Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 197/2018, të 13 qershorit 2018

Nr. të lëndës KI 126/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI126/18, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 197/2018, të 13 qershorit 2018

KI126/18, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë

Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shkurtit 2020, publikuar me 18 mars 2020.

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë

Parashtrues i kërkesës është Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë. Kontesti lidhur me rastin në fjalë ka të bëjë me dy prona të paluajtshme që në vitet e 50-ta kishin qenë dyqane në një rrugë qendrore në qytetin e Gjakovës. Të njëjtat, kishin qenë në pronësi të Bashkësisë Islame të Gjakovës; mirëpo, në një datë të pacaktuar, ato ishin konfiskuar nga organet e atëhershme publike dhe ishin shndërruar në trotuar publik. Në të tillë gjendje figurojnë dhe sot. Në vitin 2003, Bashkësia Islame e Gjakovës kishte riaktualizuar padinë e saj fillestare të vitit 1997, me ç’rast, përmes precizimit të padisë, kishte kërkuar nga gjykatat e rregullta që t’ia miratojnë kërkesëpadinë për kompensim dëmi për dy pronat [ish-dyqanet] në fjalë dhe atë në vlerë totale prej 17,750.00 euro. Komuna e Gjakovës, si palë e paditur nga parashtruesi i kërkesës, e kishte kundërshtuar padinë duke ngritur pretendimin se në rastin konkret kemi të bëjmë me “parashkrim absolut” të kërkesës ngase parashtruesi i kërkesës është paraqitur pas 41 (dyzetë e një) vitesh për të kërkuar të drejtat e pretenduara.

Gjykatat e rregullta, ajo Themelore, e Apelit dhe Supreme, në thelb dhe në të njëjtën linjë arsyetimi, u pajtuan me këtë kundërshtim të Komunës së Gjakovës dhe vendosën që po, në fakt, në rastin konkret kemi të bëjmë me parashkrim absolut të kërkesës. Si rrjedhojë, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u refuzua pikërisht mbi bazën e parashkrimit absolut. Parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet dhe nuk konsideron se kërkesat për të drejtat pronësore mund të parashkruhen dhe, për rrjedhojë, e konteston vendimmarrjen e gjykatave të rregullta para kësaj Gjykate.

Pas trajtimit të të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me arsyetim të vendimeve gjyqësore janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punës; (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës përkitazi me të drejtën e pronës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punës; (iii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës për sa i përket çështjes së mbrojtjes gjyqësore të të drejtave nuk janë të qartësuara në mënyrë adekuate dhe si të tilla duhet të refuzohen në bazë të nenit 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile