Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 489/2022, të 19 dhjetorit 2022

Nr. të lëndës KI116/23

Parashtruesit: Shaqir Vula

Shkarko:

KI116/23, Parashtrues: Shaqir Vula, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 489/2022, të 19 dhjetorit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, shpifje, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mos-arsyetim të vendimit gjyqësor të cilin orvatet ta ndërlidhë me mungesë të qasjes në gjykatë. Parashtruesi i kërkesës kishte punuar në cilësi të Avokatit të Komunës së Gjakovës, i cili në gjykatat e rregullta kishte kërkuar që të detyrohej P.L. ish kryetar i Komunës, që të ndalojë shpifjen e bërë në një emision televiziv ndaj tij, të bëjë tërheqjen e informacionit shpifës ndaj personalitetit të tij dhe të detyrohen të paditurit P.L. dhe Komuna e Gjakovës që solidarisht ti kompensojnë parashtruesit dëmin moral dhe material të shkaktuar nga shpifja në shumën e përgjithshme prej 1,000,000,00 (një milion) euro. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa pas ankesës së tij, Gjykata e Apelit aprovoi si të bazuar ankesën e tij, duke prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe lëndën ia ktheu të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë para se të vendoste në mënyrë meritore lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit, është dashur që të vlerësoj lejueshmërinë e padisë, gjë të cilën nuk e kishte bërë në këtë rast. Në vijim, Gjykata Themelore në rivendosje e hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës, për shkak se ishte parashtruar pas afatit ligjor të përcaktuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe fyerjes. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, nga Gjykata e Apelit pasoi edhe refuzimi si e pabazuar të ankesës së parashtruesit të kërkesës. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pathemeltë kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.

Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të (I) nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor; si dhe (ii) mungesës së qasjes në Gjykatë; si dhe pretendimet për: (II) shkelje të nenit  32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes padisë, ankesës dhe kërkesës për revizion, në lidhje me çështjen se a është paraqitur padia e parashtruesit të kërkesës brenda afatit të përcaktuar ligjor, si dhe çështjes së zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me ç’ rast ka vlerësuar se gjykatat kanë pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse që mbështesin konkluzionin e tyre përkitazi me vendimmarrjen në çështjen e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetimet e gjykatave të rregullta qartazi vërehet se të njëjtat kanë arsyetuar se parashtruesi i kërkesës ka humbur të drejtën e mbrojtjes gjyqësore, si rezultat i paraqitjes së padisë pas kalimit të afatit prekluziv të përcaktuar në nenin 17.1 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe fyerjes. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se si të tilla i takojnë kategorisë së pretendimeve qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimit të parashtruesit që atij i është cenuar e drejta e qasjes në gjykatë, Gjykata vëren se në thelb, parashtruesi u mbështet në të njëjtat argumente si ato të paraqitura në lidhje me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor, në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 32 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk shpjegoi specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve. Rrjedhimisht, ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shaqir Vula

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile