Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 122/2018, i 28 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 109/20

Parashtruesit: Hamzi dhe Daim Kaloshi

Shkarko:

Rasti nr. KI109/20, Parashtrues: Hamzi dhe Daim Kaloshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 122/2018, i 28 tetorit 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kompenzim dëmi, kërkesë qartazi e pabazuar 

Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, si rezultat i vdekjes së njerkës së tyre, në aksidentin e trafikut në të cilin përgjegjës ishin e paditura e parë Kompania e Sigurimeve “Insig” dhe i padituri i dytë – Byroja Kosovare e Sigurimit. Gjykata Themelore e kishte miratuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës duke detyruar të paditurat e lartcekura, që parashtruesve të kërkesës në mënyrë solidare t’ua kompensojnë dëmin jomaterial dhe material të pësuar si pasojë e lëndimeve të shkaktuara në aksidentin e komunikacionit duke përfshirë: I/a Dëmin jomaterial për dhimbjet shpirtërore për vdekjen e anëtarit të familjes nënë-njerkës edhe atë: Hamzi Kaloshit për vdekjen e njerkës shumën prej  5.000 €; Daim Kaloshit për vdekjen e njerkës shumën prej 5.000 €; […]. Duke vepruar sipas ankesave përkatëse, Gjykata e Apelit, e të cilën e konfirmon edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pabazuara kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, me të cilën kanë kërkuar që të detyrohen të paditurit që në emër të dëmit jo material për dhimbjet shpirtërore për vdekjen e anëtarit të familjes-njerkës, të kompensoheshin.

Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen në esencë me garancitë procedurale të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me neni 6 të KEDNJ-së, dhe duke vënë theks në mos arsyetimin e vendimit gjyqësor si dhe në interpretimin e gabuar të nenit 201 të LMD-së.

Në vlerësimin e saj, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesve të kërkesës lidhur me zbatimin e drejtë të nenit 201 të LMD-së. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës kanë përfituar nga e drejta e tyre për të pranuar vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Rrjedhimisht, pretendimet e parashtruesve të kërkesës për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të ligjshmërisë dhe nuk janë argumentuar në nivel të kushtetutshmërisë. Për pasojë, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës janë qartazi te pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores se punës.

Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Hamzi dhe Daim Kaloshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile