtë arsye konsideron se nuk ka bazë për të cilin ajo do të konkludonte se parashtruesi i kërkesës është ”person i paarsimuar, dhe për këtë arsye ka pasur të pamundur parashtrimin e mjeteve efikase juridike”, siç pretendon ai në kërkesë. Gjykata deklaron se ajo nuk thirret të vendosë dhe të shprehë mendimin e saj në lidhje arsimimin apo mosarsimimin e një personi, por për fakte konkrete. Në mbështetje të kësaj, Gjykata dëshiron gjithashtu të shtojë se edhe nëse parashtruesi i kërkesës e konsideronte veten të pashkolluar, asgjë nuk e pengonte atë të kërkonte ndihmë juridike pikërisht për këtë, e cila do të ishte në dispozicion të tij gjatë procedurës gjyqësore, si dhe në procedurën e shfrytëzimit të mjeteve juridike.
Gjykata gjithashtu shqyrton pretendimin e dytë të parashtruesit të kërkesës në të cilin ai pretendon ”se aktgjykimi i Gjykatës Themelore i është dorëzuar atij në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dhe se për shkak të kësaj ai nuk ka mundur të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit” e konsideron të pabazuar, për arsye se vetë fakti se aktgjykimi i Gjykatës Themelore i është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, nuk është arsye e mjaftueshme që në ndonjë mënyrë do ta pengonte, parandalonte apo zvogëlonte të drejtën e tij për të shfrytëzuar mjetin juridik, përkatësisht të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, qoftë në mënyrë të pavarur ose përmes një përfaqësuesi të cilin ai ka mundur ta angazhojë. Për më tepër, nëse ai nuk e ka kuptuar përmbajtjen e aktgjykimit të Gjykatës Themelore, kjo në vetvete do të duhej të paraqes arsye mjaft të qartë për të kërkuar ndihmë juridike.
Rrjedhimisht, duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata i kthehet edhe një herë kriterit të mosshterimit të mjeteve juridike në lidhje me pranueshmërinë e kësaj kërkese konkrete, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka konfirmuar në asnjë moment rrethanat që e përjashtojnë atë nga kushti i mosshterimit të mjeteve juridike. Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës pas marrjes së aktgjykimit [P. nr. 267/22] të 7 tetorit 2022, ka mundur të parashtrojë ankesë në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit, pasi që ishte udhëzuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë për mjetin juridik, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e së drejtës për të siguruar mbrojtje efektive mund të shqyrtohen edhe gjatë procedurës së rregullt në gjykatat e rregullta..
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, të cilat ishin të parapara me rregullat e brendshme ligjore, dhe se ato si të tilla ishin në dispozicion të parashtruesit të kërkesës gjatë gjithë kohës..
Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore thekson se nëse parashtruesit e kërkesës nuk i shterin mjetet efektive juridike të parapara me ligj, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatë konsiderohen si mosshterim (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës, KI193/20, parashtrues Bujar Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 majit 2021, paragrafi 29).
Bazuar në sa më sipër, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shteruar mjetet e rregullta juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka shteruar mjetet juridike, Gjykata gjithashtu konkludon se në këto rrethana nuk mund të vazhdojë të shqyrtojë bazueshmërinë e pretendimit të parë të parashtruesit të kërkesës në lidhje me ”shkeljen e së drejtës për mbrojtje” në kontekstin e shkeljes së të drejtave të garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka Nimani
Flurentin Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale