Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ. nr. 102/2021, të 29 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI51/22

Parashtruesit: Naser Mustafa

Shkarko:

KI51/22, Parashtrues: Naser Mustafa, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ. nr. 102/2021, të 29 dhjetorit 2021,

KI51/22, Aktvendim i 8 shkurtit 2023, i publikuar më 23 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil mes parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Ferizajt, përkitazi me kompensimin dhe këmbimin e një paluajtshmërie, të evidentuar me nr. 2484/2, me një sipërfaqe prej 218 m2, e cila ishte shpronësuar nga Komuna e Ferizajt për qëllime të zgjerimit të një rruge. Parashtruesi i kërkesës më 14 janar 2010 kishte nënshkruar një marrëveshje me autoritetet e Komunës së Ferizajt për mënyrën e kompensimit dhe të këmbimit të paluajtshmërisë në fjalë. Megjithatë, kjo marrëveshje ishte anuluar nga Kryetari i Komunës se Ferizajt B. Xh, me vendimin 01/zyrtarisht të 16 shkurtit 2010. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar fillimisht padi në Gjykatën Themelor në Ferizaj, më pas e kishte tërhequr atë, pas dakordimit me kryetarin e Komunës së Ferizajt për zbatimin e marrëveshjes së 14 janarit 2010. Më 26 qershor 2015, Kryetari i Komunës së Ferizajit M.S, me Vendimin 01.nr.159/15, e kishte shfuqizuar vendimin e mëparshëm të tij, për zbatimin e marrëveshjes në fjalë. Parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi një padi të dytë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me të cilën kërkoi sërish zbatimin e marrëveshjes së 14 janarit 2010. Gjykata Themelore në Ferizaj, me Aktgjykimin e 16 majit 2019, e kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se nuk ishin respektuar procedurat e shpronësimit sipas ligjit në fuqi. Ky Aktgjykim u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenet 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj). Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Themelore, më pas ajo e Apelit dhe Supreme, (i) duke mos i konsideruar si të kundërligjshme vendimet e kryetarëve të Komunës së Ferizajt, (ii) duke mos marrë parasysh faktin se në rastin konkret kemi të bëjmë me moszbatim të marrëveshjes për kompensim dhe këmbim të paluajtshmërive, të nënshkruar mes tij dhe autoriteteve të Komunës, dhe (iii) duke i vlerësuar si të ligjshme vendimet për anulimin e marrëveshjes së 14 janarit 2010, me arsyetimin se nuk u përfillën procedurat e shpronësimit sipas Ligjit për Shpronësimin e Paluajtshmërive, kanë shkelur të drejtat e tij për një gjykim të drejtë.

Gjykata Kushtetuese fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor prej katër muajve. Gjykata duke iu referuar pretendimeve kryesore të parashtruesit të kërkesës vlerësoi se thelbi i ankesës së tij kishte të bënte me parregullsinë e procesit gjyqësor, e cila ndërlidhej me: (i) mënyrën e aplikimit të ligjit material dhe procedural, dhe (ii) me mohimin e të drejtës për qasje në drejtësi. Gjykata shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në rrethanat e rastit konkret, vlerësoi pretendimet përkitazi me (i) çështjet e faktit dhe të ligjit, duke rikujtuar se të njëjtat kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”. Kjo sepse si rregull nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe Konventë, por Gjykata vlerësoi se ky nuk ishte rasti. Ndërsa përkitazi me pretendimin për (ii) “qasje në drejtësi”, Gjykata duke iu referuar parimeve të përgjithshme të përcaktuara nga GjEDNj, për t’i aplikuar më pas në rrethanat e rastit konkret, erdhi në konstatimin se pretendimi i parashtruesit të kërkesës në lidhje me vendimet për anulimin e marrëveshjes së 14 janarit 2010, kishte marrë përgjigje të arsyetuar nga ana e gjykatave e sidomos nga Gjykata Supreme, e cila kishte theksuar se në rrethanat e rastit konkret nuk kishte një pajtim të palëve, nga shkaku se Komuna e Ferizajit, përfundimisht nuk ishte pajtuar me mënyrën e përcaktimit të kompensimit të paluajtshmërisë së shpronësuar. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës ishte udhëzuar që çështjet e kompensimit përkitazi me paluajtshmërinë e shpronësuar, si dhe humbjet e pësuara nga mosshfrytëzimi i saj, t’i realizonte në gjykatën civile në procedurë jokontestimore, meqë vendimi për shpronësimin nuk ishte kontestuar. Gjykata në kuptim të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese, respektivisht në kuptim të së drejtës për qasje në drejtësi, konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur në asnjë mënyrë të dëshmojë se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ishte në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të Konventës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të procesit të rregullt ligjor në lidhje me vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, ngrenë “çështje fakti dhe ligji” dhe si të tilla i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt”, sepse reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, prandaj të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; pretendimet për shkelje të së drejtës për “qasje në drejtësi”, i përkasin kategorisë së (iii) tretë, të pretendimeve të “pambështetura ose paarsyetuara”, andaj edhe këto duhet shpallur qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Mustafa

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile