Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 92/2020, të 7 majit 2021

Nr. të lëndës KI 208/21

Parashtruesit: Ramadan Dibrani

Shkarko:

KI208/21, Parashtrues: Ramadan Dibrani, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.92/2020, të 7 majit 2021

KI208/21, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2022, publikuar më 8 shkurt 2022

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kontest pune, kërkesë e papranueshme, kërkesë e paafatshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës është i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, në pozitën Udhëheqës i Sektorit të Sigurisë Industriale, dhe pas miratimit të Skemës Organizative të KEK-ut, Drejtori Ekzekutiv i Departamentit të Shpërndarjes e kishte emëruar parashtruesin e kërkesën në pozitën: Menaxher i Departamentit të Sigurisë në Punë, Sigurisë Industriale si dhe mbrojtjes kundër zjarrit. Më tutje rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk ishte kompensuar nga KEK-u për diferencën e pagës ndërmjet dy pozitave të lartpërmendura. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensimin e diferencës së pagave. Gjykata Themelore kishte miratuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Më pas, KEK-u kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit kishte aprovuar ankesën e KEK-ut dhe kishte ndryshuar Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme dhe kjo e fundit refuzoi revizionin si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës së mbrojtur me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Gjykata së pari iu referua datës së pranimit të vendimit përfundimtar nga parashtruesi i kërkesës dhe datës së parashtrimit të kërkesës në Gjykatë për të vlerësuar nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të caktuar prej 4 (katër) muajve.

Bazuar në fletëkthesën, të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dorëzuar në Gjykatë, kjo e fundit vëren se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 29 qershor 2021 ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 19 nëntor 2021, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme si e paafatshme, siç është e përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ramadan Dibrani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative